Fillet e kulturës shqiptare në Kosovë dhe në trevat shqiptare të rimbetura nën Jugosllavi, pas Luftës së Dytë Botërore, datojnë qysh në vitet e para të “çlirimit”.
Partizanët e Kosovës, në krye me Fadil Hoxhën, Xhavit Nimanin, Ali Shukriun Hivzi Sylejmanin, Esad Mekulin, Mehmet Hoxhën, Sezai Surroin e shumë të tjerë, gjatë luftës së Dytë Botërore ishin bashkuar në celulat e Partisë Komuniste Jugosllave. Disa nga ata kishin qenë edhe anëtarë të grupeve komuniste që vepronin në Shqipëri, që nga viti 1941 kur u krijua Partia Komuniste e Shqipërisë e më herët. Ndërkohë, Partia Komuniste e Jugosllavisë, kishte bërë përpjekje të pareshtura që t’ i ofronte të gjithë komunistët shqiptarë, në mënyrë që ata të futeshin në kuadër të PKJ. Këto përpjekje kuadrot komuniste jugosllave i realizuan deri diku nën maskën e internacionalizmit proletar, duke qenë se PKJ, ishte pjesë e Kominternit dhe e njohur si parti e konsoliduar që mbante vijën marksiste-leniniste.
Nga pamundësia për ta marrë kontrollin e Partisë Komuniste të Shqipërisë, të cilën që nga fillimi e udhëhoqi prijësi komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha, komunistët jugosllavë si Svetozar Vukmanoviq Tempo, Milladin Popoviq, Dushan Mugosha, Spasoje Gjakoviq, e të tjerë, u mjaftuan edhe me faktin që t i fusin në radhët e veta komunistët shqiptarë të Kosovës, e viseve shqiptare, të cilët edhe u rreshtuan në radhët e PKJ-së, për të qenë pjesë e saj, madje edhe si një lidhje mes dy partive komuniste.
Të mashtruar me këtë ofertë, partizanët e Kosovës formuan disa celula, pastaj edhe njësi e radha partizane, të cilat në tërësi dirigjoheshin nga komunistët serbë, edhe pse ata ishin pakicë kombëtare në Kosovë. Në rrethana të tilla, megjithatë kishte mundësi veprimi dhe një pjesë e komunistëve, që kishte edhe ideal kombëtar, filloi të interesohet për realizimin në praktikë të të drejtave të proklamuara. Në këtë mes do të shquhen, Fadil Hoxha, Esad Mekuli, Emin Duraku, Hivzi Sylejmani, Hajdar Dushi, Mustafë Bakija e disa të tjerë.
Në kushte dhe rrethana të tilla komunistët shqiptarë të Kosovës treguan mungesë vizioni dhe ranë nën ndikim të proklamatave të PKJ-së e cila shpallte botërisht barazinë e kombeve për Vetëvendosje deri në shkëputje. Ata, në gusht të vitit 1945, në Prizren, modifikuan “Rezolutën e Bujanit të 31.12 1943 dhe 1.2. janar 1944”, e cila proklamonte vetëvendosjen e shqiptarëve dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Komunistët e Kosovës, nën një presion sidomos të elementit serb e proserb, vetëvendosën që Kosova të mbetej në kuadër të Republikës së Serbisë, me një autonomi kulturore.
Ende pa mbaruar lufta, pikërisht në kohën kur Jugosllavia titiste kishte shpallur gjendjen e shtetrrethimit në territorin e Kosovës, dhe disa divizione jugosllave kishin sulmuar Drenicën duke vrarë e masakruar mijëra shqiptarë, të cilët me forcën e armëve nuk lejonin që Kosova t i bashkohej dhunshëm Jugosllavisë, më 12 shkurt të vitit 1945, në Prizren kishte dalë numri i parë i gazetës “Rilindja”, fillimisht një pamflet politik i komunistëve të Kosovë-Metohisë.
“Kjo gazetë u shtyp në Shtypshkronjën Shtetërore, në Prizren nga numri 1 deri në 60-të. Numri 61 i gazetës faqoset dhe shtypet në Prishtinë, në Shtypshkronjën Krahinore të Frontit Popullor”. Në fillim ishte e përjavshme vetëm me katër faqe deri më 27 qershor 1948, fillon të dale dy here në javë, të dielave dhe të enjteve. Pastaj, nga nëntori i vitit 1948 nis të dalë gazetë e përditshme. Edhe pse nën censurë të fortë partiake, kjo gazetë e përditshme ishte i vetmi burim i informimit dhe i kulturës për shqiptarët, në Kosovë e më gjerë. Përmbajtja e gazetës ishte e karakterit informativ, si organ i Frontit t’ Unjisuem Nacional çlirimtar të Kosovë e Metohis”. Si e tillë ajo, në fillet e saj kishte karakter pamfletist, politik dhe ideologjik, ndërkohë që në faqet e saj zhvillohej propaganda kundër forcave shqiptare që etiketoheshin si reaksionare, të cila po e pengonin “pushtetin populluer” në konsolidimin e programit të PKJ-së për krahinën e Kosovë Metohisë.
Në fillet e saj “Rilindja” ishte gazetë tipike, pamfletiste, komuniste, me orientin projugosllav dhe qëndrim të theksuar kundër Shqipërisë, sidomos kundër forcave të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare. Pavarësisht se në esencë ishte një gazetë-pamflet për afishimin e parullave të sistemit komunist jugosllav, Rilindja, me kohë do të krijonte hapësirë edhe për tema arsimore, kombëtare, shoqërore, madje edhe ekonomike e politike të cilat lidheshin me arsimimin e popullatës shqiptare. Nga viti në vit, kjo gazetë, edhe pse gjatë tërë kohës së daljes nuk u shkëput dot nga programi politik-ideologjik jugosllav, në një masë të madhe falë emrave të caktuar të gazetarëve e krijuesve shqiptarë, ajo luajti një rol me rëndësi në zhvillimin dhe përparimin e kulturës kombëtare, në këtë pjesë të trojeve shqiptare.
Rilindja, nga viti në vit, nga deceniet në decenie ka pasqyruar rriten arsimore e kulturore të shqiptarëve në Kosovë dhe në trevat e tjera, në përpjekje të vazhdueshme edhe për trajtimin e temave me rëndësi kombëtare, edhe pse temat e tilla censuroheshin nga redaktorët, shumica syresh besnikë të devotshëm të politikave të bashkim vëllazërimit. Rilindja ka trajtuar dhe ka pasqyruar të gjitha ngjarjet me rëndësi politike të Lëvizjes kombëtare, por gjithnjë nga pozicioni i LKJ-së. Duke qenë e censuruar dhe e vetë-censuruar nga brenda ajo e trajtoi armiqësore “Lëvizjen Revolucionare të Bashkimit të Trojeve Thqiptare”, në krye me Adem Demaçin në vitin 1963, dënoi Demonstratat e vitit 1968, dënoi edhe më ashpër demonstrata e protestat e Marsit e Prillit të vitit 1981 dhe i mbeti besnike LKJ-së deri në kohën kur regjimi kriminal i Milosheviqit e mbylli në vitin 1990.
Sa i përket Rilindjes, duhet pasur para sysh dy çështje qenësore, deri diku edhe të ndryshme.
Drejtuesit e gazetës, sidomos drejtorët dhe redaktorët, po thuajse të gjithë pa dallim gjatë të gjitha viteve të botimit, në konceptin e redaktimit dhe përmbajtjes ideopolitike të gazetës, kanë mbështetur fuqishëm programin unik jugosllav. Por kjo nuk ka ndodhur me gazetarët, me një pjesë të konsiderueshme të tyre. Ata, në të gjitha momentet kyçe politike u rreshtuan me zërin ne popullit, me zërin e ndërgjegjësuar të kërkesave të drejta për liri, barazi e vetëvendosje.
Historia e “Rilindjes” nuk mund të krenohet me emrat e disa redaktorëve, por është krenuar dhe krenohet me shumë emra të veprimtarëve, shkrimtarëve e intelektualëve të cilët në periudha të caktuar mbështeten fuqishëm të drejtat e shqiptarëve për liri e bashkim.
Përveç Rilindjes, e cila prej viteve të para të botimit mbulonte informimin, arsimin, kulturën, në jetën intelektuale të vendit, në vitin 1949 filloi të dalë në dritë edhe revista letrare: “Jeta e Re”, e cila ishte revistë dymujore dhe është botuar në kuadër të OPGBG “Rilindja” në Prishtinë. Numri parë i kësaj reviste ka dalë në korrik të vitit 1949. Drejtor përgjegjës ishte Zekrija Rexha. Kryeredaktorë kanë qenë: Esad Mekuli, Rrahman Dedaj, Rexhep Qosja, Hasan Mekuli, Ali Demë Jasiqi. Më vonë këtë revistë letrare e kanë redaktuar: Vehap Shita, Anton Pashku, Azem Shkreli, Nazmi Rrahmani, Din Mehmeti, Ali Podrimja, Mensur Raifi, Mehmet Kraja e të tjerë. Numri i parë doli nën përkujdesjen dhe udhëheqjen e Esad Mekulit, që ishte dhe themeluesi i saj, por dhe drejtuesi për vitet 1949 – 1972. Numri i parë ishte i një formati prej 88 faqesh dhe për vitin e parë u realizuan 3 numra. Ndërkohë që me kalimin e viteve dhe me zhvillimin e saj, por edhe krijimin e përvojës numrat kanë shkuar gjithnjë në rritje, nga 3 në 6 (në 1950) e 12 (në 1950).
Revista letrare, “Jeta e Re”, pavarësisht rrethana të censurës së fortë ideologjike partiake që ushtohej nga Beogradi dhe që zbatohej verbërisht nga mercenarët vendës, arriti të bëhej një revistë e mirëfilltë letrare ku fillet e veta poetike, letrare e artistike i botuan shumë krijues nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. “Jeta e Re” redaktohej nga poeti, Esad Mekuli i cili kishte një mbulesë të fortë partiake si anëtar i hershëm i PKJ-së dhe intelektual me autoritet edhe në qarqet jugosllave, Ai kishte bashkëpunuar edhe gjatë Luftës partizane ne shtypin ilegal dhe emri i tij tashmë radhitej në mesin e krijuesve dhe intelektualëve të kohës. Duke qenë në pozitë delikate si komunist dhe me vetëdije të theksuar kombëtare, Esad Mekuli, rrugën e tij krijuese e trasoi duke mbështetur më shumë kombin, përparimin, shkollimin e arsimimin e shqiptarëve sesa Partinë dhe platformat e saj ideopolitike.
Me një kujdes të veçantë, i vetëdijshëm se në kushte dhe rrethana delikate edhe mund të sulmoje e të diskreditohej nga pushteti, ai zgjodhi një rrugë specifike në veprimtarin e tij krijuese e redaktuese. Ishte Esad Mekuli i cili, mori guxim dhe botoi shkrimet e Adem Demaçit, i cili në letërsisë shqipe të viteve 50 në Kosovës, ringjalli letërsinë e angazhuaar sociale, si mjet për pasqyrimin e të realitetit dhe pozitës së rëndë të shqiptarëve në Jugosllavi, duke aspiruar lirinë dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë. Është meritë e Esad Mekulit i cili me botimin e tregimeve të Demaçit e më vonë edhe me botimin e romanit “Gjarpinjtë e gjakut” e bëri të njohur si prozator e shkrimtar.
(Esad Mekuli është poeti i parë dhe më i njohur i Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore. Ai lindi në Plavë, më 17 dhjetor 1916 dhe vdiq në Prishtinë më 1993. Familja e tij në Plavë kishte ardhë nga Nokshiqi. Babi i Esad Mekulit, edhepse ishte hoxhë, fëmijët e tij i orientoi në shkollim jofetar. Esad Mekuli, shkollën fillore e kreu në Plavë, në gjuhën serbe. Shkollimin e mesëm-gjimnazin e filloi në Pejë, për ta vazhduar pastaj në Prizren e Sarajevë, ndërsa e përfundoi në Pejë në vitin 1936. Menjëherë pas kryerjes së shkollimit të mesëm u regjistrua në fakultetin e veterinarisë në Universitetin e Beogradit, të cilin e vazhdoi në pastaj në Zagreb e në Italia. Në këtë fushë, ai edhe doktoroi në Beograd në vitin 1959. Si nxënës i shkollës së mesme, por edhe si student dëshmoi se është përparimtar dhe çdo herë gjendej në rrethin e atyre që e kritikonin regjimin e kohës. Pikërisht për këtë ai ndërroi shumë shkolla të mesme dhe fakultete. Madje edhe mjaft shpesh u burgos. Tri herë është burgosur, dhe ka rënë në duar të famëkeqit Kosmajc-shef i policisë. Më së vështiri e ka pasë kur ka kundërshtuar traktin për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi. Esad Mekuli ishte aktivist i dalluar dhe bartës i jetës kulturore të studentëve. Në Beograd ishte edhe redaktor i fletorës Beogradski student. Në këtë sferë siç ka thënë vetë, si gjimnazist ka shkruar romanin Vendeta – hakmarrja, për të damkosë këtë të keqe në mesin e shqiptarëve. Pastaj ka shkruar punime sociale në revistat e ndryshme, si: Venac – Beograd, Mlladost – Zagreb, Podmladak jadranske Staze – Split, Granit – Podgoricë, Novi Behar – Sarajevë, Student – Beograd e të tjera. Në këto revista ka shkruar në gjuhën serbe, dhe çdo herë ka shkruar për popullin e vet – shqiptarët, të cilët i ka mbrojtur kur të tjerët i kanë akuzuar. Si student përparimtar ai u burgos në vitin 1940 dhe qëndroi në burgun famëkeq “Gllavinjaqa”, prej nga u amnistua me 2 prill të vitit 1941. Pas daljes nga burgu u paraqit vullnetar dhe punoi si veterinar ushtarak në Pejë. Këtu në vitin 1942 e burgosën për shkak të punës ilegale dhe bashkëpunimit me lëvizjet çlirimtare. Ka qëndruar i burgosur në Kullën e Sheremetit. Pas lirimit, ai u gjend herë në Zagreb, herë në Tiranë, madje edhe në Itali. Në fund të vitit 1943 ai i bashkua aradhave partizane dhe ishte redaktor i gazetës ilegale partizane Lirija.
Edhepse shkencëtar, Esad Mekuli, punës krijuese nuk iu nda kurrë. Ai pas Luftës së Dytë Botërore, punoi punë të profesionit të vet, por ishte edhe redaktor në gazetën e vetme shqipe Rilindja e pastaj themeloi revistën letrare Jeta e Re ku arsimoi gjenerata të tëra të letrarëve, të cilët edhe e pagëzuan bard të letërsisë shqipe në Kosovë e më gjërë. Megjithatë, edhe vetë shkroi dhe bashkëpunoi me shumë gazeta e revista shqipe, si: Rilindja, Zëri i rinisë, Fjala, Pionieri, Përparimi, Shëndeti në Prishtinë, Flaka e vëllazërimit të Shkupit dhe me ato në gjuhën serbe: Jedinstvo e Stremljenje të Prishtinës, Borba, Politika, Književne novine, Mostovi të Beogradit, Pobjeda dhe Stvarenje të Pdgoricës, Bagdalla të Krushevcit, Republika dhe Forum të Zagrebit. Esad Mekuli ishte kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, nismëtar, themelues dhe kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Pos shkrimeve kryesisht në poezi, Esad Mekuli ka përkthyer nga gjuha shqipe në ate serbe dhe anasjelltas. Ka përkthyer në shqip rreth 18 vepra të të gjitha gjinive lerare. Poezitë e Esad Mekulit janë përkthyer në gjuhën serbe, maqedone, hungareze, kroate, italiane e të tjera. Punimet e tij janë prezantuar në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe, por edhe në shumë antologji botërore. Esad Mekuli ka shkruar edhe me pseudonimet Sat Nokshiqi dhe Sat Hoxha. Vdiq në Prishtinë me 6 gusht 1993.) Vikipedia.