Ahmet Qeriqi: Kode shqiptare III

 


Disa fjalë të veçanta, arkaike, të  gjuhës shqipes


 


USHTË-A  HESHTË-A, SHTIZË-A


 


Gjuha shqipe ka ruajtur në fondin e vet leksikor shumë fjalë, të cilat për nga kuptimi, mënyra e ndërtimit dhe emërtimit kanë të bëjnë me periudhat shumë të hershme të përdorimit të fjalëve, të cilat, në fazën fillestare të zhvillimit të gjuhës kanë qenë fjalë me një, apo dy rrokje. Ky fenomen haset edhe në gjuhet e popujve të tjerë.


Duke u nisur nga periudha historike e përpunimit të hekurit, përveç emrit të këtij metali, kemi të bëjmë edhe me derivatet e tij.


Fjala Ushtë e gjuhës shqipe, tregon një armë dore të njeriut primitiv. Ushtë-a, armë sulmi e kohëve të lashta, me një bisht të gjatë, dhe me maje të mprehtë hekuri, e cila mbahej në dorë. Heshtë, shtizë, E shpoi me ushtë ( FGJSH, f 2098)


Maja e ushtës, fillimisht mund të ketë qenë e sajuar edhe nga guri i mprehtë, ose nga një dru i fortë, që shërbente për të sulmuar kafshët e egra me qëllim për të siguruar ushqimin.


Më vonë në periudhën e përpunimit të hekurit, maja e ushtës sajohet nga derivatet e këtij metali dhe në këtë mënyrë ishte përfituar një armë e përdorshme e cila shërbente për sulm nga afër, duke e mbajtur në distancë prenë, apo viktimën.


Nga emri ushtë-a, gj.f. u përfitua edhe emri ushtar, njeri që mban në dorë armën, ushtën. Bashkimi i dy tre apo më shumë njerëzve me ushta në dorë, përbente grupin e parë e gjahtarëve, që sulmonin kafshët e egra bashkërisht dhe të cilët po ashtu edhe prenë e ndanin bashkërisht.


Disa grupe njerëzish të armatosur me ushta përbënin edhe njësitet e para të asaj force, që më vonë do të emërtohet si ushtri dhe, që padyshim vjen nga fjala ushtë.


Ushtria e Lekës së Madh, shquhej në radhë të parë për ushtat e gjata, të rregulluara nga një lloj druri i lehtë por elastik, në gjatësi deri në katër metra, i cili rritej në pyjet me vegjetacion te pasur të Ilirisë dhe Greqisë, armë kjo  me të cilën goditej kundërshtari nga një distancë e mjaftueshme për ta paralizuar qysh në ndeshjen e parë.


Pikërisht nga kjo shpikje e kësaj ushte të gjatë me maje të mprehtë prej hekuri, ushtria e Lekës së Madh kishte pushtuar katër anët e rruzullit. Historianët dhe gjurmuesit e kohës së lashtë kanë konstatuar se shpikja e kësaj ushte ishte epërsia që përdorën ushtarët e Lekës në rrugëtimin e tyre pushtuese deri në Indi në Lindje dhe deri në Magreb në perëndim.


 


Leka i Madh, ushta, ushtria e Lekës


 


Nga emri  “ushtë” janë sajuar derivatet gjuhësore: ushtar, ushtri, ushtroj, (ushtë, heshtë, shtizë, janë armët e para të  dorës të punuara  me maje metali, hekuri)


Ushtë-a, armë sulmi e kohëve të lashta, me një bisht të gjatë, dhe me maje të mprehtë hekuri, e cila mbahej në dorë. Heshtë, shtizë, E shpoi me ushtë ( FGJSH, f 2098)


Ushtor- rojtar i arave ose i vreshtave (FGJSH f 2099).


Usht-i , ushtër- ushtra, ushti i gurit, këput ushtin. Po aty, f. 2098 Prishtinë, 1981


 


Analoge për nga kuptimi është edhe fjala: Heshtë-a, armë e sajuar nga një dru i gjatë, me maje të hekurt, që përdorej për sulm apo për të shpuar. Shtizë, heshtë, etj (FGJSH… f 673), Heshta, ishte një armë më e vogël se ushta dhe përdorej për të goditur prenë apo kundërshtarin nga distanca në hedhje nga larg.


Shtizë, në analogji me heshtë ? por edhe si vegël e sajuar me një pjesë të telit, me maje të mprehtë nga njëra anë, në formë grepi që përdorët për të tjerrë, për të thur çorapë apo veshje të tjera prej leshi etj ( FGJSH, faqe, 1930)


 


 


Shqipe, shqiponjë, shquaj, shqiptoj, shqiptar, Shqypni, Shqipëri,


 


Çuditërisht, albanologu ynë i madh Çabej e la hapur temën rreth etimologjisë së emrave: “Shqiptar”, “Shqipe”, “Shqiponjë”. Nuk i trajtoi fare në “Fjalorin etimologjik”, ndërsa në “Studime gjuhësore” V ai bën fjalë për emrat  nacionalë  të shqiptarëve, duke e lënë hapur problemin, por duke përjashtuar lidhjet mes emrit shqipe dhe shqiptar.(!).


Është vështirë të përjashtohet mundësia dhe ngjashmëria për të mos thënë dhe absolute e lidhjeve të emrit  Shqiptar me prejardhje pikërisht nga emri i shpendit grabitçar, “Shqiponjë”. Nuk janë shqiptarët i vetmi popull që kanë emër shpendi apo kafshe. Emri i romakëve të hershëm vjen nga Romuli e Remi, të cilët, sipas legjendës kishin mbijetuar duke u ushqyer me qumështin e Ulkonjës dhe që kishin formuar Romën. Kemi një ngjashmëri tjetër për nga formulimi edhe me emrin e grekëve, të cilët vetën e quajnë helenë, nga helios, që do të thotë diell, pra bijtë e dritës, apo të diellit. Krejt  kjo ka të bëjë me legjendën, sepse popujt e vjetër disponojnë  mite dhe legjenda të tilla, në të cilat manifestohet përkatësia e tyre etnike, gjuhësore, historike e më vonë edhe kombëtare


Madje nuk qëndron as konstatimi se ne jemi i vetmi popull, që quhemi shqiptarë, por krejt të tjerët na thërrasin: alban, arbëreshë, Alvanitas, arnaut e të tjerë. Kështu ka ndodh edhe me grekët. Bota i njeh me këtë emër, por ata e quajnë veten helenë dhe shtetin e tyre Hellada. Kështu ndodh edhe me magjarët, të cilët krejt bota i quan hungarezë, ndërsa ata njohin emrin magyar, Magyarorszag (Hungari) Emri hungarez nuk përdoret askund në historinë as letërsinë e këtij populli.


Mendoj se fjala Shqiptar, e shënuar për herë të parë te Buzuku në vitin 1555 pastaj te Budi 1621, u fut në përdorim si shembull metaforik i bijve te rezistencës së kohës së Gjergj Kastriotit. “Luftuan si shqipet”, që ka një analogji me luftëtarët e “Pirros”, po ashtu epirotët, shqiptarët e kohës së Skënderbeut. Barleti shkruan për Gjergj Kastriotin, prijësin e epirotëve. Me këtë rast nuk  kemi të bëjmë me mite e legjenda, përderisa këtë faktografi e mbështesim në Librin: Histoia de Vitae et Gestis, Georgius Castriotis, Sceanderbegi, priceps Epirotarum” ( Historia e jetës dhe e bëmave të Gjergj Kastriotit, Skënderbeu, prijësi i Epirotëve), edhe pse studiuesit tanë i kanë borxh këtij shkrimtari dhe humanisti, meqë  thonë se ai paska ekzagjeruar numra të luftëtarëve, të cilët ekzagjerohen edhe sot e kësaj dite kudo në botë. Asokohe, kur Marin Barleti shkroi, shqiptarët quheshin epirotë. Duket se më vonë, në kujtim për Motin e Madh, për rezistencën 25 vjeçare të shqiptarëve, kundër pushtimit turk, emri i shqiponjës me dy krerë, filloi të përmendet si bijtë e shqipes. Është e ditur se nuk kemi dokumente shkrimore që mbështesin këtë konstatim, por fakti se disa vite më vonë, pikërisht në vitin 1555, Gjon Buzuku na sjell emrin shqiptar, do të thotë se ai emër tashmë ekzistonte, e mbase mund të ketë ekzistuar edhe më herët.


 


Fjala, shqipe-shqipja, kuptimi primar i së cilës lidhet me emrin e përveçëm, Shqiponjë, është fjalë e gurrës tonë autentike dhe nuk kemi të bëjmë me qasje romantike, të kohës së vonë, por me një sajim metaforik, të një populli luftarak, që kishte shkëlqyer në luftëra, qysh nga koha e Lekës së Madh, Pirros, Agronit e Teutës, Gjergj Kastriotit, Halil Patronës, Ali Tepelenasit, e shumë të tjerëve, deri në kohën tonë, deri te Adem Jashari dhe trimat e trimëreshat e tij.


 


Duke folur lidhur me studimin e Bardhyl Demirajt “Si u bënë albanët shqiptarë”, studiuesi i mirënjohur nga Shqipëria, Shaban Sinani sjellë disa përfundime, të cilat bien ndesh me konstatimet e mësipërme. Ai thotë:


     Pikërisht pamjaftueshmëria gjuhësore për t’iu përgjigjur pamjes së re të identitetit të shqiptarëve, të krijuar prej veprimit konvergjues dhe divergjues të faktorëve të brendshëm e të jashtëm, me sa duket nxiti ndërgjegjen gjuhësore, dhe jo vetëm gjuhësore, por përgjithësisht instinktin e vetëruajtjes të bashkësisë, të kërkonte, të njësonte kuptimisht, të përhapte dhe përfundimisht të përgjithësonte një etnonim të ri. Është shprehje e një shpirti të shkëlqyer mbijetese që shqiptarët, në këtë kapërcyell të vështirë, zgjodhën të riidentifikohen sërish duke iu referuar tiparit më homogjenizues të tyre, gjuhës. Studiuesi, Bardhyl Demiraj me të drejtë u largohet formave romantike dhe madhështuese të shpjegimit të emrit etnonimik të shqiptarëve përmes një shenje, që nuk ka qenë ndonjë herë totem i shqiptarëve, shqiponjës apo formës së shkurtër, shqipes. Por, gjithashtu, është një shprehje gjithaq e shkëlqyer e vetëdijes përbashkuese kombëtare, që nuk e përjetoi kalimin prej arbërve tek shqiptarët si një ndryshim opozicional, si një alternim të sforcuar, si një sakrificë në dëm të një pjese a në dobi të një pjese tjetër.


(Shaban Sinani: Si u bënë “Albanët-Shqiptarë”)


 


 


Pamjaftueshmëria gjuhësore, nxiti ndërgjegjen gjuhësore dhe jo vetëm gjuhësore për të përgjithësuar një etnonim të ri…


 


Shtohet pyetja,  përse shqiptarët nuk paskan pasur ndonjëherë një totem, apo nuk duam ta pranojmë se kemi pasur dhe aktualisht kemi një totem, sikur është simboli i shqiponjës, totem, të cilin të parët tanë e kanë vendosur edhe në flamur dhe e kanë bërë shenjë identifikuese për kombin, gjuhën, etninë, racën, por jo për fenë, sikur e kanë kryqin popujt me besim krishterë, ose yllin me hënë turqit dhe bota islame.


Duket sikur pikërisht “shqiponja” mund të ketë qenë totemi i lashtë i shqiptarëve, ose pretendimi i tyre për t’u njësuar me atë totem, kur dihet se simboli i shqiponjës është shumë i hershëm dhe i trajtuar pikërisht si totem te shumë popuj jo vetëm të Evropës, por edhe më gjerë.


 


 Në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, fjala shqipe lidhet me shqiponjë, si “shqipja arbërore”, “shqipja dykrenore” shqiponja dykrenore etj (FGJSH, Prishtinë 1981. f. 1915)


Fjala Shqiponjë ka të bëjë me një shpend të madh grabitqarë, me sqep të kthyer, me kthetra të gjata dhe me sy të mprehtë që rron në male dhe që mbahet nga shqiptarët si simbol i lirisë…


(FGJSH, Prishtinë 1981. f. 1916).


Të gjitha derivatet e tjera gjuhësore të kësaj fjale, qoftë si fjalëformime apo frazeologji lidhen me emrin e shqipes, të shqiponjës, pavarësisht se ka qenë apo nuk ka qenë totem i shqiptarëve ky shpend.


 Shqiptarët në Ballkan, nuk kanë as kanë përdorur tjetër emër për të përcaktuar etninë, gjuhën, racën etj, pavarësisht se popujt e tjerë asnjëherë nuk na kanë njohur as e kanë në përdorim këtë emër, përveç në rastin pezhorativ dhe përçmues te disa popuj sllavë të Ballkanit, me tendencë për të bërë dallime mes shqiptarëve të Kosovës dhe të trevave të tjera të pushtuara nga sllavet, që trajtoheshin si “shqiptari” dhe atyre të tjerëve që jetonin në Shqipëri dhe që në gjuhën e sllavë-folësve quheshin “albanci”.


Në të mirë të këtij konstatimi kemi edhe neologjizmin e foljes shqiptoj, apo shqipëroj, të cilat po ashtu lidhen me rrënjën “shqipe,shqipja”.

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …