Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Kosova, a po ecën vetë?

Shteti më i ri në Evropë, Kosova jonë e dashur, në 11-vjetorin e lindjes, ka filluar të ecën vetë, me një vonesë të pazakonshme për shtetet. Periudha e “rakitizmit” ka zgjatur dhe po zgjat, edhe pse vendi ka lëshuar shtat, natyrisht  jo si bir i nënës, të cilin e merr etja,  por si bir i njerkës, të cilin e merr uria.

E lindur me vështirësi, nga gjaku i derdhur i sa e sa brezave, e nëpërkëmbur si asnjë vend tjetër në Evropë e në botë, Kosova e cila në shekullin 19-të zotëronte 61.000 km katrorë, si Vilajet i Arnautistanit, më 17 shkurt të vitit 2008 u shpall shtet i pavarur, në një territor rreth 11.000 km.2. Edhe ky territor i reduktuar pesë fish, dikujt po e pengon, sepse emri shqiptar dhe trualli Shqipëri, vazhdojnë të jenë të papranueshme dje nga Evropa Plakë e Bizmarkut dhe tani nga kjo e sotmja, e Mogherinit,  e cila ka krijuar “geton” për 2 milionë banorë, që i kushtëzon për lëvizje të lirë në mënyrën më të panjerëzishme.

Shekujt e rëndë nën robëri, që nga  koha e Romës, Bizantit, sllavëve në mesjetë, Perandorisë Osmane, Serbisë, Austrohungarisë, Bullgarisë, Jugosllavisë, Italisë, Gjermanisë, Jugosllavisë së Titos e të Milosheviqit kanë kaluar mbi kokat tona duke na nxirë jetën, gjatë dy mileniumeve të ekzistencës. Dhe tani, pas më shumë se dy mijë viteve, ende jemi gjallë, edhe pse në geto, ende frymojmë, edhe pse të kërcënuar madje edhe nga miqtë tanë, apo ata që i konsiderojmë miq dhe i duam më shumë se vetën, por ja që edhe dashuria qoftë më e sinqerta nuk bën dobi, sepse ende nuk jemi mësuar që para së gjithash ta duam e të mbështetim njëri tjetrin, e pastaj miqtë që kurrë nuk i kemi pasur të vërtetë.

Se jemi të tillë, se e kaluara na ka deformuar dhe ka pjellë me shumicë tipa adaptë, askush nuk na ka faj, sepse askush nuk e do të huajin më shumë se të vetin,  sikur kemi bërë dhe bëjmë ne. Ky deformimet tipik shqiptar është pengesa jonë e pakalueshme për unifikim dhe ndërgjegjësim kombëtar, sepse derisa të gjithë shqiptarët nuk angazhohen për të krijuar një shtet të vetëm, ashtu sikur i kanë shtetet e tyre, kombet e krejt botës, ne nuk bëjmë dot një faktor elementar, për të mos lejuar të na nëpërkëmbin sot,  ata që na kanë vrarë e na kanë masakruar gjatë shekujve dhe janë të gatshëm të na vërsulen sërish dhe të na zhdukin krejt, nëse do të munden.

Krerët e Kosovës në 11-vjetorin e pavarësisë janë më e përçarë se kurrë më parë. Tani  rrezikohemi  më shumë nga brenda sesa nga jashtë, sepse kryetarët e klaneve e bajraqeve, secili ngreh në anën e vetë, secili tregohet më trim, më i ditur dhe më i mençur se tjetri. Secili bazohet vetëm në të drejtën e tij, edhe kur ajo e drejtë minon vendin e pavarësinë. Secili bën turr ta rrëmbejë pushtetin për ta zhvatur shtetin, burimin e vetëm të pasurimit pa djersë, por me djallëzi, hipokrizi, nënshkrim ndaj çdo të huaji. Krejt kjo luftë bëhet jo për Kosovën, jo për Shqipërinë, jo për bashkimin e kombit, jo për interesin e kombit, por për interesa të partive, klaneve, mujsharëve, kapitalistëve latifundistë, pronarëve që janë bërë milionerë e miliarderë duke plaçkitur pasurinë e përgjithshme kombëtare  dhe ç’është më e keqja dhe më hipokritja, krejt këtë luftë e bëjnë në emër të popullit, të cilit sapo të vinë në pushtet ia dredhin lëkurën, ia kërrusin kurrizin e shfrytëzojnë deri në palcë dhe duke e lavdëruar me fjalë dhe retorikë të shpifur, në anën tjetër në heshtje, në shpirtin e tyre djallëzor  e shajnë dhe ia japin munxët

A jetojmë për hir të miqve e partnerëve, apo për veten dhe kombin tonë?

Në Kosovë, në Shqipëri e kudo në trojet tona, politikanët të zgjedhur e të vetë-zgjedhur, drejtuesit e institucioneve dhe mujsharët kapitalistë janë raca më tipike e gjakut  të  servilëve shekullorë, të cilët janë mësuar të jetojnë sipas shijeve të miqve, të atyre që i duam aq shumë, mbase edhe  ata na duan,  por vetëm në nënshtruar, skllevër e servilë, sepse ne gjatë shekujve jemi adaptuar të jetojmë në hijen e të mëdhenjve, sepse e kemi përjashtuar vetën të jemi subjekt e objekt në punët dhe angazhimet tona, meqë më lehtë na vjen të jetojmë nën kujdesin e miqve, sipas shijes, bindjes dhe interesave të tyre, sesa të jetojmë vetë me dinjitet dhe identitet, sikur kombet e tjerë.

Ky është fati ynë historik dhe për këtë nuk kemi kujt i ankohemi por vetvetes, sipas atij vajtimit në nënëmadhes shqiptare, Bir, Shemua i nënës, kë të qaj më parë, njërin e kam nip, tjetrin e kam djalë. Vaj e pikëllim për nënën por jo për plangprishësit që ia nxjerrin sytë njëri tjetrit,  për ta rrëmbyer pushtetin. Kjo është ndeshtrasha shqiptare.

Ishte dikur një Skënderbe që i bëri ballë Perandorisë më të madhe të botës. Ishte një Ali Tepelena, i cili trondit jo vetëm Sulltanin por edhe Napoleonin e Carin e Rusisë, të cilin më në fund  e tradhtuan madje edhe bijtë e vet.

Ishte dikur një Enver Hoxhë, që mllefin e zemërimin shekullor shqiptar ua derdhi në fytyrë mujsharëve më të mëdhenj të botës dhe nuk nënshkroi traktatet që rikonfirmonin kufijtë e dhunshëm të ndarjes imperialiste të botës, të cilat  e kishin copëtuar Shqipërinë në gjashtë pjesë.

Sot një kryeministër i Kosovës, 11 vjet pas shpalljes së pavarësisë po mundohet t’ i tregojë botës  se për hir të vendit dhe interesit të kombit mund t i thuhet jo edhe mikut më të mirë. Por qëndrimin e tij e përbuz shumica shqiptare e Kosovës, sepse jeton me mentalitetin e robit, të skllavit e servilit të pandreqshëm. Për mentalitetin pacifist shqiptar të mos përfillësh këshillat e Amerikës, do të thotë vetëvrasje, vetë-shkatërrim, njëjtë  sikur bënin gjysh-stërgjyshërit tanë, për ata që ngriheshin kundër urdhrave të  Baba Dovletit.

11 vjet pas pavarësisë, Kosova mori një vendim për interesin e vet pa u konsultuar me protektorët, miqtë tanë, që na “duan” aq shumë, sa  edhe kur na kafshojmë bëhemi se po na përqafojnë. Ky vendim, i vetmi  në dobi të Kosovës, kundër një shteti, kundër Serbisë kriminale, që vazhdon në na kërcënojë me zhdukje totale,  ngrit në këmbë një botë e tërë.

Madje edhe miqtë tanë më të mirë, në Amerikë, po na qortojnë, sepse ata kanë do interesa të tjera, që në këtë segment nuk përputhen me interesat tona, andaj duhet të përulemi dhe të përkulemi, sepse kështu po thotë Amerika.

Është koha që Kosova më në fund të ecën vetë. Duket se kemi filluar mirë, por a do të na mbajnë  këmbët rakitike, kjo mbetet të shihet, kjo varet nga raporti i forcave. Kështu e kemi filluar vetë, luftën e UÇK-së pa i pyetur miqtë, të cilët fillimisht jo vetëm nuk na përkrahën por na quajtën terroristë, njëjtë sikur  na etiketon edhe sot Beogradi i Vuçiqit.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …