leoni

Ahmet Qeriqi: Kultura shqiptare në Kosovë përballë hegjemonizmit kulturor serb e jugosllav II

Arsimimi i hovshëm i popullatës shqiptare në Kosovë e më gjerë, kontaktet me botën tjetër shqiptare, me Shqipërinë amë, përmes Radio Tiranës, më vonë edhe RTSH-së,  dhe kontaktet ilegale të intelektualëve nga Kosova  me personelin e ambasadave shqiptare në shtete të ndryshme të Ballkanit dhe Evropës, bënin që një pjesë  e inteligjencies shqiptare të orientohej krejtësisht në  jetën kulturore që po zhvillohej  në Shqipëri.


 


 


Tradita e shkrimit shqip në Kosovë, me rastin e pushtimit nga Serbia e më vonë nga Jugosllavia, prej vitit 1912 e deri në vitin 1941, kishte pësuar një stagnim fatal, për shkak se regjimi serb, antishqiptar, nuk lejonte përdorimin as shkrimin e gjuhës shqipe.


Përjashtim bëjnë dy tri vite të Perandorisë  Austro-hungareze, e cila për qëllime të veta lejoi shkollat katolike shqipe, por jo edhe shkollat laike në mesin e shqiptarëve me fe islame.


 


Regjimi “i kralevinës” jugosllave (1918-1941)  shqiptarët i trajtonte si pakicë kombëtare, e cila sipas tyre  duhej të zhdukej doemos, madje me mjete dhe metoda institucionale, me terror shtetëror, dëbim për në Turqi e në Shqipëri, asimilim kulturor e fetar. Sanksionimi zyrtar i përdorimit të shkrimit apo leximit të gjuhës shqipe tregon më së miri qëndrimin ultrafashist të një regjimi, i cili bënte përpjekje ta shfaroste një popull, krejt haptas madje edhe me ndihmesë speciale  nga Franca dhe shumë shtete të Evropës.


Në kushte dhe rrethana të tilla të përpjekjeve për shfarosje kolektive të shqiptarëve, nuk mund të flitej për kulturë, gjuhë, arsim në gjuhën shqipe, por vetëm në gjuhën serbe dhe për kulturën serbe.


“Kralevina” prej vitit 1924 e deri në vitin 1939  kishte lejuar hapjen e disa medreseve, ku krahas gjuhës turke e arabe,  ishte e detyrueshme të mësohej edhe gjuha serbe, me urdhër që mos të lejohej komunikimi i nxënësve shqiptarë në gjuhën e tyre.   Një medrese, e cila pati një ndikim, jo edhe aq spontan të zgjimit të vetëdijes kombëtare shqiptare ishte edhe medreseja “Kral Aleksandar” në Shkup, një shkollë e mesme fetare me disa lëndë laike ku mësonin në përgjithësi shqiptarët,  por edhe boshnjakët e turqit. Nga kjo Medrese do të dalin kuadrot e parë të arsimit e kulturës, të cilët në deceniet në vijim ndihmuan në përhapjen e arsimit shqip në Kosovë e më gjerë.


 


Medreseve në Kosovë, iu kishte marrë autonomia dhe ato drejtoheshin nga imamët shtetërorë, nga ata hoxhallarë, që kishin pranuar pushtetin, të cilit mjerisht edhe i shërbenin, jo vetëm për para. Ata, që kishin ofruar besnikëri ndaj regjimit quheshin “drzhavni imami” (imamë shtetërorë) dhe  paguheshin nga arka e shtetit. Të tillë kishin të drejtë të drejtonin institucionet fetare, jo në gjuhën shqipe, por vetëm në gjuhën turke dhe në atë serbe.


Pavarësisht masave represive, getos fashiste, që regjimi jugosllav iu bënte shqiptarëve, pavarësisht se regjimi monarkik në Shqipëri nuk kishte në plan as mund të bënte gjë në përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve të mbetur nën robëri, shqiptarët arsimdashës e liridashës, nuk u gjunjëzuan por shfrytëzuan çdo mundësi për të mbijetuar dhe për ta zënë hapin me kohën, aq sa mund të arrihej ajo në kushte dhe rrethana të tilla. Në kohën  e regjimit monarkik jugosllav, shumë të rinj nga Kosova migronin në Shqipëri dhe atje kryenin shkolla fillore e të mesme, Disa prej tyre kryen shkollimin në Shqipëri e disa syresh kryen edhe akademitë ushtarake në Itali. Nga viset e pushtuara shqiptare shquheshin intelektualët si: Ali Kelmendi, Bedri Pejani, Asim Vokshi, Xhemal Kada, Ibrahim B. Hoxha, Ramiz Varvarica nga Dibra, Justina Shkupi, Sabrije (Bije) Vokshi, Ibrahim Fehmiu,  Rifat Berisha, Emrush Myftari, Ramadan Çitaku,  Veli Deda (Dedi) Shefqet Bylykbashi, Ymer Berisha, Salih Gjuka, Marie Shllaku, Adem Gllavica, Nexhip Draga, Gjon Serreçi, Omer Çerkezi, Zekerija Rexha, Ibrahim Lutfiu, Ajet Gërguri,  Qazim Bllaca, Ramë Bllaca, Arif Avdi Shala, Adem Guta, Nazmi Gafurri,  Ilaz Agushi, Hysen Terpeza, Mulla Idriz Gjilani, Avdullah Krashnica, Idriz Ajeti, Fetah Jashari, Ramiz Cernica, Mustafë Koka e shumë të tjerë, të cilët në kushte dhe rrethana të njohura historike kanë rënë heroikisht për çështjen shqiptare. 


 


Pas Luftës së Dytë Botërore dhe ri mbetjes së Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavinë, në jetën kulturore në Kosovë ishin ndarë dy pika orientuese. Rruga e jugosllavizmit, e bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me popujt sllave dhe rruga tjetër, rruga e natyrshme e orientimit drejt Shqipërisë, drejt trungut kombëtar. Këto ishin dy rrugët, ku megjithatë ndarja në kulturë ishte më pak e hetueshme sesa në politikë. Në tri deceniet e fundit të shekullit 20-të u bënë edhe përpjekjet e pareshtura dhe vendimtare të shkëputjes së përjetshme nga jugosllavizmi, por mbeti në gjysmë rruga për bashkimin kombëtar të shqiptarëve, jo vetëm për shkak të politikës ndërkombëtare, por edhe në mungesë të vullnetit të klasave politike në Tiranë Shkup e në Prishtinë,  për të vepruar në këtë drejtim.    


Letërsia  e krijuesve të Rezistencës kombëtare, deri vonë e papranuar


(Krijuesit me prejardhje nga Lëvizja e Rezistencës  në Kosovë, ish të burgosurit politikë)


Krijuesit nga radhët e Lëvizjes së Fshehtë Revolucionare ( e njohur si Lëvizja Ilegale) janë të shumtë, si në Kosovë ashtu  edhe në viset e tjera shqiptare nën pushtimin Jugosllav. Ata, fillet e tyre krijuese i kishin mbështetur te letërsia realiste me nota sociale, me qëllim që edhe krijimtaria e tyre artistike dhe diskursi revolucionar të ndikonte në formësimin dhe kalitjen e  ndërgjegjes kombëtare, me synim për çlirimin dhe bashkimin e kombit. Për nga përmbajtja dhe temat që kanë trajtuar të burgosurit politikë, qoftë gjatë kohës sa ishin në vuajtje të dënimit, qoftë pasi janë liruar nga burgu, krijimtaria e tyre përgjithësisht, i përket letërsisë së angazhuar sociale, një lloj realizmi revolucionar, me ndonjë përjashtim, nga ata pak krijues që cilët kanë filluar  ta mohojnë të kaluarën e vet dhe vlerat e vërteta të kësaj letërsie, duke pretenduar ta paraqesin si amorfe. Shumica dërrmuese e poetëve, shkrimtarëve e publicistëve të kësaj kategorie të krijuesve, fjalën e tyre artistike e kishin venë në shërbim të kombit, në shërbim të çlirimit dhe bashkimit kombëtar.


Kjo krijimtari, nuk është trajtuar si e veçantë, në historinë e letërsisë bashkëkohore që është krijuar dhe po krijohet në Kosovë e më gjerë. Madje në periudha të ndryshme ka qenë në shënjestër të regjimit dhe të gjithë krijuesit e tillë janë arrestuar e dënuar me burg, madje edhe janë martirizuar nëpër burgje, si kundërshtarë të regjimit titist jugosllav dhe adhurues e simpatizantë të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Realisht ata ishin dhe mbeten  kundërshtarë pa kompromis të regjimit okupator të RSFJ-së.


Një segment i veçantë i krijimtarisë në Kosovë, është edhe krijimtaria artistike, që është krijuar nga intelektualët me orientim kombëtar,  të burgosurit politikë, gjatë kohës në vuajtje të dënimeve nëpër burgjet anë e mbanë Jugosllavisë. Kjo krijimtari, sado që e censuruar me rigorozitet, me metoda e veprime ilegale kishte arritur të dilte jashtë grilave e dyerve të hekurta, me qëllim për të parë dritë më vonë.


Në mënyrë ilegale në fillim të viteve 70, Simboli i gjallë i Rezistencës Kombëtare, Adem Demaçi, gjatë kohës sa ishte në Burgun e Gradishkës, kishte arritur t’ iu japë familjarëve dramën e tij në pesë akte: “Politika dhe pushka”, e botuar për herë të parë në kompletin e veprave të tij, në vitin 2012, në Prishtinë. Në kushte dhe rrethana të tilla, të burgosurit politikë kanë nxjerrë jashtë grilave edhe shumë krijime artistike, letra, porosi për shokët, skica, vizatime, portrete, poezi etj. Disave prej tyre gjatë kontrollimit të librave e gjësendeve  personale me rastin e lirimit nga burgu ua kanë marrë shënimet, madje edhe përkthimet, qofshin edhe nga gjuha serbokroate.


Kjo krijimtari specifike është zhvilluar në disa  segmente të veçanta


Të burgosurit shfrytëzonin të drejtën për t’ iu dërguar letra familjarëve, të cilat në shumtën e rasteve ishin me përmbajtje komunikuese, si letra nga burgu. Në shumë raste gjatë letërkëmbimit të tillë ishte vënë në përdorim edhe gjuha ezopike, diskursi i nënkuptimit, jo rrallëherë edhe përshkrimi diskret i vuajtjeve e torturave  nëpër burgje, sikur rasti i veprimtarit militant, Rexhep Mala, pastaj Isa Kastrati, i cili gjatë kohës sa ishte në burg, ishte dënuar sërish për shkak se i kishin zbuluar shkrime, që për regjimin konsideroheshin armiqësore. Të burgosurit, gjatë kohës së vuajtjes së dënimeve kanë shkruar edhe poezi e skica, pastaj vizatime e punime artistike. Në mesin e tyre shquhej, Hydajet Hyseni njëri ndër organizatorët kryesorë të Lëvizjes së rezistencës për liri e pavarësi, pastaj me skica e portrete të punuara me mjeshtëri e përkushtim shquheshin edhe vëllezërit, (tani dëshmorë), Gursel e Bajram Sylejmani, pastaj Sylë Muja, Xun Çetta e shumë të tjerë.


Një segment tjetër i krijimtarisë në burgje,  ka qenë edhe fjala konkrete e shprehur kundër shtypjes e shfrytëzimit e shkruar  në trajtë kërkese, reagimi, kritike dhe pasqyrimin konkret, realist të dhunës tejet represive që ushtronin organet e burgjeve kundër  të burgosurve politikë shqiptarë dhe përgjithësisht kundër shqiptarëve liridashës. Në këtë segment dallohej i burgosuri, Nezir Myrtaj,  i cili gjatë kohës së burgut, organeve përkatëse shtetërore jugosllave i ka drejtuar pesë ankesa diskrete, me shumë faqe, të cilat kanë një vlerë të veçantë në krijimtarinë e krijuar brenda grilave dhe përgjithësisht në krijimtarinë e viteve 80, në Kosovë e më gjerë.  Në akuzat drejtuar organeve të pushtetit represiv, antishqiptar, mbrojtja që i ka bërë Nezir Myrtaj çështjes kombëtare në vitet 80 dhe të burgosurve politikë shqiptarë pa dyshim se është një mbrojtje “drajfusiane” e kohës. Pesë ankesat e tij, për herë të parë janë botuar në librin: “Dëshmi të arkivuara”, në vitin 2014, pasi ishte zbuluar dhe ishte fotokopjuar  lënda e arkivuar në arkivat përkatës të ish regjimit.


Ky lloj i krijimtarisë, i diskursit nganjëherë edhe  deklarativ, disa herë i konceptuar  me kërkesa për pafajësi, paraqet anën e veçantë dhe ende të panjohur të kësaj veprimtarie krijuese letrare. Ajo, përveç faktit se është krijimtari dokumentare, e drejtuar në relacione të caktuara, jo përmes avokatëve, por drejtpërdrejtë, zbulon vlera të kohës, të gjuhës së komunikimit, të nivelit intelektual  të shprehjes së protestës nga mijëra të burgosur në të gjitha burgjet e kazamatet e ish RSFJ-së.


Deri tani është botuar vetëm një libër me “Letra nga burgu” përgatitur nga ish të burgosurit e vitit 1981, Bajram Kosumi dhe Merxhan Avdyli,  ku janë radhitur  disa nga letrat e 39 të burgosurve, nga mesi i qindra mbase edhe i mijëra syresh. Ky libër, sado i veçantë nuk ka rritur të depërtojë te lexuesit, për shkak të numrit të vogël të ekzemplarëve dhe mungesës së promovimit nga institucionet të një letërsie të tillë, tipike për popujt e robëruar, jo vetëm në të kaluarën, por kurdoherë dhe kudo në botë. 


Letërsia e krijuar nëpër burgje dhe pas lirimit nga burgu e këtyre autorëve nuk është e njohur sa duhet. Përveç në raste të veçanta, ajo  nuk ka përkrahje institucionale, as projekte konkrete për ta nxjerrë në dritë, përveç në raste kur vetë autorët botojnë vepra me përmbajtje të tillë, pasi ato i kanë në dorëshkrim prej vitesh të tëra. Kjo krijimtari specifike, edhe atëherë kur ka vlera të pakontestueshme artistike e letrare, përveç vlerave dokumentare,  nuk përfshihet në literaturën shkollore.


Si e tillë, kjo pjesë e letërsisë sonë kombëtare ende e pastudiuar sa duhet,  kërkon më shumë kujdes dhe qasje nga kritika e mirëfilltë shkencore, meqë kemi të bëjmë me një armatë krijuesish, të cilët në kushte dhe rrethana ndër më të rëndat e më të vështirat të jetës, arritën të lënë gjurmë edhe në krijimtarinë artistike, prozë poezi, dramë, kritikë letrare, art figurativ, ese filozofike, etj,  duke shënuar edhe kulme në letërsinë tonë sikur janë veprat e Adem Demaçit, Jusuf Gërvallës, Ukshin Hotit, Teki Dervishit, Zenun Gjocit e shumë të tjerëve.


Me veprimtari të tillë të këtij segmenti krijues janë marrë e merren: Adem Demaçi, Xheladin Hana, Hyrije Hana, Fazli Graiçevci, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Ukshin Hoti, Halil Alidemaj, Bahri Fazliu, Afrim Zhitia, Dibran Bajraktari, Zeqir Gërvalla, Rexhep Bunjaku, Nezir Myrtaj, Arif Demolli, Hydajet Hyseni, Martin Çuni, Ahmet Qeriqi, Nusret Pllana, Azem Beqiri, Kadri Osmani, Teki Dervishi, Kadri Halimi, Kadri Rexha, Bajram Kosumi, Merxhan Avdyli, Muhamet Rugova, Zymer Neziri, Sheradin Berisha,  Muhamet Tërnava, Muhamet Pirraku,  Sylë Mujaj, Mehmet Bislimi, Mustafë Shyti, Rasim Selmanaj, Selatin Novosella, Xun Çetta, Sabri Novosella, Zenun Gjoci, Jakup Krasniqi, Agim Ramadani,  Shukri Buja, Teuta Hadri, Behxhet Shala,  Myrvete Dreshaj-Baliu,   Ekrem Kryeziu, Mehmet Hajrizi, Gani Syla, Hasan Ukëhaxhaj, Ibrahim Kelmendi, Emrush Xhemajli, Rexhep Elmazi,  Mustafë Xhemajli, Besim Zymberi, Teuta Zymberi, Bardhyl Mahmuti, Januz Januzaj, Ismail Syla, Shehadije Lohaj, Avdyl Gërvalla, Hysen Gërvalla, Shaqir Shaqiri, Njazi Ramadani, Jashar Alia, Alush Canaj Mustafë Krasniqi, Idriz Mehmeti, Afrim Morina,  Naim Bujupi, Lebit Murtishi, Hasan Qyqalla, Hazir Shala, Xhafer Shatri, Selman Berisha, Fehmi Berisha, Kadri Kusari, Kardush Radogoshi, Fahredin Tafallari, Skënder Durmishi, Isuf Sherifi, Ismet Hajrullahu, Gafurr Elshani, Ibish Neziri, Hasan Ukëhaxhaj, Rizah Xhakli, Murteza Nura, Avdullah Prapashtica, Osman Osmani, Reshat Avdiu e   të tjerë.


 


( Autori i këtij shkrimi kërkon ndjesë në mungesë të të dhënave për krijues të tjerë, nga radhët e të burgosurve politikë, të cilët janë marrë e merren me krijimtari, për të cilët do të shkruhet ndërkohë, sapo të zbulohen të dhëna të reja.)


 


Presim të na ndihmojnë ata, të cilët  do ta lexojnë këtë shkrim dhe vërejnë mungesën e emrave të pa evidentuar?

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …