Një natë, në vjeshtë të vitit 1956, në shkollën e fshatit Krojmir ishin tubuar anëtarët e frontit, ata të partisë dhe tre nga Komiteti i Lypjanit. Në sallën e madhe, duhet të lexohej materiali i përgatitur nga Komiteti, në Lypjan, në të cilën dënohej ashpër, sulmi më i ri i Shqipërisë dhe i Enver Hoxhës kundër Jugosllavisë, pas Aksionit të grumbullimit të armëve. Në komentin e “Zërit të Popullit” ishin paraqitur shifra e fakte për dhunën e keqtrajtimin e dhjetëra mijëra shqiptarëve nga UDB-ja. Komiteti kishte marrë vendim që anëtarët e LKJ-së bashkë me simpatizantë të organizonin mbledhje dhe ta dënonin propagandën e Enver Hoxhës.
Në sallën e shkollës, që ishte mbushur plot dhe disa kishin qëndruar në këmbë, fjalën e kishte marrë Velë Kaçami.
Shokë e shoqe, drugarice i drugovi! – kishte filluar si zakonisht fjalimin e tij edhe pse në fshat nuk kishte asnjë familje serbe apo malazeze, por Vela nuk e prishte terezinë. Mjaftonte që do t iu fliste shqip bashkëfshatarëve, sepse po të ishte në Lipjan ku kishte serbë e malazezë ai nuk njihte gjuhë tjetër, veç serbishtes.
Albania e Enver Hoxhs po na sulmon, po rren, në pik të dites dhe po ban provokaci. Enveri dhe zagart e tij po thonë se UDB-a ka mbytur shqiptarë qi nuk i kanë dorzue armët. Po rren dhe po na përzihet në pun t mrendshme, dhe a e dini pse? Nuk e dini jo. Ju nuk e dini se atje gjinja po desin uje, s kana as kokrra t kallamoqit qi me majtë shpirtin. Disa po jetojnë tuj hager bari e fletë të dushkut. Dhe për mos mu qu populli kundër regjimit të tij, Enver Kuçka po u thotë se Tita po i mbytë shqiptart n’ dajak, se nuk po jau jep të drejtat, se po i detyron me shku n Turki e shumë rrena të tjera.
Na rrgën tonë e kemi me Jugosllavinë e shokut Tito.
-Rrnoftë shoku Tito, kishte brohoritur me të madhe, partiaku në rolin e megafonit, Braho Ziu.
-Rrnofë ishin dëgjuar disa zëra të mekur dhe kjo e kishte prekur në sedër brohoritësin por edhe shokun Velë, i cili kishte përsëritur edhe një herë me zë të lartë, “Rrnofët shoku Tito!” me qëllim për t’ i nxitur pjesëmarrësit për brohoritje masive.
Herën e dytë nuk kishin brohoritur, as gjysma e herës së parë.
Vela dhe anëtarët e partisë ishin prekur shumë në sedrën partiake dhe kishin filluar të pezmatohen.
-E shihni shokë, edhe ktu kanë hy spiunat e Enver Hoxhs. A zor i madh koka me thanë “Rrnoftë Shoku Tita, a?
– Ku po jetoni ju në Jugosllavi apo në Shipni?
– Hej ti, iu kishte drejtuar Fir Manit, pse nuk po thue rrnoftë shoku Tita.
– Valla s po me qet goja, ka boll ktu… qi!
– Qysh s po ta qet goja bre hajvan, a po nien shka je tuj thanë.
– Po qashtu de, qysh me thanë rrnoft kur ai ma ka majtë babën 16 vjet në burg, m’ i kan vra dy mixhallarë, ma kanë mytë një vlla dhe perhapen fjalë se e ka zanë përfundi trina e oborrit. S’ ma ban goja o shok, kqyri kta tut në sy, mos m’ u drejto mu?
-Ty duhet me ta ba ma zi se babs tand, se ju jeni farë e dreqit, njerz t egër.
Mbledhja kishte degraduar ende pa filluar mirë dhe në çast kishte ndërhyrë Metë Ballaba.
Edhe ai e kishte rëndë të fliste shqip në mbledhje, por duke qenë i sigurt se nuk do ta kuptonte askush, apo do të shtireshin se nuk e kuptojnë edhe ata që e dinin gjuhën serbe, kishte filluar fjalimin e tij.
Shokë dhe shoqe. kishte thanë Meta dhe ende pa filluar fjalimin kishte shpërthyer në një qeshje të papritur, Fir Mani.
-Tybe nuk po shoh asni shoqe ktu, veç n koftë ky Vela, kishte thënë Firi i disponuar për ta prishur sa ma shumë ‘zborin’
– More thi, iu kishte ngërmuar Vela, çohu dil jashtë dhe nesër me sabah me ardhë n’ UDB, në Lypjan se neve, nuk durojmë bijt e anmiqve ma na prishë mbledhjet.
-Pse m keni thirre në mbledhje, pra, iu kishte drejtuar Fir Mani.
-Nuk t ka thirre askush jo, vet ke ardhe per me ba kso magjarria.
-Vallahi, Selë Bani m ka thirrë dhe m ka thënë mos me ardhë kam me t kazmitë, a asht qashtu Selë?
-Pse po rren bre Fir, po un nuk flas kurr me anmiq t shtetit, jo ma me t thirre në mbledhje, tue të njohun me rrajë se kush je ti e familija jote.
-Kuku burra po randë koka me pa njërin qi t rren nes sy, kishte thënë Firi dhe ishte larguar nga salla
…
Shokë, na e dimë se ktu ka shum anmiq të pushtetit, por partia na mson mu sjellë njerëzishëm me t gjithë, përveç atyne, si ky, që iku. E njohin t gjithë kush asht ai. Me thanë t drejtën u njeva ngusht kur vetëm shtatë tetë vetë thatë “Rrnoftë Shoku Tito. Dhe tash kemi me shqyrtu ket problem, mandej kemi me vazhdu mbledhjen dej n’ sabah, se kshtu nuk ka me shkue ma.
Edhe ju ktu, si krejt Drenica, na kemi marr ftyren prej vitit 1945, kur u qu peshë ia Shaban hajvani dhe jau hangri kryet krejt të vetve. Dhe as kush prej jush nuk murr msim dhe keni mbetë po ata, po me atë lkurë të anmikut. Marre me ju ardhun. Shoku Tito ju ka sjellë, lirinë shkollën, barazinë, ju ka shti’ në punë, po jau leton porozin, jeni t lirë me punue ku t doni dhe ju nuk ia dini të mirat pushtetit.
Anëtarët e frontit, sikur quheshin të pranishmit, po merrnin pjesë në mbledhjen e parë disa muaj pas aksionit për grumbullimin e armëve, ku rreth shtatëdhjetë prej tyre ishin rrahur, disa kishin mbetur edhe me pasoja. Atyre nuk u dilte zani nga goja.
Në çast e kishte marrë fjalë më plaku, që të gjithë e quanin, mixha Emin, xhaxhai i Velës i njohur për fjalë diskrete dhe shpotitëse.
-E filloj keq ky Vela jem dhe e flliqi zborin. Po nejse du me jav kallxu nje vaki e madej folni sa të doni.
-Fol mixha Emin fol, e kishin nxitur disa nga bashkëfshatarët, të cilët e dinin se ai do t ia “ngulte dikujt” dhe do ta “kallte” zborin.
-Fol mixhë, se ty t kemi lshu n sernishë, e di se ti ki me therrë mu, po kujdes për kta shoktë e Komitetit, se kta nuk janë msu me ato meselt tua t kallamojta e të përdreqta.
-Njiherë isha tuj i rue katër lopë t’ akrabasë, nji lopë dhe në ka timin, atje në Rrafshina. Kau, shegoj, e ka pasë emnin, mbasi u ngop me bari ju turrej lopve sapo e lujshin bishtin dhe si për ibret i bajke turr me ja ngulë nanes s vet dhe asnjanës prej lopve tjera. Hajvan halli, ku di hajvani kush e ka pjellë, kishte thënë Xha Emini, me qëllim të caktuar dhe pa i bërë syri vërr.
Në moment kishte pëlcitur një e qeshur shpërthyese dhe ishte zgjuar nga gjumi, edhe Himë Ziun dhe i përgjumur sikur ishte kishte brohoritur me zë të lartë.
-Rrnofë Enver Hoxha, Poshtë Fadil hoxha.
Brohoritja e re i kishte dhënë zjarr gazit e të qeshurave sepse Himë Zoi, ashtu i përgjumur, kishte ngatërruar emrat dhe sapo e kishte kuptuar, kishte filluar t’i binte flakaresh gojës. “Hangsh mut moj goje e keqe, hngsh mut po qysh m tradhtove, bre!”. Po edhe ata hoxhë njani e hoxhë tjerti, he nnn.. kishte thënë duke e mbajtur gojën me dorë nga frika e ndonjë qyfyri të ri të pakontrolluar.
Situata kishte marrë një atmosferë të një pjese teatrale humoristike dhe shumica e fshatarëve ishin ngritur në këmbe duke menduar se mbledhje kishte mbaruar.
Duke e parë gjendjen e tendosur, e kishte marrë fjalën Milhami i matur dhe tinëzar.
Nuk u ba kjameti shokë. Mixhen Emin me qyfyret e tij e njohim t gjithë dhe Shokun Brahë e tradhtoi gjumi e gjuha, po nuk u ba nami, na e njohim mirë se çfarë bese të komunistit ka ai.
-Më fal shok Milham, kishte kërkuar fjalën Brahë Ziu. Kam me skjaru diçka, u korita por nuk ban pa kallxu se qysh m ka metë ky rrem i keq.
-U korita shokë, se mue m’ njeh komiteti edhe n’ Prishtinë, se çfarë komunisti jam, por duhet me pranu se qysh kur jam kanë thmi i kam ngatrrue fjalët, nga frika se mos po tham ndoj fjalë pa vend, nganjiher m turthurohet në gojë.
Kur jam kanë i vogël, e baba dojke mem msue qysh me ju thanë musafirve në odë, m’ mori afër ma ngrehi veshin, sa m’ duket se edhe sot po m dhem dhe me tha:
– Tash je rritë, kur t shkojsh n odë, si t hysh në derë, thuju musafirve, “a mund u quet burra”? Dhe kqyr mirë se mos po ju thue a mund i q… burra, se ta mar shpirtin.
Sikur ta kish ditë i mjeri babë.
Tuj shke me legen në njanën dorë e me gjygym n dorën tjetër, për me ju qitë m i la sytë, tu përsëritë rrugs duhet me ju thanë a mund u quet e nuk duhet me ju thanë a mund i q.., unë sapo e hapa derën ja futa asaj fjalës s keqe dhe ata fillunë me keshë me za, tuj u shegarë njani me tjetrin. Veç njani m tha, hup he fara e flliqtë. Unë e lash legenin e gjugymin te dera ja dhashë vrapit e drejt e n Grykën e Katunit. Nga frika se po më mbytë baba, shkova te një hallë dhe nejta deri sa erdh me m marrë.
Më falni shokë, se un me mujtë me ket dorën teme jam marr shpirtin, Enver Hoxhës, po qe goja ma qiti keq.
Edhe rrëfimi Braho Ziut ishte përcjellë me të qeshura dhe mbledhja nuk ishte mbajtur. Ishte shtyrë për një ditë tjetër, me qëllim për të marrë edhe vendimin e komitetit lidhur me dështimin e saj…