Është shkruar dhe shkruhet shumë për Gjergj Fishtën, poetin tonë të madh, intelektualin e mendimtarin, veprimtarin e çështjes kombëtare, të cilin nganjëherë e krahasojmë edhe me Homerin dhe besoj se nuk gabojmë kur themi Homeri Shqiptar, pavarësisht se Fishta për së gjalli nuk ka pranuar ta krahasojnë me të, me siguri nga modestia.
Fishta ka krijuar një epos kombëtar, ashtu sikur Homeri në kohën e tij, më vonë Danteja, me Komedinë Hyjnore, eposi gjerman, Nibelungët, e shumë të tjerë.
Në letërsinë shqipe edhe Naim Frashëri ka shkruar poemën e Qerbelasë, ndërsa një poemë me format epopeje e ka krijuar dhe Kolë Jakova, “Gardën Krutane” duke pasur bazë pikërisht “Lahutën e Malësisë”. Një epos të tillë në kohën tonë e ka realizuar me sukses, Zenun Gjocaj (1943-2013), në “Rilindjet e orës arbërore”, “Kosova e kuqe” dhe “Krahët e shqipes”.
Diapazoni mendor, krijues, i Gjergj Fishtës shtrihet gjerë e gjatë në historinë e së kaluarës shqiptare dhe ballkanike përgjithësisht, duke veçuar ngjarjet me rëndësi të së kaluarës dhe duke ndalur objektivin në historinë shqiptare të shekullit 19-20, në rajonin e Malësisë së Madhe dhe Shkodrën si epiqendër e botës shqiptare, qyteti i Mbretëreshës Teutë dhe i Shqipërisë veriore, i shtrirë në pashallëkun e kohës së Turqisë, në kohën e lulëzimit të Pashallëkut të Janinës dhe në kohën kur shqiptarët edhe pse nën flamurin e Perandorisë kishin krijuar katër vilajete të Shqipërisë, të “Arnautistanit”.
Gjergj Fishta edhe pse klerik me profesion, njohës i fesë krishtere dhe i feve përgjithësisht, njohës fenomenal i botës shqiptare, turke, sllave lindore dhe krishtere perëndimore, ai mbi të gjitha mbeti një shqiptar i madh, një ideolog i shqiptarisë, një bard i vërtetë i kombit në krijimtari dhe në të gjitha fushat ku veproi e punoi.
Diapazoni i imagjinatës së tij krijuese, kreative ishte pasuruar nga leximi dhe mësimi i çdo pjesë të Besëlidhjes së Vjetër dhe të Re, leximi i Homerit dhe i klasikëve grekë e romakë, nga të cilët kishte mësuar edhe filozofi, teologji, histori, retorikë, etikë, e të tjera. Gjatë kohës në kolegj kishte mësuar edhe jetën e veprat e shenjtorëve të krishterë. Dijen e tij e kishte shtrirë edhe në fusha të tjera. Njihte edhe traditat dhe historinë e popujve fqinjë e në veçanti historinë shqiptare nga Iliria e deri në kohën kur jetoi dhe krijoi. Për kohën kur ai iu paraqit lexuesit shqiptar dhe jo vetëm atij, Fishta përfaqësonte krijuesin erudit të kohës me dijen e tij të shumë anshme por edhe me njohjen e shumë gjuhëve të huaja.
Ishte ndër të vetmit intelektualë shqiptarë, i cili madje edhe për së gjalli mori mirënjohje nga Turqia, Italia, Greqia e vende të tjera, pavarësisht qëndrimit të tij radikal në të drejtën e shqiptarëve. Duke folur për Fishtën, albanologu Eqrem Çabej ka shkruar:
Fishta qe një bir i vërtetë i polemit të tij dhe bash nga kjo rrënjosje te trualli i vet ai u bë, poeti kombëtar i Shqipërisë. Veçse ç’i fali vendi poetit, ky ia përligji në trajtë të fisnikëruar të artit. Sepse vepra e tij u bë pasqyra besnike, fytyra e kthjelltë e gjithë vërtetësisë etnike, trimërisë së ashpër, burrërisë luftarake, krenarisë raciale që ka mundur të ruajë gjer sot jeta shqiptare. Tërheqës si njeri, origjinal e i madh si shkrimtar . . . Lahuta është dhiata e shtrenjtë e poetit lënë trashëgim “nipnis s’kohve t’vona ene për të lè”.
Fishta ka shtjelluar mrekullisht një epos kombëtar, që del të jetë i frymëzuar nga eposi shqiptar i cili që nga antikiteti, Iliria e Dardania, është përhapur përmes këngës së lahutës, jo vetëm si këngë kreshnike, sikur pretendon shkolla jonë folklorike, por si epos autentik kombëtar i shtrirë në kohë e hapësirë, në sinkroni e diakroni, në botën shqiptare, e cila për një kohë të gjatë kishte bërë gjumin lindor dhe ishte vonuar, për ta zënë hapin me kohën, kishte errësuar kujtesën, por nuk e kishte humbur atë dhe në momentin e caktuar kishte rilindur, kishte shpërthyer, në kohën kur fqinjët ishin përforcuar ndërsa Mbreti e Perandoria po rrënoheshin nga jashtë e më shumë nga brenda.
Në këtë vështrim për Gjergj Fishtën, fokus i interesimit tim është imagjinata krijuese e tij është diapazoni i vrojtimit autentik në ngjarjet që i ka përshkruar në Lahutën e Malësisë, sikur janë: intuita, pajisja me njohuri dhe aftësia në përshkrimin e realitetit faktik e dokumentar, duke e pasuruar me spektrin krijues imagjinar, artistik, jo duke emituar autorët klasikë, por duke vjelë përvojat e tyre, ashtu sikur kanë bërë dhe bëjnë përgjithësisht krijuesit…
Fishta e njihte për mrekulli jo vetëm letërsinë antike greke, e cila në të gjitha segmentet ka qenë “Rinia e shëndetshme e kulturës dhe emancipimit njerëzor”, sikur thoshte me plot të drejtë, Karl Marksi, por veç kësaj e njihte edhe letërsinë e filozofinë, romake e italiane. E njihte mirë edhe krijimtarinë e popujve sllavë të Ballkanit. Natyrisht se ai e njihte edhe Besëlidhjen e Vjetër e të Re, me siguri edhe Kuranin e Talmudin. Mendoj se mbi të gjitha Fishta i njihte bashkëkombësit e tij, i njihte shqiptarët me të gjitha të mirat e të ligat e tyre. Ai i lavdëronte, i mbështeste kur duheshin mbështetur, i qortonte ashpër kur duheshin qortuar, i fishkëllente ashpër, pikërisht ashtu sikur kishte bërë Gogoli, i cili i kishte fshikulluar ruset e tij, por duke rrjedhë edhe lot për ta, për padituritë e paudhësitë e tyre.
Kolec Çefa: Gjergj Fishta është krijesa shumë kulturore më e talentuara, më e fuqishmja, më patriotikja e më prodhimtarja e letrave shqipe. Është personalitet i veçantë e i shumanshëm, unik, e akoma i papërsëritshëm, që ka lanë gjurmë të mençura e të thella në shumë fusha të dijes e të kulturës shqiptare.
…
Lahuta e Malësisë është prodhim i riciklimit të epokave të qëndresës shqiptare si një “perpetuum mobile sui generis”
Projekti letrar, eposi i madh kombëtar: “Lahuta e Malësisë” është prodhim i riciklimit letrare artistik i epokave të qëndresës shqiptare, të cilat nuk e di kush do t’ i ketë njohur më mirë se Gjergj Fishta. Ky projekt, i realizuar për afër 30 vjet është një epos kombëtar i frymëzuar nga një realitet faktik, historik, në kohë e hapësirë të caktuar, si rrjedhë e kontradiktave dhe armiqësisë të krerëve të kohës, armiqësi, së cilës tagrin ia paguante populli, në rastin konkret, shqiptarët, por edhe popujt e tjerë të robëruar të kohës.
Një mendje e tillë e ndritur, e pajisur me një kulturë të gjerë e shumëdimensionale doemos se do të shprehej në botën e tij meditative krijuese, një si sintezë që buron nga diapazoni i një mendimtari e krijuesi të veçantë.
Kristë Maloki: “Gjergj Fishta ka hy një herë e përgjithmonë në panteonin e Kombit shqiptar. . . si rapsod i lartë i Maleve tona, si personalitet publik, si tribun i popullit dhe si pishtar kulturor.”
Fishta kishte një imagjinatë të pasur aktive, përmes së cilës ndërgjegjësonte imazhet e ndryshme në mendjen e tij, sidomos në lidhjen dhe zgjidhjen e rrëfimeve në mënyrë epike e lirike dhe krijimit, jashtëzakonisht mjeshtëror në lidhjet midis subjekteve. Fluturimi i mendimit të tij në krijimin e imazheve, ngjarjeve, ndërtimin e protagonistëve e personazheve shënjestëronte kohën, duke e ringjallur me aftësinë e imagjinatës kreative dhe duke i rrëfyer ngjarjet njëra pas tjetrës, me realizëm, sikur të kishte qenë edhe vetë i pranishëm në to.
Fuqia e imagjinatës kreative të Gjergj Fishtës është e nivelit të krijuesve më të mëdhenj botërorë, që lirisht mund të krahasohet, qoftë edhe me shkrimtarët ndër më të mëdhenjtë e botës.
Ja si Fishta, me imagjinatën e tij aktive e pasqyron një segment të historisë shqiptare të kohës së robërisë shekullore në vargjet e para të eposit tonë kombëtar.
Ndihmò, Zot, si m’kè ndihmue!
Pesëqind vjet kishin kalue
Qysh se të bukurën ket Shqypni
Turku e mbate nën robnì,
Krejt tu’ e là t’ mjerën në gjak,
Frymën tue ia xanun njak,
As tu’ e lanë, jo, dritë me pà:
Kurr të keqen pa ia dà:
Rrihe e mos e lèn me kjà:
Me iu dhimbtë, po, minit n’ murë,
Me iu dhimbtë gjarpnit nën gurë!
Për këndin tim të vështrimit, në këtë studim për Gjergj Fishtën nuk janë në pyetje figurat stilistike, por aftësia e imagjinatës së tij për të krijuar tablo fascinuese, të veçanta, pavarësisht se disa duken të edhe të ekzagjeruara, por pikërisht ekzagjerimi me imagjinatë përforcon subjektin e rrëfimit, sikur është paraqitur në këto vargje imazhi i robërisë pesë shekullore të shqiptarëve, deri në epokën e fillimit të rizgjimit.
Duke vënë në funksion imagjinatën krijuese, ai krijon tablo e imazhe reale historike në sinkroninë e diakroninë e zhvillimit të tyre, duke ricikluar shekujt, për të ardhur te koha, kur Perandoria Osmane kishte filluar të gërryhej nga brenda e nga jashtë…
Turkut Ora m’ iu ligështue,
E nisë pat m’ iu thy’ atij hovi,
M’ qafë përditë tu’ i mbetë Moskovi:
E ato fiset e Ballkanit,
Zunë me i dalë dore Sulltanit,
Nisë Shqiptarët kanë me u mendue,
Si Shqipninë me e skapullue
Zgjedhet t’ Turkut qi si motit
N’ ato kohët e Gjergj Kastriotit,
Krejtë e lirë kjo t’ishte,
N’daç t’jetë Krajl a Mbret i huej,
Mos m i bà kurr mà tungjatjeta,
Kurr me i là mà pagë e t’dheta:
Edhe Flamuri i Shqipnisë,
Si fletë Engj’lli t’Perendisë,
Si ajo flaka e rr’fesë zhgjetare,
Me u suvalë prap n’tokë shqiptare.
Me imagjinatën e tij kreative, krijuese, me njohjen e mirëfilltë të historisë së kombit, Gjergj Fishta bën rekapitullimin e një epoke, e cila ishte në shthurje e sipër dhe një fillim të ri, që premton Rilindjen e Arbërisë, në kushte dhe rrethana të reja historike, pasi fillimi i rënies së Perandorisë do të shembej edhe mbi shqiptarët, të cilët kishin jetuar me te dhe nën te.
Fishta kishte qenë fëmijë shtatë-vjeçar në kohën e rrokullisjes së madhe të Perandorisë Osmane, si humbja fatale në luftën e Plevnës në vitin 1877, pastaj Paqja e Shën Stefanit që katandiste trojet shqiptare dhe Kongresi i Berlinit i vitit 1878 që mohonte edhe kombin shqiptar, ndërsa Shqipërinë e trajtonte se një shprehje gjeografike. Vetëm disa vite më vonë, në kohën e pjekurisë dhe arsimimit Fishta do ta kuptonte realitetin e hidhur të kombit, i cili po përpëlitej në ndeshjen e gjigantëve të kohës, pa asnjë mbështetje, përveç në forcën e brendshme kombëtare, duke u kacafytur në fushat e betejave, për jetë a vdekje.
Kujtesës së tij të kohës së rinisë ai iu kishte kthyer me imagjinatë krijuese kreative, ringjalljes së imazheve që i kishin ngelur thellë në mend, dhe shumë më vonë kishte shkruar:
Kur qe ai Knjazi i Malit t’Zi,
Knjaz Nikolla, ‘i gërxhelì:
Gërxhelì, por belaxhì:
Na dyndë top, na dyndë ushtrì
Edhe del e bjen n’Shqipnì,
Për me shtrue këto bjeshkë e vërrì,
Shka merr Drinin për s’të gjati
Der’ n’ Kalà të Rozafatit,
Ku ai me ngulë do’ «trobojnicën»,
Do’ m’ ia vu Shkodrës «kapicën»:
Me bà Shkodrën Karadak,
Mbasi ‘i herë ta kisht’ là n’gjak!
Ky imazh i prezantimit të gjendjes në trojet veriore të Shqipërisë lajmëron orekset e krerëve të Malit të Zi, të ndihmuar nga Rusia e sllavët e Ballkanit përgjithësisht, për të pushtuar tokat shqiptare, të cilat Evropa zyrtare e politike i konsideronte si prona të Perandorisë dhe kishte yshtur Malin e Zi që të sulmonte shqiptarët, t’ iu ndërronte gjuhë e zakone, t’ i asimilonte e t i konvertonte me dhunë.
Ndërrimi i situatës kishte të bënte me dobësimin e Perandorisë Osmane dhe fuqizimin e Rusisë e të shteteve të Evropës, e cila po përgatitej për luftën e madhe me përmasa botërore për ta zhbërë, deri atëherë Perandorinë më të madhe të botës gjatë gjashtë shekujve të kaluar.
Kà ndejë Turku e këqyrë harrue,
Pika-pika lotët tu’i shkue,
Kah s’ka Shkjaut si me i qindrue;
Se Moskovi e ka rrethue:
Ka Stambollën muhasere!
Bàjnë shtatë Krajlat muzhavere
Shoq me shoq, tue shartue zì
-Si ata e zeza m’i pastë mb’lue!-
Për të buk’rën këtë Shqipnì,
Si m’ia lëshue n’dorë Malit t’Zì.
M’kambë Shqiptarët atëherë t’janë çue.
Sa mirë n’armë na janë shtërngue!
T’fortë kanë lidhë nji besë të Zotit,
Si të Parët ua lidhshin motit
N’ato kohë t’Gjergj Kastriotit:
Me ‘i kambë mbathë e tjetrën zdathë,
Gjanë e gjallë pa grazhd mbyllë n’vathë,
Diku ngranë, diku pa ngranë,
Harrue grue, motër e nanë,
sy’n agzot, zemrën barot,
E si ai plajmi me furì,
T’kanë rrà ndesh Malit të Zì,
Për t’gjatë t’Cemit n’atë kufì,
Ku edhe trimat t’janë përlà:
T’janë përlà Shqiptarë e Shkjà,
Ballë për ballë ata tu’u vrà,
Fyt-a-fyt, ofshè! tu’ u prè:
Tue mbetë shakull përmbi dhè,
Mish për shpezë e kaçubeta,
Gjithku kje ajo pika e djalit,
Gjithku kjenë sokola malit…
Ky fillim i thurjes e kompozicionit në “Këngën e Parë” të Lahutës së Malësisë, zbulon më së miri imagjinatën e tij krijuese, diapazonin se deri ku shtrihej ajo imagjinatë kreative e pasuruar me të dhëna e dëshmi konkrete historike, e stisur me heroizmin shqiptar dhe nevojën elementare të ekzistueses, të ruajtës së trojeve, të ruajtjes së qenies kombëtare e fetare, çfarë ishte Shqipëria e kohës e shpërndarë në Vilajetet e veta, që duhet t i ruante Perandoria, por e humbur në fushën e Betejës në Plevne, në vitin 1877 ajo detyrohet të tërhiqet, duke i lënë shqiptarët dhe trojet e tyre në mëshirë të botës sllave dhe asaj filosllave të një pjese të Evropës, pasi Stambolli ishte zënë “muhasere”.
Në një kthesë të tillë të papritur, shqiptarët ishin mobilizuar ndër fise e bajraqe, ndër krahina e vise dhe kishin bashkëvepruar edhe me shqiptarët në shërbim të Perandorisë. Ata ishin lidhur me besa-besë pa dallime feje e krahine, fisi a bajraku, pasi në Shqipni, priftën, fretën e hoxhallarë, të krishtenë e myslimanë para Kombit e armikut ishin një. (Ndërmjetësia)
Imazhet realiste me elemente edhe romantike që i ndërlidhë Fishta me imagjinatën e tij kreative, janë magjiplote. Përshkrimi i vendeve të caktuara, përgjithësisht i vendeve malore, përshkrimi i natyrës, maleve, pllajave, luginave, përshkrimi i dy botëve kundërshtare, që luftojnë mes veti, njëra sulmuese e mujshare, tjetra mbrojtëse e guximtare, figura luftëtarësh nga të dyja palët, përshkrimi deri në imtësi edhe i detaleve, gjuha e përshkrimit që buron lirshëm si gurrë e pandalshme malore, e pasur me shprehje autentike, edhe pse me një narrative krahinore, por të rrjedhshme e të kuptueshme, krijojnë tablo impresive, që mbajnë zgjuar kureshtjen e çdo lexuesi.
Duke shkruar për aspekte të krijimtarisë të Gjergj Fishtës, albanologu dhe kritiku më i njohur i kohës, Eqren Çabej ka shkruar:
Vepra e Fishtës i ka rrënjët në tokën e në jetën popullore të Shqipërisë, ajo nuk do t’ ishte çka është pa rrojtjen e thellë të vendit nga ana e poetit, dhe nuk mund të kuptohet pa njohur vendin dhe njerëzit e Shqipërisë. Veçse ç’i fali vendi poetit, ky ia përligji në trajtë të fisnikëruar të artit. Sepse vepra e tij u bë pasqyra besnike, fytyra e kthjellët e gjithë vërtetësisë etnike, trimërisë së ashpër, burrërisë luftarake, krenarisë raciale që ka mundur të ruajë gjer sot jeta shqiptare. Poemi i bëri për vete gjithë këto sub specie aeternitatis dhe përbën pra, përtej artit, një dokument etnografik të jetës shqiptare. Kësaj i përshtatet edhe forma e përjashtme e poemit, stili i të cilit është burrnor e i vrazhdë, gjuha kokërr e larg çdo ëmbëlsie të tepëruar. Shprehja gjuhësore është krejt e njëllojtë me të folurit e malësorit, dhe mund të merret si gjuhë e posaçme e një shtrese luftarësh. Kemi të bëjmë këtu me një gjuhë letrare të krijuar prej poetit vetë, e cila si e tillë është gjuha e naltë, por njëkohësisht gjuhë popullore, e njëjtë me gjuhën e përditshme. Kjo është karakteristika e këtij stili epik të veçantë, krijuesi i të cilit është Fishta: te ky stil do të mbështetet medoemos, me hir a me pahir, çdo krijim a përkthim epik i paskëtejmë në gjuhë shqipe, e sidomos në gegërishte. (Botuar së pari më 1941, në bleun Gjergj Fishta, dalë me rastin e vdekjes së poetit, nën kujdesin e revistës “Shkëndija”. Shtypun në Shtëpinë Botonjëse “Luarasi” Tiranë. Prezantuar së voni në portalin, “Faktor”).