Ahmet Qeriqi: Jetë Hasani kurdoherë i pandalshëm (E mërkurë 8 korrik, 1998)

Ahmet Qeriqi: Jetë Hasani kurdoherë i pandalshëm (E mërkurë 8 korrik, 1998)

Prej ditës kur është liruar nga arresti, Jeta e ka aktivizuar Farukun në njësitin e tij intervenues. Ai ka pasur dyshime të thella në veprimet e Farukut, por tani që është hulumtuar rasti i tij, si duket do me çdo kusht ta ketë pranë. Jam fare i sigurt se, ai do ta ketë në kujdes Farukun i cili edhe pse është liruar, ende nuk janë fashitur dyshimet. Jeta, nuk i beson fare Farukut dhe ka marrë përsipër ta mbajë pranë. Duket se ka vendosur ta përcjellë dhe të bindet vetë në sinqeritetin e tij. Dyshimet për Farukun nuk janë hequr edhe pse është liruar. Ai është bërë si dele e zezë dhe do ta ketë shumë vështirë. Kurdo ta takoj Azem Sylën do t’i them ta marre me vete apo ta caktoj në ndonjë vend tjetër.

Në grupin intervenues të cilit i prinë Jetë Hasani përveç Farukut bëjnë pjesë edhe Fadil Hetemi, Ushtar Guri, ushtar Gjoni, Hasan Qeriqi, Ajvaz Karpuzi, Xhelal Hajdini dhe disa të tjerë.

Përkushtimi tejet i përqendruar i Jetës, bën që ai të mos pushojë ditë as natë. Jo vetëm njëherë gjatë natës depërton nëpër fshatra të Rrafshit.

Ai së bashku me Sylë Qeriqin, Elez Durmishin e luftëtarë të tjerë, me kohë i kanë identifikuar bashkëpunëtorët e okupatorit. Jetë Hasani, zakonisht troket në shtëpitë e atyre, për të cilët është i sigurt  që kanë armë me leje nga policia serbe. Të tillëve u merr armët dhe u bën me dije se në rast të kontaktit të sërishëm me policinë, do të jenë në shënjestër të njësitit të tij. Ndodh që ndonjërin edhe e rrah, apo e detyron për të brohoritur, UÇK,-UÇK!

Gjatë ditës, Jeta me luftëtarët  ndodhet në istikame, në Zborc, ndërsa në kohën e pushimit ai merr aksione shtesë për të grumbulluar armë, sidomos revole, të cilat janë mjaft të preferuara për ushtarët, por për mendimin tim edhe tejet të rrezikshme, meqë me revole shumë lehtë vjen te aksidenti.

Në mbrëmje, Ruzhdi Jashari me fotoreporterin e tij janë kthyer nga terreni. Ata kanë bërë incizime nëpër shtëpitë e granatura dhe të djegura në Carralevë. Ruzhdiu mendon që filmin me regjistrime t ia dërgojë Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut apo Këshillit të Vajtimit, sikur thotë, bacë Adem Demaçi.

Kemajl Hetemin e kemi angazhuar roje para Shtabit në Krojmir. Ai është gëzuar tej mase. Megjithatë ai  kërkon  me çdo kusht që sapo të niset ndonjë grup për në Shqipëri, të shkojë edhe vet për të sjellë armatim.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …