leoni

Besi

Ahmet Qeriqi: Kryengritja e armatosur, në Besi, më 2 dhe 3 prill të vitit 1981

Protestat dhe demonstratat e Marsit dhe Prillit të vitit 1981, kanë shënuar fillimin e ndarjes definitive të forcave liridashëse shqiptare nga procesi i jugosllavizimit, proces i cili ishte  manifestuar me politikën e ashtuquajtur të bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me popujt sllavë. Për më tepër, qysh nga ajo kohë filloi edhe procesi i gjatë, historik, për krijimin e Republikës së Kosovës, fillimisht si republikë e barabartë në federatën jugosllave, me synim që në këtë republikë të përfaqësoheshin shqiptarët e të gjitha viseve tona etnike, të cilat i mbante nën okupim RSFJ.

Literatura e shkruar për demonstratat e vitit 1981 është e bollshme, por shkenca jonë e historisë ende nuk e ka dhënë përcaktimin definitiv, lidhur me trajtimin realist të atyre zhvillimeve politike. Definicioni i mirëfilltë shkencor, historik mungon, meqë deri vonë ka munguar edhe vullneti për një definicion të tillë, sepse  historiografia zyrtare e kohës këto protesta i ka kualifikuar si armiqësore me pretendime për shkatërrimin e Jugosllavisë,  dhe për fatin tonë të mirë, ato edhe shënuan kohën e fillimit të shkatërrimit të Jugosllavisë.

Po ashtu, kanë qenë dhe vazhdojnë të mbesin të hapura përcaktimet mbi baza të grupeve, organizatave dhe pjesëmarrësve në këto protesta. Deri tani ka dominuar mendimi se zhvillimet  e vitit 1981 kanë qenë një Lëvizje studentore, e filluar spontanisht, me kërkesë për avancimin e kushteve të tyre materiale, etj. Më vonë në mesin e protestuesve janë brohoritur edhe parulla politike e sociale, të cilat janë lansuar nga segmente të caktuara të lëvizjeve të fshehta, (ilegale), sikur kanë qenë kërkesat: “Republikë Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”. “Lironi shokët nga burgu”. “Adem Demaçi” dhe parullat: “Trepça punon, Beogradi fiton”. “Jemi shqiptarë nuk jemi jugosllavë”, e të tjera.

Me avancimin e protestave dhe kundërpërgjigjes brutale ndaj demonstruesve nga Policia e më vonë edhe nga ushtria jugosllave, protestat zgjerohen edhe me një segment të kundërvënies së armatosur, më 2 e 3 prill në Besi, në relacion Prishtinë-Besianë (ish-Podujevë).

Nëse i bëjmë një rekapitullim të shkurtë zhvillimit të ngjarjeve prej 11 marsit deri më 3 prill të vitit 1981, arrijmë në përfundim se demonstratat filluan në mënyrë paqësore, por kulmuan me kapjen e armëve dhe gatishmërinë për kundërvënie të armatosur. Këtu mendoj se duhet kërkuar edhe përkufizimin, jo duke e relativizuar Marsin e Prillin si Lëvizje studentore,  si  Pranverë studentore, edhe pse filloi si e tillë, por as si një kryengritje të dështuar, sikur paraqitej në shtypin jugosllav të kohës dhe sikur aprovohej në komitetin krahinor të KSAK-së, nga Azem Vllasi, Ali Shukrija, Fadil Hoxha, Mehmet Maliqi, Mahmut Bakalli, Sinan Hasani e të tjerë.

deri më 18 prill, në mbarë territorin e Kosovës, rezistenca e armatosur, që bënë në kullën  e tyre Tahir dhe Nebih Meha në Prekaz, më 13 maj, janë fakte reale historike, që flasin se Lëvizja e Marsit dhe Prillit e vitit 1981 u kurorëzua me një revoltë të fuqishme gjithë-popullore  me një segment të kryengritjes së armatosur  kundër regjimit pushtues jugosllav.

Shtypja brutale e protestave, nga tërë aparati represiv jugosllav, arrestimet, burgosjet, dënimet e mijëra pjesëmarrësve, prej një deri në 20 vjet burg, jo vetëm që nuk e thyen rezistencën, e cila nuk u ndërpre asnjëherë, por vazhdoi në segmentin  kryengritës duke mbështetur parullën: “Republikë-kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”. (Gjatë tërë kohës së qëndrimit nëpër burgje, të burgosurit politikë kur fillonin komunikimin ilegal nga dhoma në dhomë përdornin ritmin e fjalëve  ,,, ,,, ,,,, ,,,,) Kjo ishte lidhje e brendshme integrale shpirtërore e atdhetare, ishte përcaktimi unik, që nënkuptonte liri, barazi vetëvendosje të shqiptarëve, trojet e të cilëve ishin okupuar nga shtetet fqinje me përkrahjen e shteteve më të fuqishme të Evropës.

Kjo lëvizje, e cila ishte vendimtare në historinë më të re të Kosovës dhe që ndikoi edhe në fillimin e shpërbërjes së ish-RSFJ-së, nuk ishte  shuar asnjëherë, por  kishte vepruar  në kushte dhe rrethana të caktuara deri kur edhe integrohet në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qasja tjetër e interpretimit të Marsit e Prillit të vitit 1981

Prej vitit 1981 e deri te pezullimi i autonomisë së Kosovës, më 28 mars të vitit 1989, regjentët e politikës titiste në Kosovë  këto ngjarje i kualifikuan si sulm të organizuar të forcave nacionaliste e irredentiste shqiptare, kundër politikës së bashkim vëllazërimit, kundër “barazisë së vërtetë” të shqiptarëve dhe kundër themeleve të  Jugosllavisë së kombeve dhe kombësive të barabarta. Të gjithë demonstruesit, për  të cilët thuhej se vepruan në këtë platformë, dhe të cilët u sollën para gjyqeve, konsiderohej se  kanë kryer “vepra penale të drejtuara në rrëzimin e pushtetit të klasës punëtore, minimin e rregullit shoqëror dhe ekomomik, të përcaktuar me kushtetutë, minimin e bazës ekonomike të vendit, thyerjen e bashkim vëllazërimit dhe barazisë së kombeve e të kombësive, si dhe ndryshimin antikushtetues të rregullimit federativ të shtetit”. Mbi këtë platformë politike të ish RSFJ-së ishte demonizuar Lëvizja e vitit 1981 dhe deri diku si e tillë u trajtua edhe gjatë tërë kohës së Lëvizjes pacifiste të viteve 90 të shekullit të kaluar.

Kërkesa programatike: “Republikë-Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë” afishonte dy opsione, opsionin paqësor, të cilin e përkrahu lëvizja pacifiste LDK-ja e Ibrahim Rugovës dhe opsionin  e rezistencën aktive, të cilën do ta përkrahin shumica dërrmuese e atyre, që kishin ngritur grushtet dhe armët për luftë deri në fitore në vitin 1981 dhe që nuk i kishin ndërruar bindjet, ndërsa aspiratat për shkëputje nga Jugosllavia u bënë realitet me luftën fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përkrahjes nga ajri të aeroplanëve të NATO-s, në verë të vitit 1999.

Në vitet 90, krahas injorimit dhe keqinterpretimit që i bënë kësaj Lëvizje disa nga intelektualët pro-jugosllavë ( Baton Haxhiu, Veton Surroi, Shkëlzen Maliqi, Halil Matoshi, tash vonë edhe njëfarë Nexhemdin Spahiu e disa sojli të tjerë)ata   konsideronin se  Lëvizja i kishte stopuar  dhe i kishte prapakthyer proceset e afirmimit dhe të barazisë së plotë të shqiptarëve me serbët e popujt e tjerë sllavë. Pati edhe pretendime që Lëvizja e vitit 1981, të përvetësohej dhe  të kualifikohej veçanërisht  si Lëvizje paqësore studentore. Segmenti i përpjekjeve për lëvizje të armatosur u mohua dhe për më keq, përpjekja e armatosur,  në Besi, jo vetëm u la në harresë, por edhe u injorua një kohë të gjatë.

Tani 3 vjet pas atyre zhvillimeve,  lidhur me përpjekjet e suksesshme në disa segmente  për kryengritje të armatosur, në Besi, ne ende jemi në pozicion vlerësimi, në pozicion pranimi, mohimi, luhatjeje, dileme, madje edhe arbitrimi të papranueshëm nga individë të caktuar, të cilët këtë manifestim kryengritës, në Besi, për shumë vjet me radhë e kishin lënë krejtësisht në harresë. Vetëm  më 2 prill të vitit 2008, duke shënuar  27-vjetorin e kësaj përpjekje për kryengritje të armatosur, u mbajt një tubim, në oborrin e shkollës fillore të Besisë, por ky aktivitet  mbeti në margjina të lajmeve nëpër  mediet e Kosovës, sepse tubimin e kishte organizuar Radio-Kosova e Lirë dhe Këshilli organizativ nga mesi i ish të burgosurve politikë të Besisë.

Në emisionin e lajmeve të RTK-së, të orës 19.30,  më 2 prill 2008, u eliminua  në tërësi fjala afër 20 minuta e organizatorit,  ndërsa u transmetuan  vetëm disa sekonda nga fjala e Adem Demaçit dhe fjala e Hydajet Hysenit. Për më tepër gazetari i RTK-së kishte marrë edhe një intervistë nga organizatori, por edhe ajo u fshi dhe sigurisht, që edhe është zhdukur. U ndala në këtë moment për të shpjeguar edhe diçka tjetër.

Është krejtësisht e papranueshme, për të mos thënë se është edhe e dënueshme të anashkalohet ky segment i përpjekjes për kryengritje në Besi, me të cilën Lëvizja e vitit 1981 kishte kulmuar. Ata, që i mohojnë këto aktivitete, ose i anashkalojnë,  nga frika se aktivitetet e tyre me grushtet përpjetë do të zbehen,  apo veprimtaria e tyre ilegale do të mbetet nën  hije, ata mohojnë historinë e Marsit dhe prillit të vitit 1981. Mendoj se të gjithë  pajtohemi me faktin se prej mbarimit të luftës së përgjakshme të Shaban Palluzhës, në Drenicë, në shkurt të vitit 1945 dhe eliminimit fizik të luftëtarëve të NDSH-së, e deri te dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të viti 1997, nuk kemi pasur një lëvizje tjetër më të fortë, më të organizuar dhe më te suksesshme dhe më me jehonë të gjatë, sesa ajo e Marsit dhe Prillit të vitit 1981. Dihet po ashtu mirëfilli edhe kontributi i secilit grup, i secilës organizatë, pjesëmarrëse në këtë periudhë historike të rezistencës, sepse të gjitha grupet u sollën para gjyqeve dhe u dënuan për veprat e tyre, të cilat kualifikoheshin si vepra penale kundërrevolucionare.

Ne, që kemi qenë pjesëmarrës në protestat dhe demonstratat e vitit 1981, sidomos më 2 prill, disa edhe organizatorë të rastit, e dimë fare mirë se çfarë jehone kanë pasur zhvillimet e Besisë, në Prishtinë, dhe kudo në Kosovë. Lajmi se ishin rrëmbyer armët, se protestuesit kishin çarmatosur forcat rezerviste, që vinin nga Beogradi dhe kishte filluar kundërvënia e armatosur kishte elektrizuar shqiptarët liridashës, kudo ku ishin.

Përqendrimi im  në këtë segment nuk e nënvlerëson aspak atë që quhet “Lëvizje studentore”, sepse si e tillë Lëvizja kishte filluar  më 11 mars dhe më 26 të po atij muaji, por më 1 e 2 prill nuk ishte më vetëm e tillë, meqë në protestat masive kishin marrë pjesë dhjetëra mijëra punëtorë, qindra mijëra nxënës, fshatarë e qytetarë  liridashës shqiptarë nga mbarë Kosova, nga Republika e Maqedonisë nga komunat e Kosovës Lindore, madje edhe nga Plava,Ulqini Kraja e Anamali, kryesisht studentë të studionin dhe jetonin në Prishtinë e në qytete të tjera të Kosovës. Forcat policore e ushtarake jugosllave kishin vrarë mizorisht 10 demonstrues, kishin plagosur me armë zjarri rreth 200 syresh dhe ishin rrahur gjatë kacafytjeve mijëra të tjerë.

2 dhe 3 prilli i vitit 1981 shënuan kulmin ku kishte arritur revolta popullore

Nuk është e rastësishme pse rinia e kësaj pjese të Kosovës, i mori armët. Dhe këtu duhet një shpjegim shtesë. Popullata e fshatrave, Besi, Barilevë, Mirovc, Bernicë, Sharban, Rimanishtë, Breznicë, Vranidoll, Lupç, Prugovc e fshatra të tjera  ishte më shumë e elektrizuar në këtë revoltë me faktin se mbahej në burg të rëndë veprimtari më konsekuent i Lëvizjes çlirimtare, bacë, Adem Demaçi, për të cilin rinia dhe popullata e kësaj ane kishin respektin më të madh të mundshëm.  Edhe gjatë demonstratave, në Prishtinë, ishte kërkuar lirimi nga burgu i Adem Demaçit e të burgosurve të tjerë. Mendoj se pikërisht për këtë edhe lëvizja në këtë pjesë të Kosovës mori atë hov, ashtu sikur mori hov kryengritja në Drenicë, pas rënies së Adem Jasharit, apo në Dukagjin, pas rënies së Luan Haradinajt, apo në Llap pas rënies së Zahir Pajazitit e kështu me radhë.

Pikërisht ky shpërthim i revoltës, në Besi, por edhe në disa vende të tjera të Kosovës,  kapja e armëve, ndalimi i rezervistëve, çarmatosja e tyre, rrëmbimi i armëve dhe i municionit, vendosja e barrikadave nëpër   rrugë, djegia e një kamioni të rezervistëve  që kishte material për aktivitet luftarak fushor, përmbysja e veturave, gjuajtja drejt helikopterit dhe forcave policore shënoi kulmin e asaj që unë e vlerësoj si “Përpjekje për kryengritje të armatosur”.  Duke u mbështetur në këto zhvillime Presidenca Jugosllave kishte marrë qëndrim për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe pak më vonë trajtimin e këtyre ngjarjeve si përpjekje për kundërrevolucion.

Insistimi im për vlerësimin realist  të zhvillimeve luftarake në Besi dhe për një vlerësim  serioz të të gjitha zhvillimeve prej vitit 1981 e deri te epopeja e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është një thirrje drejtuar institucioneve relevante, që ta dokumentojnë me fakte dhe argumente  këtë periudhë të historisë sonë, sepse nuk mjafton vetëm botimi i librave e broshurave, sipas përzgjedhjeve autoriale, edhe pse kjo, padyshim se  ka efektin e vet. Besoj dhe shpresoj se kapitulli i Besisë duhet të zërë vendin meritor në historinë e shkruar të luftës për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar.

Disa nga armët që u morën nga njësitë rezerviste më 2 prill të vitit 1981, në Besi, u ruajtën dhe filluan të vjellin barot kundër forcave policore e ushtarake serbe gjatë luftës së UÇK-së. Me armën e rrëmbyer, më 2 prill të vitit 1981 nga Avni Llumnica,  kishte rënë në altarin e atdheut, gjatë luftës së UÇK-së, vëllai i tij, Nexhmi Llumnica, i njohur si komandant Gjoni. Me armën e rrëmbyer në vitin 1981, kishte luftuar në radhët e çlirimtarëve, Sami Leci, i dënuar 14 vjet burg në vitin 1981. Me besë-betimin e lidhur në barrikadat e luftës në Besi, iu bashkuan radhëve të UÇK-së Zijadin Hoxha, Ibush Kelmendi dhe shumë të tjerë.

Nga 38 pjesëmarrësit e dënuar dhe të persekutuar nga regjimi jugosllav, Nexhmi Llumnica 40-vjeçar  ka rënë dëshmor, ndërkohë kanë vdekur, Ramadan Rexha 65, Nexhmedin Pireva 39-vjeçar dhe Shaban Dragusha 34 vjeçar.  Disa  të tjerë nga këto grupe jetojnë në shtetet e Evropës, por shumica e tyre, asokohe të rinj dhe të mitur, që ishin burrëruar para kohe, jetojnë në gjendje të rëndë sociale, pa përkrahje institucionale, pa punë  dhe pa asnjë ndihmë, ashtu sikur jetojnë edhe shumica dërrmuese e të burgosurve politikë dhe veteranëve të luftës së UÇK-së, në Kosovën e lirë dhe të pavarur.

Nga të gjitha grupet që janë dënuar gjatë viteve 80, për veprimtari antijugosllave, këto tri grupe të Besisë, kanë qenë grupet  që kanë marrë dënime tejet të larta dhe që  shumica dërrmuese e tyre janë ndëshkuar fizikisht në mënyrë sistematike gjatë tërë kohës së vuajtjes së dënimeve.( 12 e gjysmë ishte mesatarja e dënimeve për grupin e parë). Në mesin e tyre kishte edhe të tillë që i dënuan edhe gjatë vuajtjes së dënimit, për vepra të njëjta penale, sikur është ridënimi i Zymer Krasniqit.

Një pjesë e të miturve janë dërguar për ta mbajtur dënimin në Goli Otok, disa syresh në Slloveni, në Kroaci, Vojvodinë e në Serbi.

Pasojat e keqtrajtimeve i vuajnë po thuajse të gjithë, disa kanë pasoja jetësore, në një segment shumë të dhembshëm të jetës.

Për dallim nga grupet e tjera të organizuara, mendoj se  grupi i Besisë ka qenë më i keqtrajtuari gjatë viteve ’80 e më vonë.

Të gjithë, pa dallim janë rrahur mizorisht si gjatë procesit të hetimeve, ashtu edhe gjatë vuajtjeve të dënimeve nga inspektorët, milicët dhe gardianët e burgjeve. Natyrisht se janë rrahur edhe mijëra të tjerë, por këta në mënyrë më specifike, meqë kishin guxuar të rrëmbenin armët.

Janë keqtrajtuar dhe janë mbajtur në burgun e Prishtinës dhe në burgje të tjera, jashtë çdo norme ligjore edhe disa nga prindërit e të miturve, derisa bijtë e tyre janë dënuar.

Pas lirimit  nga burgu nuk janë pranuar në shkolla, as në fakultete.

II Ahmet QERIQI: NË BESI, Më 2 PRILL 1981 FLAMURTARËT E REPUBLIKËS SË KOSOVËS ÇARMATOSIN POLICINË DHE USHTRINË SERBE

Protestat dhe demonstratat e Marsit dhe Prillit të vitit 1981, shënojnë fillimin e ndarjes definitive të forcave liridashëse shqiptare nga procesi i jugosllavizimit, i cili po manifestohej me politikën e ashtuquajtur të bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me popujt sllavë. Për më tepër, qysh nga ajo kohë filloi edhe procesi i gjatë, historik, për krijimin e Republikës së Kosovës, fillimisht si republikë e barabartë në federatën jugosllave, me synim që në këtë republikë të përfaqësoheshin shqiptarët e të gjitha viseve tona etnike, të cilat i mbante nën okupim RSFJ.

Kosova ka shpallur pavarësinë, e cila tashmë është pranuar dhe është njohur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe shumë shtete të tjera. Serbia, ashtu sikur në vitin 1981, që nuk pranoi barazimin e Kosovës me republikat e tjera të Federatës jugosllave, edhe sot po bën përpjekje që ta shantazhojë dhe ta pengojë procesin e pavarësisë, që ka filluar të jetësohet, fillimisht me një status të mbikëqyrur.

Në përkujtim të ngjarjeve madhore të së kaluarës, në 27-vjetorin e Pranverës së vitit 1981 do të shkoqisim një segment të kundërvënies së rinisë sonë atdhetare kundër formave brutale të regjimit titist jugosllav. Më 2 prill të vitit 1981, protestat e ligjshme të rinisë shqiptare, e cila nuk kërkonte asgjë më shumë se liri e barazi, kishin marrë përmasa të një revolte të përgjithshme popullore, jo vetëm në Prishtinë, ku ishte bërthama e qëndresës dhe e të gjitha zhvillimeve, por edhe në mbarë qytetet e Kosovës. Atë ditë janë shënuar edhe disa elemente të kryengritjes së përgjithshme popullore, sikur ishte rasti i rrëmbimit të armëve nga një grup i të rinjve shqiptarë, të cilët u barrikaduan në fshatin Besi, në hyrje të Prishtinës, duke mos lejuar forcat policore serbe të futeshin në Kosovë.

Krahas grushteve të ngritur nga studentët në protesta, të cilët ishin përgjakur nga forcat pushtuese dhe ato mercenare, një grup i të rinjve militantë shkoi edhe më larg. Ata, duke parë se policia po përdorte armë kundër protestuesve duarthatë, rrëmbyen armët dhe vendosën një barrikadë të kundërvënies, në dalje të Prishtinë në fshatin Besi dhe në rrugën për në Besianë, (ish-Pudujevë). Grupi ishte i organizuar dhe kishte synim të përshkallëzonte revoltën në formë të kundërvënies, meqë atë ditë, forcat intervencioniste serbe kishin martirizuar dhjetëra protestues shqiptarë dhe kishin plagosur me armë zjarri qindra të tjerë. Në këtë grup bënin pjesë kryesisht nxënës, punëtorë dhe arsimtarë, të cilët gjatë tërë muajit mars kishin marrë pjesë në demonstrata. Në mesin e tyre kishte protestues të rritur, por edhe të mitur.

GRUPIN E PARË TË TË RRITURVE QË ISHTE BARRIKADUAR NË FSHATIN BESI TË PRISHTINËS E PËRBËNIN:

Ruzhdi Hajdini, nga fshati Miroc,

Sami Leci nga fshati Barilevë,

Zijadin Hoxha nga Prishtina,

Vehbi Leci nga Barileva,

Osman Krasniqi nga Bërnica e Epërme,

Ibush Kelmendi nga fshati Prugoc,

Agim Selmani nga Barileva,

Agim Leci, po ashtu nga Barileva,

dhe Hajrullah Dragusha nga Prugoci.

GRUPI I DYTË I TË RRITURVE:

Zymer Krasniqi nga fshati Besi,

Bajram Syla nga Rimanishta,

Qerim Arifi nga Rimanishta,

Nagip Bllaca, nga Besia,

Naim Statocvi, nga fshati Prugovc,

Sadik Dragusha, nga fshati Prugovc,

Shaban Dragusha, po ashtu nga Prugovci,

Ramadan Rexha nga Rimanishta,

Enver Koliqi nga fshati Lupç i Poshtëm,

Nexhmedin Pireva nga fshati Lupç,

Sadri Berisha nga fshati Drenovc.

NË GRUPIN E TË MITURVE BËNIN PJESË:

Afrim Bllacaku,

Agim Selim Leci,

Naser Rexha,

Shemsi M. Leci,

Fadil Shala,

Ekrem Dragusha,

Avni Llumnica,

Veton Osmani,

Xhemshir Leci,

Pajazit Ndreca,

Nexhat Dragusha,

Osman H. Abdullahu,

Sami Abdullahu,

Osman S. Abdullahu,

Ismajl Koliqi,

Zenel Krasniqi,

Lutfi Leci, dhe

Xhafer Fetahu, në gjithë nën moshën 18 vjeçare.

Në aktakuzën e ngritur nga Gjykata e Qarkut e Prishtinës kundër grupit të parë të të rriturve K. 147/ 81, më 13. 8. 1981, ndër të tjera thuhet: “Më 2 prill 1981, në rrugën e asfaltuar Prishtinë-Podujevë, prej rrugës “Jabllanica” të Prishtinës e deri në fshatin Besi, KK Prishtinë, në kushte veçanërisht të rënda: Ruzhdi Hajdini, Sami Leci, Zijadin Hoxha, Vehbi Leci, Osman Krasniqi, Ibush Kelmendi, Agim Selmani dhe Agim Leci kryen vepra penale të drejtuara në: rrëzimin e pushtetit të klasës punëtore, minimin e rregullimit shoqëror ekonomik, minimin e sistemit shoqëror politik, thyerjen e bashkim vëllazërimit, prishjen e barazisë së kombeve e kombësive dhe ndryshimin antikushtetues të Jugosllavisë. Ky grup demonstruesish me forcë ia morën pushkën me 5 fishekë rojtarit të OPB-së “Bisernica”, pastaj këtë pushkë ia drejtuan vozitësit Ilija Xhelatoviq, të cilit ia morën veturën dhe u drejtuan në OPB “Higjeno-Teknika”, ku po ashtu rojtarit me forcë ia marrin pushkën e gjuetisë me 3 fishekë…. Pastaj në rrugë për në Besi, me gurë dhe mjete të tjera i dëmtuan automjetet e punëtorëve të sigurimit… iu kundërvunë me forcë punëtorëve të sigurimit dhe forcave të tjera, që vepronin në shpërndarjen e demonstratave. Ata e vendosin flamurin kombëtar (shqiptar) në një shtyllë elektrike, këpusin lidhjet telefonike dhe brohorasin:

“REPUBLIKË KUSHTETUTË, JA ME HATËR JA ME LUFTË”!

“LIRONI SHOKËT NGA BURGU”

“TREPÇA PUNON PËR TË TJERËT”.

Gjithnjë duke përdorur forcën, ky grup ndaloi kamionin FAP me targë: Pr. 262 – 83 dhe me të shkojnë në fshatin Lebane. Aty i japin zjarrin automjetit të markës mercedes, pronë e një ndërmarrje të Nishit me targë: NI 111 382. Këtij kamioni të ngarkuar me mall ia dhanë zjarrin. Po atë ditë ata kryen edhe shumë vepra të tilla penale në fshatin Besi…. Më 3 prill 1981, të armatosur me dy pushkë automatike dhe një pushkë të gjuetisë u tubuan në vendin e quajtur “Te Qukat” te Mulliri i Pashës, ku më vonë u shpërndanë në drejtime të ndryshme. Këtij grupi militant ndërkohë i bashkohen edhe Hajrullah Dragusha e të tjerë…”

Aktakuza përshkruan veprat e këtyre militantëve të parë të Republikës së Kosovës. Ata veprojnë në mënyrë të organizuar, demonstrojnë kërkesën tashmë plebishitare për Republikën e Kosovës, shkrepin plumba mbi veturat e policisë, por nuk vrasin njerëz, madje as policë as bashkëpunëtorë të tyre. Pastaj në aktakuzë përshkruhen edhe veprime të tjera, “të inkriminuara”, sikur ishte rasti i marrjes së bukës nga një kamion, me qëllim për t’ua shpërndarë qindra protestuesve, të cilët nuk largoheshin nga barrikada. Ata zënë rrugën, ndalojnë automjetet dhe legjitimojnë udhëtarët. Të ardhurve të paftuar nga Serbia ua marrin automjetet, të cilat i vendosin në barrikada. Të ndaluarit as i rrahin, as i maltretojnë, por ju bëjnë me dije se herën tjetër duhet të marrin me vete “pasaportat” e Republikës së Kosovës…

Këto janë shkurtimisht veprat “penale” që kishte kryer ky grup militant më 2 dhe 3 prill të vitit 1981, në kohën kur zemërimi popullor kishte shpërthyer fuqishëm dhe tërë mllef kundër padrejtësisë, në ditët kur shpirti kryengritës i rinisë shqiptare kishte marrë hapin historik për krijimin “me hatër ose me luftë” të Republikës së Kosovës. Pjesëtarët e këtij grupi nuk i kanë mohuar veprimet e tilla, të cilat i kanë ushtruar në shenjë revolte kundër forcave policore dhe ushtarake të RSFJ-së, që kishin vrarë demonstruesit paqësorë mu në qendër të Prishtinës. Ata kishin synuar të krijonin bërthamën e parë të armatosur çlirimtare, por gjatë një afati të shkurtër kohor ishin arrestuar nga policia. Për këto ngjarje të cilësuara si vepra të rënda penale, të drejtuara kundër RSFJ-së, në shqyrtimin kryesor verbal, publik, në prani të prokurorit Publik të Qarkut të Prishtinës, Pjetër Kola, në prani të akuzuarve dhe mbrojtëseve të tyre, më 31 gusht 1981, Gjykata mori këtë aktgjykim dhe dënoi me burg:

Ruzhdi Hajdini, nga fshati Miroc, 25 vjeçar, i cili u dënua me 15 vjet burg.

Sami Leci nga fshati Barilevë, 20 vjeçar, u dënua 14 vjet burg.

Zijadin Hoxha nga Prishtina, 20 vjeçar, u dënua 15 vjet burg.

Vehbi Leci nga Barileva, 18 vjeçar u dënua 12 vjet burg.

Osman Krasniqi nga Bërnica e Epërme, 10 vjet burg.

Ibush Kelmendi nga fshati Prugoc, u dënua 10 vjet burg.

Agim Selmani nga Barileva, 13 vjet burg.

Agim Leci, po ashtu nga Barileva, u dënua 12 vjet burg.

Hajrullah Dragushanga Prugoci dënohet dy vjet burg, pasi paraprakisht ishte modifikuar aktakuza kundër tij.

Në arsyetim të shqiptimit të dënimeve të tilla drakonike, Gjykata e Qarkut në Prishtinë në kolegjin e përbërë nga: Ismet Emra, kryetar, Slobodan Zhivkoviq, anëtar, Azem Emini porot, Lubisha Miçiq dhe Qazim Goxhufi anëtarë… shkruan se nga të dhënat rezulton se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen, të cilat janë të përshkruara në dy petitume të kësaj aktakuze, veprime këto që janë të inkriminuara dhe ekzekutorët janë penalisht përgjegjës, andaj në veprimet e tyre plotësohen të gjitha tiparet e figurave të veprave penale nga neni 114 të LPJ-së dhe që përkrah ashpërsisë së manifestuar gjatë veprimit armiqësor duhet të ndëshkohen sipas nenit 139 të Ligjit Penal të Jugosllavisë….

Me këtë rast ishte dënuar 12 vjet burg, i riu Agim Leci, i cili sapo kishte mbushur 18 vjet. Vetëm për disa ditë kishte kaluar kufirin ligjor dhe ishte dënuar si i rritur dhe jo si i mitur, sikur ishin dënuar edhe disa nxënës, që ua kishin rrëmbyer pushkët disa rezervistëve serbë. Ky ishte grupi që asokohe u dënua me shkallën maksimale të dënimit, që parashihnin ligjet e RSFJ-së në atë kohë. Ndërsa të dënuarit ishin keqtrajtuar mizorisht, si gjatë periudhës së hetimeve, ashtu edhe gjatë kohës së mbajtjes në burg. Dhuna e ushtruar kundër këtyre militantëve të Republikës, i kaliti edhe më tej ata. Inspektori kryesor i SPB-së në lëndën e këtij grupi ka qenë Gjergj Berisha.

Aktgjykimi i grupit të dytë të të rriturve, i datës 2

gusht të vitit 1981. P. Nr. 110/81

Gjykata e Qarkut në Prishtinë në Kolegjin e përbërë nga Mentor Çoku kryetar dhe anëtarët gjyqtarë të kësaj gjykate: Veroslava Dimiq, si dhe gjyqtarëve porotë: Azem Emini, Dojçin Maksimoviq, dhe Ilaz Aliu, me pjesëmarrjen e punëtorës së kësaj Gjykate, Melihate Zeqiri, në çështjen penale kundër: Zymer Krasniqit nga fshati Besi, Bajram Sylës nga fshati Rimanishtë, Qerim Arfit nga fshati Rimanishë, Nagip Bllacës nga fshati Besi, Naim Statovcit nga fshati Prugovc, Enver Koliqit nga fshati Lupç i Poshtëm Nexhmedin Pireva nga fshati Vranidoll, Shaban Dragusha nga fshati Prugovc, Ramadan Rexha nga fshati Rimanishtë, Sadri Berisha nga fshati Prugovc, të gjithë sipas aktakuzës së Prokurorisë Publike të Qarkut të Prishtinës, PP.nr. 84/81 të datës 15 korrik 1981, të cilën e përfaqësoi Mustafa Shala, Gjykata shpalli fajtor dhe dënoi:

Zymer Krasniqi nga fshati Breznicë u dënua 13 vjet burg,

Bajram Syla nga Rimanishta, 12 vjet burg,

Qerim Arifi u dënua 8 vjet burg,

Nagip Bllaca, u dënua 12 vjet burg,

Naim Statocvi u dënua 10 vjet burg,

Sadik Dragusha, nga fshati Prugovc, 10 vjet burg,

Shaban Dragusha, po ashtu nga Prugovci u dënua 7 vjet burg,

Ramadan Rexha nga Rimanishta u dënua 7 vjet burg,

Enver Koliqi nga fshati Lupç i Poshtëm u dënua 8 vjet burg,

Nexhmedin Pireva dhe Sadri Berisha u dënuan me kusht.

Sipas aktgjykimit, këta protestues u shpallën fajtor, sepse “ më 2 prill 1981 në rrugën magjistrale Prishtinë-Podujevë, në fshatin Besi, para shkollës fillore,

kanë kryer vepra penale të drejtuara në rrëzimin e pushtetit të klasës punëtore, minimin e rregullit shoqëror dhe ekomomik, të përcaktuar me kushtetutë, minimin e bazës ekonomike të vendit, thyerjen e bashkim vëllazërimit dhe barazisë së kombeve e të kombësive, si dhe ndryshimin antikushtetues të rregullimit federativ të shtetit. Kështu që më 2 prill pre orës 11.00 deri në orën 16.00 kanë marrë pjesë aktive në grupin armiqësor të udhëhequr nga Zymer Krasniqi dhe Bajram Syla. Ky grup ka gjuajtur automobilat me gurë dhe ka brohoritur parullat me përmbajtje armiqësore:

“KOSOVA REPUBLIKË”

“REPUBLIKË KUSHTETUTË, JA ME HATËR JA ME LUFTË”,

“DUAM KUSHTE”,

“UNITET”,

“NA I LIRONI SHOKËT”.

Të akuzuarit Zymer Krasniqi dhe Bajram Syla me stupca në dotë e me disa të mitur kanë ndaluar automjetin bartës të tipit “RABA” me targë PE-148-07, me të cilin e kanë nxënë rrugën horizontalisht. Më vonë ka ardhur kolona e automobilave të policisë nga Beogradi. Ndërkohë këta i kanë dhënë zjarrin kamionit ku ishin të ngarkuar 20 shatora dhe shumë pajisje të tjera. Ndërkohë nga automjeti “TAM” M-900-251, kanë marrë armë automatike dhe municion. Pastaj në aktakuzë përshkryet veç e veç veprimi i secilit të akuzuar, mënyra si janë marrë armët, sasia dhe tipi i armës, shanzherët, plumbat etj. Të gjitha amët e rrëmbyera nga demonstruesit kanë qenë pushkë automatike të kalibrit 7.62. Po kështu, në këtë aktakuzë janë përshkruar edhe rrethanat e tjera, që kishin të bënin me veprimet konkrete që kanë ndërmarrë demonstruesit, të cilët gjatë asaj dite kishin nbyllur njërën prej artereive kryesore nga ku vinin në Kosovë policët serbë, të ngarkuar me municion dhe pajisje të tjera me qëllim për ta shtypur kryengritjen shqiptare të asaj kohe.

Dëshmitarë të përfaqësuar gjatë gjykimit kanë qenë policët nga Beogradi: Vidoje Simiq,

Dragomir Jelisavqiq,

Branislav Dimiq,

Lubomir Nejiq,

Radule Skokoviq, si dhe vozitësi i kamionit,

Gojko Stanishiq nga Vitomirica e Pejës.

Me pushkët e rrëmbyera në ditët e prillit të vitit 1981, Sami Leci, Nexhmi Llumnica (tani dëshmor) dhe disa të tjerë 17 vjet më vonë do të inkuadrohen në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku do të luftojnë ballë për ballë kundër forcave pushtuese serbe. Në radhët e UÇK-së që në ditët e para ishin angazhuar edhe Ibush Kelmendi, në Zonën Operative të Llapit, Zijadin Hoxha ishte i organizuar edhe në ilegalen e kohës, e më vënë edhe në radhët e UÇK-së.

Ndërkohë, pas ushtrimit të ankesave të avokatëve lidhur me shkallën e lartë të dënimit, Gjykata Supreme e Kosovës, në përbërje: kryetari i Gjykatës, Riza Fazliu, dhe gjyqtarëve: mr. Halil Kelmendi, Branislav Kijaqiq, Qazim Tolaj e Durmish Koçinaj, me vendimin Ap-nr.453/81, të datës me 4 janar 1982, iu uli dënimin disa të dënuarve.

GRUPI I TË MITURVE

Në aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, kundër grupit të të miturve (Pm-nr.37/81) pas seancave të mbyllura të mbajtura më 20, 21, 22 korrik të vitit 1981, Kolegji i gjykatësve, i përbërë nga gjyqtarja Verosllava Dimiq kryetare e kolegjit dhe gjyqtarëve: gjyqtarë porotë: Skënder Lamaxhema dhe Hasan Prebreza anëtarë të kolegjit në çështjen penale kundër të miturve:

Afrim Bllacaku, nga Besia,

Agim Selim Leci, nga fshati Barilevë,

Naser Rexha, nga fshati Rimanishtë,

Shemsi M. Leci, nga Barileva,

Fadil Shala, nga Prugovci,

Ekrem Dragusha, nga Prugovci,

Avni Llumnica, nga Barileva,

Veton Osmani, nga fshati Besi,

Xhemshir Leci, nga Barileva,

Pajazit Ndreca, nga Barileva,

Nexhat Dragusha, nga Prugovci,

Osman H. Abdullahu, nga Vranidolli,

Sami Abdullahu, nga Vranidolli,

Osman S. Abdullahu nga Sharbani,

Ismajl Koliqi, nga fshati Lupç i ulët,

Zenel Krasniqi, nga fshati Lupç i Ulët,

Lutfi Leci, nga Barileva, dhe

Xhafer Fetahu, në gjithë nën moshën 18 vjeçare.

Gjykata, pasi i shpalli fajtor, mori vendim dhe dënoi me burg për të mitur, prej 1 deri në 5 vjet: Afrim Bllacakun, Agim M. Lecin, Naser Rexhën, Shemsi Lecin, Fadil Shalën, Ekrem Dragushën, Avni Llumnicën dhe Veton Osmanin.

“U shpallën fajtor meqë më datë 2.4.1981, në rrugën magjistrale Prishtinë Podujevë, në fshatin Besi, para shkollës fillore, prej orës 13,00 deri në orën 16.00, kanë kryer veprën e drejtuar në minimin e rregullimit shoqëror ekonomik, sistemin shoqëror politik, sistemin e vetëqeverisjes, minimin e bazës ekonomike të vendit, shkatërrimit të bashkimit dhe të vëllazërimit, shkatërrimit të barazisë së kombeve dhe kombësive dhe ndryshimit kundër kushtetues të rregullimit federativ të shtetit.

Këta nxënës të Qendrës shkollore në Besi dhe qytetarët, në një grup prej rreth 500 vetash, kanë brohoritur parulla me përmbajtje kundërrevolucionare:

“DUAM KUSHTET”,

“LËSHONI SHOKËT”,

“UNITET”,

KOSOVA REPUBLIKË” DHE

“REPUBLIKË KUSHTETUTË, JA ME HATËR JA ME LUFTË”.

Ata kanë lëvizur prej fshati Besi deri në Lebane dhe anasjelltas. Gjatë rrugës kanë gjuajtur me gurë automjetet, të cilat kanë kaluar rrugës, me qëllim që të pengojnë kalimin e tyre në drejtim të Prishtinës, ku janë mbajtur demonstratat armiqësore. Të miturit: Afrim Bllacaku, Agim Leci dhe të tjerët me hunj në duar kanë ndaluar automjetin bartës të markës “Raba” me targa PE. 148-07, të ng

arkuar me rërë, të cilin e ka drejtuar: Gojko Stanishiqi nga Vitomirica, dhe e kanë detyruar që automjetin ta kthejë terthorazi në rrugë. Kur ka ardhur kolona e automjeteve të milicisë të SPB-së nga Beogradi, të cilat kanë lëvizur kah Prishtina, një pjesë e automjeteve nga kolona kanë bërë përpjekje që të kalojnë përskaj automjetit “Raba” të qitur në rrugë, kurse pjesa tjetër e kolonës është ndaluar para këtij kamioni.

Grupi ka sulmuar kolonën e automobilave të ndaluar të milicisë, duke i gjuajtur me gurë. Kanë ndezur automjetin “Tam” me targë M. 900 242, i cili ka pasur të ngarkuar 20 tenda dhe i cili është djegur tërësisht. Kurse nga kamioni “Tam” M. 900 251 në të cilin ka pasur pushkë automatike, gjysmë automatike dhe municion të kalibrit 7.62 mm. ata kanë marrë armë dhe municion.

Më tej në këtë aktgjykim, përshkruhen në detaje rrethana sesi janë marrë pushkët, duke precizuar personin që ka marrë pushkën, numrin e pushkës, tipin dhe sasinë e municionit. Për marrje të pushkëve dhe municionit janë akuzuar: Afrim Bllacaku, Agim M. Leci, Naser Rexha, Shemsi Leci, Fadil Shala, Ekrem Dragusha, Avni Llumnica, Veton Osmani e të tjerë.

Për shkak të këtyre veprave penale, gjykata mori vendim dhe dënoi me burg për të mitur: Agim Bllacakun dhe Agim M. Lecin nga pesë vjet burg, Naser Rexhën dhe Shemsi Lecin me nga katër vjet burg, Fadil Shalën dhe Ekrem Dragushën me nga tre vjet burg, Avni Llumnicën me dy vjet burg, Veton Osmanin një vit burg.

Të miturve të tjerë: Xhemshit Lecit, Pajazit Ndrecit, Nexhat Dragushës, Osman Hamdi Abdullahut, Sami Avdullahut, Osman Sahit Avdullahut, Smajl Koliqit dhe Zenel Krasniqit iu shqiptua masa “edukative” e dërgimit në shtëpinë Edukuese Korrektuese në Lipjan, në bazë të nenit 19 të Ligjit penal të Kosovës. Në këtë Shtëpi Ndëshkuese Korrektuese të miturit do të qëndrojnë më së paku një vit e më së shumti pesë vjet. Lidhur me këtë gjykata do të vendos më vonë. Kundër Lutfi Lecit shqiptohet masa e përforcuar e mbikëqyrjes, ndërsa Xhefer Fetahu lirohet nga aktakuza.

Dënimet janë shqiptuar me kërkesë të Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë PPM. Nr. 42/81 të datës 2.7.1981. Prokuror Nanda Vllahoviq”. Për të dëshmuar veprat penale që iu ngarkoheshin, gjykata u mbështet në të dhënat e dëshmitarëve. Si palë e dëmtuar konsiderohen punëtorët e Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Beogradit, si: Radullo Uskokoviq nga Beogradi, pastaj Vidoje Simiq, Dragomir Jelisaviq dhe Branisllav Dimiq, të gjithë nga Beogradi. Në cilësi të dëshmitarëve u morën edhe: Rrustem Morina profesor nga Prishtina, Ismajl Qosaj, po ashtu profesor nga Prishtina, Gjergj Nikëprelaj, udhëheqës i paraleles së ndarë të QSHAM në Besi, Rrahman Reçica nga Besija, Lubomir Neiq nga Beogradi, Rexhep Rexhepi drejtor i shkollës fillore “Nexhmedin Mustafa” në fshatin Besi, Gojko Stanishiq nga Vitomirica, Salih Pllana nga Prugovci, Xhafer Osmani nga Besia, Bajram Syla nga Rimanishta, Zymer Krasniqi nga Besia si dhe përfaqësuesit ligjor të të miturve, kryesisht prindërit e tyre, disa prej të cilëve ishin mbajtur në paraburgim së bashku me bijtë e tyre të mitur. Ky gjykim është mbajtur nën masa të rrepta të sigurisë dhe ka qenë i mbyllur për opinionin.

Gjatë bisedimeve me këta flamurtarë të parë të Republikës së Kosovës, fitohet përshtypja se të gjithë kanë synuar organizimin e rezistencës së armatosur. Sami Leci dhe Zijadin Hoxha, Agim Leci, Ibush Kelmendi, Vehbi Leci dhe të tjerët rrëfejnë në imtësi të gjitha zhvillimet e atyre ditëve heroike, kur ata si të rinj ishin përleshur me milicinë serbe, e cila nga Beogradi po vinte në Kosovë për të shtypur demonstruesit.

Atmosfera e krijuar me 2 dhe 3 prill të vitit 1981, kur pothuajse tërë Kosova ishte ngritur në këmbë dhe po protestonte, kishte marrë përmasa të një kryengritjeje të përgjithshme popullore. Pikërisht për shkak të përmasave që kishte marrë revolta, Komiteti Krahinor me urdhër të Beogradit, më 3 prill përmes zëdhënësit besnik, Xhavit Nimani kishte marrë vendim për shpalljen e gjendjes së Jashtëzakonshme dhe vënien e Kosovës nën administrim ushtarak, prej 3 deri më 18 prill të vitit 1981.

Këta flamurtarë të parë të Republikës së Kosovës, shkuan më larg se protestuesit paqësorë në Prishtinë dhe në qytete të tjera të vendit. Këtyre iu takon merita që kishin ndërmarrë një hap historik, hapin e parë në atë kohë, meqë kishin rrëmbyer armët me qëllim për të krijuar grupe të armatosura dhe për të ngritur barrikada të kundërvënies. Barrikadat i kishin ngritur. Ata kishin ndërprerë qarkullimin në rrugën Prishtinë-Besianë, kishin çarmatosur disa rezervistë serbë, që vinin nga Serbia dhe ua kishin rrëmbyer armët, por nuk i kishin vrarë, meqë ishin përcaktuar për t’ u vetëmbrojtur nga kriminelët. Ata kishin filluar patrullimin e rrugëve dhe kishin ndaluar çdo njeri te i cili dyshonin.

Merita e tyre është e jashtëzakonshme pikërisht me faktin se arritën të përshkallëzojnë protestat dhe me veprat e tyre të drejtpërdrejta kundër milicisë serbe dhe kundër tërë aparaturës shtypëse, ata hapën një kapitull të ri në historinë tonë të re. Kjo, dhe revolta të tjera të ngjashme bënë që kryengritja të shpallet si kundërrevolucion, me çka edhe fillon rruga përfundimtare e shkëputjes së Kosovës nga kthetrat e robërisë serbe. Këta prijatarë të Republikës së Kosovës me heroizmin e tyre të treguar më 2 dhe 3 prill të vitit 1981 shënuan një faqe të ndritur të historisë sonë të rezistencës aktive, e cila, falë përkushtimit të gjeneratës revolucionare të vitit 1981, nuk e ndaloi veprimtarinë atdhetare dhe mori pjesë në tërë procesin e çlirimit nga robëria okupatore serbe.

Këta flamurtarë të lirisë nuk i përkisnin asnjë grupi ideologjik. Ata, mbështeten fuqishëm aspiratat për liri, drejtësi dhe barazi, duke bërë një hap më tej.

Edhe gjatë kohës së mbajtjes në burg, kundër këtyre flakadanëve të parë të Republikës së Kosovës, regjimi serb ushtroi dhunë sistematike. Të gjithë, madje edhe disa nga të miturit u dërguan në vuajtje të dënimit nëpër kazamatet jugosllave si në Novi Sad, Zrenjanin, Suboticë e deri në Goli Otokun famëkeq në Kroaci. Asnjëri prej këtyre të rinjve nuk arriti të shkollohet pas daljes nga burgu, qoftë për shkak të kohëzgjatjes së burgut deri në 10 vjet, qoftë sepse ishin të etiketuar si armiq të Jugosllavisë, sepse shoqëria e ideologjizuar e bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me sllavë, që e përfaqësonin fuqishëm Azem Vllasi, Ali Shukriu, Rrahman Morina dhe tërë politika pro serbe, ua mbylli të gjitha rrugët për dije përparim, por edhe për ekzistencë. Ata mbeten luftëtarë të përhershëm dhe të përjetshëm të Republikës së Kosovës, mbetën nën mëshirën e kohës edhe pas luftës fitimtare dhe çlirimtare të UÇK-së e deri në ditët tona, deri në 27-vjetorin e fillimit të veprimtarisë së tyre çlirimtare.

DISA NGA KËTA FLAMURTARË TË PARË TË LIRISË, U DËNUAN PËR TË NJËJTAT VEPRA PENALE GJATË KOHËS SA ISHIN DUKE VUAJTUR DËNIMIN

Duhet veçuar me këtë rast një ndëshkim tjetër djallëzor, i cili iu shqiptua prijësit të këtij grupi, Zymer Krasniqit, i cili së bashku me dy të dënuar të tjerë, Abedin Bala nga Korratica e Drenicës dhe Bajrush Murati nga Prekazi, të cilët ndodheshin në vuajtje të dënimit në Novo Mesto të Sllovenisë, u ridënuan për shkak se nuk i kishin ndërruar bindjet dhe kishin vazhduar ta afishonin kërkesën “Kosova Republikë”, nëpër lokalet e burgut.

Gjykata themelore në Novo Mesto, Njësia në Trebinje, Nr. K 55/85-34, në bazë të nenit 45/II pika 3 e Ligjit Penal të vendit dhe në bazë të nenit 22 të LKP u ngrit aktakuza kundër Zymer Krasniqit nga fshati Besi, Bajrush Muratit nga fshati Prekaz dhe Abedin Balës nga fshati Karraticë e Epërme. Në këtë aktakuzë shkruan se Zymer Krasniqi, Bajrush Murati dhe Abedin Bala me anë vizatimesh kanë ftuar dhe nxitur për ndryshimin kundërkushtetues të sistemit shoqëror socialist, gjatë kohës sa ishin duke vuajtur dënimin në KPD (Shtëpia Ndëshkuese Korrektuese) pranë Mirnës në Novo Mesto të Sllovenisë, Zymer Krasniqi dhe Bajrush Murati kanë shkruar në një fletë të bardhë tekstin “Kosova Reëpublikë” dhe e kanë varur në murin e korridorit, përpara dhomave të të burgosurve. Abedin Bala ka vizatuar në një fletë letre stemën, e cila përfaqëson stemën e Republikës së Kosovës, kurse në letër ka shkruar “Kosova Republikë” dhe të dy letrat i ka varur në korridor, përpara domave të të burgosurve. Prokurori publik themelor, slloveni, Niko Bricelj, si rrethanë rënduese kishte marrë faktin se këto afishime ishin bërë më 29 nëntor 1983, pikërisht në Ditën e Republikës së Jugosllavisë, andaj këto veprime i kishte trajtuar si provokim të llojit të vet. Si rrethanë tjetër rënduese për Abedin Balën kishte marrë edhe faktin se vazhdonte edhe më tej ta përkrahte qëndrimin për shpalljen e Republikës së Kosovës.

Më 30.1.1986, Gjykata Themelore e Trebinjes, me kryetar të trupit gjykues: Anton Zhitka dhe gjyqtarët: Andreja Hrovat e Anton Remsa, shpallin fajtor dhe dënojnë tre të akuzuarit: Zymer Krasniqin, Bajrush Muratin dhe Abedin Balën. Në gjithëve iu kishte ngritur shkalla e dënimit edhe për një vit, ndërkohë që Abedin Bala mbytet mizorisht në tortura në Burgun Qendror të Beogradit.

urimet

– Aktgjykimi në gjuhën shqipe i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë K. 147/ 81, më 13. 8. 1981.

– Aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, kundër grupit të të miturve, Pm-nr. 37/81, pas seancave të mbyllura, të mbajtura më 20, 21, 22 korrik të vitit 1981.

– Aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, PP nr. 84/81, K 110/81.

– Aktgjykimi i Gjykatës Supreme të Kosovës më 14 janar 1982, Ap-nr.453/81.

– Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Novo Mesto të Sllovenisë, në gjuhën sllovene, më 30.1.1986, K 55/85-70.

– Zijadin Hoxha, Sami Leci, Ibush Kelmendi, Agim Leci, intervista dhënë Radios-Kosova e lirë, mars 2005 dhe shkurt 2008.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …