Moti ka filluar të përmirësohet. Shumica e banorëve të Krojmirit gjatë ditës po depërtojnë në fshat për punë dhe angazhime të ndryshme rreth punëve shtëpiake. Janë kthyer nga Shtimja Shyqri Iballi dhe mjeku Jakup Ismajali. Ata tanimë kanë krijuar një korridor të rrugës dhe gjatë natës depërtojnë në Shtime dhe po natën largohen nga frika se mos i dikton policia apo mos i denoncon ndokush. Shyqa ka sjellë 500 DM. të cilat ia ka dhënë vëllai i tij Nazmi Iballi i autorizuar nga ne për grumbullimin e ndihmave në Shtime, Ferizaj e Pozharan. Nazmiu deri tani vazhdimisht na ka ndihmuar dhe i ka thënë shyqës se po përgatitet për një ndihmë më serioze.
Kemi biseduar gjerë e gjatë me Jetë Hsanin dhe Ajvaz Karpuzin, dy drejtuesit e Policisë Ushtarake në rajonin tonë. Jeta është luftëtar i përkushtuar. Ajvazi po ashtu. Duket sikur e kanë gjetur njëri tjetrin. Të dy janë të angazhuar të vendosin rregull dhe disiplinë. Ajvazi tregon se disa nga bashkëfshatarët e akuzojnë se me motivacion se ai është bërë i Krojmirit dhe nuk iu ndihmon bashkëfshatarëve. Ajvazi i njeh të gjithë dhe e din fare mirë se kush sa peshon. Ai prej fillimit është inkuadruar në radhët tona duke e ditur se në Shalë ndikimi i UÇK-së mund të depërtojë vetëm imponueshëm, ashtu sikurse edhe ka ndodhur. Mirëpo kohëve të fundit disa të rinj, të cilët i ka në përkujdesje Heset Sahiti kanë filluar të mobilizohen dhe t`i konsolidojnë radhët.
Në orët e pas ditës në tendën time ka ardhur Fatmir Lima, Komandant Çeliku i përcjellë nga një ushtar. Ai ka arritur me një xhip dhe shumica e të zhvendosurve kanë menduar mos është ndonjë gazetar i huaj.
Përshëndetemi me Fatmirin dhe futemi në tendë për të drekuar, meqë është kohë buke. Fatmiri duket i disponuar. Kësaj radhe shumë i çiltër dhe i respektueshëm. Edhe pse nuk e shpreh, ma thotë mendja se ka ardhur për të parë dhe për t u bindur me organizimin dhe qëndresën tonë, e cila për këto anë tani për tani është shembull unikat. Ai jo vetëm na lavdëron por shpreh kënaqësi me përkrahjen që e kemi nga popullata, i bindur se do t`ia dalim. Fatmiri është kuadër i rëndësishëm dhe me ndikim në Shtabin e Përgjithshëm. Jo vetëm që është i arsimuar por ka një karizmë të lindur për t`i ofruar dhe për t`i bindur njerëzit. Është mjaft syçelë dhe i njeh mirë rrethanat me të cilat po ballafaqohemi. Edhe pse shpeshherë na ka shqetësuar me disa ndërhyrje, askush nga ne nuk i mban mëri, përkundrazi të gjithë kanë respekt, sepse deri tani asnjëherë nuk është larguar nga Shtabi dhe kurdoherë ka qëndruar në rrjedha të të gjitha zhvillimeve. Është e vërtetë se me Luanin ka pasur përplasje por edhe ne me të kemi pasur përplasje edhe më të forta.
Komandant Çeliku interesohet për gjendjen e popullatës dhe na premton se nga ndihmat e grumbulluara në vende të caktuar do të na ndihmojë. Ai kur premton flet aq bindshëm sa nuk lë shteg dyshimi.
Fatmiri me përcjellësin e tij janë larguar pasi kemi drekuar.
Pas largimit të tij më lajmërojnë se në Grykë kanë ardhur disa përfaqësues të organizatave humanitare ndërkombëtare për t`u njoftuar me gjendjen e popullatës së zhvendosur. Me ta kanë biseduar dhe i kanë shoqëruar: Elez Durmishi Heset Hamdiu, Shyqri Iballi, Ramadan Rizani e të tjerë. Kësaj radhe ata kanë depërtuar edhe në lugun e Lanës ku janë dhjetëra familje të zhvendosura.
Në orët e pas ditës ka ardhur për të biseduar edhe Fatmir Maliqi, ushtar Kamenica sikur e quajnë të gjithë. Fatmiri kërkon nga ne t`i japim leje që me një grup shokësh të shkojë për armatim në Shqipëri dhe më pas me një njësit të kalojë në zonën e Karadakut, meqë sipas tij atje dikush po i frenon punët dhe nuk ka organizim të pikave të UÇK-së. Fatmirit, meqë tanimë është njëri ndër ushtarët më të sprovuar ia bëj me dije se organizim në atë rajon e ka marrë përsipër Avdullah Tahiri, Shemsi Syla dhe Emin Krasniqi disa muaj më parë, por është e vërtetë se tani për tani nuk po vërehet asnjë lëvizje. Fatmirit i bëj me dije po ashtu se për organizime të tilla ne nuk kemi kompetencë, por i kam premtuar se përmes Hilmi Ramadanit do të njoftohem për zhvillimet në anën e Karadakut.
Nga lajmet e mbrëmjes njoftohemi se forca të mëdha të ushtrisë dhe policisë serbe kanë filluar ofensivën në Shalë të Bajgorës, ku njësitet tona çlirimtare po bëjnë rezistencë të shkëlqyeshme. Zgjerimi i radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Shalë dhe në Llap, ka rëndësi të veçantë për luftën tonë, sidomos për ta bindur faktorin ndërkombëtar se ne jo vetëm që nuk do të dorëzohemi por do të zgjerohemi dhe do të konsolidohemi.
Rezistenca e armatosur vazhdon pothuajse në të gjitha fshatrat e Drenicës Qendrore dhe në Dukagjin. Forca të mëdha të ushtrisë dhe të policisë serbe po bëjnë përgatitje për ta vënë nën rrethim Qyqavinë, kështjellën jetike të luftëtarëve shqiptarë. Atje Komandojnë Fehmi Lladrocvi një ish i burgosur politik dhe pjesëmarrës i luftës në Kroaci, pastaj Ilaz Kodra, Sami Lushtaku, Ilaz Dërguti, Shaban Shala, Sabit Lladrovci e shumë emra të tjerë të njohur të luftës sonë heroike..