Ahmet Qeriqi: Histeria e disa analistëve të Kosovës kundër Partisë Socialiste dhe Edi Ramës

 


Edhe zgjedhjet e fundit  në Shqipëri kanë pasur jehonën e tyre, në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare, aktualisht të ndara nga trungu i shteti amë. Disa analistë dhe  drejtues të disa  medieve në Kosovë nuk e kanë fshehur dot simpatinë për Sali Bershën dhe PD-në e tij, ndërsa disa prej tyre kanë shpërthyer në një histeri të paparë kundër Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj, Edi Rama. Kjo fushatë aspak e ndershme, aspak vëllazërore dhe e patolerueshme ka bërë që disa mendje robëruar të kësaj pjese të Atdheut, të cilët i tmerron ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, ta përkrahin Bashën e Berishën dhe ta damkosin PS-në dhe Edi Ramën. >>>


 


Sa është i dëmshëm ky qëndrim do ta vërtetojë e ardhmja.


Përkrahësit e Sali Berishës në Kosovë vijnë nga klasa e njohur pacifiste, të cilët me mjeshtëri ia fshehin Salos të gjitha të ligat, madje edhe thyerjen e embargos ndërkombëtare ndaj Jugosllavisë, gjatë kohës së luftës në Kroaci dhe në Bosnje e Hercegovinë, shkatërrimin e Shqipërisë me firmat piramidale në vitin 1997 dhe deklaratat e Berishës se Kosova kurrë nuk do të bashkohet me Shqipërinë. Këta farë analistësh, në mënyrë perfide mundohen ta fshehin të kaluarën e papastër të Lulzim Bashës, gjatë kohës kur ai dhe disa të tjerë si ai,  kanë  punuar si zyrtarë UNMIK-ut në Kosovë, ku kanë hulumtuar “krimet e luftës” që gjoja kanë kryer shqiptarët kundër serbëve.


Analistët përkrahës së Berishës shkojnë aq larg në shpifjet dhe njollosjet e tyre  sa Edi Ramën e identifikojnë si sllavo komunist dhe proverb, ashtu sikur e identifikojnë edhe PS-në në përgjithësi, si gjoja prosllave. Çuditërisht, prejardhja ideologjike e dikurshme e këtyre analistëve, ishte puro jugosllave, puro sllave dhe serbe, por tani kanë ndërruar avazin. Ashtu si Berisha që hedh helm kundër Partisë së Punës, zyrtar i lartë i devotshëm i së cilës ishte me dekada të tëra, ashtu shpifin  edhe disa çakaj në Kosovë kundër socialistëve të Ramës, po kurrsesi  kundër ideologjisë të bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me popujt sllavë, ideologji të cilën disa nga këta analistë dhe drejtues të medieve në Kosovë e kanë trashëguar nga baballarët e tyre, ish inspektorë, milicë, hafije dhe farë e përzier shqiptaro-sllave jo vetëm me martesa e me kumbari.


Këta t’i quajmë analistë,  disa prej tyre edhe drejtues mediesh, nuk kanë lënë gur pa rrokullisur kundër Ramës dhe Partisë Socialiste. Nuk është vështirë të kuptohet  se këtë mbështetje aspak parimore ata  e kanë bërë dhe po e bëjnë  për favore dhe përfitime materiale, meqë në shumë segmente  janë të lidhur ngushtë me klanet e profiterisë në Shqipëri.


Në Kosovë e më gjerë nuk i mohohet askujt e drejta për ta simpatizuar Berishën apo Ramën, por janë të patolerueshme etiketime, fyerjet, gënjeshtrat dhe shpifjet në adresë të Partisë Socialiste, kur dihet se kjo forcë, për nga numri i anëtarëve, është forca më e madhe politike në Shqipëri, pavarësisht se  ky fakt u pëlqen apo jo disa “kalemxhinjve” që flasin e shkruajnë gegërisht dhe që e përkrahin bajraktarin e fiseve dhe  gegëve të Shqipërisë.


Është inkurajues fakti se partitë politike në Kosovë, përveç  në raste të izoluara kanë mbajtur qëndrim parimor, të paanshëm, pavarësisht orientimeve të tyre ideologjike.


Opinionet e këtyre analistëve, që shkarravisin me porosi kundër Edi Ramës si Shkëlzen Maliqi, Baton Haxhiu, Halil Matoshi, Ramiz Bojaj, Migjen Kelmendi njëfarë Bardhyl Meta, e skribë të tjerë, të njohur për qëndrimet e tyre kundër bashkimit kombëtar, në asnjë mënyrë nuk shprehin qëndrimet e shqiptarëve liridashës të Kosovës, të atyre shqiptarëve të cilëve, në kohën e dëbimit masiv nga regjimi kriminal i Milosheviqit,  ua hapen dyert e shtëpive të tyre,  dhe i priten krah-hapur vëllezërit e motrat nga Korça, Tirana, Elbasani, Durrësi, Berati, Fieri, Kavaja, Tepelena, Gjirokastra, por edhe Kukësi e Shkodra.


Shqiptarët liridashës të Kosovës në asnjë kohë dhe në asnjë rrethanë nuk kanë bërë dallime ndër-shqiptare lidhur me përkatësinë e dikurshme fisnore, apo krahinore, përkundrazi kanë qenë dhe kanë mbetur mbështetës të idesë së unifikimit dhe bashkimit të trojeve shqiptare.


“Një dele e keqe nuk e prish kopenë”, thuhet në jug të Shqipërisë, ndërsa në veri  thuhet se “nuk ka fis pa një pis”.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …