Ahmet Qeriqi: Libri: “Agresioni serb dhe taksa e Kosovës”, i autorit, Jakup Krasniqi, përplot me dëshmi e fakte të pakontestueshme

Ahmet Qeriqi: Libri: “Agresioni serb dhe taksa e Kosovës”, i autorit, Jakup Krasniqi, përplot me dëshmi e fakte të pakontestueshme

Libri: “Agresioni serb dhe taksa e Kosovës”, përmbledhje publicistike e Jakup Krasniqit, botuar në prill të këtij viti, vë në spikamë disa nga problemet aktuale, me të cilat po ballafaqohemi me Serbinë dhe mbështetësit e saj, duke e mbajtur peng vendin tonë për interesa dhe koniunktura të politikave të ndryshme në Kosovë dhe përgjithësisht në rajonin e Ballkanit. Lënda e këtij libri me komente e analiza është shkruar para se autori  të arrestohej nga Gjykata Speciale, në nëntor të vitit 2020 ndërsa është botuar në prill 2021. Libri ka 240 faqe, shtypi, Ndërmarrja botuese, “Gjon Buzuku” në Prishtinë.

 

Jakup Krasniqi, është veprimtar ndër më të dalluarit e më të njohurit të Lëvizjes sonë Atdhetare.

Ai është i radhitur në mesin e personaliteteve më të shquara të kombit, jo vetëm në politikë e në aktivitetin e tij atdhetar, por edhe në perceptimin dhe studimin me realizëm të të gjitha zhvillimeve e rrjedhave tona kombëtare, sidomos prej viti 1981 e deri në ditët  tona, në të cilat ka qenë edhe subjekt me shumë rëndësi, veçmas në kohën e luftës, zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, pjesë e delegacionit të UÇK-së në Rambuje, në shkurt mars të vitit 1999, ndërsa pas luftës  pjesë e organizimit  institucional të vendit, ministër, Kryetar i Kuvendit të Kosovës,  në dy mandate madje në kohën e Shpalljes  së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të viti 2008, kryetari i Kosovës në detyrë për  disa muaj sipas funksionit në krye të Kuvendit dhe së fundmi kryetar i Këshillit kombëtar të Nismës Socialdemokrate të Kosovës.

Përveç detyrave me rëndësi në institucionet e vendit, Jakup Krasniqi është marrë dhe merret aktivisht edhe me  studime shkencore, krijimtari publicistike, ndërsa  në vitet e pas luftës ka arritur të botojë një varg veprash me interes për shkencën,  politikën, publicistikën, ku ka lënë gjurmë me origjinalitet dhe pikëpamje të përparuara, të cilat e karakterizojnë tërë krijimtarinë e tij të begatshme studimore dhe publicistike.

Duke qenë për jetë i lidhur me fatin e kombit e Atdheut, një idealist i shkollës politike të Adem Demaçit dhe Lëvizjes Atdhetare të kohës e më vonë  i shkollës ushtarake të Adem Jasharit,  Jakup Krasniqi me jetën dhe veprën e tij ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në avansimin e zgjerimin e idesë së çlirimit dhe bashkimit të kombit, gjithnjë i organizuar në segmente të caktuara të veprimtarisë atdhetare.

Në librin: “Agresioni serb dhe taksa e Kosovës”, Jakup Krasniqi, ka analizuar si askush tjetër deri tani marrëdhëniet, refleksionet, qëndrimet, pretendimet serbe, ëndrrat e tyre për ta kthyer sundimin në Kosovë, të cilat edhe pse në dukje të kota dhe të pamundshme, Serbia zyrtare po rikonfirmon se ajo kurrë nuk do ta njohë Kosovën dhe kjo këmbëngulje është një fiksion i sëmurë i krerëve aktualë të Beogradit, në radhë të parë që përmes kësaj politike të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet, duke u mbështetur në “kauzën serbe” në mitomaninë “maniake”, me të cilat është infektuar një pjesë e madhe e inteligjencies serbe, Akademia e Shkencave që punon e vepron sipas porosive të Kishës serbe dhe politikanët serbë, të cilët edhe humbjet më të mëdha historike i manifestojnë si fitore të tyre dhe gjithnjë ëndërrojnë ta krijojnë “Serbinë e madhe nga Vjena në Stamboll”.

Duke qenë i pajisur  dhe i kompletuar me njohuri historike, duke qenë subjekt i shumë zhvillimeve dhe kthesave historike e politike shqiptare, në Kosovë e më gjerë, Jakup Krasniqi me kohë ka krijuar perceptimin  dhe këndvështrimin origjinal ndaj problemeve së të kaluarës e së tanishmes.

Nuk ka pothuajse asnjë ngjarje në Serbi e rreth saj të cilën nuk e ka analizuar, Jakup Krasniqi në këtë përmbledhje publicistike, e cila është një libër me dëshmi të pakontestueshme, në të cilën analizohen e përpjekjet e  Serbisë për ta mbajtur peng jo vetëm Kosovën por edhe disa nga republikat e ish Jugosllavisë.

Mentaliteti okupator, kolonialist serb,  është pjesë e qenies së politikanëve të këtij populli ashtu sikur edhe ka qenë në vazhdimësinë historike të saj, meqë Rusia e disa vende të Evropës, Serbinë, më pas Jugosllavinë e kanë krijuar për të qenë  shtet xhandar në këtë pjesë të Ballkanit.

Të edukuar në frymë ekspansioniste, nacional-shoviniste, intolerante, mujshare dhe me mentalitet të lindur pushtues, sipas bindjes së tyre se, kudo ku ndodhet qoftë edhe një varr serb duhet të jetë serbi, apo pretendimet don-kishoteske se Serbia do ta hedh vallen prej Vjenës në Stamboll, politikanët serb, i besojnë këtyre ëndrrave e përrallave që i kanë krijuar vetë dhe kjo është në radhë të parë fatkeqësia e tyre, por edhe e popujve të vegjël e pa papërkrahje, në rajonin e Ballkanit.

Libri, “Agresion serb dhe Taksa e Kosovës”, është një përmbledhje me analiza e studime të cilën do të duhej ta kishin në zyrat e tyre të gjithë politikanët e Kosovës e më gjerë, sepse është një pasqyrë besnike e tërë një historie, që nuk i përket vetëm së kaluarës, por është një histori nga ku ushqehet shovinizmi serb. Andaj, ata që kanë për detyrë të bisedojnë me Serbinë, nëse janë të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm për detyrat e obligimet e tyre, duhet të kenë sa më shumë informata të bazuara, të cilat gjenden në këtë libër, që është një faktografi realiste e llojit të vet.

78 analizat, komentet e vështrimet e prezantuara në këtë libër,  janë po aq tema me rëndësi që duhet të merren në konsideratë, meqë janë vrojtime realiste, të dokumentuara e të faktuara dhe të cilat duhet t’ iu shërbejnë politikanëve tanë të cilët edhe  mund të pretendojnë se i dinë të gjitha, por bisedimet e deritanishme me Serbinë që nga viti 2013 e deri tani,  kanë treguar se ata ose nuk i njohin pretendimet e prapaskenat e rrezikshme  të  Serbisë, ose janë të papërgjegjshëm, të lakuar e të shantazhuar, ose thjesht janë të padijshëm, por  mendojnë se i dinë të gjitha.

 

Lexojeni, këtë libër të Jakup Krasniqit, nëse doni ta kenë të qartë si dritën e diellit, politikën ekspansioniste, kolonizuese   dhe antishqiptare të Serbisë!

 

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi – Në …