Pjesa dërrmuese e të zhvendosurve, sidomos nga fshati ynë, kanë filluar të kthehen nëpër shtëpitë e tyre.
Nga Ngucati e fshatra të tjerë të Podgurit kanë filluar të vijnë disa nga familjet që kanë qenë vendosur atje më 23 gusht. Gjatë kthimit një familje shumë anëtarëshe e Rrahman Dugollit ka humbur rrugën dhe ka mbetur e ngujuar për disa orë në pikat ku i kontrollojnë serbët. Ata në orët e hershme të mëngjesit janë kthyer në Grykë dhe tani për tani janë nën qiell të hapur. Disa nga të zhvendosurit tendat e tyre i kanë lënë të gatshme në rast rreziku.
Sot janë nisur për të marrë armë dhe municion në Shqipëri edhe një grup tjetër ushtarësh në mesin e tyre edhe dy të rinj njëri nga Kumanova tjetri nga rrethina e Tetovës. Ata janë ushtarë të Brigadës tonë Ismet Jashari Kumanova, dhe këtu kanë qëndruar qysh në fillimin e luftimeve, Ushtari nga Kumanova ka pasur një krizë të rëndë psikike por tani është përmirësuar dukshëm. Shkruan poezi dhe si duket po kalon në një transformim shpirtëror. Për në Shqipëri janë nisur edhe disa ushtarë nga Duka Karaçica, Krojmiri e Pjetërshtica. Pasi janë nisur më bëjmë me dije se në mesin e tyre ka shkuar edhe vëllai im Hasani, edhe pse ka armë dhe uniformë. Ai për nga natyra është pak mendjelehtë dhe shkuarjen e ka arsyetuar për ta marrë një mitralez të rëndë, sepse sipas tij askush nuk po interesohet për armë të rënda, ose ushtarët nuk po duan të ngarkohen me to. Veprimi i Hasanit më ka shkaktuar një shqetësim më tepër. Këtu i ka shtatë fëmijë të mitur dhe gruan. Kush duhet të kujdeset për ta?
Në orën 17.oo derisa po bisedonim me një grup ushtarësh në hyrje të fshatit, afër shtabit vendor, në qiell u dëgjua një shpërthim i tmerrshëm. Në fillim menduar se goditi ndonjë predhë e topave të rëndë apo ndonjë raketë por njëri nga ushtarët me përvojë tha se krisma kishte qenë pasojë e thyerjes së ajrit nga një aeroplan i cili sapo kishte kaluar përmbi ne. Në fshat ka filluar të përhapet paniku, sidomos në mesin e atyre që sapo janë kthyer këtu.
Në mbrëmje në tendën e Sahit Qeriqit e kam takuar Islam Salihun, babain e dëshmorit Ruzhdi Salihu nga Zborci. Me Islamin njihemi edhe më herët. Është një burrë i fortë edhe pse i vuajtur dhe i përndjekur nga regjimi. Ai, më rrëfen për vështirësitë me të cilat është përballuar te miqtë e tij në Risinovc. Një kohë të gjatë ka qëndruar në Blinajë krejtësisht i vetëm. Ka rregulluar një tendë dymetërshe dhe atje e ka kaluar natën. Pastaj e kanë takuar ushtarët tanë dhe e kanë kthyer në Krojmir. E kemi siguruar Islamin se do të përkujdesemi për të për fëmijët e Ruzhdiut, dëshmor. Duhet t`i gjemë vend në ndonjë shtëpi të braktisur në fshat, duke i siguruar edhe një tendë me najlon në Grykë.
Ali Durmishi, Adnan Muharremi dhe disa ushtarë të tjerë më kanë lajmëruar se serbët papritmas janë tërhequr nga pikë-pozicioni i tyre në Zborc. Ata, janë nisur në drejtim të Shtimes.
-Duhet pasur kujdes meqë ekziston rreziku i minimit të terrenit, iu them atyre.
-E dimë, përgjigjen ata.
Po ashtu ushtarët e njësiteve të Carralevës e të Zborcit duhet të mos lejojnë lëvizjen e popullatës në vendet ku kanë qëndruar serbët, dhe tani për tani duket vëzhguar edhe lëvizjet e tjera të ushtrisë dhe policisë okupatore.
Më vonë, për situatën e krijuar në fshat pas kthimit të shumicës së popullatës kemi biseduar edhe me Elez Durmishin dhe Halil Ollurin…