Dikur në vitet 30 të shekullit të kaluar, kur në kohën e qeverisjes së Shqipërisë nga Ahmet Zogu, shqiptarët skamnorë vdisnin urie, poeti më zemër-ndjeshëm por edhe më kryengritës i kohës, Migjeni, kishte shkruar prozën e tij antologjike “Legjenda e Misrit”. Shqiptarët asokohe kishin vetëm një ëndërr jete, misrin, me të cilin e mbanin shpirtin. Ja si e përshkruan Migjeni me disa fjali atmosferën e apoteozës së misrit.
“Lajmi se do të shpërndahet misri doli nga zemra e dheut, rrodhi nëpër dejt e thella deri te gjymtyrët e mpita të dheut, që quhet shtet. Dhe bani të dridhen nga gëzimi frymorët, që s’kanë me çka ta mbajnë frymën. Si thneglat që mblidhen rreth një korë të misri, q’ashtu në një qendër nënprefekture janë mbledhur malësorët rreth depos së misrit…”
Sot misri nuk është më apoteozë. Apoteoza e sotme e shqiptarëve është liberalizimi i vizave, një pasaportë biometrike me të cilin mund të shëtisësh lirshëm nëpër rrugët e shteteve të Evropës, për të gjetur një jetë më të mirë, ku mund të jetohet gjithqysh, qoftë duke punuar me nder, duke hapur kanalizime e duke pastruar ujërat e zeza, qoftë duke u marrë me të gjitha llojet e trafiqeve, që ka shpikur shoqëria moderne kapitaliste, qoftë duke jetuar nga lëmosha dhe duke bredhur rrugëve të botës, apo nëpër birucat e burgjeve të qyteteve të ndryshme, ku shqiptarët përbëjnë numrin më të madh të delikuentëve.
Atdheu dhe përparimi i vendit, për një shumicë shqiptarësh, nuk e ka më rëndësinë, as vlerën që e ka pasur dikur. Atdheu, toka e të parëve, vendlindja, tashmë i përkasin “traditës folklorike”, sepse dominon bindja se atdheu është atje ku mund të jetohet më mirë, mundësisht ku mund të jetohet qelepir, pa mund e djersë. Dhe për të realizuar ëndrrën e jetës, sot duhet një vizë, e ashtuquajtur Shengen, me të cilën hap kufijtë e shteteve, pa u rrezikuar dhe pa pasur nevojë për t’u futur ilegalisht nëpër shtete të ndryshme.
Duke parë këtë prirje jo pak të çuditshme, sidomos të shqiptarëve, politikanët aktualë në Tiranë, Prishtinë, në Shkup e gjetkë formulën magjepse për “liberalizimin e vizave” e kanë ngritur në nivelin e “Tokës së Premtuar”, në nivelin e parajsës tokësore, përtej së cilës nuk ka më. Sintagmat: “Liberalizimi i vizave”, “integrimi në Evropë”, janë dy sintagmat më të përdorshme, për pazare ditore të politikanëve shqiptarë, me qëllim për t iu qitur hi syve bashkëkombësve dhe për t’u mbajtur vetë sa më gjatë në pushtet.
Nëse analizohen mirë e mirë këto oferta të politikanëve tanë, si Sali Berisha, Haxhinastosi, Hashim Thaçi, zonja Çitaku e të tjerë del se jeta e shqiptarëve ka vetëm një qëllim final, dhe ai qëllim është shëtitja lirshëm nëpër botë dhe integrimi në unionin globalist të Evropës, jo në nivelin e barabartë, sepse shqiptarët kurrë dhe asnjëherë as mund të bëhen, as do të trajtohen të barabartë në Evropë, meqë si të tillë nuk janë trajtuar tash e dy mijë vjet. Tekefundit, shqiptarët edhe nuk kanë aspirata të tilla, për të qenë të barabartë.
“Toka e premtuar” për shumicën e shqiptarëve nuk është më, çlirimi nga robëria dhe kthimi në vendlindje, ashtu sikur ndodhi me hebrenjtë në kohën e profetit Mojsi. Nuk është as investimi në përparimin e atdheut, por ikja sa më larg të jetë e mundshme, madje edhe atje ku, “kafja piqet në zallin e valë”, apo “ku bren miza hekur”, por jo në Atdhe.
Tekefundit, në Atdhe gjithmonë mbesin mjaftë shqiptarë të cilët ose nuk duan Atdhe tjetër, ose nuk iu pëlqen toka e huaj, qoftë ajo edhe parajsë. Ka mjaft shqiptarë të këtij soji, të cilët shihen si prapanikë dhe përtacë, por janë shumë më tepër nga lloji i shkapërdarëve, të cilët për ikje nga Atdheu i stimulon klasa politike në pushtet, e cila përditë u propagandon vizat, integrimin dhe dyndjen sa më masive drejt botës, ku mund të jetohet në luks, degjenerim, trafikim, hajni, kurvëri, drogë, ryshfet, fenomene këto të cilat shtetet i lejojnë dhe i ndalojnë. I lejojnë fillimisht me qëllim që fenomenet të lulëzojnë dhe të shtrihen në të gjitha poret e shoqërisë, pastaj shoqëria vë në lëvizje makinerinë e saj me policë, inspektorë, prokurorë, gjyqtarë, avokatë, gazetarë, medie, me qëllim për të funksionuar shteti dhe të gjitha instancat organizative. Ky është realisht rendi i ri i botës, nëse duam ta flasim të vërtetën. Ata, që nuk e kuptojnë këtë të vërtetë, ose janë fodullë, ose mashtrues, për qëllime që vetëkuptohen.
Dërdëllisja e përditshme e politikanëve shqiptarë për të ashtuquajturin “liberalizim të vizave” është vetë hipokrizia dhe djallëzia bashkë, sepse ata pasuritë e tyre i kanë ngritur mbi kurriz të popullit, por jo nga fitimi që u ka sjellë lëvizja lirshëm nëpër botë.
Mashtrimi i popullit me vizat, nga klasa politike aktuale në Kosovë dhe në Shqipëri bëhet në radhë të parë për ta blerë paqen sociale, ku papunësia, sidomos në Kosovë arrin shifra marramendëse. Në këtë kohë krizash sociale, të cilat dita ditës po thellohen, propaganda për liberalizim sa më të shpejtë të vizave është një premtim i kotë, i mbështjellë me hipokrizi të skajshme.
Të gjithë e dimë se derisa të ketë qoftë edhe një serb të pakënaqur në Kosovë, nuk do të ketë liberalizim të vizave për shqiptarët e kësaj pjese të atdheut të ndarë. Ishte vetëm një turk i pakënaqur në Prizren që mbajti peng dhe ndërroi stemën e komunës së këtij qyteti. Kjo ndodh sepse shteti i Kosovës është ndërtuar sipas planit të Ahtisarit. Do të mjaftojë deklarata e një familjari në Serbi se nuk guxon të kthehet në Kosovë, për shkak se do ta vrasin shqiptarët dhe Kosova do të mbahet edhe më tej peng, pa përjashtuar shantazhet e vazhdueshme që do të vinë nga Beogradi, nëse nuk i arrin të gjitha qëllimet e veta karshi Kosovës. Andaj sintagmat e hipokrizisë: “Liberalizimi i vizave” dhe “integrimet evropiane” janë vetëm farsa me të cilat pështillet e mbështillet politika aktuale, jo e gatshme dhe gjithsesi e pa aftë për t u përballur me sfidat e vërteta, nëpër të cilat po ballafaqohet Kosova me ardhmëri të rrethuar, pavarësisht fjalive premtuese, ekzagjeruese dhe paraqitjeve narcisoide të spekulantëve politikë.
Do të dëshiroja ta kem gabim, me këtë dioptri të shikimit të realitetit, por në mos më shumë, kam mësuar, sesa më tepër që flitet për një kërkesë, kjo nënkupton mungesën e realizimit dhe angazhimit serioz për ta realizuar atë. Të kujtojmë me këtë rast se në vitet ’80 të shekullit të kaluar, kur sa më shumë po fundosej drejt shkatërrimit, burgu i popujve i quajtur, Jugosllavi, aq më shumë flitej për realizimin në çdo segment të politikës së bashkim vëllazërimit dhe barazisë së plotë të kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë. Propagandohej me të madhe se me ndryshimet kushtetuese, autonomia e Kosovës jo vetëm që nuk do të pezullohej, por ajo do të forcohej sidomos në kuadër të Serbisë.
Liberalizimi i vizave dhe integrimi i Kosovës në Evropë mbase edhe do të ndodh një ditë, por askush nuk na thotë haptas dhe qartë se çka do të fitonim realisht me realizimin e këtyre synimeve. A do të bashkoheshin shqiptarët në një shtet të vetëm, apo do të degdiseshin gjithandej duke harruar madje edhe prejardhjen e Atdheun?
Eruditi i madh, Sami Frashëri veç tjerash ka thënë: “Mos i trego përralla atij që beson shumë sepse i merr për të vërteta”. Përrallave të tilla mund t’ iu besojnë shumë shqiptarë, por ama në këto përralla realisht nuk beson asnjë prej politikanëve aktualë, sepse, ata, nuk janë aq syleshë, sa mund të mendojë ndokush. Ata i besojnë vetëm realitetit faktik, përfitimit dhe në mbrëmje pazarit ditor, që rrjedh nga fitimet e përditshme, gjithnjë në rritje, duke u bërë qindëshet mijëshe, e mijëshet milionë.
Të tjerat janë vetëm fjalë, propagandë për të zgjatur status-quonë, e cila po u sjell të gjitha të mirat sundimtarëve të të gjitha niveleve, fitime këto, të cilat vështirë se do t’ i gëzojnë, sepse “Bylbyl Ky shekull, gjithnjë ndërrohet, bien poshtë të naltit, i vogli çohet” e përralla, se parajsa vjen pas liberalizimit të vizave, një ditë do të harrohet…