leoni

Ahmet Qeriqi: Kanë filluar plasat e para dhe keqkuptimet (E hënë 17 gusht, 1998)

Ahmet Qeriqi: Kanë filluar plasat e para dhe keqkuptimet (E hënë 17 gusht, 1998)

Gjatë natës pati zhvillime resh të përcjell e me vetëtima. Por përveç një rige nuk ra shi i mirëfilltë. Dielli përcëllues sikur paralajmëron shi në orët e pas ditës.

Me Faruk Gashin që sapo është kthyer nga ndërrimi në vendin e tij të vëzhgimit, jemi nisur për në fshat. Në rrugë kemi takuar dy ushtarë të Zborcit, të cilët sapo janë kthyer nga një pushim i shkurtër në familje. Kemi pushuar pak te Guri i Madh dhe pastaj jemi futur në shtëpinë e Heset Hamdiut, ku është shtabi lokal i UÇK-së. Kemi qëndruar pas kohë edhe në ambulancën e mjekëve ku kemi takuar Reshat Gashin, kurdoherë të disponuar për humor të lehtë, pastaj Jakup Ismajlin, mjekun buzëqeshur por shumë parimor dhe tejet i përkushtuar  në punë, Fitim Selimin po ashtu një veprimtar i përkushtuar dhe i dëshmuar i çështjes kombëtare, pastaj Shyqri Iballin dhe Fehmi Ramadanin, i cili e ka lënduar këmbën dhe tani për tani nuk mund të largohet nga Krojmiri.

Të gjithë janë optimistë, të gjithë kanë të gatshëm të luftojnë deri në fitore. Asnjë pikë dyshimi apo tërheqjeje, asnjë shprehje e pendimit apo e pasigurisë. Qëndrimi i tyre po e rritë jo vetëm moralin e ushtarëve, me të cilët janë në kontakt natë e ditë por po ndikon mirë në radhët e popullatës së zhvendosur. Pikërisht në kohën kur kisha fituar përshtypje të një uniteti magjeps, në kohën kur me Sylë Qeriqin ishim nisur në drejtim të Grykës, na ndaloi ushtari Xhelal Hajdini, i mbiquajtur Sherri. Ai, pasi kërkoi leje dhe kohë për një bisedë  vetëm me ne të dy, filloi ankimet e tij në sjelljet dhe veprimet e Luanit, ankime të cilat në formë të lehtë i ka shfaqur edhe më parë.

Xhelali është nga fshati Zabel. Edhe pse nuk kam të dhëna për të kaluarën e tij, ai është njëri ndër ushtarët më të përkushtuar dhe më të vendosur. Gjithnjë në radhët e para të frontit. Ka një natyrë të hareshme dhe kurdoherë i gatshëm për të komunikuar me gjithë secilin.

Ai ankohet se Luani, pa dijeninë tonë e cyt të bëjë vepra për të cilat ai me të drejtë rezervohet. Se ku e ka hallin Luani unë e kuptoj mirë, mirëpo është vështirë t`i besohet edhe Xhelalit, përderisa nuk kemi të dhëna të mjaftueshme, përveç ndonjë fjale apo ndonjë thashethëme që nuk çon peshë. Së bashku me Sylën dhe Elezin i kemi premtuar Xhelalit se do të bisedojmë me Luanin dhe do të gjejmë një zgjidhje, derisa nuk janë ngatërruar punët më keq.

Pasi ndahemi nga Xhelali, me Sylën dhe Elezin ngjitemi përpjetë drejt Grykës dhe bisedojmë. Ata e njohin më mirë se unë  pjesëtarët e grupeve të para të UÇK-së. Elezi, Syla dhe Jeta. Qysh prej vitit 1991 janë në kontakt të përhershëm më bërthamën e UÇK-së në Drenicë. Ata kanë mbajtur dhe mbajnë kontakte dhe i koordinojnë punët me Ilaz Dërgutin, Ilaz Kocin, Hysen Ngucatin e shumë të tjerë. Sa i përket çështjes së Xhelalit që të dy shprehin rezervë edhe ndaj Xhelalit i cili ndoshta po kërkon pretekst për t`u larguar nga radhët tona, për të kaluar gjetkë, por jo për të ikur  nga lufta.

Elezi për mendimin tim është mbështetja më e sigurt dhe më e drejtë për të gjithë ne. Ai para së gjithash është edhe ushtarak me përvojë, pasi që e ka kryer akademinë ushtarake për pficerë rezervë dhe është kuadër i dëshmuar i lëvizjes ilegale qysh prej viteve të tetëdhjeta. Ka qenë edhe shok i ngushtë e vëllait tim Jusufit, i cili ka vdekur tre vjet më parë.

Elezit, Sylës dhe Jetës kam prirje t` iu besoj pa pikë dyshimi. Elezi është shumë realist, trim i matur, tejet i matur në veprime, por i pakompromis kundër armikut dhe bashkëpunëtorëve. Ai, gjatë aktivitetit shumëvjeçar ilegal ka krijuar një rreth tejet të fortë të zbulimit dhe ka të dhëna dhe fakte për të gjithë bashkëpunëtorët e pjesës jugore të Drenicës. Elezi me Sylën, Dalip Durmishin, Naim Rizanin e të tjerë kanë përcjellë çdo lëvizje dhe hyrje e dalje të policisë serbë jo vetëm në Krojmir por kudo në fshatrat tona.

Duke qenë se punën dhe aktivitetin e tij e çmojnë sidomos Sami Lushtaku, Ilaz Dërguti, Fadil Kodra e të tjerë, ata e kanë caktuar përgjegjës ushtarak të Shtabit në anën tonë, edhe pse këtë përgjegjësi nuk ia njohin të gjithë e sidomos disa kuadro të Shtabit, të cilët si duket më shumë iu besojnë shokëve dhe miqve dhe atyre me të cilët aktivitetin luftarak e kanë filluar para tre katër muajve. Mirëpo Elezi është tejet i vendosur dhe nuk i problematizon situatat.

Ka vetëm një dobësi të cilën nuk mund t`ia luftoj dhe kjo është mbështetja e pakufishme në qëndrimin tim. Edhe të tjerët më duam dhe më mbështesin por Elezi është në gjendje që fjalën time ta çojë në vend me çdo çmim. Edhe pse e çmoj dhe e respektoj qëndrimin e tij, edhe pse i kam treguar se unë përfaqësoj në radhë të parë vetveten dhe marrëdhëniet e mia me Jakup Krasniqin apo Azem Sylën nuk janë të natyrës konspirative, as të ndonjë niveli të veçantë, ai më duket se për mua ka një vlerësim paksa të tepruar.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Luani duhet sa më parë të shkojë në Shqipëri (E enjte 19 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Luani duhet sa më parë të shkojë në Shqipëri (E enjte 19 nëntor, 1998)

Moti duket sikur është përmirësuar por ka filluar era e dimrit. Fryma e ftohtë që …