Ahmet Qeriqi: Kanuni i Lekë Dukagjinit duhet interpretuar për së mbari, e jo sipas shijes dhe bindjes së politikanëve
Kanuni i Lekë Dukagjinit është kodeks arkaik shqiptar, i cili edhe pse i përket së kaluarës, ka mjaft fakte e dëshmi që i kanë përballuar dhe i përballojnë kohës, por ka edhe mjaft ligje e nene të papranueshme, ashtu sikur kanë gjitha kodekset e tjera, të moçme, që nga Manava Dharmasastra e deti te e Drejta Romake e më vonë.
Mikpritja e afganëve nuk ka të bëjë fare me kanunin e Lekës, sepse thjesht është një mikpritje politike, që ka të bëjë me lidhjet e ngushta që kanë Shqipëria dhe Kosova me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga ky aspekt kjo mikpritje, politikisht është e justifikueshme.
Në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me mikpritje të njerëzve të dëbuar nga atdheu i tyre, por me një segment të caktuar të afganëve bashkëpunëtorë të Amerikës dhe të shteteve perëndimore, të cilët kishin mbështetur pushtimin e Afganistanit 20 vjet më parë dhe i kishin shërbyer forcave të huaja.
Ata ndihen të rrezikuar sepse kanë bashkëpunuar me amerikanët, të cilët më në fund u detyruan të largohen, në pamundësi për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme e të përhershme për atë shtet.
Njëjtë kanë ikur edhe ballistët nga Shqipëria pas kapitullimit të fashizmit dhe kanë gjetur strehim politik në Itali, Gjermani, Francë, Amerikë e gjetkë.
Edhe pse talebanët kanë shpallur një amnisti të përgjithshme, një pjesë e afganëve pro amerikanë nuk ndihet e sigurt, sepse është e vetëdijshme se si ka vepruar gjatë 20 viteve, në vendin e vet.
Deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, e cila interpreton Kanunin e Lekës për Mikpritjen shqiptare, mendoj se nuk është bindëse, madje në një masë është paksa edhe cinike, sepse bie ndesh me mospranimin e sirianëve, në Shqipëri, kur dihet se ata iknin nga një regjim brutal, vrastar, diktatorial, sikur ishte dhe është regjimi i diktatorit më gjakatar të kohës sonë, Bashar el Asad.
Kosova dhe Shqipëria nuk iu afruan mikpritje as sirianëve me origjinë shqiptare, disa nga të cilët ishin vendosur në Serbi dhe pastaj u dynden drejt shteteve të Evropës. Nuk po shënojmë këtu rastet e veçanta të azilit, por fenomenin si të tillë.
Të gjithë shqiptarët e dinë fare mirë se kjo mikpritje në radhë të parë ka të bëjë me partneritetin politik, dhe nuk ka të bëjë fare me kanunin, sepse Mikpritja në kodeksin tonë etik, kombëtar, ka një dimension tjetër, ka dimensionin individual të mikpritjes dhe jo atë kolektiv, i cili madje në disa raste është fetishizuar deri në ekstrem dhe ka prodhuar efekte të dëmshme.
Janë të njohura edhe rastet konkrete historike të mikpritjes, të cilat kanë shkaktuar edhe tragjedi, sikur është rasti i Avdullah Pashë Drenit në Gjakovë, në shtator të vitit 1878, ku ai nuk kishte pranuar t’ ua dorëzonte kryengritësve shqiptarë, Maxhar Pashën, sepse e kishte në konak. Edhe pse ishte pasha në shërbim të Sulltanit, ai ishte pjesë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por nuk e kishte dorëzuar mikun që i kishte rënë në besë, dhe ishte në konakun e tij. Ky rast tregon se besa e mikpritja ndër shqiptarë ishte kod “gjenetik” moral, që përfillej nga të gjithë shqiptarët, madje edhe nga shqiptarët, pashallarë të Sulltanit. Nuk është ky rasti i vetëm, por është më i veçanti.
Mikpritja na ka kushtuar shumë rëndë në të kaluarën sepse nuk i jepet besa besëpremit, as i ofrohet konak tradhtarit të kombit të vet.
Shqiptarët janë populli më i njohur në botë për mikpritjen kolektive që u kanë bërë hebrenjve, por Shteti hebraik, pas 13 vitesh e njohu pavarësinë e Kosovës, vetëm me kusht që ambasada e saj të vendosej në Palestinë dhe jo të Tel-Aviv ku janë ambasadat e të gjitha shteteve të botës, madje edhe ajo e Shqipërisë. Ky është shpërblimi që Izraeli i bën Kosovës, me qëllim për ta armiqësuar me shumë shtete mike, të cilat duke e ditur pozitën e dobët të Kosovës, nuk e bënë çështje këtë veprim të pamatur të ish-Qeverisë, vendim të cilin e pranoi edhe Qeveria Kurti, edhe pse paraprakisht ishte zotuar se nuk do ta pranonte.
Nuk është i pari kryeministri, Edi Rama, që u ka hapur dyert të huajve. Këtë për hatër të amerikanëve e ka bërë shumë kohë më parë edhe Sali Berisha, kur ishte në pushtet, Ai kishte pranuar mijëra iranianë, kundërshtarë të regjimit, të cilët ende ndodhen në Shqipëri dhe mund të mbesin përgjithmonë, sepse nuk ka fare gjasa që të rrëzohet regjimi në Iran dhe të zëvendësohet me një regjim pro amerikan, ku do të ktheheshin pastaj iranianët e degdisur nëpër botë.
Pavarësisht këtyre relacioneve, të pranosh në vendin tënd njerëz që rrezikohen me vdekje, në radhë të parë është veprim human, të cilin e bëjnë shumica e vendeve të botës, por duhet ditur se në mesin e atyre që pranon ka të tillë që i kanë duart e përgjakura me gjakun e vëllezërve të vet, për shkak të bindjeve të kundërta politike.
Po kështu nuk i qëndron kritikës barazimi që i bën Edi Rama ikjes së afganëve me ikjen e shqiptarëve në vitin 1990. Nuk ka asnjë pikëbarazimi, sepse në kohën e ikjeve kolektive nuk kishte më “diktaturë,” nuk ikej nga diktatura, por ikën ata të cilët e shkatërruan dhe e dogjën Shqipërinë, me porosi të sodomistëve e pirromanëve të politikës, iknin sepse dhe nuk kishin më çfarë të hanin në Shqipërinë e djegur e të katandisur. Nuk ikën ata të kohën e Enver Hoxhës, për ta justifikuar ikjen e tyre por në kohën e Ramiz Alisë e të Sali Berishës, madje edhe në kohën e sotme, ka sa të duash ikanakë shqiptarë.
Nëse i thërrasim memories, nëse shfletojmë historinë e së kaluarës, nëse sheshojmë faktet e argumentet, do të bindemi lehtë se “Mikpritja e Besa” që u kemi ofruar fqinjëve, por edhe të tjerëve na ka kushtuar shtrenjtë. Në rastin aktual dhe konkret nuk kemi pse thirremi në traditën dokësore shqiptare, sepse mikpritja e afganëve e iranianëve e të tjerëve, nuk justifikohet me kanunin dhe nuk i duhet dhënë ky dimension që nuk e ka, sepse kemi të bëjmë në radhë të parë me veprime politike gjithsesi të domosdoshme.
Mikpritja e Besa Shqiptare janë pjesë e traditës humane të popullit tonë dhe të tilla do të mbesin, pavarësisht se çfarë kemi korrur në të kaluarën nga mikpritja dhe besa, që u kemi dhënë jo vetëm njëherë besëprerëve. Politikës nuk do të duhej t’ i lejohej që t’i manipulojë ato.