Rrugës për në Berishë ende nuk ka kaluar askush para meje. Vetëm disa gjurmë lepujsh vërej nëpër rrugë. Bëj tutje duke u munduar të hapëroj ngadalë. I tretur në mendime, në derte e halle harroj dhe këmbët zënë ritmin e përditshëm të hapërimit. Më mundon kjo rrugë, por nuk mund të rri pa kthyer në Krojmir jo vetëm për shkak të familjes por edhe për të gjithë të tjerët.
Sot për herë të parë qysh prej fillimit të luftës ndiej një dhembje të papërshkrueshme në stomak. Mund ta kem nga të ftohtit ose nga mundimi nëpër këtë rrugë të vështirë për ta kaluar sidomos në dimër.
Arrij në seli dhe si zakonisht i zhvesh rrobat e djersitura.
Brenda në dhomën e punës Berati dhe Qemali kanë bërë një vendosje të re të teknikës. Makinën time të shkrimit, meqë unë ende nuk punoj në kompjuter, e kanë vendosur në një tavolinë të vogël, në qoshe dhe ende pa u përshëndetur më tregojnë që tani e tutje atje do të jetë vendi im.
Në këtë anë ulen vetëm ata që dinë të punojnë me kompjuter thotë Qemali me qesëndi dhe me arrogancë cinike gjithnjë me të qeshur të shfrenuar dhe mungesë të theksuar të seriozitetit. Nuk i marr seriozisht fjalët e këtyre njerëzve të mjerë sepse i njoh mirë, e di kapacitetin e njohurive të tyre dhe e di përse bëjnë këso veprime të ulëta.
Pavarësisht nga kjo unë i rrekem punës. Kam vendosur që të tërhiqem paksa në vete dhe të mos iu jap shkas për ndonjë provokim tjetër. E marr me mend se herokur do të ndahemi. Është shumë vështirë të punosh dhe të veprosh me njerëz të sëmurë dhe njëdimensionalë. Megjithatë, për hir të çështjes dhe të luftës, për hir të gjakut që përditë rrëke po derdhet për çlirimin e Kosovës, duhet duruar deri te pika ekstreme e durimit.
Edhe sot ka mjaft informacione. Opinioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar janë orientuar kah Konferenca e Rambujesë, ku së shpejti pritet të fillojnë bisedimet në mes të palës shqiptare dhe asaj jugosllave. Në krye të delegacionit jugosllav është kryeministri serb, Milan Milutinoviq, i cili në përbërjen e delegacionit të tij ka edhe përfaqësues të minoriteteve të Kosovës, si rom, turq, madje edhe ndonjë shqipfolës anëtar të JUL-it apo të SPS-së. Jam shumë skeptik në mundësinë e arritjes së ndonjë marrëveshjeje. Serbët bëjnë politikë të rafinuar dhe shumë perfide. Ata edhe kësaj radhe do të mundohen ta imponojnë vullnetin e tyre përmes forcës dhe të drejtës së shtetësisë e të sovranitetit mbi vendin tonë.
Megjithatë pranimi në kuadër të delegacionit shqiptar i katër udhëheqësve të luftës është një siguri për fatin e luftës. Mirëpo në delegacionin shqiptar janë edhe kundërshtarët po ashtu të zëshëm të luftës sonë, e ndër ta sidomos Ibrahim Rugova, kreu i LDK-së në Kosovë, improvizuesi i institucioneve dhe fabrikuesi i konceptit fatalist, pacifist.
Raportet e përgjithshme shoqërore përveç në disa relacione janë të mira. Me Nezir Myrtajn, Isë Krasniqin, Ismet Sopin, Martin Çunin e Valdet Hotin, nuk kam pasur asnjë edhe një fërkim. Por kjo nuk mund të thuhet për, Qemalin e Beratin. Mbi të gjitha këtu për të gjitha çështjet parimore kam mbështetje të Nezirit, i cili ka kredo dhe është i vendosur në qëndrimet e tij.
Në mbrëmje Martin Çuni ka shkuar në Krojmir, meqë kanë ardhur për ta vizituar nëna e tij dhe bija, Teuta.
Po ashtu ka shkuar në Carrallukë për ta parë familjen e tij edhe Valdet Hoti. Vali vazhdimisht më pyet kur ka në plan të niset. Unë këtë nuk e kërkoj nga askush po ky si duket vepron kështu nga respekti që ka për mua, meqë jam më i moshuari prej anëtarëve të stafit. Valdet Hoti qysh prej fillimit të luftës është kyçur në radhët e UÇK-së. Ka marrë pjesë në luftime dhe ka treguar aftësi luftarake. Në momentin kur është vendosur që të na bashkohet, ka qenë komandant togu në Brigadën 122, Imer Krasniqi të Zonës Operative të Pashtrikut. Valdeti rrugën deri në Carrallukë e bën natën, duke kaluar afër postblloqeve serbe. Në rrugëtimet e tij është tejmase i rrezikuar, mirëpo unë nuk kam të drejtë ta ndaloj. Si duket Vali nuk shkon vetëm. Ai rrugëton edhe me ushtarë të tjerë, ndërsa terrenin e njeh mjaft mirë.