Adem Demaci

Ahmet Qeriqi: “Kur Zoti harron”- një vepër që kurrë nuk harrohet

(Duke rilexuar rrëfimet e para të shkrimtarit dhe Simbolit të rezistencës kombëtare shqiptare, Adem Demaçi)

Përmbledhja me rrëfime “Kur Zoti harron” e autorit të mirënjohur të letërsisë shqipe, Adem Demaçi, e botuar në vitin 1990 gjithsesi se është një vepër antologjike e prozës sonë, e cila  kishte filluar të krijohej në Kosovë në vitet 50 të shekullit të kaluar.

Janë bërë 64 vjet qyshkur Adem Demaçi e ka shkruar  tregimin e tij të parë, “Te xha Sakipi”, asokohe botuar në revistën letrare “Jeta e re”. Dhe prej vitit 1953, kur u botua rrëfimi i tij i parë, në historinë e letrave të para të Kosovës do të shquhej ky emër i veçantë, i cili do të bëhet i njohur jo vetëm në Llap, ku kishte lindur apo në Prishtinë ku ishte rritur, shkolluar dhe frymëzuar, por ky emër i veçantë dhe shumë meritor i kombit tonë do të bëhet shumë i njohur për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm për ta.

Ishte në radhë të parë talenti, por edhe shumë veti i virtyte të tjera, që i disponon shpirti i këtij njeriu, të cilat bënë që ky emër të mbetej përgjithmonë një emër i dashur, i nderuar, i respektuar, për të gjithë liridashësit e kombit tonë, një emër,  me të cilin lidhet tërë historia jonë e rezistencës, por edhe fillimet e prozës realiste shqiptare në Kosovë, ku krijimtaria letrare kishte filluar të zhvillohej me shumë vonesë, për shkaqe tashmë të ditura dhe mirë të kuptuara. Ky emër, do të mbetet i paharrueshëm edhe për regjimin okupator jugosllav dhe për të gjithë ata që në mënyra të ndryshme iu shërbyen ish regjimeve.

Adem Demaçi për shumë çka është simbol i shqiptarësisë liridashëse, është njeriu i cili edhe për së gjalli, me tërë dinjitet dhe kapital njerëzor e kombëtar po hyn lirshëm në  pjesën më të shenjtë të historisë së kombit shqiptar.

Me qëndrimin e tij kurdoherë horizontal, me guximin e tij dhe fuqinë e vizionit u bë shembull tipik i njeriut të rezistencës, i cili frymëzoi sa e sa breza liridashësish, duke mbetur gjithmonë digë e pamposhtur në luftë për çlirimin dhe bashkimin kombëtar.

 

Fati i katandisur i shqiptarit

Rrëfimet e shkruara nga Adem Demaçi në vitet 50 të shekullit  XX shënojnë fillimin e prozës realiste shoqërore në Kosovë, e cila burim frymëzimi kishte fatin e katandisur të shqiptarit të trojeve të robëruara të atdheut. Ashtu si dikur Migjeni, Nonda Bulka, Sterjo Spasse, Karl Gurakuqi, Demaçi e fillon krijimtarinë e vet letrare e artistike duke marrë pozicion realist, meqë në shpirtin e tij të ndjeshëm, më vonë revolucionar, ai do të brumoset me idealet e shenjta të çlirimit, për të mos u pajtuar kurrë me dhunën, robërinë, shfrytëzimin dhe denigrimin.

Si bir fshatari, Demaçi ka trashëguar një moral tradicional të vlerave. Si bir i një populli të shtypur e të katandisur, ai qysh në fëmijëri kishte arritur të identifikonte shkaktarët e vërtetë të shtypjes dhe shfrytëzimit, duke mos u ndalur vetëm në konstatimin si të tillë, por duke bërë tutje, fillimisht me publikimin e tregimeve e romaneve, më vonë me forma dhe metoda të tjera.

Me kohë ka marrë guxim qytetar dhe intelektual me qëllim që ta denonconte pabarazinë shoqërore dhe këtë  fillimisht e bëri përmes rrëfimeve, të cilat u lexuan dhe u komentuan me shumë interes, si në kohën kur u shkruan e po ashtu edhe më shumë në kohën kur regjimi titist i futi nën embargo dhe ndalonte leximin e veprave të tij.

Në anën tjetër, pikërisht këto tregime bënë që regjimi të hapte dosjen për këtë intelektual, i cili edhe pse kishte studiuar në Beograd nuk do të bëhej vegël e regjimit, sikur mjerisht u bënë shumë nga bashkëkohësit e tij, shumica prej të cilët nga Beogradi në Kosovë sollën edhe frymën sllave të mendimit, të krijimtarisë dhe të mentalitetit të tillë.

Frymëzimin dhe orientimin për të shkruar i mori nga gjendja tejet e rëndë e klasës së shtypur të asaj kohe. Demaçi, kishte goditur në shenjë, që në rrëfimet e para, meqë krejt lirshëm pasqyronte një realitet mizor, i cili kishte goditur sidomos shtresat e varfra  të popullatës shqiptare, që kishte rimbetur nën pushtimin jugosllav. Kjo popullatë kishte mbetur në shënjestër të goditjeve nga nacional-shovinizmi serb, madje edhe nën maskën e bashkim vëllazërimit, socializmit dhe komunizmit jugosllav pas Luftës së Dytë Botërore.

Për dallim nga shkrimtarët e tjerë të kohës, të cilët në veprat e tyre glorifikonin politikën e vëllazërim bashkimit, duke kopjuar dhe duke përkthyer sa e sa vepra të autorëve serbë e sllavë, duke u frymëzuar nga heroizmat partizane të Kozarës e të Sutjeskës, Demaçi nuk ra në kurthe të tilla, sepse nuk kishte ambicie për të qenë pjesë e pushtetit, as  për të vjelë favore duke shkruar dhe duke lajkatuar regjimin.

Ai mendonte esëll.

E shihte, e ndiente dhe e përjetonte rëndë pabarazinë shoqërore, e cila kishte goditur në radhë të parë shqiptarët. Dhe pikërisht këtu ai do të ndalej, jo vetëm për të menduar e për të konstatuar, por edhe për të vepruar fillimisht duke shkruar rrëfime, duke nxjerrë në sipërfaqe shembuj konkretë, të veshur me petkun dhe metodat shprehëse të letërsisë, e më vonë duke hartuar edhe plane e duke bërë organizime për rezistencë, liri dhe bashkim kombëtar.

 

Rrëfimi antologjik “Kur Zoti harron”

Tregimi i tij antologjik, “Kur Zoti harron” i botuar në vitin 1954 në revistën letrare “Jeta e re” ishte më shumë se një akuzë e rëndë shoqërore drejtuar jo vetëm rendit shtypës, por edhe  mungesës së shprehur  të solidarësisë njerëzore për ata  që vuanin dhe vdisnin duke u përballur me skamjen e mjerimin.

Në këtë rrëfim dramatik, rrëqethës e tragjik, Demaçi ka sintetizuar historinë e shqiptarit të nëpërkëmbur brez pas brezi. Është fati i njeriut të lënë në mëshirë të kohës, të cilin e kanë harruar të afërmit, shoqëria, të gjithë, e ndoshta edhe vetë Zoti. Duke mos përjashtuar Migjenin, nuk ka në letërsinë shqipe një tregim tjetër, i cili pasqyron aq thellë realitetin makabër të njeriut të nëpërkëmbur. Vetëm te Dostojevski, Mopasani, Çehovi apo Gogoli hasim në rrëfime të tilla, tronditëse.

Përshkrimi i fatalitetit të tillë, i frymëzuar nga realiteti faktik, doemos se nga shkrimtari  ishte menduar për të qenë protestë letrare, në dukje e heshtur, por e temperuar për të goditur në një kohë të caktuar, në një kohë të volitshme. Demaçi dinte për çka shkruante dhe dinte çka donte. Andaj edhe i mbeti besnik Atdheut dhe vetvetes.  Të tilla për nga përmbajtja janë edhe rrëfimet:  “Një natë Bajrami”, “Vegjëtarja në treg”, “Llustraxhiu”, e sidomos “ Boria e Pizh Magjupit” që është një rrëfim tjetër antologjik, i frymëzuar me ndjenja të larta fisnike dhe njerëzore, për të gjithë njerëzit e vuajtur pa dallim kombi, feje apo race…. Demaçi, përmes këtyre rrëfimeve  kishte depërtuar thellë në paraqitjen lakuriq të realitetit. P

ër dallim nga Migjeni i cili hapur kishte manifestuar zërin kryengritës, Demaçi rezervohet nga tonet e tilla, i vetëdijshëm se rrëfimet diskrete migjeniane, në Kosovën e asaj kohe, nuk do të shihnin dritë.

Dhe për të parë dritë  rrëfimet e tilla, të cilat kanë ngelur si vula më autentike e një kohe, ai zgjodhi rrugën autentike të përshkrimit. Tregimi “Kur Zoti harron” jo vetëm ngjall zemërim e mllef kundër pushtetit antipopullor por ngjall edhe mëshirë humane te njerëzit, me qëllim për të ndihmuar të afërmit dhe skamnorët, me qëllim për të mos anashkaluar ata, sepse epilogu i lënies anash është tejet tronditës.

Në këto rrëfime, në dukje fragmentare Demaçi ndërton filozofinë e tij kryengritëse, duke bërë përshkrime të një realiteti makabër, ku ishte nëpërkëmbur njeriu deri në nivelin më brutal dhe më çnjerëzor, ku ishin shkelur të drejtat elementare për ekzistencë.

Në të gjitha rrëfimet e veta Demaçi ka hartuar me një kujdes të veçantë sidomos  në perceptimin e realitetit, duke  e pasqyruar rrëfimin në këndin epik dhe tragjik, në trashëgiminë jetike të varfërisë, duke u rezervuar nga manifestimi i kritikës diskrete  kundër regjimit,  e cila zakonisht sillte pasoja,  e pak më vonë do t i sjellë pasoja edhe vetë autorit.

Në rrëfimet e mëvonshme për vetveten, në mbrojtjen e tij para gjyqeve, Demaçi ka treguar dhe ka pranuar se dhuna që është ushtruar kundër shqiptarëve, nga regjimi titist, sidomos Shpërngulja e tyre e dhunshme  për në Turqi, Aksioni armëve i viteve 1955- 1956, i kanë mbetur në kujtesë si veprime tejet të shëmtuara, antishqiptare dhe pikërisht për këtë ai do ta marrë rolin e opozitarit dhe të kundërshtarit të fuqishëm  të regjimit.

Edhe pse të thjeshta në dukje dhe në ndërtim, rrëfimet me temë shoqërore të Demaçit janë shumë të arrira në të gjitha aspektet. Me  përmbajtjen e rrëfimeve sikur janë” “Kur Zoti harron”  “Burrëria”, “Toka nuk sillet vetëm rreth boshtit të vet” etj. mund të shkruhen novela të gjata,  romane, drama dhe mund të bëhen filma të shkëlqyeshëm artistikë.

20 tregimet e para të Adem Demaçit kanë ndikuar në publikun lexues të kohës më shumë se veprat e 20 shkrimtarëve dhe rrëfimtarëve të tjerë të cilët burim frymëzimi kishin “jetën e re” në Jugosllavinë e Titos.

Për të pasqyruar në tërësi ndikimin që ushtroi Demaçi pothuajse i vetëm në krahasimin me bashkëkohësit, duhet të shfletojmë shtypin e kohës dhe të zbulojmë sesi në këtë kohë të vuajtjeve të rënda për shqiptarët, zëdhënësit dhe skribët besnikë të  regjimit pasqyronin realitetin e imagjinuar të jetës në harmoni dhe begati,  por në asnjë mënyrë realitetin  faktik.

Shkëlqimi i prozës së Demaçit në mesin e shkrimtarëve të kohës

 Në të njëjtën kohë  me Demaçin shkruante  e botonte  tregime e romane edhe njëfarë “komitetlije” besnik i Jugosllavisë, Sinan Hasani, pastaj Enver Gjerqeku i cili thurte sonete për betejat legjendare të Sutjeskës e të Kozarës dhe shkruante himne për njëfarë, Sava Kovaqeviqin për kovaçë të tjerë, për shokun Tito, për bashkim vëllazërimin. Skribë të tillë të devotshëm  të regjimit ishin dhe mbeten: Vehap Shita, Fahredin Gunga, Adem Gajtani, Rexhai Surroi, Rexhep Zogaj e shumë emra të tillë, tashmë të tretur dhe të harruar. Ata asokohe sollën në Kosovë përvojat letrare të shkollave të Beogradit, dhe me përjashtime të rralla, deri në fund të jetës mbeten besnikë të devotshëm të jugosllavizmit.

Bën përjashtim në këtë mes, kthesa që kishte bërë në drejtim të dëgjimit të ofshamave të popullit, Esad Mekuli, të cilët edhe i përket merita për botimin e tregimeve dhe romanit “Gjarpinjtë e gjakut” të Adem Demaçit.

Rrëfimet e para të Demaçit, pastaj botimi i romanit “Gjarpinjtë e gjakut” u priten me shumë interes nga lexuesit shqiptarë të Kosovës e më gjerë. Arrestimi i Adem Demaçit më 19 nëntor 1958 nga UDB-ja jugosllave, si dhe dënimi i parë 5 vjet bënë që veprat e tij të futeshin në indeksin i librave të ndaluar. Pikërisht atëherë fillon edhe leximi pothuajse masiv i veprave të tij, meqë si të ndaluara tregimet dhe romani lexoheshin dorë pas dore, tregimet e  përshkruheshin ilegalisht në fletore nga nxënës e studentë dhe vepra e tij po kthehej në burim primar të frymëzimit atdhetar  të rinisë shkollore, e cila në 10 vjetorin e burgosjes së parë të Demaçit, në nëntor të vitit 1968 u ngrit në protesta dhe demonstrata, duke kërkuar të drejta, barazi dhe liri.

Përmbledhja me rrëfime “Kur Zoti harron” është vepër që kurrë nuk mund të harrohet. Disa nga tregimet kanë vlera antologjike dhe duhet të prezantohen në librat shkollorë por edhe si literaturë e domosdoshme shkollore për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …