Ahmet Qeriqi: LIKOCI, bastioni i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (E mërkurë 1 korrik 1998, në Likoc)

Ahmet Qeriqi: LIKOCI, bastioni i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (E mërkurë 1 korrik 1998, në Likoc)

Edhe pse jam tejet i zënë me punë në konsolidimin e organizimit civil, të cilin e ushtroj me ndihmën e Elez Durmishit, të Heset Sahitit, të Ramadan Rizanit, Heset Hamdiut e të tjerëve, sot kam vendosur ta vizitoj Likocin. Elezi  duhet të takohet me Ilaz Dërgutin, unë me Shaban Shalën. Kemi vendosur thjesht të dalim paksa nga rrethi i Krojmirit dhe i Blinajës. Meqë bën vapë e padurueshme, jemi nisur në orët e mëngjesit. Heseti Sahiti nget “lladën” e tij, të cilën e ka lënë në shërbim të shtabit të Krojmirit.

Rruga është tërë gropa. Pluhuri ngrihet si re sidomos nga vozitja shumë e shpejtë e veturave që u bëjnë ushtarët tanë. Rruga nëpër të cilën duhet të shkojmë në Likoc, është rrugë e UÇK-së, me kthesa të  shumta  që i ka imponuar situata në terren.

Prej Krojmirit nisemi nëpër Shalë,  e prej Shalës kalojmë në Nekovc. Nëpër Grykën e Thatë të Nekocit, të cilën e kanë rregulluar nergut për lidhje me fshatrat e Rrafshnaltës, duhet të kalojmë në Divjakë, pastaj në Fshatin e Ri, në Tërpezë, Arllat e prej andej nëpër Negroc, Tërdec, Arbri e Epër, Arbri e Ulët, për të arritur në qendrën e UÇK-së, në Likoc, fshatin e Drenicës, tanimë të njohur kudo në botë, si bazë e fortë e luftës sonë çlirimtare.

Në  mesditë, pas një rruge të gjatë dhe të mundimshme, në vapë përcëlluese dhe me pluhur, pas tri orë rrugëtimi, hyjmë në Likoc.

Qendra e sotme e UÇK-së, deri para tre muajsh, ishte një fshat i braktisur dhe fare i panjohur, ashtu sikur po thuajse të gjitha fshatrat e Drenicës.  Sot Likoci është qendra më e frekuentuar jo vetëm e ushtarëve dhe e komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe e gazetarëve, diplomatëve, e tregtarëve dhe e shumë kureshtarëve, me siguri edhe e shumë spiunëve që nuk i njohim por na përcjellin. Këtu më tepër se në çdo vend në Kosovë vëren ushtarë. Të gjithë me mjekra, mbase për të emetuar luftëtarin dhe trimin më të njohur të kohës sonë, Adem Jashari, mbase edhe për të mos u identifikuar, për shkaqe që dihen. Të gjitha veturave u kanë hequr tagrat me simbolin shtetëror jugosllav. Në tagrat e reja shkruan UÇK. Shkurtesat për Zonën e Drenicës dhe numri serik me  zero përpara.

Fillimisht me Elez Durmishin dhe me Heset Sahitin drejtohemi në Shtab.

Pas pak çastesh, pasi u tregojmë se kush jemi dhe përse jemi drejtuar  atje, na lirojnë të hyjmë brenda.

Mirëseardhje na dëshiron Shaban Shala, ish i burgosur politik, me të cilin jemi njohur në Burgun e Novi Sadit, tani është ushtarak i njohur. Aty e takojmë edhe Sahit Jasharin, njërin ndër luftëtarët më të njohur të Komandantit Adem Jashari, si dhe kushëri i afërt me të. Pas pak vjen edhe Gani Koci me të cilin po ashtu njihem po ashtu shumë kohë më parë, Ganiu  me Murat Musliun nga Likoci, me Ramadan Dobrën dhe drenicas të tjerë e kanë luajtur rol kyç në organizimin e kryengritjes  shqiptare të vitit 1981. Të gjithë të burgosurit politikë të Drenicë por edhe më gjerë iu kanë bashkuar luftës së UÇK-së

Në shtab takojmë edhe ushtaraken,  Ylfete Spahiu që punon në administratë.

Kemi biseduar gjerë e gjatë sidomos me Shaban Shalën. Ai na jep informacione lidhur me organizimin e jetës ushtarake dhe civile. Ai na tregon format dhe metodat organizative, të cilat sipas tij, nuk hasin në pengesa meqë gatishmëria e popullatës për ta mbështetur UÇK-në, është e pa rezervë.

Shabani ankohet në disa segmente organizative, të cilat mbase i bën të pamundshme faktori objektiv. Pas një qëndrimi të gjatë dhe bisedës shteruese për shumë probleme aktuale, dalim nga shtabi dhe nga aty na dërgojnë në kuzhinën ushtarake për të drekuar.

Elez Durmishi është takuar me Ilaz Kocin dhe kanë shkuar ta takojnë Ilaz Dërgutin, po ashtu njëri ndër luftëtarët e radhëve të para të UÇK-së, dhe shok i ngushtë i armëve dhe i idealit me Adem Jasharin.

Pasi përshëndetemi me Shaban Shalën dhe me të tjerë, unë dhe Heseti vendosim të shëtisim nëpër Likoc.

Afrohemi te pusi klasik, përballë Spitalit ushtarak. Meqë bën vapë e padurueshme, mundohemi ta shuajmë etjen me ujin e ftohtë të Likocit. Aty presin në radhë për të pirë ujë ushtarët, gazetarë të vendit e të huaj që presin  për të marrë ndonjë intervistë nga komandantët. Gazetarët e huaj po ashtu presin ditë të tëra për të intervistuar dhe për të përcjellë zhvillimet nga vendi i ngjarjeve.

Jeta në Likoc, zien. Kudo vëren ushtarë, fëmijë, gra burra, gazetarë, tregtarë, mjekë, kalimtarë rasti, kureshtarë, po mbi të gjitha të bën përshtypje ushtari i UÇK-së që ecë rrëmbimthi, më duket sikur ngutet për ta zënë kohën e humbur të historisë.

Pas pak çastesh, me Hesetin i cili e përjeton me një ndjenjë të veçantë ngazëllimi me panoramën lëvizëse e tejet dinamike të Likocit, ulemi në një tavolinë, të tavernën e një kafeneje. Kamerieri sakaq na ofron shërbimet, qaj rusi, kafe, ujë mineral. Kur e pyesim se e ka birrë, ai rezervohet. Si duket  të pranishmëve nuk u ka shërbyer dhe mëdyshet sado që i vjen keq meqë vëren se nuk jemi vendas.

Pas pak në tavolinë vjen Tahir Desku, shkrimtar e poet, por tani gazetar i luftës, dashamir i fortë i birrës.

Edhe pse nuk jemi parë  më parë, ai tregohet shumë i afërt, por tejet i preokupuar me mendimet e tij. Rrëfen për luftimet, për masakrat rrëfen për njerëzit dhe nuk ndalon as për një çast. Rrëfimin e tij është sikur ai dialogu  xhojsian e ka vështirë ta përcjellë bashkëbiseduesi i rastit. Edhe pse mundohet të mbahet e të tregohet esëll, në sytë i hetohet pagjumësia, lodhja, shqetësimi i përzier me qëndresë, shikimi tejet i papërcaktuar. Ai flet para të pranishmëve, por projeksionin mendor e ka ngulitur diku larg, në ndonjë zhvillim që më tepër i përket kontemplacionit të tij filozofik. Edhe pse iu kemi prezantuar, ai si duket as ka dëgjuar duke mos u shkëputur as për një çast nga bota

e tij tejet e trazuar meditative, e përzier edhe nga efekti i birrës… Nga disa ushtarë ka dëgjuar edhe për një masakër tjetër që e kanë kryer  hordhitë serbe dhe është në gjurmim për të bërë një lajm dhe për t’ua shpërndarë medieve të huaja.

Duhet gjurmuar me çdo kusht, sërish sikur noton në botën e tij të papërmbajtur.

Ritmi dhe dinamika e kohës së UÇK-së në Likoc, kanë veçanti të tjera.

Aty është qendra. Drejt Likocit është drejtuar edhe përqendrimi shumë i vëmendshëm i forcave armike. Lubia sllave po përpiqet ta kafshojë  sidomos Likocin. Këtë e dimë të gjithë. Ritmi i jetës në Likoc më përngjet me dinamikën e rrëfimeve filmike të ngjarjeve revolucionare të Amerikës qendrore, të cilat mund t’ i kem parë në ndonjë film që tani nuk më kujtohet

Mendimin tim ia shpreh Hesetit, derisa kishim dalë në treg.

– Ke gjetur një krahasim të qëlluar, aprovon Heseti

– Mirëpo, këtu megjithatë ka më shumë veçanti tipike, origjinale, shton pas pak.

– E kam fjalën për ritmin, dinamizmin, lëvizjet dhe sidomos shpejtësinë marramendëse me të cilën i ngasin veturat ushtarët e UÇK-së, ia kthej Hesetit duke vazhduar bisedën e pandërprerë.

Në tregun e Likocit, Heseti merr disa pako duhan dhe blenë një tranzistor. Ka tranzistor edhe duhan por dëshiron të blejë diçka në tregun e Likocit.

Çmimet janë shumëfish të ngritura, por tani për tani nuk mungon asnjë artikull. Hetohet vetëm mungesa e karburanteve.

Dy orë para mbrëmjes vjen Elezi.

Pa vonuar nisemi në drejtim të Krojmirit.

Duhet të bëjmë një rrugë të gjatë, nëpër gropa e nëpër  pluhur, por kush pyet për pluhurin në kohë lufte

Likoci mbetet prapa.

Nisemi drejt Abrisë, në anën jugore të maleve të Kozmaqit.

Rruga është përplot automjete.

Lëvizjet nuk kanë të ndalur…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …