Sot në mëngjes kanë ardhur me mua në Berishë, Agron Çuni, djali i Martinit dhe Kastriot Gashi, shoku dhe bashkëmoshatari i Agronit. Ata kanë ardhur me qëllim që ta takojnë Martinin, ndërsa gjatë rrugës Agroni e tregon qëllimin e ardhjes. Ai konsideron se më mirë është të qëndrojë këtu, ku po luftohet armiku se sa të rrijë në Prishtinë duarthatë dhe në rrezik nga ndonjë sulm apo masakër e armikut. Agronit i tregoj se për të dy duhet të vendos Martini, e nëse ai pranon ne iu gjejmë vend, qoftë në Krojmir qoftë në Berishë.
Kështu e kam më lehtë të nxirrem meqë prej fillimit të luftës jam ballafaquar me kërkesa të tilla, të cilat të ballafaqojnë me dilema të rrezikshme.
Është shumë vështirë të mos i pranosh, me arsyetimin se nuk ka armë, meqë këta mezi presin për të shkuar në Shqipëri për armatim, por është po ashtu përgjegjësi e madhe të pranohen krejt këta djem të ri, pa e ditur as edhe pëlqimin e prindërve të tyre. Në rast të ndonjë pësimi, njeriu e ndien veten të vrarë në ndërgjegje, pavarësisht se është luftë dhe askush nuk është i sigurt për jetën e tij.
Pasi kemi transmetuar emisioni ditor, kemi marrë informatë se kreu i armatës serbe në bazë të marrëveshjes paraprake për shkëmbimin e robërve të luftës, me ndërmjetësim të zyrtarëve të OSBE-së, ka liruar nëntë ushtarët tanë, pasi që paraprakisht Shtabi i UÇK-së kishte liruar shtatë ushtarë dhe oficerë serbë, të zënë rob në Zonën Operative të Shalës. Në mesin e të liruarve janë edhe tre ushtarë të Batalionit tonë, nga Duka dhe nga Karaçica. Bëhet e ditur se njëri prej tyre, Enver Krasniqi ka 13 plagë në shtat.
Në mbrëmje kemi mbajtur një takim pune për të shqyrtuar disa pengesa dhe lëshime si dhe për të shqyrtuar definitivisht çështjen e profesoreshës Ajete Zogaj.
Unë kam paraqitur vërejtjet e mia lidhur me mënyrën e zgjedhjes së muzikës nga Nusret Pllana, i cili nuk konsultohet paraprakisht edhe pse konsideroj se për çdo emision ka kohë dhe hapësirë për konsultim paraprak, në mënyrë që programi të mos skematizohet pa nevojë dhe në mungesë të akordimit të punëve.
Nusret Pllana është pajtuar me propozimin tim edhe pse konsideron se është kompetent për muzikën, meqë ka organizuar dhe ka marrë pjesë në koncerte amatore si në SHKA, Hasan Prishtina, etj.
Për Ajete Zogajn kam shfaqur mendimin tim se ajo mund të bëjë punë të caktuara në terren dhe në redaksi, në mënyrë që të mos etiketohet për shkak të hipotekave, që ka vëllai i saj. I po këtij mendimi është edhe Martin Çuni. Ai largimin e saj e kualifikon si diferencim të panevojshëm, meqë askush nuk ka asnjë fije dyshimi në punën dhe aktivitetin e saj. Ajo aktualisht punon në arsim.
Berati mendon se duhet ta përfillim preferencën e Shtabit, edhe pse anëtarët e Shtabit kanë kërkuar të lirohet nga leximi i informatave e jo edhe nga puna.
Berati është kokëfortë dhe mendon se ka të drejtë, edhe pse ai nuk është i autorizuar, si gjithnjë merr qëndrime të tilla krye në vete.
Në fund kam konsideruar se shumica e anëtarëve të stafit janë indiferentë, dhe mjerisht nuk iu bën shumë përshtypje ky veprim, i cili mund të jetë shumë i padrejtë.
Meqë puna po zvarritet, kam kërkuar nga Berat Luzha, ose nga ata që e përkrahin mendimin e Beratit, që qysh nesër ta lajmërojnë Ajete Zogajn, Sa i përket arsyetimit, ata le ta formulojnë vetë.