Ahmet Qeriqi: Lindori shqiptar i konvertuar në perëndimorin antikombëtar

Në kohën kur politika aktuale shqiptare e Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit garon, ditë e natë, për t’ u futur në Evropë, (edhe pse shqiptarët janë evropianë aq të moçëm sa vetë kontinenti), një qark i “intelektualëve” apo të tillëve që hiqen si intelektualë, poltronë dhe  puthadorë të të gjitha regjimeve, po bën përpjekje që t’i diskreditojë sa më shumë vlerat e mirëfillta të identitetit kombëtar të shqiptarëve, në mënyrë për ta ndihmuar politikën tonë poltrone, e cila në rrugë për tu pajisur me përmbajtje të “vlerave” evropiane shkon aq larg sa harron edhe prejardhjen, gjuhën e kulturën, të cilat në esencën e vetë historike  janë evropiane madje edhe para evropiane.


Përpjekjet, që po bëjnë Blendi Fevziu, nipi i Esat Toptanit, (besnikut më të fortë që ka pasur Serbia nga mesi i shqipfolësve),  pastaj Fatos Lubonja, Nexhmedini i Mitrovicës, Halil Matoshi, Ben Blushi dhe disa nga kjo “kotillë” e keqe e kombit,  për ta denigruar identitetin kombëtar të shqiptarëve, na kujton kohën kur nacionalistët serbë,  si: Vuk Drashkoviq, Milan Komneniq, Petar Sariq, Mirosllav Llazanski e të tjerë, fajtorin kryesor për dridhjet e më vonë  edhe shpërbërjen e Jugosllavisë e gjenin në  doktrinën e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar.


 


Gazetarët e shkrimtarët e apostrofuar serbë, në vitet ‘80 e ‘90,  shfrynin mllefin e urrejtjen kundër  nacionalizmit shqiptar, i cili sipas tyre ishte një nacionalizëm primitiv, folklorik e më vonë u etiketua edhe si nacionalizëm“terrorist”. Po kështu, nacionalizmi shqiptar i pengon  sot “kotillës” antikombëtare të disa shqipfolësve të sëkëlldisur, të cilët kanë të  drejtë të mos ndihen shqiptarë, kanë të drejtë të ndihen apo të deklarohen serbë, romë, grekë,  por nuk kanë të drejtë të shajnë, të përbuzin e të përdhosin ndjenjat atdhetare të miliona shqiptarëve. Të tillët, duke qenë të paguar nga qarqet antishqiptare dhe  gjithnjë kanakarë të politikanëve aktuale të integrimit evropian, arrijnë që idetë e tyre të çoroditura t’i plasojnë nëpër mediumet publike, që financohen nga taksapaguesit shqiptarë.


 


Ja si shprehet kundër nacionalizmit shqiptar, i përndjekuri i ish-regjimit të Enver Hoxhës, Fatos Lubonja, djali i komunistit më besnik të kohës. Ai, në një debat të organizuar nga Blendi Fevziu, e thotë gojëhapur se nuk është patriot, as nacionalist dhe nuk ndjen asnjë emocion  kur e dëgjon Himnin Kombëtar të shqiptarëve. Ai ka shfaqur përbuzje e mospërfillje edhe ndaj Heroit kombëtar të të gjithë shqiptarëve, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, duke thënë se nuk i bën përshtypje një përmendore e njeriut mbi kalë. Çuditërisht, ky farë Lubonja ka respekt të madh për nacionalizmin serb dhe grek, madje edhe për kalin e Car Dushanit, ashtu sikur vëllami i tij, apatrid,  Ben Blushi, i cili ka fiksion intelektual  historinë e prijësve grekë e  serbë,  ndërsa këta të fundit, sipas tij janë të vetmit luftëtarë të vërtetë,  që paskan luftuar kundër turqve. Është vështirë të gjesh edhe në mesin e shkrimtarëve serbë një glorifikues të tillë, të magjepsur të nacionalizmit të tipit fashist të  këtij kombi, i cili përgjaku popujt e Ballkanit, madje edhe popujt sllavë, vetëm sepse ata nuk ndihen serbë. Kjo “Kotillë” e shqipfolësve nacionalizmin shqiptar e quan “çerdhe të horrave” apo “fashizëm”  sikur e quan apatridi, Veton Surroi, apo fise shqiptarësh  terroristë, sikur e quan UÇK-në Jeta Xharra me BIRN-in e saj kozmopolit sllav.


Paraqitjet publike të këtyre horrave të multietnicitetit,  prejardhje e deridjeshme e bashkim vëllazërimit dhe e llumpen-proletariatit, doemos se kanë historikun e vet dhe dalin në sipërfaqe sidomos në kohë kthesash kombëtare, si reaksion, pse jo edhe si jashtëqitje e rëndomtë,  që bën organizmi i kombit në rrugë për t’u shpërlarë nga e keqja dhe monstruoziteti.


 


Duke folur për këtë soj atdhe e fe-mohuesish, filozofi i njohur shqiptar, Kristë Maloku, këtë kastë njerëzish apatridë  e kishte identifikuar si “shqiptar lindor”, i cili nuk është rezultat i islamizmit, por rrjedhë nga një ngjizje e keqe e kohës së Bizantit. Ai  qysh në vitet  30 të shekullit të kaluar kishte shkruar:


“Lindori shqiptar nuk njeh turp, ai s’ka cipë, që t’i nxihet. Lindori shqiptar është i zoti për të gjitha turpet. Shet babë e nënë, besën e nderin e vet, për të mos thënë: shpirtin e trupin e vet; vetëm e vetëm që t’i shkojë kungulli mbi ujë. Idealet e lindorit shqiptar janë kolltuku e llokma; dhe për t’i siguruar vetes këto të mira ai përdor çdo mjet: bëhet kur e do nevoja edhe patriot edhe tradhtar, monarkist e bolshevik, përparimtar e reaksionar, e bile edhe shok i fortë me të tjerë. Porse në shpirtin e vet është kryekëput rrënimtar, është shkatërrues dhe bashkohet me të tjerët, ashti si ujqit që vejnë së bashku në pre, por që e shqyejnë shokun e vet kur dobësohet apo plagoset udhës. Sepse Lindori shqiptar i ka instinktet e ujkut vetjak, të ujkut tek. Vendi ku ushqehet dhe majmet Lindori shqiptar është atdhe për te. Jo sepse e do, por sepse e shfrytëzon; dhe e shfrytëzon pa pikë turpi, dhimbje e kujdesi. Është gabim kur thuhet se Lindorizma na ka ardhur fillimisht nga Azia, apo nëpërmjet fesë islame, apo edhe nga populli turk. Jo kurrsesi, Lindorizma e jonë është një dhunti fatale e krishterimit euro-aziatik”.


 


Ky përshkrim i filozofit të njohur, Kristë Maloku, është përshkimi më realist  dhe më antologjik në historinë e mendimit filozofik shqiptar, dhe si i tillë, qind për qind i përshtatet atdhemohuesve të sotëm shqiptarë, që po i nxjerrë në sipërfaqe, frika nga bashkimi i kombit,  frika nga flamuri kombëtar dhe lëvizjet gjithnjë në rritje rreth idesë së bashkimit të natyrshëm dhe të domosdoshëm të shqiptarëve.


 


Këta ithtarë të zjarrtë  të kozmopolitizmit sllav, aktualisht nuk paraqesin ndonjë rrezik për kombin, as për atdheun, jo vetëm sepse janë një pakicë e papërfillshme, por sepse idetë dhe mendimet e tyre antikombëtare nuk zënë dot vend në mendjet e shumicës dërrmuese shqiptare, e cila gjatë tërë historisë ka qenë dhe ka mbetur besnike e vlerave dhe e kulturës së vetë, autentike, madje  edhe atëherë kur ka jetuar nën dhunë e robërinë shekullore, edhe sot në protektoratin, apo sikur thuhet, monitorimin e Bashkimit Evropian.


Shqiptarët janë ata që e kanë pranuar të parët krishterimin, por kurrë nuk e kanë pranuar sundimin  bizantin apo sllav, e kanë pranuar  islamin por kurrë nuk e kanë pranuar sundimin turk, janë ata që nuk janë dorëzuar nga dhuna 100 vjeçare sllave dhe do të jenë ata që nuk do të ndërrojnë identitetin kombëtar për të hyrë në BE, sepse këtë nuk e kërkon as BE-ja globaliste,  e cila sot është e nesër mund të mbetet në kujtesë, ashtu sikur kanë mbetur në margjinat e historisë  perandoritë e Lindjes dhe Perëndimit, Romës e Bizantit, Turqisë e Austro-Hungarisë,  Gjermanisë e  Rusisë (Jugosllavisë).


 


RKL: Sot shumë rrugë të trojeve shqiptare çojnë në Merdare dhe te Dheu i Bardhë


 


Thirrja e Lëvizjes vetëvendosje për ta ndaluar dhe për t’ua bllokuar hyrjen kamionëve me mallra që hyjnë përditë nga Serbia në Kosovë, nuk ka kurrfarë analogjie me veprimet e barrikaduesve serbë, në veri të Kosovës. Nuk mund të jetë veprim i njëjtë, për më tepër është krejtësisht i kundërt. Ndalimi në kufi i 300 kamionëve që hyjnë na Serbia në Kosovë, nuk nënkupton përpjekje për shkëputje të një pjese të  territorit të Serbisë, por vetëm stopimin e Serbisë për të hyrë në Kosovë, ashtu sikur regjimi serb stopoi ministrin e Qeverisë së Kosovës për të hyrë në Serbi, sepse Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk i lejon zyrtarët e vendit tonë të hyjnë në Serbi, dhe Qeveria e Kosovës lejon pa asnjë pengesë jo vetëm ministrat por edhe luftënxitësit madje edhe vetë kreun e shtetit, Boris Tadiq.


Në asnjë segment nuk mund të bëhen barazime të qëndrueshme të veprimeve të paralajmëruara të Vetëvendosje dhe veprimeve kundër shqiptare, kundër NATO-s dhe kundër BE-së, të serbëve të armatosur me armë zjarri, në veri të vendit tonë, para të cilëve mjerisht janë dorëzuar edhe forcat paqeruajtëse të NATO-s.


Janë 100 arsye për të protestuar kundër Serbisë dhe këtë e dinë mirëfilli edhe të gjithë politikanët, deputetët dhe policët e Kosovës, këtë e di çdo shqiptar liridashës i vendit tonë. Por a mjafton vetëm kjo?


Natyrisht se nuk mjafton, meqë shumica shqiptare në Kosovë tashmë është pajtuar me sovranitetin që vjen nga selia e BE-së, në Bruksel, ashtu sikur dikur e në një kohë,  kishte pranuar edhe sovranitetin e Jugosllavisë e të Serbisë.


Edhe asokohe: Ali Shukria, Azem Vllasi e Rrahman Morina na kërcënonin se kurrë nuk do ta bënim Kosovën Republikë, as me hatër as me dhunë.  Edhe në fillimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare na thoshin se ishim dorë e zgjatur e regjimit serb, se ishim kundër Ibrahim  Rugovës, kundër Sali Berishës, madje edhe kundër Amerikës.


Anatema po bie mbi vetëvendosjen dhe të gjithë ata që kanë vendosur të dalin në Merdar për t i thënë Serbisë, mjaft më na shkele, mjaft  na përbuze, mjaft na ke vrarë dhe na ke nëpërkëmbur. Ata që mendojnë se këto veprime nuk i meriton Serbia, ata që po mundohen të na bindin se dialogu me Beogradin është në dobi të Prishtinës, ata që po mundohen të na bindin se nuk guxojmë të ndërmarrin asnjë veprim ndryshe, janë pikërisht ata që kanë përfituar dhe po e marrin yndyrën e fitimeve nga 300 kamionët e Serbisë, që brenda një dite futen në Kosovë. Ata janë për çdo mallkim. Paragjykimi se do të ndodh hataja, është paragjykim  kobndjellës, sepse ende nuk ka ndodhur asgjë dhe tekefundit Lëvizja Vetëvendosje, do të detyrohet të korrigjojë veprimet, edhe pse krejtësisht të drejta, krejtësisht të ligjshme, krejtësisht të natyrshme, por krejtësisht kundër të gjithëve. Dhe ky është një pozicion që kërkon shumë sakrificë dhe shumë mençuri.


Në një rast të tillë, Lëvizja Vetëvendosje do të kalojë edhe një sprovë të rëndë, por nuk do të gjunjëzohet. Ajo do ta kuptojë mirëfilli se ishte shumë më mirë atëherë kur ishte Lëvizje e mirëfilltë dhe jo sot Lëvizje dhe parti parlamentare. Do ta kuptojnë mirëfilli se me gjuhën nxitëse të një segmenti brenda vetvetes kanë irrituar dhe do të irritojnë anëtarësinë dhe simpatizantët.


 Lëvizja Vetëvendosje, më 14 janar do të ndodhet para sfidave vendimtare. Aktualisht është para sfidës hamletiane dhe do ta ketë shumë vështirë ta ruajë krenarinë e fituar nëpër barrikada paqësore, nëse për shkaqe krejt objektive detyrohet të tërhiqet. Sot kur Vetëvendosja llogarit se është më e fortë se kurrë, sot është më e dobët se kurrë, jo sepse nuk ka të drejtë, por sepse veprimi edhe në rrugë edhe në Parlament është veprim i pamundshëm.


Kemi prirje të besojmë se më 14 janar  nuk do të reprizohet 10 shkurti i vitit 2007, sepse në radhët e Policisë së Kosovës nuk ka policë rumunë, as policë nga serbia, por ka vetëm policë shqiptarë, të cilët do të duhej të vepronin me ndërgjegjen më të thellë të mundshme patriotike, sepse ata, në raste si këto, ndodhen mes kullës  dhe çekanit.


 


Pavarësisht qëndrimit tonë kundërshtues ndaj një segmenti konfliktuoz brenda Vetëvendosjes dhe mospajtimit me disa metoda të veprimit, stafi i Radios-Kosova e Lirë e përkrah fuqishëm këtë protestë, sepse të protestosh kundër dominimit të një shteti, i cili të ka përgjakur dhe të ka masakruar  90 vjet, të protestosh kundër një shteti i cili zotohet se kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë, se kurrë nuk do t’iu kërkojë falje shqiptarëve, për krimet e shëmtuara që kanë kryer të gjitha regjimet serbe deri te ky i Tadiqit, se nuk zbardh fatin e më shumë se 1800 të zhdukurve të kidnapuar dhe të djegur nëpër shkritoret e Serbisë gjatë dhe pas luftës, protesta kundër një regjimi të tillë, në radhë të parë është detyrë patriotike, aq më tepër kur ndalimi i futjes së mallrave të Serbisë e dëmton sadopak këtë  shtet, që po mban qëndrim  konstant armiqësor kundër shqiptarëve dhe kundër të gjithë jo serbëve, në Ballkan.


 


Konsiderojmë se kjo protestë dhe të tjera të këtij lloji nuk janë të drejtuara kundër Qeverisë së Kosovës, meqë Qeveria dhe Kuvendi po tregohen të paaftë ose të pavendosur për të ndërmarrë masa reciprociteti.


Nëse Vetëvendosja dështon në këtë rast, dështon në masë edhe pavarësia e Kosovës, e cila edhe më tej do të  vazhdojë t’ i bindet verbërisht të gjitha këshillave ndoshta edhe presioneve të heshtura të BE-së.


Në një rast të tillë, nëse për të gjitha çështjet tona të brendshme dhe të jashtme,  duhet të pyesim Kuperin, Lunaçkun, Pakun, Gjentilinin, Fajtin e të tjerë si këta,  Kosova realisht  po e merr statusin e një  Republikë e varur nga Brukseli dhe të mos  ushqejmë iluzione se mund të ndërtojmë shtet autonom, derisa Bashkimi Evropian në emër të parimeve të veta ( që i konsideron universale)  na shtyn drejt Serbisë, apo ia hap rrugën Serbisë për t’ u kthyer në Kosovë, në emër të tregtisë dhe qarkullimit të lirë të mallrave dhe të njerëzve.


Serbia duhet të stopohet përgjithmonë në Merdar, përderisa nuk kemi arritur ta stopojmë “prej Prokupjes deri në Nish”.

Kontrolloni gjithashtu

Memli Krasniqi

Memli Krasniqi: Nuk do të ketë koalicion me Vetëvendosjen, pasi qëllimi ynë është të largojmë Albin Kurtin prej pushtetit

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka theksuar se nuk ka mundësi për një koalicion të …