Drenica e legjendave të trimërisë, Drenica e Milush Kopiliqit, Zeqir Rezallës, Hasan Prishtinës, Ahmet Delisë, Azem dhe Shote Galicës, Shaban Palluzhës, Drenica e legjendarit Adem Jashari dhe trimave e trimëreshave të UÇK-së, përveç trimërisë dhe atdhedashurisë është e njohur edhe si Drenica e këngës, qoftë ajo e shprehur si këngë e epikës heroike shqiptare, këngë e mbamendjes së popullit, apo edhe këngë malli dhe këngë lirike e dashurisë. Në mesin e këngëtarëve të njohur të Drenicës, Kosovës dhe Shqipërisë shquhet edhe Ilir Shaqiri, i cili në trevën ku ka lindur dhe ka bërë hapat e parë në jetë, ka trashëguar edhe një traditë të pasur të trashëgimisë popullore, të këngës mbi të gjitha, përmes së cilës shqiptarët kudo dhe kurdoherë i kanë kënduar fatit të tyre tragjik dhe heroik.
Ilir Shaqiri është emër i njohur i këngës shqipe dhe ky emër nuk është i rastësishëm, qoftë edhe me faktin se ka lindur në një trevë ku historia shpeshherë ka marrë përmasa të kthesave epokale, jo vetëm kombëtare. I lindur dhe i rritur në një ambient ku kënga ka qenë pjesë e pandashme e shqiptarit, madje edhe nëpër furtunat më të rënda të jetës, ai qysh i ri iu ka përkushtuar këngës së popullit, këngës, pa të cilën nuk ia del dot njeriu, sepse të këndosh, do të thotë të jetosh, të frymosh, të jesh i gatshëm për t’ u ballafaquar me të priturat e të papriturat e jetës. Vetëm si i tillë, shqiptari ka mbijetuar ndër shekuj, duke luftuar e duke kënduar.
I frymëzuar nga historia afirmative kombëtare, i edukuar me shembuj të trimërisë drenicase dhe shqiptare përgjithësisht, ky këngëtar, intelektual dhe veprimtar i njohur, ka arritur që këngën e tij ta begatojë me të gjitha aspektet, me përmbajtjen, tekstin e përpunuar me kujdes, solo këndimin e përkryer dhe orkestrimin brilant. Për dallim nga këngëtarët, që kanë arritur një nivel afirmativ dhe të cilin nuk e kanë shtyrë tutje, Ilir Shaqiri vazhdon ta begatojë këngën e tij me elemente të reja këndimi, por pa u larguar nga trashëgimia dhe nga brumi i pastër i këngës shqipe. Ai, është këngëtar që e zotëron çdo atom të këngës, çdo tingull, madje edhe gjysmë tingull dhe nuk i shpëton asnjë element përbërës, në mënyrë që kënga të jetë sa më origjinale, sa më e kapshme dhe më e afërt me dëgjuesin dhe sa më e pasur në vetvete, me qëllim për t i përballuar jo vetëm kohës së sotme.
Në këtë segment, me plot të drejtë mund të thuhet se Ilir Shaqiri, sidomos në Epokën e UÇK-së dhe pas saj në Epokën e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës ka arritur të manifestojë një këndim tipik, shumë origjinal dhe shumë të pasur në të gjitha segmentet, që nënkupton një këngë në nivelin tonë të emancipimit kombëtar, artistik dhe kulturor, duke i përmbushur të gjitha kërkesat deri ku ka arritur teknologjia e përgjithshme e këndimit të sotëm.
Ai ka filluar të këndojë si këngëtar popullor, si rapsod, të cilët nuk i kanë munguar asnjë treve shqiptare. Qysh në këngët e para, është vërejtur jo vetëm talenti, zëri burrëror, por edhe origjinaliteti në këndim dhe ai origjinalitet në fillim nuk mund të krijohej vetvetiu, pa u ndikuar edhe nga kënga që përhapej nga Radio-Tirana, TVSH-ja dhe qendra të tjera të kulturës shqiptare. Asokohe, zëri i Ilir Shaqirit buronte nga kënga e trimërisë e traditës drenicase. Krejt natyrshëm do të ndikohej nga kënga burrërore e rapsodëve të njohur të mesit ku ishte rritur dhe me shpejtësi arriti të sintetizojë vlerat e këtyre rapsodëve, duke i ikur me mjeshtëri emetimit, të cilin zakonisht e bëjnë fillestarët. Qysh në këngët e para vërehej një origjinalitet, që premtonte, që imponohej, dhe që bënte përpjekje për ta krijuar sa më parë stilin autentik të këndimit.
Qasja e Ilir Shaqirit ndaj këngës, që nga fillet e këndimit është qasje burrërore, është qasje e mllefit dhe e zemërimit të grumbulluar ndër shekuj të drenicasit, në kuptimin etnogjenetik, qasje e njeriut i cili gjithmonë e ka sfiduar robërinë, qysh prej kohës së Romës e Bizantit, Dushanit e Sulltanit e deri në kohët tona.
Kënga e Ilirit shquhet në radhë të parë për krenarinë, zërin burrëror, mesazhin për mobilizim dhe karakterin luftarak. Në këtë drejtim, kënga e tij është vënë në funksion të përkushtimit çlirimtar. Edhe në vitet 90, për dallim nga përhapja e një tipi të këngës rezignuese, me doza pacifizmi e ankimi, Ilir Shaqiri këndoi vargjet mobilizuese të Naim Frashërit dhe këngë trimërie për atdhetarët, për heronjtë e dëshmorët. Për më tepër ai ka kënduar edhe me heroin, Hamëz Jashari, vëllanë e Legjendarit, Adem Jashari dhe me këngëtarë të tjerë të njohur.
Zëri i tij melodik, fuqia mobilizuese, teksti i këngëve mjaft i goditur, bëjnë që kënga e kënduar nga ai të shquhet për origjinalitet dhe qasje autentike, sepse ai e dashuron këngën, vargun e saj kuptimplotë, duke aspiruar të njëzohet në tërësinë e vargut dhe të përmbajtjes.
Në këndimin e tij shquhet një dozë e hetuar e mënyrës së këndimit të hershëm të rapsodive, dozë e përpunuar me kohë, duke thithur nga ajo nektarin dhe duke i dhënë këngës liri, fuqi djaloshare e burrërore, duke e vënë në shërbim të çështjes, duke e bërë pjesë të historisë, e më në fund duke e endur nëpër jetëshkrimet e dëshmorëve, në të gjitha frontet e luftës tonë çlirimtare dhe fitimtare.
Këngëtari i mirënjohur, Ilir Shaqiri, tashmë ka krijuar stilin e vet autentik, dhe çdo këngë e tij shquhet për specifika dhe tonalitet të pastër burimor, shquhet mbi të gjitha për përmbajtjen kombëtare e shoqërore me fuqinë mobilizuese, fuqinë Ademjasharjane të shprehjes artistike, në këndimin e këngëve të trimërisë, këngëve të dëshmorëve, të cilat janë këngët e tij më të preferuara, por edhe më të goditurat. Nuk e teprojmë nëse themi se këto këngë janë specialiteti i tij dhe askush deri sot nuk i ka kënduar dhe nuk i këndon në nivelin artistik, në të cilin arrin t i këndojë me një përkushtim të veçantë, Ilir Shaqiri.
Këngët e këtij këngëtari të mirënjohur për veç forcës mobilizuese, që është tipari dallues dhe origjinaliteti i tij autentik, shquhen edhe për çiltëri, muzikalitet, ritmikë dinamike, qartësi të shkëlqyer në shqiptimin e tingujve, shquhen për fjalë e melodi që burojnë nga zemra e njëzuar me fuqinë burrërore në interpretimin sidomos të temave historike, ashtu edhe në përmbajtjet e tjera qofshin ato edhe me doza retorike e moralizuese.
Zëri i tij i fuqishëm, i jep këngës gjallëri dhe forcë burrërore, forcë të qëndresës tipike shqiptare. Në këtë aspekt, kënga e Ilir Shaqirit është këngë tipike shqiptare, këngë e kohës sonë, këngë e cila është fermentuar me tharmin e këngës shekullore shqiptare, me përmbajtje të vetë historisë sonë kombëtare e shoqërore, sidomos në 30 vitet e fundit.
Për dallim nga të gjithë këngëtarët e gjeneratës së tij, Ilir Shaqiri ka pasur fatin e këngëtarit, i cili i ka hapur të gjitha dyert drejt afirmimit, sidomos pas luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare. Po ashtu, atij iu kanë krijuar kushtet për ta manifestuar talentin, qoftë në mënyrë vullnetare nga artistë e këngëtarë të njohur, qoftë nga institucionet apo donatorët e ndryshëm, qoftë edhe nga autoritetet me ndikim. Dhe ç’është kryesorja në këtë drejtim, sa i përket këngës, ai nuk e ka zhgënjyer asnjërin prej tyre, sepse ashtu sikur këngëtarët e mëdhenj dhe yjet e njohura të estradave të popujve të botës, Ilir Shaqiri e dashuron këngën, e dashuron me gjithë shpirt, e respekton e ndien thellë në shpirt dhe i përkushtohet asaj ashtu sikur, Shivan Perveri i Kurdistanit, si Salim Halali i Algjerisë dhe i Francës, ashtu si Ahmet Kaja i ndjerë, apo arvanitasi, Thanasi Moraiti. Iliri i këngës shqipe, sidomos Iliri i këngëve të dëshmorëve të tri luftërave tona çlirimtare vazhdon të jetë i pranishëm duke i dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm këngës shqipe, këngës së këngëve të mallit, të trimërisë, dashurisë e njerëzisë.