Ahmet Qeriqi: Ka marrë hov një fushatë e rrezikshme kundër imamit të Xhamisë së Madhe, doktor Shefqet Krasniqit

 

E nisur nga gazeta “Ekspress” e cila në shumë raste ka qenë dhe po mbetet gazetë kujdestare e denoncimeve dhe ndërsimeve kundër disa personaliteteve shoqërore, fetare e kulturore të vendit tonë, mbështetur shumë me nguti nga kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, nga Ipeshkëvia e Kosovës, nga disa mediume të tjera dhe parti politike, po vazhdon fushata denigruese dhe fyese kundër imamit të Xhamisë së Madhe, Mulla Shefqet Krasniqit, për të cilin thuhet se paska fyer dhe paska denigruar personalitetin e Gonxhe Bojaxhiut, e njohur në botë si “Nëna Terezë”.

Në prononcimet e tij për Radion-Kosova e lirë, mulla Shefqet Krasniqi ka mohuar ta ketë fyer apo denigruar këtë personalitet të rëndësishëm të fesë katolike. Dr. Shefqet Krasniqi po sulmohet për shkak të qëndrimit të tij fondamental dhe realist në interpretimin e Kur’anit dhe Hadithit dhe për shkak se ai ka fituar simpatizues të shumtë, jo vetëm në Prishtinë, ku është imam i Xhamisë së Madhe, po kudo në Kosovë, dhe në shumë vende të botës, përmes internetit ku përcillen me shumë kujdes ligjëratat e tij fetare.
Yshtjet, ndërsimet, insinuatat, keqinterpretimet e fjalëve të tij bëhen me qëllim të caktuar, për të nxitur dhe për të përplasur opinione të kundërta, në kohën kur në Prishtinë fillon ndërtimi i Katedrales katolike. Dhe, pikërisht këtu duhet kërkuar shpërthimin e fushatës denigruese kundër imamit Krasniqi. Projektuesit e kësaj fushate tipike të shkollës KGB-iste, komuniste, kanë caktuar një hoxhë për ta viktimizuar, të cilin e kanë etiketuar me qëllim që përmes tij t’iu ulin “bishtin” myslimanëve, që ata të mos reagojnë për ndërtimin e Katedrales, por edhe me qëllim që paraprakisht të apostrofohet “fajtori” kujdestar.
Qëllimi i kësaj fushate është tepër i rrezikshëm dhe me siguri se prapa tërë kësaj ndjekje të shtrigave, qëndrojnë ata që edhe gjatë shekujve të kaluar kanë ndjekur dhe kanë djegur në turra të druve kundërshtarët e tyre, madje edhe të krishterët e tyre.
Ata që mendojnë të përfitojnë lexues dhe ta rrisin tirazhin e gazetave duke prezantuar gënjeshtrat për të vërteta, apo duke amputuar fjalë e fjali të një imami, me qëllim për të konstruktuar ngjarje të befasishme për opinionin, jo vetëm njëherë janë djegur dhe do të digjen në zjarrin e mëkateve të tyre.
Nëse në Kosovë është proklamuar liria fetare ashtu sikur edhe liria e shprehjes dhe mendimit, atëherë kjo duhet të vlejë njësoj, për të gjithë individët, për të gjitha fetë, për të gjitha grupimet fetare, si për myslimanët, të cilët në vendin tonë janë shumicë absolute, ashtu edhe për besimtarët e feve të tjera.

Gazeta Ekspres harron se dy muaj më parë gazetari i saj, Mefail Limani në emisioni Oksigjen të RTK-së, i pyetur rreth krenarisë për të qenë shqiptar, si pjesëtar i një populli të vjetër, ka deklaruar para opinionit se “shqiptarët janë aq të vjetër në këto troje, sa edhe majmunët kanë filluar të deklarojnë se e kanë origjinën prej shqiptarëve”.Këtë majmunllëk të markës së Vladan Gjorgjeviqit, Çubriloviqit, Milosheviqit, askush nuk e quan marrëzi, as herezi, as blasfemi kombëtare. Kështu po bëka të shprehet gazetari i Ekspresit, por kur dikush nuk dashka ta konsiderojë të shenjtë Nënë Terezën, atëherë atë u dashka linçuar publikisht.
Ky rezonim i mentalitetit komunist titist ende është shumë i pranishëm në Kosovë sidomos te bijtë e baballarëve, që kanë punuar në UDB, në policinë serbe, në prokurorinë e RSFJ-së, në gjykatat e Kosovës, në shërbimet sekrete të Serbisë, të cilët për afro 50 vjet rresht kanë ndjekur, vrarë e linçuar qindra mijëra shqiptarë të kësaj pjese të Shqipërisë, sepse nuk pranuan ta ndërrojnë identitetin e tyre kombëtar, as fetar. Nuk e pranuan bashkim vëllazërimin e shqiptarëve me kombet sllave, as pranuan të sundohen nga vasalët shqipfolës dhe shqiptarë-vrasës të tipit të baballarëve të Ekspresit.
Redaktorët e Ekspresit do të duhej ta dinin se Islami nuk e pranon shenjtërinë e asnjë njeriu në botë, madje as të Gonxhe Bojaxhiut, e cila ka qenë me origjinë shqiptare, por gjatë tërë jetës ka qenë misionare, mjerisht jo e çështjes shqiptare, por e Vatikanit dhe e fesë katolike, dhe në këtë drejtim nuk ka asgjë të keqe. Por, të mos mendojë askush se mund t’i detyrojë myslimanët e Kosovës që Nënë Terezën ta pranojnë si të shenjtë. Në rastin e tillë ata blasfemojnë, dhe këtë e dinë të gjithë imamët, por edhe besimtarët e devotshëm. Islami nuk njeh shenjtëri, ashtu sikur njeh feja krishtere dhe askush në botë nuk mund t’i detyrojë myslimanët të adhurojnë personalitet e fesë së krishtere, ashtu sikur askush nuk mund t i detyrojë të krishterët ta idealizojnë profetin Muhamed, të cilin edhe e kanë karikuar, sharë e fyer, jo vetëm njëherë, dhe jo vetëm në një shtet të krishterë. Dihen madje edhe pasojat e yshtjeve dhe ndërsimeve të tilla.
Ky rast i shpifur për qëllime tejet noprane nuk bën të keqpërdoret, sepse keqpërdorimet e tilla të miteve të moçme dhe miteve bashkëkohore nxisin urrejtje, ndërsa Gonxhe Bojaxhiu shqiptare dhe Nënë Tereza katolike, tërë jetën ka qenë në shërbim të skamnorëve dhe ka proklamuar paqe e tolerancë mes njerëzve dhe jo linçim sikur kërkon Ekspresi.
Ata që mendojnë se krimet e tyre kundër kombit e atdheut, krimet e tyre kundër bashkëkombësve, që nuk donin të bëheshin jugosllavë, mund t’ i fshehin prapa sarit të Nënë Terezës, e kanë të kotë ta bëjnë këtë, sepse të tillët në radhë të parë nuk njohin fe, madje nuk kanë respekt as për fenë e krishtere, dhe qëllimi i tyre është të ndërsejnë kryetarët e feve, meqë tani nuk mund t’ i ndërsejnë spiunët e tyre kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, apo kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sikur kanë bërë në të kaluarën e zezë të tyre.

Degjenerikët e tillë që nuk njohin komb, fe e atdhe, por shiten te secili që i blen, ashtu sikur shiten prostitutat. Ata kanë filluar ta mbështesin të ashtuquajturin identitet kosovar të shqiptarëve, njëlloj konvertimi të heshtur, të cilin edhe e parasheh plani famoz i Ahtisarit. Në Kosovë tashmë ka filluar edhe retushimi i historisë kombëtare. Ka filluar dhe po vazhdon një proces i ashtuquajtur i revalorizimit të historisë, me qëllim që shqiptarët të mësohen të bashkëjetojnë me serbët, edhe pse serbët nuk e kanë ndërruar qëndrimin e tyre përbuzës e fyes kundër shqiptarëve.
“Kosovarizimi”i shqiptarëve të kësaj pjese të Shqipërisë parasheh evropianizimin e tyre, mundësisht edhe ndërrimin e fesë së tyre, sepse pikërisht për shkak të përkatësisë islame të shqiptarëve të Kosovës, Vatikani nuk e ka njohur Kosovën, ndërsa për shkak të dyshimeve se shqiptarët e Kosovës janë në rrugë për t’ u evropianizuar dhe për të hequr dorë nga islami, Kosovën nuk po e pranojnë as shumë shtete islame.
Fushata kundër mulla Shefqet Krasniqit duhet të ndërpritet sa më parë, meqë ajo është shumë e rrezikshme dhe bëhet për qëllime të Beogradit dhe kurrsesi për qëllime të tjera. Ata që i fryjnë zjarrit, do të digjen vetë në të, thuhet në një këshillë të Biblës. Dhe ne besojmë fuqishëm se gënjeshtarët e Ekspresit do të përgjigjen para drejtësisë, për sajimin e skandaleve të tilla, të cilat nëse marrin hov, tani kur ka filluar të shfaqet edhe pakënaqësia sociale në Kosovë, atëherë duhet të ballafaqohemi me shumë të pritura dhe të papritura.
Ndërsa sa i përket frikës së gazetarucëve të Ekspresit dhe gazetarucëve kosovarë të këtij soji, nga “fundamentalizmi” islam në Kosovë, duhet t’ iu rikujtojnë me këtë rast se tashmë ka filluar një epokë e re e frymëmarrjes së lirë të myslimanëve në tërë botën. Postimi në krye të Uashingtonit zyrtar, i qytetarit amerikan me origjinë myslimane, Mubarak apo Barak Obama, është lajm i mirë për myslimanët paqësorë, kudo ku ata të ndodhin nëpër botë. Ishte shtypja dhe dhuna fashiste që u ushtrua kundër myslimanëve, ajo që lindi binladenizmin ekstrem, meqë dhuna e prodhon dhe e ushqen dhunën.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …