Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Ku e sheh komunizmin në Kosovë, Ardi Nurellari ?

Lufta donkishoteske në Kosovë dhe në Shqipëri, e disa analistëve,  për sikur thuhet “dekomunistizim”, është një përpjekje, në radhë të parë e pandershme, kombëtarisht e dëmshme, e pajustifikueshme politikisht  dhe ka për qëllim diskreditimin e një pjesë të lëvizjes së ndritshme, arsimore,  kombëtare e shoqërore të shqiptarëve në Shqipëri dhe në trevat e tyre, për një kohë të gjatë, në regjimet komuniste e socialiste, në Shqipëri dhe në ish- RSFJ.

Të merresh  sot me komunizmin, do të thotë të merresh me “mullinjtë e erës”, me përpjekje për t’ ua ndërruar lëkurën shqiptarëve, të cilëve nuk ua ndërron dot, por një analisti sikur këtij Nurellarit, duket se kjo luftë i bën nder, për ta forcuar bindjen se qenka   një antikomunist i thekur,  edhe pse i vonuar për 30 vjet, por  gjithsesi edhe tani me mendësi të robit të idealeve borgjeze kapitaliste, pa i njohur rrjedhat shoqërore politike në raport me kontestin kohor, ose duke i kamufluar ato me gëzofin e të moderuarit.

Se cilat kanë qenë përfitimet e kombit shqiptar në Shqipëri dhe në trevat e pushtuara nga ish-RSFJ në kohën e komunizmit, në periudhën 1945-1990, këto dihen mirëfilli dhe ato në radhë të parë  kanë lënë begati kombëtare në arsimim, kulturë, zhdukje të analfabetizmit, punë në të gjitha fushat për një mirëqenie dhe barazi sociale, ndërgjegjësim klasor e kombëtar, zhvillim rapid intelektual në të gjitha segmentet dhe zënie e hapit me  kohën, pas errësirës qindravjeçare, feudale e kapitaliste.

Kjo periudhë për shqiptarët ka shënuar digën e rizgjimit përfundimtar të tyre, për këndellje fizike e shpirtërore dhe për ta zënë hapin me kohën, që kishte stagnuar   për shekuj të tërë.

Askush në Kosovë nuk është dënuar nga regjimi jugosllav  për bindje antikomuniste, por të gjithë shqiptarët liridashës, qoftë ata që kanë qenë në struktura e organizuara komuniste të pas luftës, qoftë luftëtarët e NDSH-së, (të cilët padrejtësisht janë dënuar si ballistë me ligjet e luftës, edhe pse në Kosovë nuk pati parti të Ballit), qofshin veprimtarë të Lëvizjes së Fshehtë atdhetare, janë dënuar persekutuar, vrarë e masakruar,  vetëm sepse kërkonin liri, drejtësi, barazi, vetëvendosje, pikërisht ato të drejta të proklamuara verbalisht  në programin e komunistëve jugosllavë,  dhe të shoqërive komuniste kudo të botë. Regjimi jugosllav nuk i realizonte ato, ose i realizonte në mënyrë selektive.

Lufta për  liri barazi dhe të drejta kombëtare, ishte e orientuar kundër një Shteti, i  cili nën maskën e deklaruar të komunizmit  dhe barazisë sociale, kishte realizuar kërkesat hegjemoniste të borgjezisë serbe për privimin e shqiptarëve nga e drejta për vetëvendosje.

Të kërkosh sot “dekomunistizim” në Kosovë, do të thotë të jesh i verbër politikisht, ose të jesh në shërbim të qarqeve, që pretendojnë thellimin e ndasisë dhe përçarjes  mes shqiptarëve, ose të paguhesh nga Greqia e Serbia,  sikur paguhen shumë analistë të këtij soji, kudo në trojet shqiptare, madje me fonde shumë të majme. Se në cilat fonde kullosin këta analistë, nuk dihet, por me të drejtë mund të paragjykohet.

 Që ky analist nuk e njeh fare realitetin në Kosovë, në kohën për të cilin pretendon të na mësojë dhe të na shesë mend, kjo hetohet që në fillim, kur ia  qan hallin vendit tonë,  sepse “ende nuk ka përshkuar një proces të mirëfilltë të dekomunistizimit”, dhe ky sipas tij qenka problemi të cilin shqiptarët në Kosovë nuk e paskan parë as ditur, po ja që ky i gjithë dituri  tani ka marrë  mundin e Doktor Adhamudhit  do të na mësojë, se kur të sëmurët njëri sy, është më mirë të hiqet e të mos e sëmurë edhe tjetrin.

Sa për faktin se ne nuk e kemi njohur si duhet Shqipërinë e kohës së Enver Hoxhës dhe se paskemi bërë gabim të madh, që nuk e paskemi njohur sikur po e njihka ai  duhet theksuar faktin, më të njohur e më të argumentuar historik se  pa Shqipërinë e Enver Hoxhës, pa ndikimin dhe frymëzimin revolucionarë të kohës, pa mësimin e historisë së vërtetë të shqiptarëve, pa këmbimin kulturor me Shqipërinë të vitet 70, në Kosovë,  nuk do të kishte lëvizje të mirëfilltë politike atdhetare, as luftë çlirimtare në trojet tona.

Po ja që faktet nuk i duhen këtij analisti dhe  ai  nuk përmend as edhe një shërbim kombëtar të Shqipërisë së kohës, për shqiptarët jashtë Atdheut, por përpiqet të na tregojë se Enver Hoxha paska qenë diktator, se komunizmi qenka aq i keq sa u dashka tani në Kosovë t’ i marrim armët dhe t’ i pushkatojnë ata pak pleq që kanë mbetur prej  kohës së komunizmit. Ky analist  nuk e kupton se rinia atdhetare e Kosovës, ajo që luftoi për çlirimin e vendit, nuk e çliroi atë nga komunizmi jugosllav, por nga regjimi  fashist kriminal i Sllobodan Milosheviqit, apo ndoshta mendon se shqiptarët në kohën e UÇK-së paskan luftuar komunizmin jugosllav dhe jo fashizmin serb.

A thua ku ka qenë ky njeri në kohën e luftës dhe anën e kujt e ka mbajtur?

Duke marrë mundin për të na treguar se sa  syleshë paskemi qenë ne që kemi mbajtur mijëra vite burg në kohën e regjimit jugosllav, Ardi mundohet të na bind se, “Në Kosovë paska qenë edhe një tjetër segment i shoqërisë që ka pasur një lidhje me mendimin e majtë komunist e që lidhej kryesisht me ndikimin e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe dimensionin e atdhedashurisë. Bëhet fjalë për ata qytetarë të Kosovës që e donin shtetin amë pa kushte, ashtu si ishte qoftë edhe me regjimin enverist. Propaganda ka qenë e tillë prej Tiranës që i maskonte apo i fshinte mirë me efikasitet krimet dhe dështimet e atij regjimi duke ushqyer iluzione të mëdha tek bashkëkombësit përtej kufirit”. (A. Nurellari, Epoka e Re, 1. 1. 2019)

Ja me çfarë pretendimi antishkencor shërbehet, përderisa nuk e di se kreu i Lëvizjes atdhetare në Kosovë ka qenë tejet i pjekur ideologjikisht e kombëtarisht, se mesatarja arsimore e të burgosurve  politikë shqiptarë ka qenë së paku 12 deri 16 vjet shkollë e arsim  të lartë me një vetëdije superiore  revolucionare atdhetare. Ky, analisti, mendon se rinia e shkollës së mesme e pa informuar  sa duhet, e paska dashur Enver Hoxhën dhe Shqipërinë nëpërmjet ëndrrave, duke anashkaluar me hipokrizi se krerët e Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës, nga Gjon Serreqi, Imer Berisha, Halim Spahia, Adem Demaçi, Metush Krasniqi,  Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Hydajet Hyseni, Jakup Krasniqi, Ukshin Hoti,  e qindra të tjerë paskan qenë të vetë mashtruar dhe ja që tani ky na bën me dije se nuk e paskemi njohur regjimin, as marksizmin,  as socializmin, por thjesht paskemi qenë të verbër.

Kjo hipokrizi e këtij analisti, në radhë të parë është fyese për inteligjencien kombëtare shqiptare, sepse një analist i shkolluar  me mësimet e Sali Berishës, nuk duhet lejuar të gjejë shesh, për të bërë përshesh në vendin tonë.

Kosova ka pasur dhe ka flamurin e Piemontit  të shqiptarëve, qysh prej vitit 1878 e deri sot dhe nuk bie në kthetra të këtyre njerëzve që kullosin aty ku mundin, për të mbushur xhepat si ata,  “sallahanat e shakllabanat”  e Gjergj Fishtës.

Nurellari konstaton se “në Kosovë, ”mbetjet e mendimit komunist po u manifestuakan  në ditët e sotme më dukshëm në formën e kundërshtimit të ashpër ndaj privatizimit, reformave të tregut të lirë, dhe kthimit dhe mbrojtjes së pronës private, inkurajimit të sipërmarrjes private e konkurrencës së lirë…”

Nga ky konstatim shihet qertë se ky njeri  nuk  e njeh fare realitetin faktik në Kosovë? Pse nuk përmend as edhe një fakt të vetëm, për ato që pretendon. A e din ky se të gjitha pasuritë dhe resurset që i ka pasur Kosova janë privatizuar nga mafia kapitaliste e vendit nga mercenarët dhe kolaboracionistët e ish regjimeve, sot përfaqësues të denjë të shoqërisë së quajtur demokratike, gjithsesi  kapitaliste, nga kjo faza e anarkisë dhe e xhunglës.

Duke pretenduar se ne në Kosovë nuk kemi haber nga të gjitha ato,  që ai pretendon  për veten e vetë se i  di,  na porosit se tani “paska ardhur koha  e procesit të  pastrimit politik të çmontimit të trashëgimive të institucioneve shtetërore komuniste, mentalitetit, doktrinës, kulturës dhe psikologjisë në shtetet postkomuniste”.

Por me asnjë rast nuk tregon se si u dashka të fillojë kjo luftë, kush u dashka ta bëjë këtë luftë, për hir të kujt u dashka të fillojë ky proces i shpikjes së mendjes së tij dhe çka fiton Kosova tani kur është në luftë me Serbinë, në luftë për ta mbrojtur Shtetin nga Serbia dhe Rusia. Çka fiton Kosova nëse tani, sipas një mendje të tillë fillon  një luftë kundër ish komunistëve jugosllavë, të cilët de fakto edhe nuk janë më në jetë, përveç ndonjë rasti të rrallë.

Çlirimtarët e Kosovës asnjëherë deri tani nuk kanë kërkuar “dekomunistizim”, por hapje të dosjeve për spiunët, tradhtarët, mercenarët, kolaboracionistët, jo sepse i kanë takuar Lidhjes Komuniste Jugosllave, apo Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës, por thjesht sepse i kanë shërbyer një pushteti okupator, i vendosur mbi trojet shqiptare qysh prej vitit 1912 me ndihmën e Rusisë dhe bekimin e Evropës.

Çlirimtarët e Kosovës kanë kërkuar  nga bijtë e bijtë e bijat e atyre kolaboracionistëve,  të reflektojnë dhe të kërkojnë falje për veprat e baballarëve të tyre, jo sepse kanë qenë komunistë, sepse në kohën e tyre komuniste dhe socialiste ishin  dy të tretat e botës, por sepse kanë qenë në shërbim të pushtetit okupator, kanë kryer krime të caktuara, madje edhe të shëmtuara,  kanë ushtruar dhunë fizike kundër bashkëkombësve të tyre,  të cilët kanë vepruar në drejtim të çlirimit dhe bashkimit kombëtar.

Çlirimtarët e Kosovës sot kërkojnë nga tipat si ky Nurellari të merret me punë të tjera dhe jo të kërkojë e të nxisë luftë përbrenda shqiptarëve,  në Kosovë, me shembullin e Azem Hajdarit e të Sali Berishës, në luftë  për ta çrrënjosur komunizmin nga pozitat e fashizmit,  sepse  një luftë të tillë nuk e pranon Kosova, edhe pse e duan dhe  e pranojnë lakejtë e shërbimeve të huaja sekrete, që tash për tash lëvrijnë si lavra në Kosovë dhe kudo të trojet shqiptare.

Prishtinë

  1. 1. 2019

Kontrolloni gjithashtu

Grupi Parlamentar i PDK-së refuzon pjesëmarrjen në seancën e thirrur për adresimin vjetor të presidentes Osmani

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, refuzon edhe këtë vit pjesëmarrjen në seancën e …