Duke komentuar Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, ku flitet për sfidat dhe gjoja, mungesën e lirisë së shprehjes në Kosovë, i ashtuquajturi kryetar i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, Arben Ahmeti, gazetar në “Koha Ditore”, thotë se Raporti i Progresit ka evidentuar problemet, të cilat për një kohë të gjatë janë potencuar edhe nga Asociacioni i këtij soji të gazetarëve. Ky gazetar, konstatimin e tij e paraqet në shumës, duke lënë të kuptohet se njëjtë po gjykuakan edhe një armatë e tërë e gazetarëve të Kosovës. Pretendimet e tilla të këtij asociacioni që është zëdhënës i BIRN-it, në Kosovë janë krejtësisht të paqëndrueshme, qëllimkëqija, dhe kanë për qëllim të dezinformojnë opinionin ndërkombëtar, ashtu sikur kanë dezinformuar në vazhdimësi, me qëllim për ta përbaltur, realitetin në Kosovë, shtypin e lirë e të pavarur, Qeverinë dhe institucionet dhe krejt atë botë të gjerë, të lirë, të shprehjes e shkrimit, që nuk kornizohet dot brenda mendjeve të robëruara, besnike fanatike të bashkim vëllazërimit të perënduar.
Disa dhjetëra gazetarë, në Kosovë, të cilët me një prepotencë naive vetëdeklarohen si gazetarë “profesionistë”, duke paragjykuar se të gjithë gazetarët e tjerë në Kosovës, që nuk i përkasin këtij Asociacioni qenkan jo profesionistë, zbulojnë para opinionit mungesën elementare të seriozitetit dhe angazhimit të vërtetë të profesion.
Gazetarët e Kosovës, pjesa e tyre dërrmuese, janë profesionistë të vërtetë dhe kjo dëshmohet çdo ditë në qindra mediume të vendit. Ata janë pjesë aktive e shoqërisë së Kosovës, e cila kritikon, por nuk gënjen, vë në dukje dukuritë negative, por nuk spiunon në UNMIK dhe EULEX-sikur bëjnë gazetarët “profesionistë”, të cilët spiunojnë pa fakte relevante, apo duke u mbështetur në burimet e tyre “të besueshme” në Qeveri, nëpër ministri, në Presidencë, në burime të besueshme diplomatike, në Polici, FSK dhe kudo. Me këto “burime” ata i qesin hi syve opinionit të painformuar dhe disa syleshëve ndërkombëtarë, të cilët duke u mbështetur në gjetjet e këtyre gazetarëve, që u prin klani “Koha e Kompani”, u vërsulen institucioneve për të zbuluar korrupsionin dhe pastaj ndihen të zhgënjyer e të handakosur, sikur bëri prokurori i EULEX-it Vijsvik, i cili kishte kafshuar karremin e këtyre gazetarëve dhe ishte tërhequr i lërosur dhe i menderosur…
Hapësira që iu jepet këtyre gazetarëve, sidomos në RTK dhe në disa mediume të tjera, zbulon prapaskenat e rrezikshme, të cilat i kurdisen Kosovës nga një klan mafioz gazetarësh, që thithin burime nëpër ujërat e pista të sa e sa shërbimeve të të huajve, me qëllim për ta dëmtuar sa më shumë imazhin e vendit, në çdo kohë, dhe me qëllim të thellimit të kaosit dhe krijimit të bindjes se Kosova është shtet mafioz, ashtu sikur gjykon Tadiqi, Daciqi dhe iqët e tjerë brenda dhe jashtë Kosovës.
Pretendimet për ta paraqitur gjendjen në Kosovë shumë më të keqe sesa është aktualisht, pretendimet e gazetarëve “profesionistë”, për të folur në emër të të gjithë gazetarëve të Kosovës, pretendimet për të injoruar çdo të arritur të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës në këto 12 vitet e pas luftës çlirimtare dhe fitimtare, janë pretendime të liga e të zeza, të cilat nxjerrin në sipërfaqe mbetjet e kaluara ideologjike dhe deformimet mentale që ka lënë robëria shekullore te kjo kategori e njerëzve.
Asnjë gazetar serioz dhe me përvojë në punën e tij nuk i ka bërë as i bën elozhe pushtetit të sotëm, në krahasim me të kaluarën, kur pushtetit komunist titist i bënin elozhe klasa e mirënjohur e gazetarëve komunistë jugosllavë, si: Veton Surroi, Isak Hasani, Mustafë Rushiti, Shkëlzen Maliqi, Baton Haxhiu, Maksut Shehu, Rrahman Dedaj, Hysni Syla, Agim Zatriqi, Sinan Hasani, Jusuf Buxhovi, Jusuf Ferizi, Agim Mala dhe tërë një klasë gazetarësh, shërbëtorë të devotshëm të ish regjimeve okupatore.
Asnjë gazetar i sotëm në Kosovë nuk e mbron pushtetin me zellin, që e ka mbrojtur ajo klasë gazetarësh.
Cili gazetar sot në Kosovë lavdëron apo u bën elozhe personaliteteve qeveritare, apo pushtetit?
Edhe nëse i gjeni një apo dy të tillë, janë qindra të tjerë që kritikojnë, por edhe shajnë e gënjejnë pa pikë turpi. A ekziston qoftë edhe një personalitet i vetëm në Kosovë, pushtetar, akademik, veprimtar, politikan i njohur, komandant i UÇK-së, që nuk është etiketuar apo nxirë në periudhën e pas luftës, nga ky soj i gazetarëve dhe gazetareve të përdalë e të përçudnuar?
A nuk qenka kjo liri e shprehjes deri në pakufi, e zhveshur nga çdo etikë njerëzore, të mos flasim për etikën e gazetarit?
Cili qenka ai pushtetar, që po i kërcënuaka mediet apo gazetarët e caktuar?
Përse gazetarët “profesionistë” nuk publikojnë emrat e mbiemrat e tyre?
Po, tekefundit, edhe nëse ka ndodhur apo ndodh ndonjë kërcënim i tillë, drejtuar kundër një apo dy gazetarëve, a mund të përgjithësohet një rast i tillë, me pretendime për të nxjerrë përfundime se gazetarët në Kosovë po u kërcënuakan “me vdekje” nga pushtetarët?
Me cilin kod të gazetarisë u ndaluaka simpatia apo edhe përkrahja e një Qeverie apo e pushtetit, apo edhe e një partie?
Me cilin kod të gazetarisë lejohet sharja, fyerja, përçmimi, etiketimi, përdhosja, linçimi, gënjeshtra, mashtrimi i opinionit…?
Këto dhe të tjera kode të gazetarisë e shumë mësime të tjera duhet t i mësojnë gazetarët “profesionistë”, të cilët po e dëshmojnë krejt hapur “profesionalizmin” dhe angazhimin e tyre gjithsesi të mjerë dhe qyqar.
Ata, të vetëdeklaruarit “profesionistë” nuk kanë të drejtë morale të flasin në emër të gazetarëve të Kosovës, sepse Kosova është e të gjithë gazetarëve, në radhë të parë e atyre gazetarëve që kanë dhënë mund, gjak e djersë për çlirimin e vendit, e atyre gazetarëve që kanë raportuar nën granatat e armës gjakatare të Milosheviqit, në zonat e luftës në Kosovë, dhe jo nga hotelet e Tiranës, apo nga zyrat luksoze, në Prishtinë, Shkup dhe në qytete evropiane, ku ata raportonin për luftën, sepse u kishte rrëshqitur nën këmbë toka e Atdheut, i cili po digjej nga regjimi kriminal i Milosheviqit.