Ahmet Qeriqi: Kështu foli Azem Syla, pak për veten e shumë për të tjerët

Ahmet Qeriqi: Kështu foli Azem Syla, pak për veten e shumë për të tjerët

Komandanti i UÇK-së, gjatë luftës, Azem Syla, ka publikuar një vështrim lidhur me disa segmente të vlerave të UÇK-së dhe përpjekjeve, që po bëjnë individë të caktuar për të mohuar vlerat e të tjerëve dhe për të demonstruar vazhdimisht vetveten, grupin apo klanin e tyre dhe jo vetëm këto.

Në vështrimin e tij të përmbajtur, të faktuar e të kundruar me shumë realizëm kritik, Azem Syla ka dëshmuar vetveten, edhe njëherë ka dëshmuar se kush ka  qenë dhe është në të vërtetë, pavarësisht sesi i kanë interpretuar dhe i interpretojnë qëndrimin, punën, angazhimin dhe mundin e tij kundërshtarët e UÇK-së, por edhe grupe të caktuara individësh brenda saj.

Tani kur në Gjykatën Speciale, në Hagë, po shpalosen hapur tendencat për kriminalizimin  e UÇK-së dhe luftës së saj të drejtë, kur janë bërë tok të gjithë armiqtë, me regjimin serb në krye dhe me argatët shqipfolës, që kurrë nuk i kanë munguar, as i mungojnë Serbisë. Tani kur kreu i UÇK-së, nga Prokuroria e Gjykatës Speciale është kualifikuar me aktakuzën e ngritur  si “Grup i organizuar kriminal”, kur Qeveria e Kosovës nuk çanë kokën fare për atë që po ndodh me vlerat më të larta dhe më sublime të luftës, pasi tani ka themeluar për vete “Republikën e Tretë”, tash për tash virtuale, sot kur veteranët janë lodhur e molisur nga trajtimi me mëshirën e  Shtetit, bazën e të cilit ata e  kanë themeluar me mundin, djersën, gjakun dhe gjymtyrët e tyre, sot kur po bëhen përpjekje të deformohet tërë lufta fitimtare e UÇK-së,  fjala e Azem Sylës, duhet të merret me shumë seriozitet, sepse në rrethanat mbizotëruese në Kosovë, asgjë nuk është e qëndrueshme, nuk ka më unifikim qëndrimesh, por ka luftë brendapërbrenda, lufta e të gjithëve kundër të gjithëve, lufta e pamëshirshme politike për të dominuar, lufta për të treguar se kush sa është i zoti, kush sa ka merita, kush sa ka përfituar dhe kush kundër kujt e drejton gishtin për dështime, korrupsion, abuzime etj. Dje e sot e edhe nesër kur secili bën garë për ta treguar veten dhe meritat e tij, disa nga më meritorët heshtin, duke menduar se me heshtje flasin, por nuk është më ajo kohë, kur me heshtje është folur me shumë, sesa me zërin e ngritur.

Azem Syla, është njeriu i vetvetes, miqësor dhe i përmbajtur, vigjilent për punën e tij por jo edhe i pagabueshëm në vlerësimin, për disa  nga ata që e rrethojnë dhe ia rrahin shpinën e pas shpinës, dihet çka flasin.

Dikush mund të thotë se Azemi ka folur vetë dhe çka ka nevojë të komentosh ti apo ndonjë tjetër  fjalët e tij.

Mbase ka diçka të vërtetë në një konstatim të tillë, të paragjykuar, por për Azem Sylën ka shumë çka të flitet sepse ai  nuk shkruan për veten, nuk flet për meritat, të cilat jo pak edhe prej shokëve të tij ia kontestojnë, kuptohet jo ndër sy. Azem Syla   nuk e ka realizuar veten si protagonist, edhe pse është njëri ndër protagonistët më të rëndësishëm të historisë sonë më të re. Duke mos e “imponuar” vetveten, duke mos qëndruar mobil në “ringun politik”, duke jetuar i tërhequr, me qëllimin më të mirë, me të cilin nuk i bind dot kundërshtarët, Azem Syla është veprimtari më enigmatik i kohës sonë, i kohës kur, për të mos thënë  të gjithë veprimtarët e tjerë e kanë ndërtuar protagonizmin e tyre, madje disa syresh e kanë fryrë sikur fëmijët  fryjnë tullumbacet dhe i lëshojnë në hapësirë, për të parë ngritjen e tyre lartë e më lartë, pa menduar sesi mund të pasojë, gjatë  rënies.

Mesazhi i vështrimit të Azem Sylës i publikuar në krejt pak medie, në radhë të parë i dedikohet së vërtetës, e cila nëse nuk mbrohet, në çdo çast, ajo nëpërkëmbët, sikur është nëpërkëmbur sa e sa herë deri tani. Azem Syla kërkon unitet, kërkon të pranohet e vërteta, mundi dhe kontributi  i secilit, pse jo edhe sipas kanunit të Lekës, sepse  nderi dhe respekti i secilit është në vendin e vetë, në atë çfarë ka bërë realisht për kombin e atdheun, dhe jo për ato me të cilat e stolis gjoksin e vet dhe të tillë ka me shumicë.

Duke qenë i përndjekur nga regjimi jugosllav, i torturuar fizikisht gjatë hetimeve, i dënuar dhe i anatemuar si të gjithë të burgosurit politikë të kohës, ai ka vepruar në kushte dhe rrethana specifike dhe në shumë veprime ia ka dalë vetë dhe me ata të cilëve iu ka besuar. Më vjen pak keq ta them por më shumë iu ka besuar bashkëveprimtarëve  të tij, sesa ata i kanë besuar atij.

I atakuar pas luftës nga qarqet e ndryshme, të brendshme e të jashtme, Azem Syla nuk i ka përballura dot sulmeve, duke menduar se koha lanë e shpërlanë gjithçka, po ja që nuk ka ndodhur ashtu. Ai është i vetmi ndër veprimtarët më të njohur në Kosovë, që nuk iu ka përgjigjur sulmeve, edhe kur ato kanë qenë të neveritshme, me përpjekje linçuese e vrastare kur publikisht e kanë emëruar “komandant të Çagllavicës” e çka jo?.

Nëse Azemi ka pritur se për veprën e tij ta mbrojë vetë e vërteta, ai ka pritur dhe do të presë shumë kohë, megjithëse nuk është pritje koti, sepse nuk thuhet kot se “e drejta mënon por nuk harron.” Në këtë botë jallane nuk mjafton të jesh i drejtë, nuk mjafton të kesh bërë sa e sa vepra të mira, nëse nuk i reklamon ato, sepse ky është mentaliteti i auto-reklamës së sotme  kapitaliste, jo vetëm ndër ne, por kudo në botë.

Te mentaliteti i shumicës ndër ne, ekziston bindja se po nuk iu përgjigje një sulmi apo një gënjeshtre, pajtohesh me te, edhe kur e vërteta mund të jetë krejt ndryshe.

Azem Syla që i ka qëndruar përballë Serbisë, mbase mu për këtë dhe  me të drejtë nuk e ka lejuar veten që t’i përgjigjet çdo sulmuesi, çdo pizevengu, çdo truthari, por  në disa raste kjo edhe e ka dëmtuar. Nuk ka qenë dashur të lejohet kualifikimi i ulët dhe fyes si Komandant i korrupsionit, përderisa nuk është bërë gjyqi, përderisa akëcili gjyq të ketë nxjerrë një vendim të plotfuqishëm, të shkallës së dytë, një lëndë, e cila ka  sa vite është në proces.  Në raste të tilla  duhet kundërpërgjigje dhe ndjekje përmes gjyqit e të gjithë atyre që të shpallin të korruptuar pa u bërë gjyqi. Kjo i ka munguar dhe i mungon Azem Sylës.

Por, Azem Syles nuk i ka munguar kurrë dashuria për kombin e atdheun, nuk i ka munguar as i mungon gatishmëria e flijimit, nuk i ka munguar as i mungon përkushtimi, besnikëria e vullneti për Çështjen e Kombit e Bashkimit, pavarësisht se çka thonë të tjerët, pavarësisht etiketave të zagarëve të Serbisë, të cilët kanë lehur e lehin, por tani nuk kanë më dhëmbë të kafshojnë ashtu sikur na kanë kafshuar  në kohën e regjimit serb.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …