Meqë edhe sot do të qëndrojnë në anën tonë, në mëngjes kanë ardhur tre ushtarakët e lartë të Zonës Operative të Drenicës: Shaban Shala, Sami Lushtaku dhe Ilaz Dërguti.
Kemi biseduar edhe për një problem delikat, lidhur me vrasjen e Abedin Rexhës, njërit prej luftëtarëve të parë të Drenicës. Shabani, Samiu dhe Ilazi mendojnë se komunikata nr. 59 e Shtabit të Përgjithshëm ka shkaktuar dëm në radhët e luftëtarëve në Drenicë, për shkak të interpretimit të shtrembëruar të fakteve. Të gjithë pajtohen se Abedin Rexha është vrarë në rrethana specifike, por nuk pajtohen me etiketimet që i janë veshur Gani Gecit, sidomos kur thuhet se ai i maskuar ka marrë pjesë në masakrat që bandat serbe kanë kryer në Drenicë. Ky formulim sipas tyre i pavend ka indinjuar të gjithë, meqë është dhënë një kualifikim krejtësisht i paqëndrueshëm, i cili ka krijuar huti sidomos ndër ushtarët, të cilët e dinë se vëllezërit Geci, edhe pse nuk i njohin strukturat komanduese të SHP të UÇK-së, ata asnjëherë nuk janë ndalur nga lufta.
-Ata janë me Bukoshin, thotë Samiu, këtë e dinë të gjithë, por nuk janë tradhtarë, sepse ne të gjithë së bashku, kemi qenë dhe jemi një vijë të frontit.
-Gecët nuk kanë bashkëpunuar me okupatorin thotë Shaban Shala, ndërsa ne as e kemi pranuar as e pranojmë ndarjen që ata i bëjnë luftës. Ata thirren në Qeveri dhe në të ashtuquajturat institucione dhe kjo nuk mendoj se mund të interpretohet si tradhti kombëtare,- ka thënë Shaban Shala.
Të tre janë të mendimit se komunikata e fundit ka shkaktuar huti dhe dyshime të thella, sidomos me shpifjen për bashkëpunim me okupatorin, për të cilën nga radhët e ushtarëve në Drenicë nuk dyshon askush.
Për t`u parë me tre eprorët e Drenicës kanë ardhur edhe disa nga luftëtarët e radhëve të para si Halil Olluri, Azem Olluri, pastaj Ajvaz Karpuzi e të tjerë.
Shaban Shala e ka përshkruar si të rëndë sidomos gjendjen e popullatës me artikuj ushqimorë.
Shabanit ia kam dhënë 20000 Dm të cilat i ka sjellë në Shtab, Nazmi Iballi. I kishim menduar për uniforma dhe Shabani premton që uniformat do të na i sigurojë.
Po ashtu nga artikujt ushqimorë që kanë sjellur Naim Imeri dhe Vehbi Zeqiri, Shabanit për nevoja të Shtabit i kemi dhënë tetë pako margarin, dy pako vaj, dy pako marmeladë, një thes makarona. Po ashtu, për nevoja të Shtabit të Drenicës janë deponuar në Nekovc edhe 5000 kg miell që mund të tërhiqet sapo të krijohen kushtet.
Shabani na thotë se nëse nuk arrin t`i sigurojë uniformat gjysmën e të hollave do t`i kthejë.
Në orën katër pas dite, Shabani, Samiu dhe Ilazi me xhipin e tyre janë nisur drejt Drenicës Qendrore.
Në mbrëmje nga Divjaka në Krojmir kanë ardhur Martin Çuni, Sokol Dobruna, Nusret Pllana dhe Isë Krasniqi. Deri në orët e vona të natës kemi biseduar për çështje të ndryshme, me theks të veçantë për fillimin sa më parë të transmetimit të programit të Radios Kosova e Lirë dhe të Agjencisë Kosovapres….