leoni

Ahmet Qeriqi: Letërsia hungareze është shumë e begatshme dhe mjaft e përkthyer në gjuhët e botës, por jo sa duhet në gjuhën shqipe

Letërsia hungareze është shumë e begatshme dhe mjaft e përkthyer në shumë gjuhë të botës.  Shkrimtarët më të mëdhenj me përmasa botërore të kësaj letërsie, ende nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe. Romani ndër më të lexuarit në botë, “Ararat” i shkrimtarit Llajosh Zillahi nuk ndodhet i botuar  në gjuhën shqipe. Këtë roman e kam përkthyer  gjatë kohës sa isha në bugun e Syboticës, në Vojvodinë në vitet 1984-1987, por  ditën   e lirimit, drejtoria e burgut të Novi Sadit, ma konfiskoi përkthimin me arsyetim se duhet më parë të lexohet a është përkthim,  apo kamuflim, në një  gjuhë,  për ne të pakuptueshme. 

Deri në vitin 2011 nuk ishte  përkthyer asnjë vepër e shkrimtarit të madh, Jokai Mor, i cili në mesin e 100 romaneve dhe novelave të tij ka shkruar edhe dy romane me tematikë nga jeta e shqiptarëve, një roman për kryengritësin më të madh shqiptar të Perandorisë Otomane, Halil Patrona, titulluar, “Trëndafili i bardhë” dhe “Luani i Janinës”. Të dy këto romane janë botuar nën Titullin  “Ditët e fundit të jeniçerëve” me tematikë nga jeta e kryengritësit të Stambollit, Halil Patroan apo Halil Arnauti dhe  lufta e rezistenca e Ali Pashë Tepelenës.

Këto dy romane i kam përkthyer në gjuhën shqipe.  “Trëndafili i Bardhë” është botuar në vitin 2011, me ndihmën e ministrisë së Kulturës, kur ishte ministër, Ramë Buja dhe romanin. Romani “Luani i janinës” në vitin  2019, të cilën nuk e pranoi ta botonte Ministria e Kulturës  në Shqipëri, as ajo në Kosovë, edhe pse nuk kisha kërkuar kompensim për përkthimin,  por kishte bërë kërkesë të financohej vetëm botimi.

Romani i Jokai Morit, “Luani i Janinës”  është më i arriri dhe më i fuqishmi   në mesin e 15 romaneve që janë shkruar për Ali Pashë Tepeleën, në gjuhën greke, frënge, angleze, turke dhe në gjuhën shqipe. Botimin e këtij romani e mundësuan, veprimtarët: Osman Osmani, Skënder Hajdari, Fatmir Bajrami dhe Isuf Ismaili.

Poeti më i madh magjar, pa dyshim është Petëfi Shandor, i cili ka jetuar rreth viteve 1823-1849.

Jeta dhe vepra e tij përbëjnë një fenomen unik jo vetëm në letërsinë hungareze por edhe në letërsinë botërore në përgjithësi. Petëfi kishte filluar të shkruante qysh në moshën 16 vjeçare dhe me fuqinë e intelektit të tij zgjoi kërshërinë e qarqeve krijuese në atë kohë. I edukuar në frymë të zgjimit revolucionar, ai qysh i ri u hodh në barrikadat e luftës çlirimtare. Në kohën e revolucionit të popullit hungarez të udhëhequr nga Janosh Koshuti, kundër forcave të huaja intervencioniste, Petëfi bie në barrikadat e luftës çlirimtare.
Poezia e tij asokohe ishte burim frymëzimi për liridashësit magjarë. Poezitë e këtij poeti janë përkthyer në të gjitha gjuhët e botës, ndërsa Petëfi konsiderohet se është poeti më i lexueshëm i të gjitha kohëve në Hungari.

 

Liri Dashuri

Liri e dashuri,
I dua që të dy,
Për dashurinë
E jap jetën,
Për lirinë
E jap dashurinë.

Populli

Në njërën dorë parmendën,
Shpatën në dorën tjetër,
Kështu gjallon ky popull,
Kështu e derdh gjakun e djersën
Derisa të rrojë.

Përse të derdhim gjak
Kur tok` e atdheut,
E pasur e pjellore,
Prodhon bukë e zaire
Dhe gjithë ç na duhet?
E kur armiku na mësyn
Përse të na përgjak
Shpatës t`i përvishemi
Atdheun ta mbrojmë.
Sepse atdheu është aty ku ka drejtësi,
E sot ky popull në robëri po gjallon.

Kënga e ujqve

Fryn e shfryn veriu
Nën qiellin re përplot,
E dimri me acar,
Shi e dëborë si sot.

Shkretëtirave pa fund,
Tej tutje banojmë ne,
Asnjë copë askund,
As një kothere për be.

Këtu përpin acari,
Zorrët i grin uria,
Ikim të përndjekur
Prapa na ndjek trishtia.

Dhe tej tutje në prita,
Gjuetarë të armatosur,
Shkrep pa pritë furia
Ikim të lebetitur.

Të mardhur e të uritur,
E plumbat breshëri përposh,
Rrisku ynë i trishtuar,
Të lirë e rrojtje kot…

 

Një poet tjetër i mirënjohur magjar ka qenë edhe Adi Endre. Ka jetuar rreth viteve 1877-1919. Ashtu sikurse edhe Pëtefi, Adi Endre është i njohur për vargun e tij militant. Ishte poet lirik revolucionar i cili ushtroi ndikim të madh në qarqet letrare magjare, në Evropë dhe përgjithësisht në poezinë revolucionare të fillimit të shekullit të njëzet.

Dielli i kuq

Luftën dhe murtajën kush i solli,
Dallkaukë e trima kapedanë?
Ngrihu lart, o ngrihu lart, diell i kuq
Ndriçona!

Vetëm llahtar dhe zezona po shoh,
Rrjeta kanë vënë, e prita kanë zënë:
Qoftëlargu, shpirtligu, i dehuri, fatkobi,
Përpara na grahin dhe dërdëllisin!

Qyshkur në qenie po na rëndon,
Fati i moçëm e gjëma jetike,
Ti i nëmuri diell i kuq,
Ty të thërras!

S` më vdiset jo kaq i hidhëruar,
S`më rrihet, jo, kufomë n` arkivol,
Pa shpresë e përreth zezona,
Dhe zemra sterrë.

Ngrihu lart, i shenjti diell i kuq,
Unë po mërdhij, po gjallë ende jam,
Shkatërrimtar, rrënues do bëhesha,
Njëherë po të shihja!

Eh, sikur të më shihje, e pak dritë të me jepje,
Pak dritë të pasurisë tënde përjetësore,
Ti i tretur në përjetësi,
E unë, heu, unë,
Të përmbytesha në vajtim të zi!

 

Një poet tjetër i shquar i letërsisë magjare, është edhe poeti realist Jozhef Atilla, i cili ka jetuar rreth viteve 1905-1937. Ka qenë i njohur në letërsinë e popullit të tij për vargun e ashpër kundër shtypjes e shfrytëzimit. Po aq sa ishte luftarak dhe militant në vargjet e tij për të rritur, ishte tejet subtil dhe i butë në vjershat për fëmijë.

Flej Ballazh

Sytë e kaltër i mbyll qielli,
Të gjithë në shtëpi po flenë,
Afër Tunës fle livadhi,
Flej Ballazh i nënës, flej!

Kokëvarur e përgjumur,
Po fle anxa edhe thnegla,
Po fle edhe cicërima,
Flej i miri nënës, flej!

Edhe drita se ç` po fle
Edhe vrapi po dremit,
Nëpër ëndërr dhe ushtimë,
Flej, Ballazh i vogël, flej!

Mbi karrige varë pelerina,
Edhe vrimat po na flenë,
Asgjë më nuk po vrapon
Flej i bukuri i nënës, flej!

Ç`po dremit topthi e fylli,
Edhe pylli e fushimi,
Shih, sheqerka paska fjetur
, Flej Ballazh i nënës, flej!

Ushtari n` roje po dremit,
Bariu berret po i nget,
Shih dhe nëna paska gjumë,
Flej Ballazh i nënës, flej!

 

Përveç poetëve të njohur në Hungari për këtë emision do të veçojmë edhe një poet magjar të Vojvodinës, i quajtur Gal Laslo, i cili ka jetuar rreth viteve 1902-1975.Laslo ka qenë edhe publicist dhe eseist i njohur jo vetëm në letërsinë magjare që krijohet në Vojvodinë.

Këngë e vendit tim

Është ky vend tokë e premtuar,
Shkoj e vij unë si përherë,
Dhe do të shkoj e kurrë më,
Askurrë tjetër s` do të kthehem

Nëpër ujëra nëpër brigje,
Në shkretëtira do shkretohem,
Kurrë më nuk do të kthehem,
Do të përmbytem!

Mali dhe poeti

Te ne ka pak male e pak poetë,
Rrafsh pa fund është bota jonë e qetë
, Mbrëmjeve tek-tuk ndizen dritat.

Male dhe poetë… si maje mali me dëborë, I çuditshëm është risku i jetës,
E njeriu i rrafshit lart s` ngjitet dot.

Ne, vetëm pak mençuri vjelim,
Dimë të heshtim dhe duam
Shtratin, stufën e ngrohtë dhe veten.

Mali është i përjetshëm e poeti i pakufishëm,
Habitemi, pse aq e shkurtë është jeta,
Edhe kur mund të jetohet, vdesim…

Gal Laszlo

Suboticë

Asgjë,
Në këtë qytet qetësi varri,
Princ danez,
S’mund të jesh.
S’ka probleme, s’ka as pyetje,
Asgjë të dendur dhe shumë lypsare
Në këtë qytet,
Ka akacie, monotoni, pluhur, baltë…
Dhe po u nis ndokush, sërish kthehet, ulet, flë.
Në këtë qytet s’ka dimër të bardhë,
Në këtë qytet s’ka pranverë gjelbëroshe,
Edhe vera është e llahtarshme,
Thatësi, vapë, zonjë thinjoshe.
Në ndonjë rrugë fshati, zhurmërime mbytëse,
Kapela kashte, shtëpi të shpërndara,
Këtu,
Nëpër podrume përmbyten edhe katet,
Dhe çdo vdekje është e zbërdhylur.
Suboticë
Nuk lexojnë, s’ngrenë krye, s’duan gjë,
Nuk thyejnë, s’kërkojnë, asgjë s’dëshirojnë,
Suboticë,
Vetëm ashtu të ngatërruar në marrëzi,
Në bezdi të zbërdhylur.
Asgjë,
Në këtë qytet qetësi varri,
Princ danez,
S’mund të bëhesh.

 

Toth Arpad

Mbaroi jeta

Kaloi jeta. Po vate edhe ti shpirt i njomë,
Mbase për të pushuar. Yjet e natës, ndriçim akulli,
Puhiza varrezat, i përshkon.
Jetë e largët, qielli flakëron.
Por dëshira dhe malli yt kanë ngrirë,
Buzëqeshja e përjetshme….. në qetësi,
Përdhe shtrirë, mase duke ëndërruar dashuri.
Sërish përkujtoje ç’ka thënë Kantori,
Pas çdo vuajtje e hidhërimi,
Mbetet pas vetëm kujtimi……

A ishte Pranverë?

A qe atëbotë pranverë,
A e mban mend kush?
Puhiza e këndshme a frynte kah ata?
Puhiza e lehtë në buzët e saj,
Plisa magjare….

Kush e di?
A e di kush a është kjo jeta?
A është kjo jeta, e vërtetë?
Është ky loti i çuditshmi, i mahnitshmi,
Mejhanja e llahtarshme, djersë e gjak.
A do të ketë më për të pirë?
Zoti a na pret,
Diku përtej yjeve?

 

Këngë çerkeze për gjakmarrjen

Do t’thahet dheu i varrit tim,
E ti nënëloke do të ë harrosh.
E një ditë kur varrin bari ta mbulojë,
Edhe ti ati im me zemër të plandosur.
E lotët tua motërza ime
Një ditë do t’ thahen
E vaji do të pushojë.
Po s’ më harron dot ti vëllamadhi im,
Derisa një ditë për mua të hakmerresh.
Edhe ti vëllavogli im s’më harron dot
Derisa një ditë të shtrihesh pranë meje.
I përcëlluar e jo plumb vdekjeprurës,
Po deri dje, robi im besnik ke qenë.
Ti o tokë e zezë, me dhe do të më mbulosh,
Po gjithherë t’ kam shkelur mbi kalë shaluar.
E ftohtë je vdekja mizore,
Po deri sot, zoti yt kam qenë
E ti dhe trupin do ma tretësh,
Po shpirti në qiej do më fluturojë.

Përkthyer nga novela, “Haxhi Murati” e Leon  Tolstojit e botuar në gjuhën hungareze.
Përktheu nga gjuha magjare, Ahmet Qeriqi, në burgun e Suboticës- 1984-1987.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …