Edhe sot duket se do të kemi një ditë tjetër, apo një ditë më shumë me vapë e zallahi të padurueshme, si gjithnjë në pritje të ndonjë granatimi të befasishëm. Në dukje të parë fitohet përshtypja se këtu kemi ngelur të rrethuar e të vetmuar, mirëpo nga të tria anët nga ku mund të ndodhë rreziku janë ushtarët tanë, të cilët po qëndrojnë të patundur në pozicionet e tyre.
Në Grykë jeta njerëzore ka marrë trajtat e organizimit në kushte të jashtëzakonshme. Gratë punojnë natë e ditë. Përgatisin ushqimin, lajnë rrobat, pastrojnë, mundohen të vendosin rregull nëpër tendat e improvizuara. Fëmijët e vegjël lozin rreth lumit. Disa futen në ujë dhe lahen. Uji është i kthjellët si loti po i ftohtë meqë këtu afër e ka burimin ndërsa lëvizjen e ka të shpejtë për shkak të konfiguracionit të përthyer me shumë zik-zake. Fëmijët, ata më të rritur, sjellin drunj. Disa të tjerë për çdo ditë depërtojnë në shtëpitë e tyre në fshat, edhe pse rrezikohen, sepse granatimet në fshat bëhen befasisht. Serbët edhe pse në një largësi pesë kilometra nga Zborci, sa herë vërejnë lëvizjet e popullatës, godasin me armë artilerie apo me minahedhës.
Nga biseda që kam zhvilluar ditë më parë në Shtabin lokal me ushtarët tanë, shumica e tyre shfaqin papajtueshmëri me largimin në pozicionet e dyta. Serbët nuk kanë depërtuar, në Blinajë. Në Leletiq janë zhvilluar luftime të ashpra dhe serbët janë tërhequr. As në Blinajë te Hoteli nuk kanë depërtuar serbët. Pozicionet janë lëshuar si preventivë nga frika se mos serbët do të depërtojnë atje nga Zborci apo nga Magurja.
Të gjithë ushtarët pa dallim e gjykojnë urdhrin për lëshimin e disa pozicioneve ku nuk janë zhvilluar luftimet, edhe pse asnjëri nuk e di saktësisht se kush ka dhënë urdhra të tilla.
Ata përmendin emra të njerëzve të dyshimtë, të cilët kanë përcjellë urdhra, apo ndoshta edhe vetë nga frika kanë bërë shantazhe. Vetëm për urdhëresën e zhvendosjes së popullatës nga fshatrat në Grykë më 26 korrik dihet. Urdhëresa për tërheqjen e ushtarëve në pikat e Blinajës është improvizuar nga disa ushtarë të uniformuar të cilët i kanë lëshuar të parët pozicionet, ndër ta edhe ndonjë i vetëshpallur komandant i fshatit.
Falë angazhimit tonë të përgjithshëm, kemi arritur ta ruajmë unitetin, duke i eleminuar dukuritë e hutisë dhe duke i demaskuar dezinformatat e ndryshme të cilat i lansojnë disa njerëz me të kaluar të dyshimtë.
Në orët e pas ditës së bashku me Reshatin dhe Elezin, kemi depërtuar nëpër luginën perëndimore, te Lama, ku janë vendosur disa familje të Lagjeve të fshatit tonë. Reshati e ka marrë kamerën dhe është duke bërë incizime nëpër tenda. Sado që në kushte minimale për jetesë, njerëzia janë mobilizuar me të gjitha forcat dhe secili në rrethana të caktuara ka sajuar tendën dhe ka vendosur një rregull të përkohshëm, në pritje të ditës në vijim.
Lajmet që përhapen nga kancelaritë evropiane nuk janë në korrent me ngjarjet. Diplomatët evropianë nuk shqetësohen fare për fatin tonë meqë na konsiderojnë myslimanë, edhe pse lufta jonë çlirimtare nuk asnjë element të përbashkët me aktivitetin e grupeve myslimane.
Ata e akuzojnë ushtrinë dhe policinë serbe, sepse në raste të caktuara paskan kaluar autorizimet zyrtare. Ata, nuk kanë fare ide se ç` po ndodh me ne, ose janë të hutuar nga lideri pacifist i cili me siguri se iu jep të tjera informacione mbi luftën. I ashtuquajturi faktor ndërkombëtar çon pluhur për katastrofën humanitare, duke u marrë me pasojat e jo me shkaktarin e vërtetë të kësaj katastrofe. Edhe në rastin e luftës sonë po vërtetohet fakti se Serbia ka shumë përkrahës në Evropë. Atë e përkrah sidomos Franca, por kësaj radhe jo edhe Anglia. Mirëpo e përkrahë Italia dhe Gjermani, e sidomos Greqia. Serbët mund të bëjnë krime edhe më të çmeritura se ato në Bosnje dhe prapë do të mbeten të pandëshkuar. Ata i kanë bërë mirë llogaritë. I dinë mirëfilli edhe përçarjet dhe mungesën e unitetit tonë kombëtar. Të gjitha favoret janë në anën e Serbisë okupatore dhe të klasës meleze pacifiste. Ka rrezik të na ndodhë sikur në kohën e Shaban Polluzhës. Mirëpo kësaj radhe jemi në pozitë më të mirë. Serbia nuk do të mund të mbështetet në partizanët e politikës pacifiste. Jo që nuk iu beson atyre, por ata nuk janë të gatshëm t`i marrin armët as për luftë kundër Serbisë, por as kundër UÇK-së, të cilës po ashtu ia kanë frikën.
Fati i luftës sonë kësaj radhe ka një avantazh. Serbia ka shumë bashkëpunëtorë, por janë qyqarë e frikacakë dhe nuk i mjaftojnë për të krijuar një formacion të armatosur për ta luftuar UÇK-në. Pikërisht për këtë ajo do të bëjë përpjekje të pareshtura që përbrenda radhëve tona të angazhojë kolaboracionistët. Disa prej atyre në të cilët dyshojmë me të drejtë tanimë kanë veshur uniformat, ose hyjnë e dalin, pa qenë të rrezikuar. Në këtë drejtim rreziku është permanent, andaj na duhet shumë punë për t`i zbuluar të tillë dhe për t`ua pamundësuar veprimet. Rreziku nga Kali i Trojës është mjaft i diskutueshëm.