Kemi kaluar një natë relativisht të qetë. Tani kam filluar të brengosem më shumë për ata që janë kthyer nëpër shtëpitë e tyre. Ndodh që edhe serbët na vëzhgojnë ose marrin informacione dhe mund të fillojë ndonjë granatim i papritur. Në rast të tillë njerëzia ikin në zjarrin e granatave, duke u frikësuar me të drejtë se pas granatimit mund të depërtojë këmbësoria.
Arbana, Zamiri, tezja dhe mixha mbrëmë kanë kaluar natën në shtëpi.
Atje janë kthyer edhe fëmijët e Hasanit të cilët i kemi vendosur në shtëpinë e Salih Qeriqit, te oda ku më parë ka qenë vendosur Shukri Buja. Prindërit dhe vëllezërit e Ramë Bujës janë vendosur në shtëpinë e Tefik Qeriqit, i cili me krejt familjen jeton në Austri.
Kthimi në fshat i popullatës ka hapur edhe probleme të tjera. Tani duhet rregulluar kuzhinën dhe vendqëndrimin e ushtarëve. Po bëhen përpjekje për ta gjetur një shtëpi të përshtatshme e cila do t`i plotësonte nevojat. Te shkolla nuk mund të kthehemi për shkak se shkolla e vjetër është dëmtuar nga granatimi, ndërsa shkolla e re nuk është meremetuar.
Në mesditë me Faruk Gashin dhe Elez Durmishin kemi depërtuar në fshat te Sylë Qeriqi ku kemi takuar edhe Ilir dhe Gafurr Dugollin nga Nekovci të cilët kanë ardhur së bashku me një mikun e tyre. Iliri, i plagosur në korrik gjatë luftimeve në Rahovec tanimë e ka marrë veten. Ai na tregon për gjendjen e rëndë të popullatës e cila është kthyer në fshatin e djegur dhe të shkatërruar nga piromania e okupatorit.
Atje kemi takuar edhe Jetë Hasanin, Ajvaz Karpuzin, Luanin e shumë ushtarë të tjerë, të cilët vëzhgimin e rojën e kanë kryer gjatë natës dhe tani e kanë ndërrimin e pushimit.
Në mbrëmje si zakonisht shkojmë te shtëpia e Aziz Hamdiut, ku është vendosur ekipi mjekësor. Atje e përcjellim ditarin e TVSH-së. Në mos për informacione të cilat mungojnë, ushtarët duan ta shohin Besa Çekun, për ta marrë përshëndetjen e saj. Ata shpeshherë vënë bast me njëri tjetrin me nga një pako cigare, se, do të na përshëndesë apo jo, meqë ndodh që nganjëherë harron, ose sikur mendojnë shumica se censurohet nga kryeredaktori.
Grupi i ushtarëve që ditë më parë janë nisur për në Shqipëri janë kthyer nga Ranca, pasi që atje kanë konstatuar se Zona e Neredimës është vënë në rrethim të fortë ushtarak dhe pritet të fillojë ofensiva. Gjatë kthimit në Grykë të Carralevës serbët e kanë hetuar njësitin tonë dhe kanë filluar luftimet. Falë faktit se ushtarët tanë e njohin terrenin, ata janë tërheqor në drejtim tjetër dhe kanë kaluar pa pasoja. Me ta është kthyer edhe vëllai im Hasani, i cili më kërkon falje…