Historia e LDK-së është një shembull tipik i ngritjes së palavdishme dhe i rënies së pashmangshme të një partie, për shkak se ajo në rrethana të caktuara historike u krijua duke shfrytëzuar kapitalin politik të një pjesë të Lëvizjes së Rezistencës aktive dhe duke u pozicionuar fortë për mbetjen e Kosovës nën Jugosllavi, në kohën kur ajo kishte filluar të shpërbëhej dhe kur sllovenët, kroatët e boshnjakët kishin filluar edhe luftën për çlirim nga Jugosllavia. Kjo parti ka “meritën” e bojkotimit të koalicionit antijugosllav dhe zvarritjes e më pas edhe sabotimit të luftës sonë çlirimtare. Këto gabime të rënda të së kaluarës, kanë bërë që kjo parti të marrë tatëpjetën. Përpjekjet e zyrtarëve të lartë të LDK-së, për të mos lejuar shkapërderdhjen e mëtejshme të elektoratit, kanë marrë hov sidomos nga ata partiakë, të cilët e konsiderojnë veten partizanë dhe militantë të devotshëm të partisë amë, nga e cila kanë prejardhjen të gjitha partitë politike të Kosovës, përveç LPK-së, tashmë e përgjysmuar nga dhjetëra socialistet e Emrush Xhemajlit, që pësuan debakël total në zgjedhjet e fundit, Lëvizjes për Bashkim dhe LKÇK-së, një pjesë e së cilës vepron me emrin Lëvizja për Integrim dhe Bashkim. Po thuajse të gjitha partitë e tjera janë themeluar duke i shkëputur nga një pjesë LDK-së së dikurshme, e cila vepronte nën maskën e një Lëvizjeje politike gjithëshqiptare, në Kosovë dhe ishte parti legale, e regjistruar në Beograd, në kohën e regjimit të Markoviqit. Nga LDK-ja e dikurshme, “gjigante”, tash ka mbetur vetëm një e pesta apo e gjashta e saj, e cila po mundohet t i shtrëngojë radhët, po sa më shumë që po angazhohet në këtë drejtim, aq më shumë po krijon ndasi e përçarje të rrezikshme, sepse lufta e brendshme politike në LDK nuk ka pushuar kurrë, madje as për së gjalli të Ibrahim Rugovës. Aktualisht brenda LDK-së janë tri grupe kundërshtare, të cilat i mban nën një ombrellë vetëm interesi grupor i përfitimeve, që sjellë organizimi partiak si i tillë dhe frika nga një ndarje e re, përndryshe kjo parti do të gjendej buzë greminës së pashmangshme. Mu për këtë arsye ende bashkëjetojnë dhe bashkëveprojnë, Eqrem Kryeziu, Melihate Tërmokolli, Lutfi Haziri, Sabri Hamiti e të tjerë. Të gjithë këta bashkohen rreth motos popullore: “Bjen një punë e të due përdhunë”. Nga ky mes tani u shkëput Melihate Tërmkolli, duke lënë të kuptohet se rruga e kësaj partie drejt ambisit është e pashangshme. Autoriteti suprem i Ibrahim Rugovës, që e mbante këtë parti të unifikuar, në dukje dhe në formë, edhe pse të sëmurë dhe gjithmonë të përçarë nga brenda, tashmë mungon, ndërsa trashëgimia e tij ideologjike e politike është shkapërderdhur në shumë parti e partijëza, që vetëquhen herë të majta, herë të djathta, herë të qendrës, por që realisht janë krejtësisht të paprofilizuara në aspektin ideologjik. LDK-ja e mbetur, ka krizë të fortë të identitetit, andaj edhe po bën përpjekje që me çdo kusht të reformohet, por pa hequr dorë nga trashëgimia, e cila tashmë është nostalgjike dhe frymon me emrin e Rugovës, pavarësisht të gjitha gabimeve, që ai ka bërë, gabime këto që i kanë kushtuar dhe po i kushtojnë edhe aktualisht kësaj partie. Duke ecur në këtë segment, sikur nëpër “Urën e Siratit”, drejtuesit aktualë të kësaj partie kanë vënë në veprim të gjitha format e metodat e mundshme, me qëllim për të mbijetuar, qoftë edhe duke u mbështetur te kundërshtarët politikë, qoftë edhe duke pranuar koalicione krejtësisht të padëshirueshme, qoftë duke marrë në radhët e veta edhe deputetë minoritarë, qoftë duke bashkëpunuar zellshëm me UNMIK-un e EULEX-in, me Sali Berishën në Shqipëri e kudo ku mund të depërtohet, në përpjekje për të mbijetuar dhe mundësisht edhe për t’u konsoliduar. Partiaku më i zellshëm në këtë drejtim, nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri nuk është njeriu që mund ta reformojë, as ta begatojë këtë parti, për shkaqe të shumta. Ai është një paraqitje, që pretendon seriozitet, por bën veprime jo serioze, të cilat e dëmtojnë imazhin autentik të LDK-së, si parti pacifiste, sikur kishte qenë edhe në kohën kur pacifizmi si filozofi e pritjes dhe e durimit, ishte degraduar përfundimisht nga alternativa e luftës së UÇK-së dhe intervenimi i NATO-s kundër Serbisë, në vitin 1999. Haziri, që pretendon se ka qenë krah luftarak i LDK-së, mbase edhe i UÇK-së, apo i FARK-ut, dhe dihet botërisht sesa, kur dhe ku ka qenë i tillë, nuk mund ta bartë mbi supe atë pjesë militante të LDK-së, e cila mori pjesë në luftë, pa e pyetur fare Ibrahim Rugovën, as pa i kërkuar falje për këtë, sikur kanë bërë, Sali Çekaj, Bujar Bukoshi, Enver Maloku, vëllezërit Geci në Drenicë e të tjerë. Pjesa luftarake e LDK-së, e cila nuk mund të mohohet, as është mohuar ndonjëherë, është imponuar si kreu institucional i luftës, por nuk e ka gëzuar besimin e shumicës, me vetë faktin se Rugova ishte deklaruar haptas dhe botërisht kundër UÇK-së. Pikërisht për këtë arsye imazhi i LDK-së gjatë luftës, jo vetëm që ka pësuar goditje serioze, por ka dëmtuar rëndë edhe krahun luftarak brendapërbrenda saj, për shkak se njerëzit kanë qenë të hutuar nga veprimet dualiste të kësaj partie. Andaj Lufti Haziri nuk ka kapacitete, as trashëgimi të duhur, as durim pacifist, as imazh të njeriut paqësor, sikur ka për shembull, kryetari i ngrirë i LDK-së dhe kryetari aktual i Kosovës, Fatmir Sejdiu, apo Kolë Berisha, Sabri Hamiti e të tjerë. Fakti, se ai është relativisht i ri dhe tërë energji për të folur e për të mbajtur fjalime të gjata, madje edhe me gurmaz dhe me një patetikë teatrale të njeriut të kafeneve, shpeshherë edhe duke kërcënuar me “hutë” në krah, nuk mjafton për të qenë lider unifikues në një parti, e cila po rrezikohet jo nga PDK-ja rivale, që shpeshherë i ka sjellë edhe favore, por në radhë të parë nga aleatët e rrejshëm, sikur është AAK-ja, e cila e josh e përkrah, por në anën tjetër ia shkëput kuadrot labile, ndërkohë që propozon edhe koalicion, me qëllim për ta shuar në tërësi, apo për t’ ia marrë edhe një gjysmë tjetër nga ajo që ka mbetur. Lufti Haziri nuk është njeriu që mund ta ndalë erozionin e brendshëm në LDK, të cilin po e stopon vetëm autoriteti i kryetarit, Fatmir Sejdiu, edhe pse dihet botërisht se ai kontestohet nga shumë kuadro të larta, jo vetëm për shkak të veprimeve të matura dhe karakterit të tij unifikues, por edhe për faktin se autoritetin e tij mobilizues, e hedh në fund të pusit paraqitja afër tij, e njeriut më kontravers dhe më meritor për shkatërrimin e kësaj partie, Eqrem Kryeziut dhe stafit të tij. Ta shikosh LDK-në në këtë prizmë, del se gjasat për konsolidim nuk janë shpresëdhënëse, edhe pse përpjekjet janë shumë këmbëngulëse dhe shumë serioze. Në filozofinë e bërjes së politikës, është më së vështiri të gjendet njeriu i kohës, njeriu që e kupton kohën dhe lëvizjen, njeriu që nuk imponohet, por që rrezaton seriozitet, korrektësi, gatishmëri për t’iu përgjigjur sfidave dhe që nuk vuan nga komplekset e së kaluarës as nga nostalgjia për të kaluarën. LDK-ja ka në mesin e vet veprimtarë të tillë, por ata aktualisht nuk janë në sipërfaqe, meqë brenda kësaj partie ende vlojnë përpjekjet për t’u veshur me meritokraci, me vjet përvoje në parti, me rugovizëm dhe me izma të tjerë, që nuk prodhojnë dot seriozitet as i përballojnë kohës. Derisa LDK-ja nuk i konsolidon radhët në këtë drejtim do ta ketë të kotë të ringrihet, apo ta zgjerojë ndikimin, sepse kundërshtarët e sotëm, shokët e deridjeshëm të idealit, janë më të rrezikshmit. Ata po ia devalvojnë përpjekjet, me qëllim për ta varrosur, me faktin se tashmë nuk janë pjesë e saj. Duket se koha e LDK-së ka perënduar njëherë e përgjithmonë me vdekjen e Ibrahim Rugovës dhe përpjekjet për ta rikthyer në vendin e parë, ku ka qëndruar shumë vjet, janë përpjekje të kota. LDK-ja, për të mbijetuar duhet të bëjë reforma shumë të thella, brenda për brenda, dhe jo të mundohet të mbijetojë duke pritur gabimet e të tjerëve, duke lidhur koalicione të tipit Meta-Berisha, apo duke luajtur, pa përgatitje të duhur pokerin e zorshëm dhe të rrezikshëm politik. LDK-ja e themeluar 20 vjet më parë, nga një grup i shkizmatëve të Lidhjes Komuniste të Kosovës, nuk mund të mbijetojë në realitetin e ri, që është krijuar në vendin tonë, pas shpalljes së pavarësisë. Mëkatet që kanë bërë krerët e kësaj partie kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tanimë po u kthehen bumerang kuadrove të larta, që kishin bashkëpunuar me policinë e UNMIK-ut, dhe policinë e fshehtë të Serbisë duke dëshmuar rrejshëm kundër luftëtarëve të lirisë. Mbi këto të dhëna, Ministria e Drejtësisë e Beogradit, qysh në kohën e Milosheviqit kishte ngritur akuza për krime lufte kundër 160 shqiptarëve të Kosovës, pjesëtarë të UÇK-së. Në kohën kur tashmë kanë dalë në sipërfaqe të gjitha të ligat e të zezat të kreut të kësaj partie, në kohën e humbjeve fatale në Gjilan, Lypjan dhe në Prizren, në kohën e dorëheqjes së Melihate Tërmokllit, e cila njihet si krah revolucionar dhe militant i LDK-së, në kohën kur kjo refuzoi bashkimin me AAK-në dhe LDD-në, LDK-ja jo vetëm që nuk mund t’i marrë këmbët, por ajo do të degradojë si një parti minore, e cila do të mbetet si kujtim për një njëlloj mbetjeje të së kaluarës së dikurshme, asnjëherë të lavdishme.
Kontrolloni gjithashtu
Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …