Ahmet Qeriqi: Jeta në Grykën e Shpëtimit tanimë është bërë e durueshme (E diel 9 gusht, 1998)

Ahmet Qeriqi: Jeta në Grykën e Shpëtimit tanimë është bërë e durueshme (E diel 9 gusht, 1998)

Kaloi edhe një natë tjetër me shqetësime dhe ankth nga shpërthimet e predhave të armikut. Të gjithë druajmë me të drejtë se një ditë, serbët do ta  identifikojnë me saktësi vendin dhe mund të na marrin në shënjestrën me minahedhës, edhe pse tani për tani jemi larg rrezes së veprimit të minahedhësve. Raketat tokë-tokë e Kaçushë nuk mund të na godasin. As predhat e tankut, sepse vendi është tejet i përthyer dhe ndodhemi në një pozitë rrëzë rrëpirave, të cilat nuk mund të goditen nga pozicioni serb i Zborcit as i Carralevës. Pikat tona në Bajrak po i mbrojnë ushtarët e komandant Kumanovës.

Në mëngjes, xhaxha im, Mehdi Qeriqi cili vazhdimisht është në lëvizje dhe shpeshherë flë në shtëpi, ka lajmëruar se predhat e armës së armikut kanë goditur afër shtëpisë sonë, por nuk kanë bërë dëme materiale. Janë granatuar nga distanca edhe Pjetërshtica, Shala, Kizhareka e fshatra të tjerë. Asnjë gazetar nuk i ka shënuar këto granatime. Në lajmet e DWeles nuk ka asnjë informatë nga vijat e frontit. Nuk kemi as telefonë mobilë për të lajmëruar ndonjë agjenci apo RTSH-në.

Sa i nevojshëm do të ishte një burim informativ nga zonat e luftës e sa larg jemi. O zot! Si do të na vejë halli?

Sot, mjeku Fitim Selimi me disa teknikë ka shkuar në Dukë për t`i bërë një kontrollim popullatës së zhvendosur atje. Ata kanë marrë me vete edhe barëra të domosdoshme edhe pse nuk i kemi me bollëk. Më pas ka ardhur Besim Gashi nga Pjetërshtica dhe ka lajmëruar se vëllai i tij Hyzer Gashi po mbahet në arrest. Hyzeri është kapur ditë më parë nga policia në Ferizaj. Nuk dihet për fatin e tij. Të gjithë jemi të brengosur por nuk mund t`i ndihmojmë në asnjë mënyrë.

Serbët tanimë janë edhe më të lirë të bëjnë ç` të duan. Ata rrëmbejnë, vrasin, arrestojnë, plaçkitin, dhunojnë… Ky soj i vandalizmit barbar nuk ka të ndalur. Krejt këto ndodhi i din Evropa, por përse të na çajë hallin Evropa kur as vetë shqiptarët nuk ia çajnë hallin njëri tjetrit dhe nuk duan të na ndihmojnë.

Botës së shpejti nuk do t`i mbesë bri i pathyer, kështu ka shkruar dikur poeti i madh rus, Majakovski, në përpjekje për ta diskredituar imperializmin sllav kundër shqiptarëve.

Kemi kaluar më shumë se dy javë në Grykën e Shpëtimit. Toka në fshat është djegur. Shiu, nuk ndihmoi fare. Misri është fishkur. Fasulja ka mbetur në shumicë e pa vjelë. Pemët nuk kanë frute, as mendon kush për to. Grurin e kemi tubuar te shkolla dhe duhet të fillojmë sa më parë ta depërtojmë në Grykë. Banorët e fshatrave përreth kanë ikur. Në Pjetërshticë kanë mbetur vetëm dy tri familje, po aq në Shalë e Baicë. Në grykën e Kizharekës janë disa qindra banorë të zhvendosur. Edhe pse në gjendje rrethimi një pjesë e banorëve, të moshuar kanë filluar të kthehen nëpër gryka.

Disa kanë ardhur edhe në Grykën tonë.

Ikjes kolektive i kanë kontribuar, titistë si Nebih Gashi nga Pjetërshtica, Tasim Qeriqi, skizofreni frikacak Halim Haliti e te tjere.

Tani për tani për ikje kolektive dallohet Shala. Atje grupi pacifist LDK-ist ka vepruar në drejtim të ikjes duke krijuar panikë te popullata civile. Nëse doni të ndodh si në Likoshan rrini këtu iu ka thënë njëfarë, Mevlide Shamolli një femër dyzetvjeçare e pamartuar, aktiviste e LDK-së. Djalëria liridashëse e Shalës ende nuk e ka marrë vetën, por po bëhen përpjekje që atje të forcohet krahu i rezistencës. Ç është e vërteta atje janë dalluar disa ushtarë, por me rastin e ofensivës, fshatarët morën ikjen.

Kam besim se koha po punon për ne.

E drejta mënon por fiton.

Ne, me përpjekjet dhe vendosmërinë tonë të pamundurën do ta bëjmë të mundur.

Duhet ta përforcojmë propagandën e luftës çlirimtare, por nuk kemi informim, nuk kemi gazetë, as agjenci as radio. Kjo është fatale dhe përditë e më tepër po na hakmerret.

Pavarësisht nga të gjitha vështirësitë kësaj radhe nuk do të dorëzohemi. Në këtë pjesë të Drenicës jemi qindra ushtarë dhe veprimtarë të luftës.

Kësaj radhe nuk do të pyesim për çmimin e lirisë, gjithnjë sipas shembullit të luftëtarit më të madh të kohës sonë, Adem Shaban Jasharit e krejt familjes së tij të ngushtë e të gjerë, në tërë Prekazin heroik.

Ndoshta po troket momenti vendimtar. Kësaj radhe nuk do ta lejojmë zezonën të futet në radhët tona.

Nuk do të lejojmë, dhe nuk do të kalojnë!

Në mbrëmje ka ardhur Ilir Dugolli nga Nekovci. Ai tri javë më parë është plagosur gjatë luftimeve në Rahovec dhe ende nuk është shëruar, por ka filluar të lëvizë. Së bashku me Elez Durmishin, Jetë Hasanin, Naim Ismajlin, Sylë Qeriqin, Ramiz Qeriqin e të tjerë kemi biseduar gjerë e gjatë. Ushtarët kanë moral të fortë. Nuk ka dezertime. Kemi ende municion dhe armatim. Në kohën kur unë dhe Elezi kemi hyrë në drejtim të Grykës breshëri armësh të armikut kanë goditur në drejtim të Krojmirit. Si duket serbët gjatë natës gjuajnë kuturu nga frika se mos po iu depërtojnë afër ushtarët tanë, të cilët kanë urdhër të mos sulmojnë vetëm në raste të veçanta kur janë të rrezikuar. Kjo bëhet me qëllim që të mos iu japim shkas për të na granatuar popullatën e zhvendosur civile.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …