leoni

Sot mbushen 20 vjet nga rënia në altarin e lirisë të dëshmorit të kombit, Jetë Hasani nga fshati Godanc

Ahmet Qeriqi: Jeta që i dha jetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës I

Në 25-vjetorin e rënies në detyrë të dëshmorit të kombit, i shpallur edhe Hero i  Kosovës, Jetë Aziz Hasani, përkujtohet njëri nga luftëtarët më emblematikë, më të përkushtuar dhe më të paepur të luftës së Ushtrisë Çlirimtare.

Për Jetë Hasanin, e fshatit Godanc të Shtimes, për veç se kishim një lidhje familjare nga dajallarët, në fshatin Ribar të Madh, të Lypjanit,  kisha dëgjuar edhe për aktivitetin e tij atdhetar, sidomos në vitet  90-të të shekullit të kaluar, kur krahas  Lëvizjes paqësore ishte intensifikuar edhe përpjekje për luftë të armatosur kundër regjimit shtypës e gjakatar të Serbisë Millosheviqiane.

Gjyshi i tij, Jetë Hasani-Plaku, kishte qenë luftëtar i dalluar në radhët e Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare, së bashku me Kadri  Bebë Ribarin,  Salih Rexhën, Rexhep Salihun, Nezir Bujën  e shumë të tjerë.

Një ditë vjeshte të vonë të viti 1997, derisa po kthehesha nga fshati Malësi e Re,  ku punoja në një zdrukthtari, të fshatin Duhle u ndal autobusi, meqë binte shumë dëborë dhe rruga për Carralevë, Shtime, Prishtinë, ishte zënë.

Jetë Hasani më kishte parë kur kisha dalë nga autobusi dhe pasi u përshëndetëm, më tregoi se ishte me veturë dhe sapo të hapej rruga do të rrugëtonin së bashku.

Gjatë rrugës më kishte treguar se ishte takuar me profesorin, Muhamet Malësori, në fshatin  Krushë, një veprimtar besnik dhe shumë i afërm me Ukshin Hotin të cilin e mbante në burg regjimi serb.  Jeta dhe Muhameti ishin vënë në një aktivitet ilegal, për të cilin më tregoi në hollësi…

Më pas i kam  intensifikuar veprimet në grupin e tij, veçmas me kushëririn tim, Sylë Qeriqi, pastaj Elez Durmishi, dhe disa pjesëtarë të UÇK-së, si: Ilaz Dërguti, Dalip Rizani, Halil Olluri, Ramiz Qeriqi, Ilaz Koci, Naim Rizani, Sanie Geci,  e Hysni Gucati  të cilët Jetë Hasani i kishte mbështetur financiarisht gjatë stërvitjeve të tyre ushtarake në Shqipëri, në vitin, 1993 përmes veprimtarëve të mirënjohur si  Ruzhdi Saramitit, Halil  Alidema, Shaban Braha e të tjerë….

Shkrimin e parë për Jetë Hasanin e kam botuar  pak kohë pas rënies së tij, më 16 tetor të vitit 1998, në gazetën “Epoka e Re”, ende pa u zbardhur mirë rrethanat e vrasjes, “aksidentale”  por në krye të detyrës. Asokohe, duke qenë së në radhët e UÇK-së kishin depërtuar edhe “kolona e së ligës”, ishte zhvilluar një fushatë me thashetheme, keqinterpretime e deformime, ndër më të ndryshmet.

Shkrimin dokumentar dhe të plotë për Jetë Hasanin e kam botuar në vëllimin e dytë të monografisë, Feniksët e Lirisë, në vitin 2002, i cili nuk i kishte pëlqyer  një “tarafi” që pretendonte ta deformonte realitetin faktik dhe historik, për Jetë Hasanin. Një Metush Zenuni, me porosi kishte botuar të gjitha të dhënat e shkrimit tim,  pa përmendur autorin, por duke e përvetësuar dhe duke e botuar me emrin e vet, në gazetën “Zëri i Kosovës”, ku punonte, asokohe.

Në reagimin e Redaksisë, “Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ai pranoi gabimin dhe kërkoi falje, madje edhe para një anëtari tjetër të Redaksisë, por faljen nuk e bëri publike.  Ky Meta, mbase e kishte parë ndonjëherë Jetë Hasanin në qershor të vitit 1998, kur së bashku me heroin, Agim Bajrami e disa të tjerë,  në rrugë për në Zonën e Kaçanikut, kishin qëndruar disa ditë në Krojmir. Ai nuk e ka parë më Jetë Hasanin as ka pasur  qoftë edhe një lidhje të vetme për të. Tarafi të cilit i kishte shërbyer, për qëllime që ai i di vet, i kishte ndihmuar, në projekcionet e ulëta për të anashkaluar  bashkëluftëtarët më besnikë  të Jetë Hasanit, si: Sylë Qeriqi, Elez Durmishi, Milaim Beha, dëshmor i kombit, Halil Metaj, dëshmor i kombit.  Ajvaz Karpuzi, tani i ndjerë,  Idriz Qeriqi. Ilaz Dërguti  e shumë të tjerë.

“Tarafi i së ligës” në krye me një të afërm të Jetë Hasanit, kishte filluar të krijonte tjetër version të jetës dhe veprës së tij, duke pretenduar të selektonte se kush kishin qenë “shokët besnikë” të tij, në mesin e tyre kishte afruar  dhe kundërshtarë të Jetës. Me sa di unë, me ato veprime nuk janë pajtuar vetëm bijtë dhe bijat e Jetë Hasanit.

Më vonë po ai taraf ka botuar edhe monografinë për Jetë Hasanin, e cila është si është,  por nuk është monografi shkencore, nuk është  as ka arritur ta ndriçojë jetën, veprimtarinë, aktivitetin,  personalitetin, atdhetarinë e njërit prej protagonistëve më të shquar dhe më meritor të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sikur ka qenë Jetë Aziz Hasani.

Për hir të së vërtetës kam pasur ofertë për ta dhënë një intervistë,  për librin, por duke qenë i injoruar nga krejt ai staf, si unë, ashtu edhe  Sylë Qeriqi, Elez Durmishi e disa të tjerë,  nuk kam pranuar të jem pjesë e tij projekti,  kur kam parë  dhe kam mësuar se kush po mundohet të shkruajë historinë e Jetë Hasanit dhe për çfarë qëllimesh e prapaskenash po e bën.

Duke qenë  dhe  mbetur besnik i përjetshëm i së drejtës dhe së vërtetës, deri tani në pleqërinë time të mundimshme, kam ndriçuar qindra biografi të dëshmorëve, krahas aktivitetin tim letrar prej më shumë se 20 veprave të botuara,   dhe po aq të mbetura në dorëshkrim…

Po kush kishte qenë Jeta që i dha jetë UÇK-së

Për herë të parë fjalinë: “Jeta që i dha jetë UÇK-së”  e ka formuluar dhe e ka kumtuar zëdhënësi i SHP të UÇK-së, Jakup Krasniqi në një aktivitet përkujtimor.  Qysh në fillim të luftës, Jakupit i kisha treguar aktivitetin e Jetë Hasanit dhe grupit të tij. Ai  kishte një simpati të veçantë për të,  ndërsa fjala e  Jakupit dhe e imja për Jetën ishin mbi gjithçka, mbase edhe për konsideratën që kishte meqë ishin më të moshuar se ai dhe kishin edhe lidhje të afërta dhe të largëta familjare.

Veprimtaria luftarake e Jetë Hasanit ka shkëlqyer  në shumë segmente, falë aktivitetit të tij të pandërprerë, ditë e natë, falë përkushtimit që kishte për luftën e UÇK-së, urrejtjen e papërmbajtur kundër regjimit serb dhe kolaboracionistëve nga radhët e disa shqiptarëve.

Jeta ishte dinamik, i shkathët, kurdoherë i gatshëm për të vepruar në rrethana   të pritura e të papritura. Kishte të vigjilencë  të jashtëzakonshme për ta hetuar rrezikun dhe një intuitë të lindur për të dalluar njerëzit dhe qëllimet e tyre. Përgjithësisht ishte i përmbajtur, por në raste të ndonjë veprimi të pamatur të ndonjë ushtari, qoftë edhe eprori reagonte me tërë temperamentin e tij shpërthyes.

Ushtarët e donin dhe e respektonin, por ruheshin prej tij si prej asnjë eprori tjetër, sepse e dinin se ai nuk lëshonte pe në gabimet e  tyre.

Gjykimi dhe mendimi im për Jetë Hasanin, për personalitetin e temperamentin e tij, për jetën dhe aktivitetin e tij luftarak, për bëmat dhe aksionet e tij, më sjellë në kujtesë  luftëtarin tipik të Adem Jasharit të cilin edhe e kishte njohur dhe e kishte çmuar si askush tjetër, pastaj luftëtarin tipik, gueril Çegevarian, me dallime të vetëkuptohen.

Ai nuk luftonte për t i iu hakmarrë milicëve serbë dhe e kishin maltretuar mizorisht, por luftonte  regjimin kriminal dhe veglat e tij dhe me bashkëluftëtarët ishte kudo ku e kërkonte nevoja, duke mos u kursyer për asnjë moment, duke mos pyetur se ishte ditë apo natë, si ishte vapë apo rrebesh shiu,  duk mos i shkruar kurrë mendja te buka, përveç në rastet kur hetonte se po e linte fuqia fizike.

 

Në vazhdim do të prezantojmë pjesë nga “Kronika e luftës së UÇK-së”, vepër në 1200 faqe  ende në dorëshkrim, ku janë përshkruar 400 ditë e luftës, në formë kronike dhe ditari nga autori, Ahmet Qeriqi

 

Ngjarjet autentike të kohës së luftës. Çka ndodhi me 16 tetor 1998

Në rrethana jo sa duhet të sqaruara, bie në krye të detyrës, luftëtari më i përkushtuar i kësaj pjese të Drenicës, , Jetë Azizi Hasani                         

 E premte 16 tetor, 1998

Dita e sotme ka kaluar me shqetësime të rënda. Kam fjetur pak dhe me një dozë të shprehur të bezdisë dhe të tensionit.

Mbrëmë gjatë natës nuk është kthyer Jakup Krasniqi.

Në kohën ku me Berat Luzhën po përgatiteshim për të shkuar në ambulancë, rreth orës 10.30 minuta vjen Ramadan Rizani. Derisa po bisedonin në rrugë para shtëpisë kemi dëgjuar të shtëna armësh automatike në drejtim të rrugës Shalë, Fushticë, Mirenë.

Pas një kohe duke ecur me rrembin si çdoherë edhe vjen Elez Durmishi. Në vështrimin e tij të pazakonshëm vërej një shqetësim të thellë.

-Çka ka Elez? E pyes ende pa u afruar te dera.

-Kam një lajm të rëndë më thotë dhe shton, fillimisht, merre pak ujë dhe pije.

-Trego sa më parë, i drejtohem Elezit.

-Jeta ka marrë plagë të rënda.

-Si? Ku? e pyes.

-Eja të nisemi me veturë dhe të shkojmë sa më parë në Shalë. Të tregoj gjatë rrugës, thotë Elezi dhe nisemi në moment.

Elezi tregon se disa veta në Shalë e kanë vërejtur një polic me veturën e tij të tipit “Zastava” të ketë depërtuar në Shalë. Dikush  i ka  treguar Jetës dhe Ajvazit të cilët përnjëherë janë nisur në ndjekje të policit, i cili si duket ka hyrë gabimisht ose me qëllim të caktuar. Ndërkohë në ndjekje të policit, Jeta nga vetura e tij arrin ta godasë veturën e policit. Pasi hyjnë në zonën e kontrollimit të forcave serbe, ata tërhiqen në drejtim të vendrojës në udhëkryqin Shalë-Risinovc.

Jeta kërkon nga ushtarët, që kanë qenë në roje shpjegim përse nuk është ndaluar vetura  në hyrje. Ushtari Shemsi Olluri, në rrethana ende të pasqaruara, duke treguar rastin krejt shkujdesur  shtie në drejtim të Jetës dhe e godet më një plumb në gjoks dhe një tjetër në kokë, Plumbi në kokë nuk ka qenë me rrezik. Ajvaz Kapruzi me një ushtar tjetër Jetën e plagosur e nisin në drejtim të ambulancës. por Jeta ndodhet në agoni meqë ka humbur shumë gjak, dhe plumbi i ka përshkuar mushkëritë.

Pa vonuar, arrijmë te shtëpia në krye të Shalës, në grykë. Mjekët Fitim Selimi, Jakup Ismajli dhe Avdullah Fazliu kanë bërë çmos. Ata nuk kanë mjete transfuzioni për t`i dhënë gjak. Jeta ndodhej i shtrirë në tavolinë, ndërsa mjekët po i jepnin infuzion. Fitim Selimi për mes një telefoni mobil mundohet të kontaktojë me ndonjë mjek mbase në ambulancën e Isë Haxhiut në Ferizaj,  por nuk e merr dot lidhjen, edhe pse është i vetëdijshëm se koha nuk pret dhe të gjitha përpjekjet janë të kota.

Derisa kthehemi sërish me Fitimin në ambulancë ku Jetë Hasani po përpëlitej në çastet e fundit, në sy të Jakup Ismajlit dhe të Reshat Gashit vërej se shpresat për ta shpëtuar luftëtarin e lirisë Jetë Hasani, janë të kota. Nuk mund të qëndroj në atë gjendje dhe dal te Guri aty afër. Ushtarët qëndrojnë të heshtur. Pas pak vjen Rmiz Qeriqi. Ai i mllefosur kërkon të depërtojë në katin e epërm ku e kanë izoluar ushtarin i cili ka goditur.

Nga një shpërthim vaji i motrave medicinale në ambulancë e kuptojmë se Jetë Hasani për të fundit herë e thithi ajrin e Drenicës të bërë shkrumb nga forcat vrastare serbe.

E ngushëllojmë njëri tjetrin.

Ndonjëri nga ushtarët qan.

Syla mundohej ta mbante veten.

Elezit, sytë iu kanë skuqur, ndërsa unë jam ngurtësuar duke u munduar që t iu jap forcë të tjerëve. Një ushtar nga Banja shpërthen në vaj të papërmbajtur. Ndërkohë  vijnë edhe ushtarë të tjerë pasi që kanë dëgjuar për ngjarjen fatale.

Pas një kohe trupin e Jetës e sjellim në odë të Faik Qeriqit, në Krojmir.

Duhet lajmëruar djalin e Jetës Avniun dhe bijën Myrvete të cilët ndodhen në Krojmir. Duheshin  bërë edhe përgatitje të tjera, për ta lajmëruar edhe familjen e tij të gjerë, në Godanc. Reshat Gashi dhe Shyqri Iballi kanë marrë përsipër për ta lajmëruar familjen. Ata fillimisht duhet të takohen me Nusret Gashin.

Duke qenë se ndodhemi të rrethuar dhe mund të pritet ndonjë sulm i serbëve, kemi vendosur që trupin e dëshmorit, Jetë Hasani  ta varrosim në Varrezat e Lagjes Qeriqi, që janë këtu afër.

Tubohemi për t`u marrë vesh për kohën dhe mënyrën e varrimit.

Syla, Elezi, Luani, Naim Ismajli dhe disa të tjerë mendojmë se për shkaqe sigurie ta varrosim në mbrëmje. Megjithatë, mendimi i shumicës është që ta varrosim në mëngjes të ditës së nesërme, pasi të kenë ardhur edhe vëllezërit dhe familja e tij e gjerë nga Godanci.

I kemi marrë të gjitha masat që në rast të ndonjë sulmi nga forcat serbe varrimi të bëhet në shpejtësi gjatë natës.

Natën vonë kanë arritur babai i Jetës xha Azizi, vëllai Idrizi dhe disa të afërm të tjerë. Pikëllimi ndihet kudo, si te ushtarët ashtu edhe te familjet tona, meqë përshtypjet që kemi për Jetë Hasanin janë të veçanta.

Elezi më ka informuar se Avni Sinani, një person shumë i dyshimtë,  cili herë herë shihet edhe me uniformë të UÇK-së, iu ka thënë ushtarëve se nuk ka kurrëfarë urdhëri për ushtarët për të ndaluar qarkullimin në hyrje të Shalës. Ai nuk ka ardhur për të marrë vesh lidhur me fatin e Jetës në ambulancë. Për më tepër, dyshimet po thellohen me faktin se ushtari që ka shtënë në Jetën, ka qenë më parë i demobilizuar ndërsa ky farë Avni Sinani e ka marrë në radhat e pesë gjashtë ushtarëve me të cilët sillet nëpër Blinajë.

Elezin e porosis që të jetë syçelë dhe të mos merret asnjë veprim i pamatur, derisa rasti të mos shqyrtohet, Vrasësi po mbahet në arrest. Ai përjashton çdo mundësi të vrasjes me paramendim, ndësa pranon se duke dashur të tregojë se si ka qëlluar në drejtim të veturës së milicit serb, kallashin e ka shkrehur pa hir…

(… Nuk janë prezantuar  edhe  tre rreshta të fundit, tani për tani janë  të koduar…)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …