Në këtë pjesë të Kosovës, do të vendosen po ata policë ndërkombëtarë të cilët aktualisht janë të pranishëm, por do të ndërrojnë vetëm uniformat, dukjen e jashtme, sa për të pajtuar shqiptarët iluzionistë dhe me besim te padundur te Evropa.
Se cila do të jetë përmbajtja e këtij misioni do të dihet qysh në ditët e para të vendosjes. Protektorët e rinj po vendosen në Kosovë me qëllim që të ushtrojnë ndikim te institucionet vasale të vendit, për sikur thuhet, vendosjen e ligjit. Dhe cili do të jetë ky ligj do të shihet së shpejti.
EULEX-i është mision që do të shtrihet në Sigurinë e rendit në vend, në Organet e Drejtësisë, në Prokurori, në Dogana dhe në segmente të caktuara të zbatimit të planit të Ahtisarit, sa i përket kthimit kolektiv të serbëve në Kosovë, ( të të gjithë atyre serbëve të cilët shprehin dëshirë të kthehen, pavarësisht se kanë bërë apo jo krime kundër shqiptarëve gjatë kohës së luftës).
EULEX-i do të monitorojë procesin e decentralizimit, kur edhe “de jure” enklavat do të bashkohen mes veti në mënyrën horizontale dhe do të qeverisen nga Beogradi në mënyrë vertikale.
EULEX-i po ashtu do të marrë nën përkujdesje kishat dhe manastiret serbe, të cilave do t’ u përcaktohen pronat dhe të cilat do të qeverisen vetëm nga kreu i Kishës serbe.
Një detyrë tjetër me rëndësi e EULEX-it është edhe nxjerrja para gjyqit e të gjithë luftëtarëve të UÇK-së, të cilët janë akuzuar nga Ministria e Drejtësisë së Serbisë, e periudhës së regjimit kriminal të Milosheviqit. Jo vetëm 163 prej tyre, për të cilët Ministria e Drejtësisë e Beogradit, i ka shpallur terroristë dhe për të cilët tashmë ka ngritur aktakuzat, por edhe kundër qindra ish-luftëtarëve të lirisë, të cilët kanë marrë pjesë në vrasjen dhe likuidimin e ushtarëve e policëve serbë gjatë kohës së luftës, luftë kjo e cila nuk është pranuar nga faktori ndërkombëtar.
Sa për ilustrim të përmendin vetëm një fakt. Gjatë periudhës së pas luftës në Kosovë janë nxjerrë para gjyqit dhe janë dënuar më shumë se dy mijë pjesëtarë të UÇK-së, në mesin e tyre shumë eprorë dhe komandantë të njohur të luftës. Fushata e tillë do të intensifikohet dhe do të kryhet gjatë afatit të sundimit të EULEX-it, i cili parashihet të qëndrojë në Kosovë përafërsisht sa ka qëndruar edhe misioni i UNMIK-ut.
Do të fillojnë hetimet, do të nxirren para gjyqit dhe do të dënohen të gjitha ata shqiptarë, kundër të cilëve ka ngritur aktakuzë Serbia. Lidhur me këto veprime nuk do të pyetet asnjë institucion i Kosovës.
Natyrisht se gjatë fillimit të proceduarave hetimore do të anashkalohen personalitetet e njohura politike e shoqërore, që kanë bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar dhe që kanë nënshkruar të gjitha marrëveshjet, të cilat e kanë katandisur Kosovën në këtë gjendje të mjerueshme dhe të pa rrugëdalje. Do të anashkalohen dhe bosët e profiterisë, drejtuesit e trafiqeve të ndryshme, të cilët përfitimet do t’ i ndajnë me kreun e këtij misioni, ashtu sikur i kanë ndarë dhe i kanë bashkërenduar veprimet me misionin e UNMIK-ut gjatë 10 viteve të kaluara.
Misioni i BE-së në Kosovë ka për qëllim jo vetëm të monitorojë, por edhe të ndikojë në zbatimin sa më të shpejtë të përmbajtjes së “planit” të Ahtisarit, i cila parasheh ndërrimin e qetë të identitetit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës dhe krijimin e një entiteti hibrid, të zhveshur nga përkatësia dhe krenaria kombëtare, të liruar nga e kaluara historike, të joshur për të pranuar vlerat fetare perëndimore dhe për të hequr dorë nga identiteti i sotëm fetar, me qëllim për t’ u liruar nga sindromi i shpifur i fundamentalizmit islam. Fakti se xhamitë nuk gëzojnë të drejtën e pronave, as nuk mbrohen nga UNESKO-ja, as nga organizatat panislame, lë për të kuptuar se një proces i tillë do të zhvillohet qetë dhe pa tronditje për protektorët dhe mbështetësit e tyre.
Tashmë janë ndërmarrë të gjitha masat për klonimin e entitetit të ri, duke filluar nga flamuri me përmbajte evropiane, nga himni po ashtu i kompozuar pa tekst, si dhe simbolet e tjera ku është përjashtuar madje çdo fjalë shqipe, por edhe ngjyrat kuq e zi, të cilat para se të kenë qenë ngjyra të flamurit shqiptar, kanë qenë dhe janë ngjyra të nënës natyrë, të njëjta për të gjitha qytetërimet dhe fetë e botës, por të ndaluara për shqiptarët e Kosovës, një pjesë prej të cilëve këto ngjyra i ka ngritur në kult kombëtar, ashtu sikur kanë bërë edhe popujt e tjerë të Evropës dhe të botës.
Misioni i BE-së në Kosovë do të fuqizojë monopolet e përfitimeve dhe do të përkujdeset për të joshur të gjithë njerëzit, të cilët do t’ i binden ofertës për ndërrim të identitetit, ndërsa do t’i injorojë dhe do t’i anashkalojë të gjitha ata, që do të insistojnë ta ruajnë identitetin duke i paraqitur si shqiptarë ekstremistë, enveristë, UÇK-istë, apo si “muxhahedinë”.
Procesi i konvertimit të ri, i klonimit dhe adaptimit në formë bashkëkohore, do të jetë i gjatë, por ai e ka bazën e vetë në planin e Ahtisarit, të cilin e ka pranuar një pjesë e madhe e shqiptarëve, që rrjedhin nga përmbajtja ideologjike e ish-regjimeve antishqiptare, dhe të cilët, me përjashtime të rralla, kanë qenë në shërbim të të gjitha regjimeve antishqiptare deri te regjimi i Milosheviqit, i UNMIK-ut dhe tani i EULEX-it.
Ahmet Qeriqi: Kosova, koloni e BE-së e qeverisur nga EULEX-i
Kosova, fillon të qeveriset nga një protektorat i ri, nga Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit. Shtrirja e këtij misioni do të bëhet, sa për sy e faqe edhe në pjesën veriore të vendit, ku rendin dhe ligjin e kontrollon dhe e bën Beogradi dhe një segment qeverisës i UNMIK-ut.