Vazhdimisht bën vapë, pluhur, temperatura të larta e të papërballueshme.
Asnjë re nuk duket. Prej më shumë se dy javësh, nuk ka rënë asnjë rigë shi. Në rrugët e paasfaltuara, pluhuri ngrihet si re. Vajtje ardhjet në Krojmir nuk kanë të ndalur. Rrugëtimi nëpër pyjet e Blinajës, është bërë i zakonshëm, meqë atje tanimë kanë depërtuar forcat tona.
Sot, kanë arritur në Krojmir, Jahja Emini nga Davidovci dhe dy kushërinj të tij. Ai, fillimisht ka vajtur te roja. Sapo kanë treguar se janë nga Davidovci, ka filluar një rezervë e shprehur e ushtarëve, të cilët janë të mllefosur në veprimit e LDK-istit, Ali Sadriu. Dikush nga ushtarët si duket i ka rënduar me fjalë, por Jaha, ka treguar se më njeh dhe pas pak më ftojnë për t`u takuar me ta.
Përshëndetëm me të gjithë dhe i ftoj të hyjnë brenda, pasi vërej se janë lodhur. Jahës i kam dhënë mësim në Gjimnazin e Ferizajt. Ka qenë një nxënës i mirë dhe më ka respektuar.
Ata ngurojnë të hyjnë brenda, meqë duhet të kthehen po ashtu këmbë dhe druhen mos i zë nata. Jaha thotë se me kushërinjtë ka ardhur me të vetmin qëllim, për t u bindur se ekziston apo jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Duket se propaganda e LDK-së, e ka bërë të vetën. Ai po ashtu më tregon se ushtari që bënte roje para Shtabit nuk ishte sjellë mirë. E marr me mend se ai ka pyetur për Ali Sadriun, i cili, thuhet se u ka bërë thirrje aktivistëve në fshatra që të mos i pranojnë në shtëpitë e tyre njerëzit me maska. Mund të jetë edhe fjalë boshe, por Aliu nuk ka të dhëna sa duhet, as i beson luftës sonë. Një është e sigurt se ai, as familja e tij as kanë qenë kurrë as mund të jenë bashkëpunëtorë të forcave serbe. Megjithatë, duhet pasur kujdes, sepse ka në mesin tonë edhe ndonjë të papërgjegjshëm…
Ndahemi, të bindur se do të shihemi. Jaha duket i gëzuar sepse ka vërtetuar se ekziston UÇK-ja dhe unë jam në radhët e tyre.
Po sot, kanë ardhur, mbase për t’ i hequr dilemat lidhur me UÇK-në edhe disa fshatarë të fshatrave të Rrafshit, të Dobrajes, të Ribarit të Madh e të tjerë.
Një pjesë e konsiderueshme e të ardhurve, kërkon të qëndrojë këtu, por kushtet i kemi shumë të rënda dhe nuk arrijmë t` iu bëjmë vend të gjithëve. Megjithatë shumica gjenden ashtu sikur munden.
Në mbrëmje, pas një odisejade të gjatë të rrugëtimit, nga Ferizaj ka ardhur edhe Milaim Jashari, ish i burgosur politik, i cili sa po ka dëgjuar për burgosjen e Ahmet Hoxhës, Enver Topallit e të tjerëve, i ka ikur me sukses arrestimit, por ndërkohë është ndarë nga djali, për fatin e të cilit nuk din asgjë. Ai ka ardhur me bashkëshorten, bijën e dhëndrin.
Milaimi duket tejet i shqetësuar dhe shumë i brengosur jo vetëm për të birin, por edhe për shokët, të cilët i kanë arrestuar gjakatarët serbë në Ferizaj.
Për Milaimin ka marrë përsipër të kujdeset, Heset Hamdiu. Edhe pse ka pak vend të lirë, dhomën kryesore ia ka liruar Milaimit dhe familjes së tij.
Nga biseda që kemi zhvilluar me Milaimin, me Adem Metushin nga fshati Koshare e të tjerë kuptojmë se policia serbe ka arrestuar shumë veprimtarë, për fatin e të cilëve nuk dihet. Flitet se Cenë Dugollin e kanë mbytur në tortura.