Ahmet Qeriqi: Kush ishin suliotët e famshëm trima e guximtarë, që nuk janë më shqiptarë, por grekë e "krenarë" I

Ahmet Qeriqi: Kush ishin suliotët e famshëm trima e guximtarë, që nuk janë më shqiptarë, por grekë e “krenarë” I

Kush ishin suliotët dhe sa e njohim historinë e tyre,  rrugëtimin e Kalvarit më tragjik, që njeh jo vetëm Evropa

– Suliotët shqiptarë, çamë, arvanitas të greqizuar e të degdisur.

 

– Suliotët raca më trime dhe më luftarake e kohës, jo vetëm në Ballkan.

 

– Suliotët, me fanatizmin e tyre për ta ruajtur tokën, atdheun, besën  e fenë u ndoqën u vranë u degdisën, por nuk u dhanë.

 

– Suliotët, me qëllim për ta ruajtur jetën e lirë në male u bënë mish për top nga forcat ruse, angleze, franceze.

 

– Shembulli i femrave kryengritëse, vetëflijuese,  suliote,  rasti më fenomenal  në historinë e njerëzimit.

 

– Vallëzimi  i sulioteve drejt vdekjes me moton: “Më mirë në humnerë e me nder,  sesa të dorëzuara e pa nder”, ashtu si vashat e Kurbinit të kohës së Skënderbeut

 

– Suliotët, historia  më tragjike e gjakut të degdisur shqiptar, që nuk falet, por edhe nuk mund të mbrohet

 

– Suliotët, spartanët dhe lakademonët e moçëm të Greqisë dhe Ilirisë

 

– Suliotët e manipuluar e të verbëruar  nga Megaliidhea vranë, masakruan, dëbuar vëllezërit tyre të gjakut e të gjuhës, çamët, vetëm sepse ata kishin ndërruar fenë.

Në këtë fejton ekskluziv për suliotët jam bazuar,  përveç në shkrime e në dokumente të shumta edhe në një literaturë të bollshme, por jo sa duhet të sintetizuar. Të dhënat faktet e dëshmitë kryesore  janë interpretuar nga publikimi historik në Vikipedia, në internet, pastaj në romanin “Luani i Janinës” i shkrimtarit të madh hungarez, Jokai Mor, botuar në vitin  1856, të cilin  e kam përkthyer në vitin 2015, ndërsa e kam botuar në vitin 2019, pastaj në dokumente të tjera historike të kohës.

Jokai Mor,  në romanin e tij historik, “Luani i Janinës” del të jetë njohësi më i thellë i Greqisë së kohës, veçmas i elementit autokton shqiptar,  në Greqinë e kohës, para pavarësisë së vitit 1821. Ai në kohën e tij kishte vërejtur se Greqinë e kohës e përbënin kryesisht shqiptarët sikur ishin, suliotët, arvanitasit, shqiptarët e islamizuar dhe grekët, arnautët e islamizuar toskë e gegë. Grekët, për qëllimet e tyre në luftë për çlirim nga Perandoria turke kishin marrë përkrahje e armatim nga Rusia, Franca e Anglia, ndërsa luftën e Ali Pashë Tepelenës për krijimin e një Shteti me shqiptarë grekë në Ballkan, grekët e kishin shfrytëzuar me dinakëri, duke i vënë përballë shqiptarët myslimanë me turqit, por edhe shqiptarët e krishterë kundër Ali Pashë Tepelenës.

Në romanin “Luani i Janinëës” suliotët janë paraqitur si ajka atdhetare shqiptare, në shërim të interesave greke, në disa raste edhe në përkrahje të Ali Pashë Tepelenës kundër Turqisë.

Të shkruash, të gjykosh, të analizosh, të lexosh, ngjarje nga historia  që nganjëherë të duken të pabesuara,  por që janë qind për qind të vërteta, të zbulosh mënyrën e jetesës, qëndresës, heroizmit, vetë-sakrificës, ruajtjes me çdo kusht të besës, por jo të gjuhës, ruajtjen e  nderit por edhe kolaboracionizmin  me të huajt, ruajtjes së dinjitetit fetar dhe  moralit, por jo të atdheut të degdisur, të mendosh se si dhe në çfarë rrethana u asimilua dhe u tret ky popull me simbiozë të çuditshme, duhet  që në radhë të parë ta njohësh historinë e tij,  të vërtetën e tyre, të asaj degë kastriotiane, e cila mbijetoi shekujt nën sundimin osman, por që më në fund në çastin vendimtar, po thuajse vullnetarisht  iu fal Greqisë dhe identitetit të hershëm fetar, identik me grekët.

Nga shqiptarë të formuar në kohën e Besëlidhjes së Madhe të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, të vitit 1444,  ata nuk i mbeten besnikë themeleve kombëtare që i kishte vendosur Kryetrimi i Motit të Madh. Po historia si e pamëshirshme që është, sidomos për popujt e vegjël, që duan të jetojnë si duan vetë, të pavarur  e jo të nënshkruar, është ajo pjesa që duhet të lahet me gjak, dhe kurdoherë është larë me gjak në çdo  pjesë të atdheut të shqiptarëve që nga Athina, Moreja, Suli, Toplica, Nishi, Sanxhaku e sa vise të tjera shqiptare, që nuk janë më, që janë degdisur, kanë humbur, kanë tretur, janë ndërruar e asimiluar.

Por, në historinë e suliotëve trima e guximtarë   është ana tjetër re e  zezë e disa prej fiseve të tyre, të frymëzuara nga priftërinjtë fanatikë grekë. Pasi ishin bërë grekë, ata u vunë në shërbim të Megaliidesë nën moton, “çdo njeri i Perëndisë është i krishterë dhe çdo i krishterë  është grek, ashtu sikur edhe që  e vetmja gjuhë e perëndisë, është gjuha greke. Ata, me qëllim për ta përmirësuar historinë dhe për t iu hakmarrë jo turqve, sepse atje nuk arrin,  por shqiptarëve që kishin ndërruar fenë, ranë pre e urrejtjes morbide greke, e cila i orientoi kundër vëllezërve të tyre të gjakut, kundër çamëve, të cilët të parët kishin pranuar islamin qysh në kohën e Sulltan Sylejmanit, meqë njeriu  më i afërt më besnik dhe dhëndri i Sulltanit, ishte  çami,  Ibrahim Pashë Pargaliu, nga Parga, kryeqyteti i Çamërisë së dikurshme.

Zhdukja në tërësi e shqiptarëve çamë dhe grekë apo arvanitas të islamizuar, mjerisht jo vetëm që iu përshkruhet suliotëve, por ishte pikërisht Napoleon Zerva, me origjinë suliote i cili kreu masakrat më të çmeritura të kohës, duke e masakruar e dëbuar një popull të tërë. Natyrisht se jo të gjithë suliotët ishin fanatikë si Zerva, por pjesa më e madhe e tyre ishte vënë në shërbim të synimeve ekspansioniste,  antishqiptare,  greke.

Suliotët nuk janë më.

Gjuhën, prejardhjen, përkatësinë e dikurshme kombëtare,  besën ia falen Greqisë.

Arvanitasit ruajtën fenë e përbashkët me grekët, por u shuan në aspektin kombëtar.

Ata madje nga vetë grekët konsiderohen  më patriotë e më filo-grekë sesa vetë grekët.

Shqiptarët ortodoksë u bënë grekë, ata me fe islame i ndoqën, i vranë, i dëbuan i masakruan dhe ua humbën çdo gjurmë. Arvanitasit nëpër shekujt e mjegullës së tyre të dendur të fanatizmit fetar, humbën identitetin gjuhësor, kombëtar,   përveç këngës së  vajtimit  të tyre historik,  të shprehur përmes folklorit të pasur, shumë melodik  e specifik,   arvanitas. Këngët e vallet e tyre çuditërisht kanë filluar të ringjallen, edhe për faktin se  arvanitasit përbëjnë një të tretën e popullatës në Greqi. Me këngën e tyre, që është një shartim i muzikës së vjetër shqiptare, bizantine e greke, kanë ruajtur dhe kanë shprehur e shprehin  nostalgjinë e identitetit të dikurshëm,  pa asnjë përpjekje për ta rindërtuar atë identitet, sikur kanë bërë dhe bëjnë kombet.

Dëshmi:

Theodoros Pangalos: Suliotët, që hodhën foshnjat e tyre nga Zalogo, si sot e 215 vjet më parë, duke preferuar më mirë të vdisnin se sa poshtëroheshin, ishin tërësisht shqiptarë”

 Theodoros Pangalos

Ish-ministri grek, Theodoros Pangalos, ka shkaktuar një “tërmet” të vërtetë pas qëndrimit të tij të bërë publik në rrjetet sociale, ku deklaronte se suliotët ishin shqiptarë.

Përmes rreshtave, të postuar në Twittter, ai nënvizon se suliotët, që hodhën foshnjat e tyre nga Zalogo, si sot e 215 vjet më parë, duke preferuar më mirë të vdisnin se sa poshtëroheshin, ishin tërësisht shqiptarë. Po të kthehemi pas në kohë, kujtojmë këtu se si sot, më 18 dhjetor të 1803-ës, një grup suliotësh preferuan më mirë të hidheshin nga shkëmbi i Zalogos, se sa të binin në duart e osmanëve. Ish-ministrit grek nuk i ka shpëtuar ky detaj, duke i dhënë peshë kësaj ngjarje historike. Ai ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj qeverisë greke, duke e akuzuar se ka “ngjyrosur” historinë. Në postin e tij në Twitter, Theodoros Pangalos e filloi referencën e tij me fjalën greke “lule”. (λουλούδ-louloúdi)

 

Ai shkruan:

 

“Ne e përdorim atë në greqisht, por nuk e dimë se ajo vjen nga fjala shqipe “lupi”. Suliotët, që hodhën foshnjat e tyre nga Zalogo, si sot e 215 vjet më parë, duke preferuar më mirë të vdisnin se sa poshtëroheshin, ishin tërësisht shqiptarë”. Kaq ka mjaftuar që ish-ministri i njohur grek, ta gjente veten në luftë me sferën publike. Shumë media greke e kanë konsideruar postimin e tij si provokim.

 

Ish-ministri i Jashtëm i Greqisë, shprehet se:

 

“Nuk ka grek që nuk e kupton fjalën lule. Ajo ka zëvendësuar plotësisht fjalën e vjetër greke, por shumë pak e dinë se origjina e saj vjen nga fjala shqiptare dafina. Si sot, 215 vjet më parë, në malet e Prevezës, suliotët hodhën foshnjat e tyre në greminë dhe më pas u hodhën vetë. Ato preferuan më mirë të vdisnin, se sa të poshtëroheshin. Le të marrim më në fund ngjyrosja e historisë dhe grekët ta dinë kush ka lindur në atë vend”. /b.d Shqip Info, 26/02/2020.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Naim Imeri sot herët është larguar në rrugëtimin e tij të përhershëm nëpër Blinajë. Elezi …