Ahmet Qeriqi: Lidhjet e disa shqiptarëve ortodoksë me çetnikët serbë datojnë qysh nga koha e Turqisë I

Ahmet Qeriqi: Lidhjet e disa shqiptarëve ortodoksë me çetnikët serbë datojnë qysh nga koha e Turqisë I

Disa nga shqiptarët ortodoksë të Kosovës, që nuk ishin konvertuar fetarisht deri nga fundi i  shekullit 19-të dhe  fillimi i shekullit 20-të, iu bashkuan bandave çetnike serbe në luftë kundër luftëtarëve shqiptarë sidomos në Luftërat Ballkanike e më pas.

(Për hir të unitetit kombëtar, studiuesit shqiptarë kanë anashkaluar këtë ta quajmë “fenomen të bashkëjetesës” së disa shqiptarëve me serbë e sllavë, që ka vazhduar edhe në kohën e sundimit serb dhe që mjerisht është i pranishëm edhe sot, por kuptohet në kushte dhe rrethana të tjera.)

Në mediet dhe portalet serbe, sidomos në ato që mbajnë shenjën dalluese të çetnikëve “Çetniçki pokret”, në mjaft foto të kohës hasim disa shqiptarë, të paktën kështu duken për nga veshja dhe tiparet dalluese racore, pjesëmarrës në bandat e çetnikëve, madje qysh prej kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në legjendat ku janë shënuar emrat e mbiemrat, të tillët janë të shënuara me emra serbë, pavarësisht se kanë veshje, por edhe pamje me tipare dalluese të ndryshme nga serbët.

Edhe kryebanditi dhe kryeçetniku serb, Kosta Peçanac kishte origjinë shqiptare ortodokse, nga një fshat i Deçanit, por ai me kohë, nga Manastiri i Deçanit ishte instruktuar të vepronte me çetnikët serbë, në territorin e pushtuar shqiptar të Toplicës.

Konstantin Milovanoviq – Kosta Pećanac (Ka lindur në Deçan, në vitin 1879, është vrarë nga partizanët në  qershor të vitit 1944) ishte udhëheqësi çetnik gjatë Luftës së Dytë Botërore, udhëheqësi i Çetnikëve në Kosovë dhe në Serbi. Në Luftën e Parë Botërore, ai ishte udhëheqësi i çetnikëve në  kryengritjen e Toplicës. (https://sr.wikipedia.org)

“Në kujtesën dhe këngët serbe termi “Çetnik” përdorej shpesh për “hajn” dhe plaçkitës. Që nga fundi i shekullit të 19-të,  anëtarëve serbë të njësive vullnetare, të cilat  janë krijuar në fund të shekullit ishin të organizuara edhe nga  autoritetet në Serbi, me qëllim  për të dobësuar pushtetin osman në Ballkan. Ata  janë të njohur  me emrin e çetnikëve. Të tillët në Maqedoni dhe në Bullgari quheshin “komitë” ndërsa në Greqi “andartë”.  (https://sr.wikipedia.org)

Realisht, shqiptarët ortodoks, në Kosovë dhe në Maqedoni  që fshihnin përkatësinë e tyre fetare, kishin dy emra, emrin e krishterë, që e mbanin fshehur dhe të cilin  e quanin emër të shpirtit,  dhe emrin islam, me të cilin identifikoheshin si shqiptarë të këtij besimi si dhe gjuhën shqipe të cilën e zotëronin,  po aq mirë sa edhe gjuhën serbe.

Bashkëpunimi i këtyre elementëve me organizatat dhe bandat çetnike serbe ka qenë mjaft i shprehur në disa krahina të Kosovës.

Këta ortodoks të fundit shqiptarë në Kosovë, janë evidentuar në disa treva, por në disa vende ata janë prezantuar si  katolikë, meqë shqiptarët islamë të Kosovës, katolikët i kanë konsideruar dhe i konsiderojnë vëllezër të gjuhës e të gjakut, por jo edhe ortodoksët, të cilët popullata e Kosovës e më gjerë i quan me apelativin:  “ Shka- Shkie” nga greqishtja “Schizmos”, që do të thotë i krishterë lindor. Ky apelativ është përdorur që nga viti 1054 kur ishte ndarë Perandoria lindore e  Bizantit dhe ajo perëndimore e Romës, por ishte ndarë në dysh, apo ishte çarë edhe feja e krishterë. ( greqisht shkizma, shqip: shkoq, shqyej në dysh)

Kujtesa e shqiptarëve të Kosovës nga brezi në brez ka ruajtur disa rite e festa fetare ortodokse, por të ndara nga Kisha serbe, e cila të gjithë të krishterët lindorë i konsideron serbë, qysh nga koha e Mbretërisë së Nemanjidëve të Rashkës, të cilët për afër dy shekuj mbajtën nën pushtim trojet e Dardanisë së Epërme, territor ky që akordon me Kosovën  e sotme dhe një pjesë të Maqedonisë veriore.

Në periudhën prej vitit 1912, kur sllavët nga Serbia e Rusia në krye me “Vëllazërinë e krishterë” iu sulen barbarisht shqiptarëve dhe kur vranë e masakruan mbi 200.000 prej tyre, në tre katër muaj, duke i ndjekur për në Turqi rreth 400.000 të tjerë, çetat çetnike furnizoheshin nga autoritetet politike e ushtarake të Serbisë, e cila kishte plan në nivel  kombëtar, që  në të gjitha mënyrat e veprimet e mundshme të zhduknin shqiptarët, një pjesë duke i vrarë e duke masakruar mizorisht për t’iu futur frikën e shfarosjes kolektive,  pjesën tjetër duke i dëbuar dhunshëm për në Turqi dhe pjesën e mbetur duke e asimiluar në pikëpamje fetare e kombëtare. Kleri serb kishte marrë urdhër që shqiptarët para se të pushkatoheshin, të hapnin vetë varrezat kolektive dhe të ndodhur para kryqit ortodoks, ata duhej të zgjedhin, ta puthnin  atë dhe të bëheshin serbë që të shpëtonin, ose të pushkatoheshin. Ata që nuk pranonin ta puthnin kryqin pushkatoheshin familjarisht. Kjo kishte ndodhur sidomos në Lugun e Baranit por edhe në shumë fshatra e lokalitete të Kosovës.  Njëjtë kishin pësuar edhe shumë katolikët e veriut, të cilët nuk pranonin t’ i nënshtroheshin krishterimit lindor, bizantin.

Ja si e përshkruan, Gjergj Fishta  atë gjendje barbarie që kishin ushtruar krishterët lindorë kundër shqiptarëve myslimanë e katolikë.

 

Në vitin 1912 kërcet lufta turko-ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. Një herë mbysin pak me thanë dyqind mijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue fenë; grijnë myslimanë sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrënojnë me themel qindra e qindra katunde, veçse si e si me e farue kombin shqiptar.

(Pjesë nga Fjalimi i Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes në Paris, më 28 qershor të vitit 1919)

Një fragment i një këngë të gjatë të asaj periudhe tragjike për shqiptarët e besimit islam por edhe për katolikët e veriut të cilët nuk pranonin t’ i nënshtroheshim krishterimit bizantin,  e cila këndohet edhe sot nga këngëtarët shqiptarë:

 

Haj medet për Lug t`Baranit
N`kamb’ u çue Sava i Llazanit,

Savë Batarja kamb’ koka çue

Kam me gri shqiptarë me pre

Me ja ndrrue gjuhe e fe

Savë Bartja në kambë na u çue

Batalionin e ka shtrëngue

N Baran të Pejës koka shkue

Të gjithë serbët i ka bashkue

A po doni me ardhë me mue

Edhe fenë me e pranue

Ja të tanë keni me marue

Hazir Alia në kambë u çue

Edhe Savës na i ka kallzue

Na shqiptarë kem qëllue

Pa na gri pa na coptue

Fenë e sllavit s kem me e pranue

Atë herë Sava koka idhnue

Katërdhetë na i ka rreshtue

Me një batare ja u ka gjue

Me një batare haj medet

Na i ka vra katër dhjetë

Tanve ju pastë shpirti rahmet

Kanë dhanë jetën për komb të vet.

(Fragment nga një variant i këngës së Lugut të Baranit)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …