Ahmet Qeriqi: Klasa politike e tubuar rreth Rugovës pret mbarimin e ofensivës për të filluar dialogun me serbët. Rugova thotë, tani jam më i fortë (E shtunë 26 shtator, 1998)

Ahmet Qeriqi: Klasa politike e tubuar rreth Rugovës pret mbarimin e ofensivës për të filluar dialogun me serbët. Rugova thotë, tani jam më i fortë (E shtunë 26 shtator, 1998)

Në fshat po kthehet ritmi i jetës, por me droje  e pasiguri, që mund të na befasojë në çast. Si zakonisht në Krojmir hetohet lëvizja mjaft e shprehur e ushtarëve të cilët deri tanë ushtruar roje dhe vëzhgim të terrenit. Kthimi i popullatës në Fshat ata i detyron të zënë sërish pozicionet e para fillimit të ofensivës.

Ka filluar edhe vajtje ardhja e banorëve, tani kur po qarkullon edhe autobusi.

Sot kanë arritur Naim Imeri, Vehbi Zeqiri dhe Selim Selimi, vëllai i Fitim Selimit, po ashtu i kyçur në radhët e luftës çlirimtare. Naimi dhe Vehbiu kanë sjellë najlon për tenda dhe vesh-mbathje për ushtarët. Ndërkohë  në vendqëndrimin tim të tanishëm në shtëpinë e Salih Qeriqit, një kushëri i afërm që jeton në Amerikë kanë ardhur edhe Luani, Syla, Jetë Hasani, Ajvaz Karpuzi e të tjerë. Me ritme të shpejta po kthehet koha e lëvizjeve të para ofensivës. Për të gjitha këto lëvizje policia në Lipjan e në Shtime duhet të jetë në dijeni, meqë lëvizjet janë të pandërprera ndërsa edhe bashkëpunëtorët nuk mungojnë, sado tani për tani ata janë futur  në ilegalitet.

Ofensiva serbe në Drenicën Qendrore nuk ka të ndalur. Luftime po zhvillohen sidomos në relacion Rezallë Likoc, dhe në disa fshatra të Klinës. Serbët po lënë prapa shkatërrime e rrënime barbare. Bëhet e ditur se forcat serbe kanë vrarë dhe kanë arrestuar pjesëtarë të popullatës së zhvendosur. Kanë renë edhe shumë dëshmorë duke luftuar fyt për fyt kundër  bandat e okupatorit.

Forca të mëdha ushtarake e policore kanë filluar ofensivën edhe në drejtim të Budakovës dhe fshatrave të tjera të Rrafshnaltës së Jezercit.

Gjëmimet e topave po dëgjohen edhe nga ato anë.

Bota është shumë larg për të parë dhe për t’u bindur me gjendjen tonë. Shqiptarët në Shqipëri po kacafytën, ndërsa Rugova po e pret fundin e ofensivës duke deklaruar se tani i ka pozitat më të forta për bisedime. Në çdo ofensivë ai mendon se lufta ka mbaruar, se UÇK-ja është shkatërruar e të tjera. Ai jo vetëm njëherë ka shfaqur gatishmëri për të negocuar me krerët e regjimit kriminel të Beogradit.

Në mbrëmje, si zakonisht tubohemi për të shqyrtuar situatën, ndodhitë e ditës dhe i ndajmë detyrat për ditën apo ditët vijuese. Kemi biseduar me disa ushtarë të Blinajes, Dardanin, Bukuroshin, pastaj me Aliun, Luanin e të tjerë. Ndërkohë na erdhi një informatë se një orë më parë në drejtim të Shalës është parë një pizgauer me ushtarë serbë. Ata me  rastin e hyrjes në zonën tonë kanë ndaluar dhe janë kthyer me shpejtësi. Ushtarët që kanë qenë në vëzhgim kanë konstatuar se ushtarët e armikut kanë hyrë gabimisht, për shkak se nuk është në praktikën e tyre që të depërtojnë pa e pasur mbështetjen shumë më të fortë mbrapa. Kjo duket të jetë e vërtetë, meqë në Magure rruga ndahet, në drejtim të Drenicës jugore dhe në relacion Medvec, Vrellë, Sllatinë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …