Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Kaloi edhe një vit tejet i vështirë i Radios-Kosova e Lirë, me shpresë se paskëtaj do të bëhet mirë

Edhe në 23-vjetorin e fillimit të transmetimit të programit të Radios-Kosova e Lirë, në Malet e Berishës, më 4 janar të vitit 1999,  ende jemi gjallë, ende jemi në kontakt me dëgjuesit e lexuesit, ende ruajmë të paprekura vlerat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ende jemi halë në sy e oshtimë në vesh e të gjithë atyre që na kanë urryer e nënçmuar, si gjatë luftës ashtu edhe në vitet në vijim, ende jemi në “luftë” për ta mbrojtur trashëgiminë tonë të pasur me mijëra emisione për dëshmorët e kombit, me mijëra të tjera për personalitetet e historisë, traditës, kulturës, artit shkencës, me mijëra komente e analiza që godasin politikat servile e mashtruese në Kosovë e më gjerë, ende transmetojmë program 24 orë në ditë, edhe pse me disa reduktime,  ende si gjithnjë jo vetëm të pa trajtuar me mëritë nga qeveritarët e pushtetarët, por edhe të kërcënuar  nga disa syresh, ende duke pritur drejtësi, sinqeritet, përkrahje, solidarësi, mirëkuptim,  vëllazëri, ende  duke pritur të drejtat tona të nëpërkëmbura,   ende duke shpresuar se “e drejta mënon po nuk harron”, ende  duke shpresuar se sakrifica jonë 23-vjeçare, do të radhitet si vlerë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, çfarë ishte dhe është, mbase vlera më sublime e lirisë, por jo e pranuar nga ligjet e Kosovës, e injoruar nga organizatat e huaja, e anashkaluar nga ata që kurrsesi nuk do të duhej të na kishin anashkaluar, për inatet e xhelozinë për ligësinë e prepotencën e tyre…

Radio-Kosova e Lirë, ka qenë dhe po mbetet në shërbim të liridashësve dhe liri-bërësve të Kosovës, zë i lindur në frontet e luftës për liri, zë i fuqizuar me krismat e armëve të çlirimtarëve, zë i ndërgjegjësuar në shërbim të kombit e atdheut, zë që kujton e përkujton epokat, zë që nuk pushon së godituri të keqën, të ligën, amoralitetin, tradhtinë, padrejtësinë, servilizmin, mashtrimin, hipokrizinë, dallkaukllëkun, bizaritetin, prepotencën e arrogancën, nga kudo që vjen.

Edhe në këtë përvjetor jemi po ata që kemi qenë.

Ende rojtarë  të  lirisë dhe pavarësisë.

Ende halë në sy e babëzisë, mediokritetit, sharlatanizmit, dogmatizmit.

Ende Radio-Kosova e Lirë ju flet për lirinë e Kosovës, dënon me tërë fuqinë e vet sulmin që po i bëhet luftës dhe krerëve të saj, në Hagë, nga gjykata kriminale, e quajtur Gjykatë Speciale, gjykatë antishqiptare.

Radio-Kosova e Lirë, nuk është zmbrapsur as është asgjësuar nga predhat, granatat, bombat, e raketat e regjimi sodomist të Serbisë, millosheviqiane.

Nuk iu ka përkulur politikave servile e të korruptuara të vendit, nuk iu ka nënshtruar komisarëve e komisionerëve të vendit e atyre të huaj,  që kanë kërkuar e na  kërkojnë të heqin dorë nga ku program, nga kjo përmbajtje kombëtare, e cila sipas tyre i përket së kaluarës dhe nuk i shërben së ardhmes, sipas preferencave e politikave të tyre, që qëllim primar kanë larjen e trurit të shqiptarëve, të atyre shqiptarëve   që nuk pushojnë në luftë  për bashkim kombëtar, një të drejtë të natyrshme të kombit tonë, të cilën ende nuk e kemi konsumuar.  Ju flet Kosova e lirë,  ashtu si dje në luftë edhe sot në këtë ta quajmë paqe të brishtë dhe të paqëndrueshme, jo vetëm me fajin e politikave të çakorduara e të handakosura, por për interesat e atyre që na kanë shkelur, ndarë  e degdisur në pesë shtete të Ballkanit dhe kërkojnë nga ne t’ ia bëjmë aminin çdo nisme e pafytyrësie të tyre, mbi kurrizin tonë.

Kosova e Lirë, është, po, dhe do të jetë, sepse është vlerë, aspiratë, amanet i  mbrojtur  me gjakun e çlirimtarëve, me gjakun e dëshmorëve e martirëve, me vuajtjet mbinjerëzore të dhjetëra mijëra shqiptarëve liridashës nëpër burgjet e  zandanët e Ish Jugosllavisë dhe jo vetëm asaj…Shqipëria e Lirë, Kosova e Lirë kishte folur edhe para nesh, sikur thoshte Bacë Adem Demaçi, kishte folur me tela e pa tela, ishte dëgjuar tinës e hapur, po nuk ishte ndalur, sepse ishte dhe mbeti  zëdhënëse e aspiratës sonë për bashkim, aspiratë  ende e parealizuar…

Andaj ne jemi sot këtu, dhe do të jemi, me hir apo pa hir të atyre që nuk na duan,  sepse edhe ne kemi pjesë nën këtë qiell, edhe ne kemi tokën e diellin tonë.

Përshëndesin nga zemra ata që na kanë  vizituar mbështetur e përmbajtur në këtë përvjetor, përshëndesin edhe ata që nuk kanë pasur kohë të na vizitojnë por e kanë bërë me zemër, me shkrime, me urime e përshëndetje, me dashuri e sinqeritet. Radio Kosova e Lirë nuk është dorëzuar as do të dorëzohet ndonjëherë…

Kontrolloni gjithashtu

Dëshmorët e rënë prej 27 mars deri më 2 maj të vitit 1999 në mbrojtje të pozicioneve nga ku emetonte RKL

Në mbrojtje të pozicioneve të Rrafshnaltës, të SHP të UÇK-së të instititucioneve informative të luftës …