Ahmet Qeriqi: Lëvizje të reja të ushtarëve në drejtime të ndryshme (E martë 7 korrik, 1998)

Ahmet Qeriqi: Lëvizje të reja të ushtarëve në drejtime të ndryshme (E martë 7 korrik, 1998)

Nuk përshkruhet dot dinamizmi dhe ritmika e zhvillimit të ngjarjeve. Edhe pse po mundohem që në këtë fletore, sidomos në orët e vona të natës, të shtjelloj besnikërisht ndodhitë e ditës, herë herë nuk arrij t i shënoj të gjitha. Kryesisht veçoj disa zhvillime për të cilat mendoj se kanë më shumë peshë, sidomos ato në të cilat marr pjesë.

Në Krojmir ndodhem me krejt anëtarët e familjes sime. Arbana, tash për tash  po punon në ambulancë të Pjetërshticës, ajo që në fillim iu ka bashkuar radhëve të luftës. Bashkëshortja ime Zymrytja, pastaj bijat, Labëria dhe Rrezarta i ndihmojë tezes Ajshe dhe përkujdesen për ushqimin e ushtarëve, sidomos të atyre që kalojnë tranzit. Me to së bashku bëjnë punë në përgatitjen e ushqimit edhe bijat e Sylës dhe të Maliqit, të Vehbiut, të Imerit e të Selatinit. Epiri kujdeset për familjen dhe kërkon të radhitet në UÇK edhe pse ende nuk e ka moshën. Zamiri luan me mocanikët e tij. Ata kanë rregulluar pushkë druri dhe dalin e ndalojnë kalimtarët, duke emetuar UÇK-në e të rriturve.

Janë dhjetëra vajza të afta që kanë shfaqur gatishmëri të inkuadrohen në radhët e ushtarëve. Deri tani dallohen sidomos: Hilmie Plakiqi, drejtoreshë e shkollës fillore të Nekocit  Mirëdita, Arbana, Melikija, Ganimetja, Meritë Mazreku dhe Mirushe Krasniqi nga Prizreni, Shukrie Mustafa, arsimtare e Krojmirit  e të tjera.

Sot, këtu kanë ardhur edhe pesë ushtarë të tjerë anës së Kaçanikut.

Ka kohë që ndodhen në frontet e luftës, qysh prej kohës kur kanë hyrë në Kosovë të uniformuar dhe me armatim. Ata fillimisht kanë luftuar në Dukagjin, pastaj në Pashtrik e tani ndodhen në istikamet e Zborcit.

-Kështu si po ecim, thotë njëri prej tyre, pas dy tre muajve do të arrijmë në Kaçanik!

Ende pa marrë përgjigje tjetri ia merr këngës, “Malet me blerim mbuluar” dhe të gjithë të tjerët  e pasojnë. Janë një pesësh i shokëve, në krye me Agim Bajramin që shumë vjet kanë punuar në perëndim dhe tani mezi presin të depërtojnë në fshatrat e Kaçanikut.

Pasi pushon kënga, djaloshi i gjatë i entuziazmuar dhe me emocione më drejtohet;

-Dëgjo bacë, nuk ka në botë vend më të mirë se Kosova. Ka dy muaj që jemi në frontet e luftës dhe në çdo fshat, në çdo shtëpi jemi pritur me dashuri sikur të nënave, të motrave e të vëllezërve tanë. Në fillim kishim dëshirë që sa më parë të shkonim në zonën tonë të Kaçanikut, por tani kudo ku ndahemi nga shokët, nuk i ndalim dot lotët kur ndahemi.

-Kosova, bacë është bërë një shtëpi, shtëpia jonë e madhe, dashuria jonë e pashuar për ardhmërinë e saj të lirë thotë ai.

Trimat e Kaçanikut, po përgatiten të depërtojnë në Zonën e Neredimës. Ata, nga lufta vijnë, në luftëra shkojnë! Nuk i pyes për emrat dhe më vjen keq që nuk mund t’ i shënoj në këtë kronikë, meqë kam frikë mos më keqkuptojnë.

Sot në mesditë, në kohën kur ishim shtruar në sofrën që mezi e kishim futur nga një dorë, erdhi një djalosh fare i ri, zeshkan, shumë i çiltër. Ende pa u ulur pyet se kur është nisur grupi i vullnetarëve për në Shqipëri. Ankohet në shokët që janë nisur dhe nuk e kanë pritur. Ka rrugëtuar tri orë këmbë. Nuk pranon të ulet në sofër, por pi ujë dhe na lutet t i tregojmë se kah është nisur grupi, për të cilin ne nuk dimë asgjë por është vështirë ta bindësh, se me të vërtetë nuk kemi informatë për grupin e vullnetarëve.

Vullnetari i  cili ende nuk i ka mbushur 18-vjet quhet Selim Selimi. Mësova se ishte nxënës i vitit të tretë të Medresesë. Ai  në asnjë kusht nuk pranon të kthehet prapa. Tregon se i kanë premtuar komandantët, të cilëve u din edhe emrat, meqë dy javë të tëra ka hapur istikame ditë e natë, në Zborc e në Carralevë.

Në orët e mbrëmjes kanë ardhur edhe dy studentë të tjerë, të fshatit Petrovë, afër Shtimes,  Kadri Ademaj dhe Fadil Rashiti. Edhe ata kanë shfaqë gatishmëri për të shkuar në Shqipëri, për armatim.

Më vonë vjen Ruzhdi Jashari me një fotoreporter. Ruzhdiu ka filluar të raportojë për TVSH-në, lidhur me zhvillimet në Zonën Operative të Neredimës.

Natën vonë duke qenë se të gjitha shtëpitë tona janë të stërmbushura me të ardhur nga të gjitha anët e Kosovës, me Ruzhdiun nisemi për në Shalë te miku im Vehbi Shamolli. Ai gëzohet pa masë kur na sheh. Ka një odë të madhe dhe kohë pas kohe,  me shokë e të njohur shkoj nergut për të fjetur dhe për të pushuar, meqë  net të tëra mezi arrij të flej tri katër orë.

Në kohën kur Ruzhdiu fillon të kotet, unë i tregoj se kam edhe një punë shtesë, që duhet ta kryej. Derisa i tregoj se duhet të shënoj zhvillimet e ditës, Ruzhdiu, i dërrmuar nga lodhja e pagjumësia vetëm pohon me kokë instinktivisht dhe duket sikur ka kohë që ka fjetur. Unë i përmbledh forcat e fundit dhe po mundohem t i shënoj në letër të gjitha ndodhitë e ditës, në dritën e një llampe me vajguri.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …