Ahmet Qeriqi: Konferenca e Ramujesë në krizë permanente (20 shkurt, 1999)

Ahmet Qeriqi: Konferenca e Ramujesë në krizë permanente (20 shkurt, 1999)

Herët  në mëngjes me Ali Mullinin jemi nisur në relacionin tonë gati të përditshëm. Me rrugën e mundimshme për në Berishë tanimë jam pajtuar por më vie  inat nga vetvetja përse nuk po arrij ta ndërroj ritmin e hapërimit. Sapo të nisem drejt shelgjeve te Mullini i Katunit, këmbët sikur vetvetiu mobilizohen dhe marrin përpjetë.

Lajmet që sot kemi marrë nga terreni bëjnë të ditur për ripozicionin dhe përforcim të forcave serbe në të gjitha vend-pozicionimet e mëparshme. Luftime të ashpra janë zhvilluar në rrethinë e Suharekës, por ende nuk kemi raport nga Ilaz Kadolli apo Xhavit Bajraktari. Si duket ata e kanë më shumë hallin e luftës se sa të informimit, edhe pse kjo është pjesa fort e domosdoshme e luftës. Detonime të fuqishme po dëgjohen edhe në disa fshatra të komunës së Klinës në Zonën e Parë Operative të Drenicës. Luftë e ashpër po zhvillohet edhe në Llap.

Konferenca e Rambujesë ka hyrë në rrugë pa krye. Regjimin kriminel të Beogradit po e përkrah Rusia, Franca dhe Gjermania. Ata do të bëjnë çmos që të mos lejohet përdorimi i forcës kundër kësaj makinerie të krimit barbar. Ka rrezik që delegacioni ynë të detyrohet të lëshojë pe dhe të nënshkruajë ndonjë marrëveshje të papëlqyeshme.

Zhvillimet në Rambuje dhe rreth Rambujesë po i përcjellë me vëmendje analisti dhe redaktori i Radios, Nezir Myrtaj. Përmes komenteve të tij ai i ka identifikuar problemet thelbësore të dështimit të mundshëm edhe të kësaj konference/

Edhe emisioni i sotëm është përgatitur dhe është transmetuar me kohë dhe ka zgjatur një orë. Pjesa dërrmuese e emisionit është përmbushur me këngë patriotike të estradës, të cilat dëgjohen me endje nga popullata. Po këto këngë emetohen edhe në TRSH dhe në Radio Tiranë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …