“Kam thënë se duhet të formohet organizata dhe se kjo nuk është organizatë balliste, por është Organizatë Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ka për qëllim luftën kundër rendit ekzistues shoqëror në Jugosllavinë e sotme dhe në Shqipërinë e sotme, për krijimin e Shqipërisë etnike duke e bashkuar Kosovën në kufijtë e saj etnikë, që do t’i bashkoheshin Shqipërisë së tillë me rendin që do ta krijonim ne. Ndërrimin e rendit shtetëror e kemi planifikuar ta zbatojmë me intervenimin e fuqive të mëdha, të jashtme siç janë: Anglia dhe Amerika dhe me ndihmën e fuqive të armatosura, që ishin në male, të cilat do të ngriheshin për ta marrë pushtetin në duart e veta….
Kjo deklaratë e Gjon Serreqit dhënë para organeve të OZN-ës jugosllave pasqyron më së miri ripozicionimin e forcave atdhetare të asaj kohe, preokupimin e tyre politik dhe ndërtimin e një strategjie të qartë të veprimit.
Më 25 korrik 1946, në Blinajë, ish Lypovicë, për herë të parë në historinë tonë kombëtare po shpalosej sintagma kuptimplote: Organizatë Nacional Demokratike Shqiptare. Ky orientim i forcave të vërteta atdhetare sfidonte regjimin komunist, i cili nuk pranonte konkurrencë në ndarjen e pushtetit, edhe pse gjatë luftës ata kishin premtuar se pas fitores do ta lejonin pluralizmin politik dhe përcaktimin e lirë e demokratik të qytetarëve. Ideologët e kësaj Lëvizjeje të re, e cila nuk ishte komprometuar as në përkrahje të forcave nazi-fashiste, por as në forcat partizane komuniste, pretendonte barazinë, lirinë dhe marrjen e pushtetit me ndihmën e forcave anglo-amerikane dhe vendosjen e rendit demokratik.
Edhe pse Lëvizja e tillë, në kushtet dhe rrethanat e ndarjes së sferave të interesit, pas mbarimit të luftës së Dytë Botërore, nuk kishte shansë për të mbijetuar, ajo mbeti një mesazh i qartë historik, për orientimin politik të shqiptarëve liridashës, të cilët në rirreshtimet e tyre të mëvonshme do të thirreshin në të drejtën e vetëvendosjes, në respektimin e barazisë, duke shtruar edhe kërkesa për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Kongresi i Lipovicës la një gjurmë nderi dhe respekti në historinë tonë më të re, meqë u përgatit dhe u mbajt në rrethana të jashtëzakonshme të luftës, në kohën kur forcat sllave komuniste kishin instaluar pushtetin e tyre diktatorial në Kosovë dhe kishin filluar të vrisnin, të ndiqnin, të persekutonin dhe të shfarosnin të gjithë ata shqiptarë, që konsideroheshin armiq të pushtetit të tyre, të quajtur “popullor”.
Rirreshtimi i forcave nacionaliste pas ripushtimit serb të Kosovës në vitin 1945
Pas shpartallimit në Drenicë të forcave nacionaliste të Shaban Polluzhës, në shkurt të vitit 1945, në Kosovë u rikthye robëria serbe.
Përfaqësuesit komunistë të Kosovës, më 10 korrik të po atij viti nënshkruan mbetjen e Kosovës nën Serbi. Ndër ata që nënshkruan këtë akt të turpshëm të tradhtisë kombëtare ishin edhe shumë shqiptarë si: Fadil Hoxha, Alush Gashi, Kadri Reufi, Ali Shukrija, Mehmet Hoxha, Halil Fejzullahu, Xhavit Nimani, Xhevat Sojeva, Shaban Kajtazi, Qazim Bajgora, Ismet Shaqiri e të tjerë.( Faton Mehmetaj, Natë yjendezur, Prishtinë 2001, f 236).
Duke parë epilogun e trishtueshëm të humbjes, njëra pjesë e kreut shqiptar të Kosovës, në krye me Adem Gllavicën, Hysen Terpezën, Hasan Kabashin, Qazim Llugaxhinë, Hasan Goranin, me rreth 300 veta nën komandën e Hasan Kabashit fillojnë depërtimin për në Greqi. ( Ilaz Metaj- Ali Llunji Hysen Tërpeza hitori e gjallë, Prishtinë, 1992, f. 164).
Forcat e tjera nacionaliste nuk kishin ikur, por kishin bërë përpjekje për të konsoliduar radhët dhe për të rezistuar me qëllim të çlirimit të Kosovës nga regjimi titist –rankoviçist. Shumica e intelektualëve nacionalistë dhe luftëtarëve popullorë përpiqeshin të gjenin rrugëdalje në kaosin dhe rrezikun, që kishte përfshirë asokohe, sidomos forcat e shëndosha kombëtare.
Një aktivitet të jashtëzakonshëm në informimin e qarqeve botërore, lidhur me dhunën gjenocide që ushtronin bandat vrastare të brigadave jugosllave sidomos në Drenicë, zhvillonte profesor, Ymer Berisha.Ai mbante lidhje të rregullta me përfaqësuesin e Anglisë në Tiranë, gjeneralin Hadson, të cilin më 22 tetor të vitit 1945 e lajmëronte se “gjatë 28 ditëve të luftës në Drenicë u vranë dhe u plagosën rreth 430 luftëtarë nga Drenica, asnjë nuk u zu rob, u dogjën dhe u plaçkitën 450 shtëpi, u konfiskua tërë ushqimi dhe gjërat e lëvizshme të 60 mijë banorëve të Vushtrrisë e të Mitrovicës me rrethinë…” ( Dr. Muhamet Pirraku Për kauzën shqiptare, 1997-1999, Prishtinë 2000, f.110).
Kongresi i Lipovicës, ose Kongresi i Pestë i Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare
Forcat e vërteta kombëtare asokohe vendosin të veprojnë në një platformë të re të riorganizimit. Ato forca tanimë kishin krijuar Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare, si dhe shtabet e disa zonave, duke bërë përpjekje për ta rikthyer në skenën e diplomacisë botërore çështjen e Kosovës.
Për këtë qëllim me 25 korrik të vitit 1946 u mbajt Kongresi i Pestë i kësaj Lëvizjeje, i njohur si Kongresi i Lipovicës.
Shtabi i Zonës II për vend, ku do të mbahej Kongresi, e caktoi lëndinën “Te Vorri i Hoxhës” në Lypovicë, midis fshatrave Risinovc, Krojmir dhe Fushticë, kurse për ta dezinformuar OZN-ën, u lansua propaganda se kongresi do të mbahej në Bjeshkët e Kozmaqit. (Dr. Muhamet Pirraku, Mulla Idrisi dhe mbrojtja kombëtare 1941-1951, Prishtinë 1995. f.346).
Forcat partizane të Fadil Hoxhës e të Ali Shukriut, të cilat zellin e tyre antikombëtar e treguan në luftë kundër forcave të Shaban Polluzhës, së bashku me sivëllezërit e tyre serbë e malazezë, filluan t’i gjurmojnë forcat e mbetura nacionaliste, të cilat u treguan të papërgatitura për t`u ballafaquar me sfidat dhe realitetin e ri, të krijuar pas fitores së forcave antifashiste në Evropë dhe në botë.
Kudo në Kosovë po hetohej ndarja e rrezikshme. Disa nga forcat e vërteta nacionaliste ishin rekrutuar në radhët partizane, dhe në dukje sikur i shërbenin pushtetit komunist, por ato mbanin lidhje të ngushta veprimi me shokët e tyre të idealit. Në mesin e tyre shquhet Arif Shala nga Sankoci, i njohur si Hoxhë Avdija. Ai mbante lidhje direkte me kryesuesin e kreut nacional-demokratik, Imer Berisha, përmes Hilmi Zariqit.
Në përpjekje për të konsoliduar radhët, grupet e shkapërderdhura nacionaliste parashtrojnë nevojën e një takimi të përgjithshëm, i cili parashihej të mbahej në malet e Kozmaqit, në Qyqavicë apo në Lipovicë, tani Blinajë. Për të krijuar kaos në mesin e pushtetarëve të rinj kominternistë, Arif Shala, përmes besnikëve të tij, kishte përhapur lajme se gjoja forcat nacionaliste do të tuboheshin në Qyqavicë, ku pa vonuar kishte filluar dislokimi i forcave policore dhe ushtarake jugosllave. Duke bashkërenditur veprimet me shumë kujdes dhe fshehtësi, përmes shokëve të tij besnikë, ai kishte caktuar vendin ku do të mbahej Kongresi i Lipovicës. Edhe forcat komuniste kishin aktivizuar rrjetin e fortë të spiunazhit, për të hetuar me saktësi pozicionimin e forcave nacionaliste.
Vendimin për ta mbajtur Kongresin e Lipovicës e merr Ajet Gërguri përmes kryesuesit të LNDSH-së në Shkup, Kemajl Skënderi. Sigurimin e vendit dhe të terrenit ku do të mbahej Kongresi e marrin përsipër Azem Bellaqevci, Sokol Haxholli dhe Izet Murati. Disa pika mbrojtjeje i kishin siguruar paraprakisht edhe Salih Rexha, Islam Domaneku e luftëtarë të tjerë të sprovuar. Lidhjet kryesore mes grupeve i mbante Arif Shala. Ai i caktonte detyrat për anëtarët dhe ithtarët e Drenicës jugore…(Vepra e cituar, f. 347.).
Gjatë natës së 24 korrikut të vitit 1946 dhjetëra grupe të armatosura nga Drenica, Mitrovica, Shala, Llapi e Gollaku, nga Anadrini e Llapusha ishin dyndur drejt Lipovicës.
Më 25 korrik 1946 në vendin e quajtur “Te Vorri Hoxhës”, në Blinajë, ishin tubuar pothuajse të gjithë delegatët dhe pjesëmarrësit e Kongresit, rreth 150-180 veta. Të gjitha vendkalimet rreth vendit ku mbahej Kongresi ishin nën vëzhgim të forcave, që kishin marrë përsipër sigurinë e terrenit. Sipas përshkrimit që i ka bërë organizimit dhe punimeve të Kongresit profesor, doktor, Muhamet Pirraku, në librin e tij studimor Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1951, del se Kongresi filloi punimet me një vonesë për shumë shkaqe. Qenë hetuar forca të shtuara të OZN-ës në vende të caktuara rreth Blinajës, nuk kishin arritur delegatët e Dukagjinit, nuk kishte arritur përfaqësuesi i NDSH-së nga Shkupi, Kemajl Skënderi, nuk kishte arritur porfesor Ymer Berisha e disa të tjerë.
Në kohën kur kishin arritur edhe delegatët e fundit, Jetullah Zabeli nga Rezalla, Hilmi Zariqi nga Baica Qendrore dhe Osman Bunjaku nga Samadrexha e Vushtrrisë, sjellin një të dyshuar, spiunin Rexhep Alushi nga Carrabregu, i cili ishte rekrutuar me detyrë të denoncimit në mesin e nacionalistëve, duke mbajtur lidhje direkte me Shefin të OZN-ës për KosovëSpasoje Gjakoviq. Ai kishte dezinformuar kreun nacionalist se Ymer Berisha kishte vdekur dhe nuk kishte pse të pritej ardhja e tij. Rexhep Alushi u kap në shtëpinë e Fejzë Arllatit në Domanek, meqë përmes lidhjesh ishte futur me qëllim denoncimi mu në mesin e krerëve të LNDSH-së. E vërteta ishte se vetë Rexhep Lushi me disa besnikë të OZN-ës, më 11 korrik 1946, kishte marrë pjesë në vrasjen e profesor Ymer Berishës, i cili ishte së bashku me Ndue Përleshin dhe disa nacionalistë të tjerë afër fshatit Hereq të Gjakovës.
Lidhur me zbulimin dhe denoncimin e këtij spiuni të OZN-ës, Ajet Gërguri, pasi ishte kapur gjallë nga OZN-a, në deponimet e tij para Drejtorisë së Sigurimit Shtetëror në Kosovë, më 9 shkurt 1947 ka deklaruar:
Para Kongresit i kemi dërguar një letër profesor Ymer Berishës përmes kuririt tonë Shaqir Zariqit…. E ka dërguar postën te shtëpia e Rexhep Alushit, por nuk e ka takuar. Vëllai i Shaqirit i është përgjigjur korrierit, se Rexhepi ka shkuar në OZN-e, në Prizren, për ta marrë rrogën në ari nga OZNA…
Shaqir Zariqi dyshonte në veprimet e Rexhep Alushit, ndërsa dyshimin e tij ia shfaq Jetullah Rezallës edhe Hilmi Zariqit. Veprën denoncuese të Rexhep Alushit e vërteton edhe Isuf Boletini. “Kur dëgjoi Rexhepi për këtë u përpoq të gëlltis një letër, por atë ia nxorën nga goja. Në letër shkruante: “Rexhep Lushi mund të lëviz çdo kund në Kosovë dhe pushteti e ushtria nuk mund t`i bëjë pengesë”. Letra ishte e vulosur nga OZNA.
( Dokumenti i cituar, por aty… f. 252). Pasi ishte kapur në flagrancë Rexhep Alushi pranon se është spiun i OZN-ës, pranon se ka vepruar në zënien e nacionalistëve, dhe për veprat e tij denoncuese nuk pendohet.
Me urdhër të Gjon Serreçit, konform ligjeve të luftës, spiuni dënohet me vdekje dhe ekzekutohet. Ekzekutimin e ka kryer Istref Sheqa-Hoti, komandant i batalionit të Katërt të Drenicës ( Dr. Islam Dobra, Lufta e Drenicës, 1941-1945 dhe NDSH-ja deri më 1947, Prishtinë 1997. f. 332.).
Pas kësaj skene e cila sikur bënte me dije se në atë mes kishte edhe denoncues të tjerë, fillon punimet Kongresi i Lipovicës.
Në ekspozenë e paraqitur nga Gjon Serreçi, dhe të mbështetur nga Ajet Gërguri ishte parashtruar dy teza:
Riorganizimi i Lëvizjes së Rezistencës përmes veprimit të komiteteve vendore, që ishin formuar nga LNDSH-ja në Kosovë, ose ikja e përkohshme nga Kosova për në Shqipëri apo në Greqi, ashtu sikurse kishte vepruar grupi i Adem Gllavicës, një vit më parë. Lidhur me këtë çështje, në deponimet e tij para hetuesisë Ajet Gërguri ka deklaruar:
“Kongresi ka filluar në orën 12,00. Në fillim ishin prezent vetëm udhëheqësit e grupeve: unë- Ajet Gërguri, Hilmi Zariqi, Jetullah Rezalla, Osman Bunjaku, i cili ishte njëkohësisht delegat i grupit të Ahmet Selacit, pastaj Kadri Beba, Islam Domaneku, Shyt Mareci, Shemsi Mramori e të tjerë… Në këtë mbledhje është diskutuar se kush do të jetë komandant. Për komandant është zgjedhur Ymer Berisha. Përveç tij kemi zgjedhur edhe katër eprorë në Shtab për komandant të zonave. ( Dokumente arkivore të Partisë Nacional Demokratike Shqiptare në Kosovës, botuar në Vjetar XXV-XXVL, Prishtinë, 2001, f.236).
Po për këtë tubim, Gjon Serreqi gjatë hetimeve, më 4 mars 1947 ka deklaruar: Në Kongresin e Pestë të Komitetit Qendror duhej të jepej përgjigje se a duhej të mbeteshin të arratisurit edhe më tutje në terren, apo duhej të kalonin në Greqi, për shkak se mundësitë e mbetjes gjatë dimrit në Kosovë ishin shumë të rënda… Komiteti Qendror duhej të lidhej me të gjitha grupet në Kosovë, ndërsa ishte paraparë që komandant i të gjitha forcave të emërohej Ymer Berisha. Në këtë Kongres është dashur të shpjegohej se të arratisurit nuk do të quheshin kompani e batalione balliste, por do të quheshin pjesëtarë të Ushtrisë Demokratike Shqiptare në Malet e Kosovës. Përgatitjet për këtë Kongres i kemi bërë: unë, Kemajl Skënderi dhe Ajet Gërguri…
Duke folur lidhur me fjalimin e Gjon Serreçit, në Kongresin e Lipovicës, bashkëluftëtari i tij, Osman Abazi, gjatë hetimeve ka deklaruar: Pastaj e mori fjalën Gjon Serreçi i cili tha:
“Vëllezër shqiptarë, ne kemi dalë në male që të luftojmë për atdheun tonë, që ta çlirojmë vendin tonë nga okupatori. Ne do ta çlirojmë vendin në kufijtë që ishin deri në vitin 1912, ne luftojmë për Shqipërisë etnike, për çlirimin e popullit tonë, që ta shpëtojmë nga robëria dhe shfarosja… ( Dr. Ismet Dërmaku Gjon Serreqi dhe NDSH-ja (dokumente arkivore), Prishtinë, 1996 f… 149… 159)
Më 10 prill të vitit 1947, në zyrën e hetuesisë së OZN-ës në Prishtinë, Gjon Serreqi i pyetur për qëllimin e organizmit të Lëvizjes së rezistencës ka deklaruar:
Kam thënë se duhet të formohet organizata dhe se kjo nuk është organizatë balliste, por është organizatë Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ka për qëllim luftën kundër rendit ekzistues shoqëror në Jugosllavinë e sotme dhe në Shqipërinë e sotme, për krijimin e Shqipërisë etnike duke e bashkuar Kosovën në kufijtë e saj etnikë, që do t’i bashkoheshin Shqipërisë së tillë me rendin që do ta krijonin ne. Ndërrimin e rendit shtetëror e kemi planifikuar ta zbatojmë me intervenimin e fuqive të mëdha, të jashtme siç janë Anglia dhe Amerika dhe me ndihmën e fuqive të armatosura, që ishin në male, të cilat do të ngriheshin për ta marrë pushtetin në duart e veta…. (Po aty… f. 156).
Kongresi merr disa vendime:
Organizata të quhej Lëvizje Nacional Demokratike Shqiptare.
Ushtria e formacionet luftarake të quheshin Ushtria Nacional Demokratike Shqiptare në malet e Lira të Kosovës.
Profesor, Ymer Berisha emërohet komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe i LNDSH-së, meqë nuk dihej se ai ishte vrarë në pritë nga banditët e OZN-ës dy javë më parë.
Disa nga pjesëmarrësit e këtij kongresi, pasi iu bënë analiza rrethanave tejet të pavolitshme, propozuan që, të gjitha forcat nacionaliste të fillonin tërheqjen nga Kosova drejt Greqisë, meqë qëndrimi në Shqipëri nuk ishte fare i sigurt. Si duket shumica e krerëve në heshtje e aprovonte këtë propozim.
Gjon Serreçi me Ajet Gërgurin, të përkrahur nga Islam Domaneku dhe Kadri Beba ishin për dalje në Greqi, kurse kundër tyre do të ngrihen: Osman Bunjaku, Hilmi Zariqi, Jetullah Rezalla, Imer Fazli Radisheva, Zeqir Lutani i Turiqecit, Shyt Mareci e të tjerë (Dr. Muhamet Pirraku, Mulla Idris Gjilani… Prishtinë 1995, f. 349).
Kundër këtij propozimi ishte ngritur me pushkë në dorë Osman Bunjaku, i cili kishte thënë: Të gjithë juve që po kërkoni të shkoni në Greqi iu kisha pushkatuar, sepse këtu duhet të luftojmë për lirinë e popullit shqiptar.
(Dokumente arkivore të Partisë Nacional Demokratike Shqiptare në Kosovës, botuar në Vjetar XXV-XXVL, Prishtinë, 2001, f.236). Dëshmitarët e kësaj ngjarjeje të rëndësishme të historisë sonë rrëfejnë, se, mospajtimet kishin shkuar deri te drejtimi i pushkëve kundër njëri tjetrit, por me ndërhyrjen e Gjon Serreçit, Ajet Gërgurit, Kadri Bebës, Shemsi Hazir Gashit e disa të tjerëve, situata e acaruar ishte tejkaluar. Pas ndërhyrjes së tillë të Osman Bunjakut, të përkrahur nga militantët UNDSH-istë, Kongresi vendosi që luftëtarët të qëndrojnë në Kosovë derisa të merrej lidhja me Muharrem Bajraktarin, për shkak se asokohe pritej të mbahej një Kongres tjetër i nacionalistëve në Veri të Shqipërisë.
Disa nga pjesëmarrësit e Kongresit të Lipovicës
Në saje të shkrimeve dokumentare dhe në saje të disa dëshmitarëve ende të gjallë, pjesëmarrës të këtij Kongresi, bëhet e ditur se në këtë Kuvend historik të krerëve të Nacional-demokratikes Shqiptare kanë marrë pjesë:
Ajet Fazli Gërguri, një tregtar i njohur, i arsimuar, me prejardhje nga Duboci i Drenicës, i cili ka jetuar në Vushtri dhe në Kavajë.
Gjon Gjergj Sereçi, fillimisht një i ri antifashist, por nacionalist me bindje, me origjinë nga Ferizaj. Intelektual vizionar dhe përfaqësues i Nacionaldemokratikes Shqiptare në Kosovë.
Azem Jashanica (Bellaqevci), personalitet i njohur atdhetar.
Jetullah Zabeli, i njohur edhe si Jetullah Rezalla. Luftëtar i shquar nacionalist, ka marrë pjesë në Kongres me disa bashkëluftëtarë.
Hamid Emini, mjek nga Skënderaj.
Osman Bunjaku nga Samadrexha e Vushtrrisë, luftëtar militant nacionalit. Mori pjesë me disa luftëtarë.
Shaban Bunjaku, nga Samadrexha e Vushtrrisë.
Ahmet Selaci nga Fshati Selac i Shalës së Bajgorës, së bashku me Shemsi Selacin, Rizah Rexhep Selacin e të tjerë.
Hysen Sadik Ramë Lutani nga fshati Turiqec i Drenicës.
Imer Ahmeti -Radisheva nga fshati Radishevë i Drenicës.
Mulla Ramë Govori nga fshati Herticë, Llap.
Ixhaid Nazmi Gafurri, djali i martirit demokrat, Nazmi Gafurri.
Hasan Bilalli, njëri ndër ideatorët e NDSH-së.
Kadri Bebë Ribari Mori pjesë me disa bashkëluftëtarë dhe me djalin Mustafën.
Salih Rexhë Ribari, njëri ndër luftëtarët më militantë të NDSH-së, së bashku me djalin Rexhepin dhe me disa bashkëluftëtarë.
Hilmi Zariqi nga Baica e Elshanit. Luftëtar nacionalist dhe atdhetar me ndikim.
Shaqir Zariqi, po ashtu nga Baica e Elshanit.
Xhemail Boletini, dhe Isuf Boletini, bijtë e luftëtarit patriot Isë Boletini. Kanë marrë pjesë në Kongres së bashku me çetën e tyre.
Istref Sheqa, Hoti, nga fshati Likoc i Drenicës, së bashku me disa luftëtarë.
Rifat Kotorri,
Sylë Hajrizi.
Islam Domaneku nga fshati Grackë Lipjan, së bashku me djalin e vëllait, Mustafë Domaneku.
Zekë Luma nga fshati Kraishtë.
Nezir Buja nga fshati Bujan.
Ismail Dragusha nga fshati Rufc i Vjetër. Komisar i Formacionit nacionalist që kishte bërë përpjekje për të depërtuar në Greqi.
Në grupin e Shemsi Hazir Gashit ishin: Rrahman Qaushi, Abdullah Demiri, Shefqet Dulahu, Shaban Maliqi, Tahir Beba, Shyqë Zeneli, Rrahman Smajli, Ibush Hamdiu, i biri i Hamdi Hazir Gashit i cili kishte rënë në luftën e Ferizajt më 2 dhjetor të vitit 1944. Ibushi ishte djali i vëllait të Shemsiut. Në grupin e Shemsi Mramorit kanë qenë edhe: Isuf Rysha me vëllezër, Rexhep Gajtani, Brahim Gajtani, Hajdar Kolevica, Ukë Salihu, Emin Shushica, Sadik dhe Sylë Tusha, Sylë Zejna, Selim Limani e të tjerë.
Osman Abaz Gagica, Feriz Abazi, truproje të Gjon Serreçit.
Fejzullah Saraçi me të birin Eminin nga fshati Bivolak i Vushtrrisë, morën pjesë në Kongresin e Lipovicës me disa bashkëluftëtarë.
Arif Shala, atdhetari më i përkushtuar i luftës kundër robërisë jugosllave, i cili ka meritën kryesore në sigurimin e dhe krijimin e kushteve për mbajtjen e Kongresit.
Xhemajl Esati nga Komarani i Drenicës ishte mbikëqyrës dhe njëri ndër luftëtarët që kishte nën kontroll terrenin.
Shaban Sallova nga fshati Mazgit i Prishtinës.
Nazif Shaba dhe Xhelë Maliqi nga fshati Gllogoc i Lipjanit. Qerim Selimi nga fshati Banullë i Lipjanit. Gjatë kohës së luftës ishte nëpunës i sigurimit në komunën e Lipjanit.
Isuf Muharreni dhe Hajdar Muharremi nga fshati Petrovë afër Shtimes.
Rrahim Rexha, Rrahman Jetullahu Osman Jetullahu, Rrahman Muharremi nga fshati Krojmir.
Qazim Zogaj dhe Fetah Bogiqi nga Komarani i Drenicës.
Sokol Brahimi dhe Izet Murati nga fshati Sankoc.
Jahir Sejdiu dhe Tafil Sejdiu nga fshati Shalë, ish-Sedllar.
Hazir Bajrami, Mehmet Arifi, Beqir Bajrami nga fshati Pjetërshticë.
Izet Jetishi nga fshati Zborc afër Shtimes.
Selim Salihu dhe Ali Besheniku nga fshati Carralevë.
Sadri Duhla, nga fshati Duhle dhe Qerim Ali Gashi nga fshati Luzhnicë.
Ilaz Sadiku nga fshati Hallaq-Lypian.
Hajredin Mëziu nga fshati Vërshec afër Magurës dhe disa luftëtarë të tij po nga ky fshat
Bajram Çukovci nga Cernilla dhe Qazim Leskovci nga fshati Mirash.
Hajredin Avdyli nga Sazlia.
Nebih Sahiti nga fshati Kabash-Prizren.
Nebih Jonuzi nga Rubovci.
Tahir Prokupja prej fshatit Fushë e Madhe ish-Velikopole.
Hamdi Tmava, Jetë Hasani, Rexhep Hyseni nga fshati Godanc afër Shtimes.
Rifat Mexhuani nga fshati Siboc i Kastrioitit.
Miftar Gashi nga fshati Dobrajë-Lypian.
Hasan Salihu nga fshati Korishë-Prizren.
Bajrush Zuka dhe Mehdi Zuka nga fshati Lloshkobare-Ferizaj.
Zenel Morina nga fshati Hade.
Zeqë Zeqiri nga fshati Gjurkoc-Lypian.
Ismail Muharrem Ismajli.
Dan Berisha nga Bellaqevci- Fushë Kosovë.
Fejzullah Mehmeti nga Domaneku i Drenicës.
Brahim Luta, nga Gllanasella.
Imer Radisheva.
Imer Bajraktari.
Hysen Lutani, e të tjerë…
Ky regjistër e pjesëmarrësve në Kongresin e Lipovicës nuk është i plotë.
Mungojnë edhe shumë emra të pjesëmarrësve. Mund të jetë shënuar gabimisht emri i ndonjë prej pjesëmarrësve, ashtu sikur mund të jetë dhënë gabimisht emri i pranisë së ndonjë pjesëmarrësi në Kongres. Këta emra janë publikuar duke u mbështetur në të dhënat e disave nga pjesëmarrësit e gjallë të Kongresit të Lipovicës. (Autori)