Disa nga shqiptarët ortodoksë të Kosovës, që nuk ishin konvertuar fetarisht deri nga fundi i shekullit 19-të dhe fillimi i shekullit 20-të, iu bashkuan bandave çetnike serbe në luftë kundër luftëtarëve shqiptarë sidomos në Luftërat Ballkanike e më pas.
(Për hir të unitetit kombëtar, studiuesit shqiptarë kanë anashkaluar këtë ta quajmë “fenomen të bashkëjetesës” së disa shqiptarëve me serbë e sllavë, që ka vazhduar edhe në kohën e sundimit serb dhe që mjerisht është i pranishëm edhe sot, por kuptohet në kushte dhe rrethana të tjera.)
Në mediet dhe portalet serbe, sidomos në ato që mbajnë shenjën dalluese të çetnikëve “Çetniçki pokret”, në mjaft foto të kohës hasim disa shqiptarë, të paktën kështu duken për nga veshja dhe tiparet dalluese racore, pjesëmarrës në bandat e çetnikëve, madje qysh prej kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në legjendat ku janë shënuar emrat e mbiemrat, të tillët janë të shënuara me emra serbë, pavarësisht se kanë veshje, por edhe pamje me tipare dalluese të ndryshme nga serbët.
Edhe kryebanditi dhe kryeçetniku serb, Kosta Peçanac kishte origjinë shqiptare ortodokse, nga një fshat i Deçanit, por ai me kohë, nga Manastiri i Deçanit ishte instruktuar të vepronte me çetnikët serbë, në territorin e pushtuar shqiptar të Toplicës.
Konstantin Milovanoviq – Kosta Pećanac (Ka lindur në Deçan, në vitin 1879, është vrarë nga partizanët në qershor të vitit 1944) ishte udhëheqësi çetnik gjatë Luftës së Dytë Botërore, udhëheqësi i Çetnikëve në Kosovë dhe në Serbi. Në Luftën e Parë Botërore, ai ishte udhëheqësi i çetnikëve në kryengritjen e Toplicës. (https://sr.wikipedia.org)
“Në kujtesën dhe këngët serbe termi “Çetnik” përdorej shpesh për “hajn” dhe plaçkitës. Që nga fundi i shekullit të 19-të, anëtarëve serbë të njësive vullnetare, të cilat janë krijuar në fund të shekullit ishin të organizuara edhe nga autoritetet në Serbi, me qëllim për të dobësuar pushtetin osman në Ballkan. Ata janë të njohur me emrin e çetnikëve. Të tillët në Maqedoni dhe në Bullgari quheshin “komitë” ndërsa në Greqi “andartë”. (https://sr.wikipedia.org)
Realisht, shqiptarët ortodoks, në Kosovë dhe në Maqedoni që fshihnin përkatësinë e tyre fetare, kishin dy emra, emrin e krishterë, që e mbanin fshehur dhe të cilin e quanin emër të shpirtit, dhe emrin islam, me të cilin identifikoheshin si shqiptarë të këtij besimi si dhe gjuhën shqipe të cilën e zotëronin, po aq mirë sa edhe gjuhën serbe. Bashkëpunimi i këtyre elementëve me organizatat dhe bandat çetnike serbe ka qenë mjaft i shprehur në disa krahina të Kosovës.
Këta ortodoks të fundit shqiptarë në Kosovë, janë evidentuar në disa treva, por në disa vende ata janë prezantuar si katolikë, meqë shqiptarët islamë të Kosovës, katolikët i kanë konsideruar dhe i konsiderojnë vëllezër të gjuhës e të gjakut, por jo edhe ortodoksët, të cilët popullata e Kosovës e më gjerë i quan me apelativin: “ Shka- Shkie” nga greqishtja “Schizmos”, që do të thotë i krishterë lindor. Ky apelativ është përdorur që nga viti 1054 kur ishte ndarë Perandoria lindore e Bizantit dhe ajo perëndimore e Romës, ajo ishte ndarë në dysh, apo ishte çarë edhe feja e krishterë. ( greqisht shkizma, shqip: shkoq, shqyej në dysh)
Kujtesa e shqiptarëve të Kosovës nga brezi në brez ka ruajtur disa rite e festa fetare ortodokse, por të ndara nga Kisha serbe, e cila të gjithë të krishterët lindorë i konsideron serbë, qysh nga koha e Mbretërisë së Nemanjidëve të Rashkës, të cilët për afër dy shekuj mbajtën nën pushtim trojet e Dardanisë së Epërme, territor ky që akordon me Kosovën e sotme dhe një pjesë të Maqedonisë veriore.
Mbijetesa e krishtlindjeve ortodokse te shqiptarët e Kosovës e më gjerë, po ashtu ruajtja e restaurimi i disa riteve, që identifikohen me të ashtuquajturin “Bozhiq” në kalendarin fetar serb e sllav si dhe elementë të tjerë tradicionalë si data kalendarike, Shën Gjergji, Shën Marku, Shën Mitri, tregojnë se krishterimi lindor në Kosovë ka qenë i përhapur qysh nga periudha e hershme.
Trajtat shqipe të këtyre festave tregon më së miri burimin autentik të festave tradicionale të krishtera shqiptare, edhe pse gjuhë kanonike kishtare ishte gjuha greke dhe më vonë ajo që u quajt: “Staroslovenski”, gjuha e vjetër sllave.
Janë ruajtur brez pas brezi në kujtesë vargjet:
Bozhiq, Bozhiq
Baj dru e digj
Bluj e gatuj
Prej vendit mos luj.
Në periudhën prej vitit 1912, kur sllavët nga Serbia e Rusia në krye me “Vëllazërinë e krishterë” iu sulen barbarisht shqiptarëve dhe kur vranë e masakruan mbi 200.000 prej tyre, në tre katër muaj, duke i ndjekur për në Turqi rreth 400.000 të tjerë, çetat çetnike furnizoheshin nga autoritetet politike e ushtarake të Serbisë, e cila kishte plan në nivel kombëtar, që në të gjitha mënyrat e veprimet e mundshme të zhduknin shqiptarët, një pjesë duke i vrarë e duke masakruar mizorisht për t’iu futur frikën e shfarosjes kolektive, pjesën tjetër duke i dëbuar dhunshëm për në Turqi dhe pjesën e mbetur duke e asimiluar në pikëpamje fetare e kombëtare. Kleri serb kishte marrë urdhër që shqiptarët para se të pushkatoheshin, të hapnin vetë varrezat kolektive dhe të ndodhur para kryqit ortodoks, ata duhej të zgjedhin, ta puthnin atë dhe të bëheshin serbë që të shpëtonin, ose të pushkatoheshin. Ata që nuk pranonin ta puthnin kryqin pushkatoheshin familjarisht. Kjo kishte ndodhur sidomos në Lugun e Baranit por edhe në shumë fshatra e lokalitete të Kosovës. Njëjtë kishin pësuar edhe shumë katolikët e veriut, të cilët nuk pranonin t’ i nënshtroheshin krishterimit lindor, bizantin.
Ja si e përshkruan, Gjergj Fishta atë gjendje barbarie që kishin ushtruar krishterët lindorë kundër shqiptarëve myslimanë e katolikë.
Në vitin 1912 kërcet lufta turko-ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. Një herë mbysin pak me thanë dyqind mijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue fenë; grijnë myslimanë sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrënojnë me themel qindra e qindra katunde, veçse si e si me e farue kombin shqiptar.
(Pjesë nga Fjalimi i Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes në Paris, më 28 qershor të vitit 1919)
Një fragment i një këngë të gjatë të asaj periudhe tragjike për shqiptarët e besimit islam por edhe për katolikët e veriut të cilët nuk pranonin t’ i nënshtroheshim krishterimit bizantin, e cila këndohet edhe sot nga këngëtarët shqiptarë:
Haj medet për Lug t`Baranit
N`kamb’ u çue Sava i Basanit,
Savë Batarja kamb’ koka çue
Kam me gri shqiptarë me pre
Me ja ndrrue gjuhe e fe
Savë Bartja në kambë na u çue
Batalionin e ka shtrëngue
N Baran të Pejës koka shkue
Të gjithë rajen i ka bashkue.
-A po doni me ardhë me mue
Edhe fenë me e pranue
Ja të tanë keni me marue
Hazir Alia në kambë u çue
Edhe Savës na i ka kallzue
-Na shqiptarë kem qëllue
Pa na gri pa na coptue
Fenë e sllavit s kem me e pranue
Atë herë Sava koka idhnue
Katërdhetë na i ka rreshtue
Me një batare ja u ka gjue
Me një batare haj medet
Na i ka vra katër dhjetë
Tanve ju pastë shpirti rahmet
Kanë dhanë jetën për komb të vet.
(Fragment nga një variant i këngës së Lugut të Baranit)
A ishte Kryeçetniku, Kosta Peçanac, me origjinë shqiptar ortodoks, nga radha e laramanëve fetarë ?
Në historinë serbe, veprimtaria kriminale e Kosta Peçancit kundër shqiptarëve paraqitet si luftë kundër turqve e arnautëve për gjoja çlirim nga Perandoria Osmane. Realisht ai ishte një bandit i rekrutuar nga Serbia, e cila e mbështeste fuqishëm, por para autoriteteve turke e trajtonte si çetnik, i cili vepronte me një numër banditësh dhe për veprimet e tij nuk jepte llogari.
Faktet që sjellë historia serbe për Kosta Peçancin, nuk mohojnë se ai kishte lindur në Deçan të Kosovës. Nuk mohojnë po ashtu se ai dinte dhe e fliste shqipen po aq mirë sa edhe serbishten. Popullata serbe e mbetur në Kosovë, qysh nga mesjeta dhe që identifikohej si “raja” fliste dy gjuhët, shqip serbisht dhe ishte laramane në pikëpamje fetare. Kishte edhe jo pak shqiptarë ortodoksë, të cilët tinës frekuentonin kishat dhe mbanin lidhje të fshehta me “popat” dhe autoritetet serbe. Për të mos rënë në sy që bashkëpunonin me çetnikët serbë, ata visheshin me rroba shqiptare dhe duke qenë se e zotëronin mirë edhe gjuhën, çdo kund trajtoheshin të tillë.
Duke qenë se në lidhje me këtë krye-çetnik shqiptarë-vrasës, është lakuar për të keq emri i kryekomandantit të luftëtarëve popullorë të Drenicës e mbarë Kosovës, Azem Galica, duhet të sqarojmë se ai bashkëpunim në tekstet e “Historinë e Serbisë”, megjithatë është trajtuar me kujdes, pavarësisht qëndrimit zyrtar të kishte Serbia kundër Azem Galicës.
Ja si përshkruhet bashkëpunimi i Kosta Peçanacit me Azem Galicën në një tekst të historisë së popullit serb.
“Në të njëjtën kohë, në zonat e banuara nga shqiptarët, kapiteni, Azem Galica siguroi rezistencë të armatosur kundër pushtuesve. Ai me disa qindra luftëtarë të armatosur kishin detyruar të dorëzohej një regjiment austriak ndërmjet Mitrovicës dhe Pejës, në vjeshtë të vitit 1918. Pak kohë më vonë, aty kishte arritur dhe Kosta Peçanac dhe ishin pajtuar që më 12 tetor të vitit 1918 së bashku të sulmojnë dhe ta çlirojnë Pejën nga ushtria e Austro-Hungarisë. Pas kthimit të ushtrisë serbe, nuk u arrit asnjë marrëveshje me shqiptarët e Azem Galicës, ndërsa Peçanaci iku për në Serbi”…
Po kështu në këtë tekst të Historisë së Serbisë (Istorija srpskog naroda, knjiga 6, tom 2, SKZ 1983) thuhet se “Midis dy luftërave botërore, Kosta Peçanac ishte personi më me ndikim në organizatën çetnike. Autoritetet e Beogradit kishin organizuar çetën e udhëhequr nga Kosta Peçanaci, Miliç Krstiqi, Jovan Babunski, Vasil Trbiçi, dhe të tjerët, të cilat kanë ushtruar dhunë kriminale vrasje, grabitje e plaçkitje në Kosovë kundër popullatës shqiptare. Përdorimi shtetëror i çetnikëve u zbatua në kontekstin e programit të shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova, për në Turqi dhe kolonizimin e Kosovës me serbë. Gjatë zgjedhjeve të vitit 1938, pati vrasje e gjakderdhje në rajonin e Vushtrrisë. Në komunën e Gojbulës, një rreshter i xhandarmërisë vrau katër votues, të cilët publikisht refuzuan të votojnë për kandidatin e qeverisë, Mojse Sretenoviq. Kur situata u përkeqësua, kreu i xhandarmërisë Branko Jarakoviç hodhi dy bomba në mesin e popullatës nga të cilët u vranë rreth 30 prej tyre. Në vendin e masakrës Qeveria e Beogradit dërgoi menjëherë, Kosta Peçancin në krye të çetnikëve, edhe pse pjesa tjetër e popullatës duke përfshirë edhe kandidatin parlamentar, Sherif Voca, ikën në pyll. Në atë rast, vëllai i Vocës, Et-hemi, u zhduk, ndërsa shumë të tjerë u rrahën.
( Istorija srpskog naroda, knjiga 6, tom 2, SKZ 1983).
Nga ky fragment i “Historisë së popullit serb” kuptohet fare mirë se nuk kishte kurrfarë miqësie mes Azem Galicës e Kosta Peçancit, meqë forcat shqiptare: “kishin detyruar të dorëzohej një regjiment austriak ndërmjet Mitrovicës dhe Pejës, në vjeshtë të vitit 1918”. Peçanaci me banditët e tij kishte qenë më tepër vëzhgues dhe përnjëherë kishte ikur për në Serbi, ndërsa Azem Galica me trimat e tij kishte luftuar si Austro-Hungarinë ashtu edhe regjimin serb të Pashiqit.
Sa i përket pushtimit të Austrohungarisë, mendimet e historianëve shqiptarë janë të ndara. Austro-Hungaria, e cila asokohe ishte edhe vetë buzë katastrofës, në Shqipëri mbështeste vetëm elementin katolik shqiptar dhe jo shumicën dërrmuese shqiptare me besim islam. Ishte pikërisht konsullata e Austro-Hungarisë, në Podgoricë, e cila kishte qitur në pritë të ushtrisë të Malit të Zi, Isa Boletinin me trimat e tij, më 23 janar të viti 1916.
Ja si e ka paraqitur këngëtari popullor vrasjen Isa Beletinit, për të cilën ai e fajësonte konsullatën e Austrisë në Podgoricë, e cila paraprakisht i kishte siguruar se do ta merrte në mbrojtje atë dhe trimat e tij.
Kral Nikolla po ma rrehka telin,
Kongjallozit po ia çon haberin,
– Me ma zanë Isa Begun,
– Krejt Avropa ia kanë pa sherrin.
Konxhallozi ja ka rrehë telin,
Kral Nikollës ja çon haberin,
– Ta kam zanë, Isa Begun,
– Ta kam zanë e ta kam mashtrue
– N’ Pogoricë Isën ta kam çue,
Në Podgoricë Isa ka dalë.
Veshoviqi po i thotë do fjalë,
– Gjenerali m’ ka çue me t’ falë,
– Hiqi armët, Isë, i kam dy fjalë.
– Gjeneral, mos t’ kofsha falë!,
– Para mbretit në sylah jam dalë,
– Edhe sylahin ja kam marrë.
– Para kralit në Cetinë jam dalë
– Unë sylahun ja kam falë.
Kërcet pushka në Pazar,
Në Pazar e në qarshi,
Rrept po qet Isa allti,
Po i ndihmojnë do djem të ri,
Dur kadale i ka thanë atij,
Kurrë kësi shqiptari nuk kem pa me sy.
– Ta njefsha të ligën moj Austri,
– shumë uzdajë kam pasë në ty,
– se kam ditë që po don me m’ gri
Austria po ban seri,
Zot shka asht ky nam beteri,
Podgoricën e mbuloi jezeri,
Po lufton ai Isa begu,
Mbet dëshmor, Isa, vet i teti,
Vet i teti dëshmorë ka mbetë,
Ka vra shki njëzet e tetë,
Kral Nikolla po ban medet,
Ma faroi asqerin krejt.
( fragment kënga e Isa Boletinit kënduar nga Dervish Shaqa)
Ja si e kishte trajtuar Austro-Hungarinë Gjergj Fishta në fjalimin e tij në Konferencën e Paqes, në Paris, më 28 qershor të vitit 1919. “Në vitin 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sa do që Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend. Në fillim të vitit 1915, italianët pushtojnë Vlonën, kinse për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmurë të Shqipnisë jugore. Në 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë. Me e thanë me fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten. Për ma tepër: grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin shqiptarë. E sot Konferenca e Paqes lypë që shi ndër ndër këto vise të bahet plebishiti për të caktue kufijt e Shqipnisë. Ç’ironi e helmueme!
Burimet:
– Pjesë nga Fjalimi i Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes në Paris, më 28 qershor të vitit 1919.
– https://sr.wikipedia.or.
– Istorija srpskog naroda, knjiga 6, tom 2, SKZ 1983.
– Fragment nga një variant i këngës së Lugut të Baranit.
– Dervish Shaqa: kënga e Isa Boletinit
– Ahmet Qeriqi, Gjurmime dhe studime