Sulmi sado që i paralajmëruar, gjithsesi i natyrës terroriste dhe me pasoja tragjike për disa gazetarë të Gazetës satirike, “Sharli Hebdo”, ka nxjerrë në sipërfaqe edhe shumë ujëra të zeza, ndotës të gjithçkaje të shenjtë, madje edhe të tillë që tallin Zotin dhe konfirmojnë se nga liria e shprehjes nuk duhet të kurset as hyji, i cili për ateistët e Sharlit nuk ka ekzistuar, as ekziston. Kjo nuk është diçka e papritur, sepse ateistë në botë ka pasur qysh prej krijimit të saj dhe do të ketë deri në mbarim. Vetë bota është krijuar në principin e unitetit të të kundërtave dhe kjo nuk e habit as kë, teistët apo ateistet, meqë dashur pa dashur jetojmë në të njëjtën botë edhe të shumë diversiteteve të tjera.
Rasti i një ndëshkimi brutal dhe tragjik të satirikëve -sarkastikë dhe krejt të papërmbajtur të gazetës së Parisit, “Charlie Hebdo” krijoi një klimë helmimi, (më shumë virtuale) edhe në Kosovë dhe në trojet e ndara të Shqipërisë.
Vajtja në Paris, për të marrë pjesë në “Marshin e Bardhë” e katër klerikëve të lartë të feve zyrtare të Shqipërisë, ishte një rast i shkëlqyer, që bota shqiptare, pati rast ta shpërfaqë, në këtë mort. Ishin katër klerikët, vëllezër gjuhe e gjaku, (pse jo edhe feje, meqë të gjithë besojnë në një Zot), të cilët dora-doras i treguan parisienëve dhe mbarë botës se toleranca fetare është e mundshme, se ajo ekziston, vetëm se duhen koka të kthjellëta për ta pranuar dhe për ta manifestuar, duhet tolerancë njerëzore e vëllazërore, duhet kulturë e fuqishme njerëzore për ta mirëkuptuar dhe për ta mbështetur edhe besimin e tjetrit.
Atë ditë parisienët në zi patën të vetmin rast për duartrokitje, edhe pse zakonisht në raste tragjike nuk duartrokitet, por në sheshin kryesor të Parisit, gjatë parakalimit të manifestuesve ndodhi një fenomen i mahnitshëm, andaj edhe zija e pikëllimi shpërthyen në duartrokitje aprovimi për një manifestim konkret paqeje e lirie ndërfetare, manifestim fizik, publik, meqë ishte në radhë të parë ekskluziviteti dhe mosdurimi fetar që shkaktoi tragjedinë. Këtë e kuptonte secili që duartrokiste.
Vajtja në Francë e katër klerikëve shqiptarë iu përshkua si meritë, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, madje u përfol se ai këtë e bëri për përfitime politike. Pastaj, nga urrejtja e pa përmbajtur që kanë politikanët dhe analistët që u vënë pas, djathtas e majtas, filluan të dalin në sipërfaqe edhe shpërfytyrime dhe pretendime për ta ironizuar këtë “paradë demagogjie”, apo këtë “shpërfillje fetare” apo këtë “teatër të Ramës”. Hashimi dhe Atifetja jonë nuk u kujtuan ta marrin me vete kryeimamin dhe kryeipeshkëvin e Kosovës, të cilët nuk do të kishin hezituar të shkonin, por në mesin e tyre nuk do të gjendej asnjë soj “popi” nga radhët e serbëve që do t’ iu kishte bashkuar. Pa popin serb, nuk mund të prezantohej Kosova mulietnike e multifetare. Ndoshta këta dy kanë edhe ndërgjegje të rënduar, sepse Kosovën e kanë shpallur vend të rrezikuar, sikur thonë ata nga “terroristët islamë”, edhe pse as sot as, as mot, as kurrë, në vendin tonë nuk është shënuar asnjë rast, që mund të kualifikohet si terrorizëm fizik mbi pjesëtarë të një feje tjetër. Terrorizëm verbal edhe pa pasur, por ai është larg terrorizmit fizik-faktik, që po shfaqet brutalisht kudo në botë.
Shembulli konkret, i emancipuar dhe i njerëzishëm i shprehjes dhe manifestimit të kulturës së tolerancës fetare shqiptare, i goditi në radhë të parë gazetarët e ateizmit vulgar, sharës e poshtërues, të cilët në raste të tilla kanë probleme me ndërgjegjen e tyre të vrarë e të nakatosur. Çuditërisht, nga mesi i analistëve të deklaruar si ateistë, pati edhe disa të përmbajtur, me siguri jo nga frika, por nga realiteti faktik, gjithsesi edhe nga ndërgjegjja.
Ndodhi që edhe kësaj radhe vëllezërit tanë ortodoksë e katolikë nuk akuzuan islamin radikal dhe nuk i drejtuan gishtin të ashtuquajturit, “terrorizëm islamik”, të paktën ata u përmbajtën për ta thënë gjatë atyre ditëve.
Ishin dhe janë disa laramanët fetarë, ateistë vulgarë, të cilët u stresuan, u skandalizuan, u çmeritën, të cilët u prekën në sedër dhe sikur ndodh rëndom në ndodhi të tilla të papritura, secili ngarend për të përfituar, për t’ u dukur, për të treguar “mençurinë e tij”, për ta shprehur mllefin apo vetëpërmbajtjen. Një garë e tillë në maratonën e djallëzisë u shpreh sidomos në Shqipëri, pak në Kosovë dhe po thuajse aspak në Maqedoni.
Në emisione të ndryshme të debatit, në botimin e analizave nëpër gazeta e portale në dërdëllitje dhe shfryrje të valvuleve e helmeve të lëshuara nga gojët, sërish dolën në sipërfaqe të njëjtit, ata që atakojnë kulturën e tolerancës fetare, ata që Zotin e quajnë paçavure, ata të cilët nuk pranojnë asnjë lloj shenjtërie dhe të cilëve u pengon pse shumica dërrmuese e të gjithë njerëzve të botës ndiejnë në shpirt “shenjtërinë”, dashurinë e tyre për fenë, për profetët që janë të përbashkët për krishterimin, hebraizmin dhe islamin, për librat e shenjtë të këtyre tri feve dhe për manifestimet e tyre fetare, shpirtërore.
Në këtë mes u dalluan nihilistët dhe anti islamët e njohur si: Ben Blushi, Mustafa Nano, Andi Bushati, disa nga ata të Prishtinës, si Veton Surroi, i cili Kosovën e quan paralagje e Parisit dhe tek tuk disa mjeranë të vetëquajtur analistë, të cilëve nuk do t’ ua përmendim emrat, për shkak të vogëlisë së tyre shpirtërore e trupore, apo kompleksit të tyre anti islam. Çuditërisht ishte mjaft i përmbajtur, Fatos Lubonja, ateisti i deklaruar, i cili ka bërë dhe bën përpjekje të thyejë “tabutë”, sidomos ato që ai i quan mite kombëtare dhe që i pengojnë aq shumë.
Shumica dërrmuese a analistëve shqiptarë e botërorë kanë shfaqur mendimet e observimet e tyre kryesisht të matura, të përmbajtura dhe mjaft të emancipuara për faktin se kanë pasur njohuri për historinë e revistës satirike, për kërcënimet dhe para lajmërimet ogurzeza dhe për ekskluzivitetin fanatik ekstrem të kësaj gazete.
Përpjekja e çoroditur për ta paraqitur kulturën e tolerancës fetare si shpërfillje, apo si një ateizëm të llojit të vet, është përpjekje e mjerë individuale dhe kjo nuk heq në kandar, por përpjekjet për ta paraqitur islamin si fe terroriste, janë të rrezikshme dhe nuk prodhojnë as më shumë as më pak sesa fërkim për terror.
Duhet të kuptohet një herë e mirë se në mesin e besimtarëve tri feve monoteiste botërore ka pasur dhe do të ketë ekstreme, por për to nuk mund të fajësohet akëcila fe, madje as islami, as ata që në emër të krishterimit
Themeluan gjyqin e Inkuizicionit dhe dogjën në turrë të druve qindra mijëra njerëz, që nuk e pranonin krishterimin, apo të paditeshin për herezi.
Ekstremet në këtë rast janë shprehje e prishjes së ekuilibrit fetar, janë interpretimet e verbra dhe fanatike të kodeve fetare, nganjëherë të nxjerra nga një kontest apo nga interpretimi ndryshe i një kodi. Po ashtu, përvoja njerëzore për gjatë historisë 6 mijë vjeçare të besimit monoteist na ka treguar se mos durimi fetar ka shkaktuar tragjedi me përmasa katastrofale, sikur kanë qenë kryqëzatat, ndarja e krishterimit në vitin 1054, inkuizicioni, ndjekja e të pafeve, ndjekja e hebraikëve sidomos në Evropë, invadimi i kalifateve, hakmarrja Perandorisë Osmane për kryqëzatat, për plot pesë shekuj, këto janë pjesë e realitetit historik, faktik, të cilin nuk arrijmë as ta fshehim, as ta injorojmë, sepse në botën tonë ende ka ende shumë porosi që pjellin nga këto zezona.
Kultura e tolerancës fetare ndër shqiptarë, pse jo fenomeni shqiptar ‘auto da fe” i këtij lloji, duhet të shpërfaqet sa më shumë në botë, jo si folklor fetar, jo si gjoja “shpërfillje” të secilit për fe të vet, por si një realitet faktik, historik, sidomos prej kohës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, shembullit të tij dhe të familjes së tij, me ortodoksë, katolikë e islamë. Ai nuk bëri, as predikoi dallime fetare, nuk i vrau turqit pse ishin islamë, por sepse ishin pushtues dhe shkatërrues të Atdheut dhe njerëzve të tij të gjuhës e të gjakut. Ai nuk kërkoi nga Hamza Kastrioti të rikonvertohet, nuk e kërkoi as nga bashkëluftëtari, Hajdin Muzaka dhe nga askush tjetër.
Kjo histori shqiptare e pastër si loti, vëllazëria e njerëzve me fe të ndryshme, fenomeni i Besës ndër shqiptarë, ruajtja me fanatizëm të hebrenjve, që po shfaroseshin jo vetëm nga gjermanët, por edhe nga popujt e tjerë të Evropës, që patën mundësi t’ i strehojnë por nuk e bënë këtë, janë kode kryesore të qytetërimit shqiptar dhe kushdo që mendon se mund t’ i gërmojë apo t’i prish këto kode, e ka të kotë, sepse ato janë pjesë e gjakut, ADN-së tonë shpirtërore, memories historike shqiptare. Mbi këto themele të forta shpirtërore po qëndrojnë shqiptarët edhe pse të ndarë në gjashtë shtete, edhe pse të keqtrajtuar ndër shekuj nga Evropa, edhe pse vrarë e të masakruar nga romakët, sllavët, turqit, serbët, bullgarët, grekët, italo-gjermanët dhe fashistët serbë të Milosheviqit.
Sa gjak, djersë e mund është derdhur nëpër shekuj për t’ u ruajtur dhe për të mos u shfarosur nga gjithë këta, vetëm për ta ruajtur këtë identitet, këtë gjuhë, këtë traditë, këtë tolerancë, njerëzi, humanizëm, këtë shqiptari.