Sot në një numër të telefonit të ambulancës të Krojmirit të cilin e kemi në dispozicion, Labinot Graiçevci, djali i dajës tim, Faik Graiqevci në Prishtinë, i cili disa ditë më parë ka qëndruar në Krojmir, na bën me dije se mbrëmë rreth orës 22.oo në Shtime para shtëpisë së tij, është vrarë Enver Gashi, kushëri i Reshat dhe Faruk Gashit. Nuk dihen rrethanat, por supozohet se vrasjen në pritë e kanë kryer persona të shërbimit sekret serb, të quajtur Crna Ruka.
Enveri disa herë ka depërtuar në zonat e luftës dhe ka treguar gatishmëri për të na ndihmuar, sidomos në mirëmbajtjen e veturave.
Martini dhe Nusreti gjatë tërë ditës kanë bërë ushtrime të ndryshme në teknikë dhe sajim të informatave.
Martini, ka punuar në Radio, ka marrë përsipër për t`i kryer sa për fillim edhe punët e teknikut. Ai po ashtu ka kërkuar nga Komandanti i Brigadës që të hulumtojë në mesin e ushtarëve ndonjë inxhinier të elektros, i cili do të mësohej në përdorimin e teknikës. Sa për fillim emisionet teknikisht do t`i realizojë vet Martini.
Idriz Hyseni na solli një gjenerator. Edhe pse Riza dhe Idrizi kanë provuar ta aktivizojnë nuk kanë arritur.
I bëj me dije Idrizi Hysenit se duhet ta sjellim qysh sot gjeneratorin, të cilin e ka riparuar dhe e ka rregulluar Emin Olluri, në Krojmir. Ditë më parë kur i kemi sjellë disa pajisje në Berishë, gjeneratorin e kemi kthyer meqë nuk kemi arritur ta sjellim me traktor, për shkak të pengesave që na dolën gjatë rrugës në Grykën e Thatë.
Nesër vijnë dy teknikë nga Prishtina së bashku me Blerim Pejën. Dhe, kemi marrë qëndrim që në orën 15 5o minuta të fillojmë transmetimin e emisionit të parë Radio-Kosova e Lirë.
Pasi më kanë lajmëruar për vrasjen e Enver Tefik Gashit, në mbrëmje së bashku me Hilmi Ramadanin dhe Fatmir Xhelilin jemi nisur teposhtë drejt Mrizeve të Berishës për në Kizharekë, ku na pret Ali Mullini me veturën e tij.
Në vendin dhe në kohën e caktuar takojmë Aliun dhe Elez Durmishin.
Rrugës ndalemi te Spitali në Krojmir për të ngushëlluar Reshatin e Farukun dhe për të marrë ndonjë informacion më shumë për vrasjen në pritë të Enver Gashit, djali i Tefikut i cili ka lënë gruan dhe fëmijët e mitur. As Reshati nuk ka të dhëna të tjera, por është i bindur se serbët e kanë kryer këtë vepër mizore si hakmarrje për inkuadrimin e Reshatit dhe të Farukut në radhët tona. Po ashtu ata me siguri se kanë pasur njohuri se ai disa herë ka qëndruan në mesin tonë.
Hilmi Ramadani dhe Fatmir Xhelili janë nisur në drejtim të Zborcit, ndërsa unë dhe Elezi kemi shkuar te Ramadan Rizani ku kemi qëndruar deri në orën 21.00.
Elezi zakonisht më shoqëron deri te shtëpia edhe pse nuk e shoh të nevojshme. Besnikëria e tij dhe kujdesi që ai tregon për mua janë të nivelit më të lartë të vigjilencës. Elezi është ushtarak i pazëvendësueshëm i UÇK-së në rajonin tonë. Ai është gjithnjë në lëvizje jo vetëm gjatë ditës. Me të drejtë konstatoj se prej fillimi të luftës ai nuk flë më shumë se dy tri orë, e në disa raste nuk flë as net të tëra. Mirëpo është kurdoherë në krye të detyrës dhe kurdoherë i zoti i të gjitha punëve që i merr përsipër për t`i kryer.
Derisa po i shkruaj në fletore këto ngjarje të ditës, nga mendja nuk më shqitet dita e nesërme. A thua a do të arrijmë ta fillojmë me kohë transmetimin? Për të qenë sa më të sigurt duhet ta sigurojmë edhe një gjenerator rezervë. Atë duhet ta marrim në Shtab…
Ditë e re ndoshta edhe fat i ri!