Ahmet Qeriqi: Luani duhet sa më parë të shkojë në Shqipëri (E enjte 19 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Luani duhet sa më parë të shkojë në Shqipëri (E enjte 19 nëntor, 1998)

Moti duket sikur është përmirësuar por ka filluar era e dimrit.

Fryma e ftohtë që vjen nga veriu paralajmëron ditë me acar dimri.

Reshat Gashi erdhi për të biseduar për Faruk Gashin. Ai kërkon që unë të ndikoj te ndonjë nga eprorët, në mënyrë që Faruku të pranohet në Policinë ushtarake, meqë tani për tani janë edhe dy vende të paplotësuara. Reshati e di mjaft mirë qëndrimin tim për Farukun si dhe kundërvajtjet e tij të shumta. Ai, po ashtu e di është hija e Azem Sylës dhe unë konkretisht që e ruajmë Farukun, i cili pavarësisht se është apo jo fajtor, në këtë mes trajtohet si delja e zezë. I tregoj Reshatit se unë në asnjë rast nuk përzihem në punë të tilla, ndërsa për Farukun pres derisa të vijë Azem Syla, nga i cili do të kërkoj që ta merr me vete. Shumë kohë kam humbur duke u interesuar për të. Dhe, ç`është më keq iu kam ekspozuar dyshimit të njerëzve të mi të afërm.

Elezi e ka siguruar një fotografi të Jetë Hasanit, të cilën së bashku me shkrimin përmes Naim Imerit apo Skënder Hotit do ta dërgojmë në redaksinë e gazetës, Bota e Re, për ta botuar.

Isë Krasniqi i ka evituar defektet në kompjuter dhe tani presim të na dërgojnë ndonjë gjenerator, meqë njëri është defektuar, ndërsa tjetrin me urdhër të Shtabit e kanë marrë dy ushtarë të Kleçkës.

Sylë Qeriqi tregon vështirësitë që janë krijuar me rastin e ndarjes së uniformave. Vetëm 50 ia kanë ndarë batalionit tonë, edhe pse nevojat janë katërfish më të mëdha. Shumica e ushtarëve tanë të veshur holl dhe keq. Disa kanë uniforma të holla verore. Shumë të tjerë nuk kanë fare uniforma por kanë siguruar nga një emblemë të UÇK-së, të cilën e kanë qepur në krahun e majtë. Të shumta janë edhe uniformat që ia kanë qepur vetë nënat, motrat apo nuset e ushtarëve.

-Më mirë që janë pak uniforma,  – e thyen heshtjen Reshat Gashi.

-Si më mirë,- ia kthen njëri nga ushtarët.

-Ashtu de, më mirë, – përsërit Reshati. Do t`ishte më keq po të kishim uniforma shumë dhe të mos kishte ushtarë të interesuar për to.

Reshati vazhdimisht bën përpjekje për t`i tejkaluar situatat. Kësaj radhe me të vërtetë shihet një tendencë e atyre që bëjnë diskriminim në këso raste. Duhet kërkuar nga Nazmi Iballi mjete dhe duhet t`i blejmë të paktën edhe 100 uniforma dimërore, për ndryshe duhet siguruar pallto dimri, nga këto që i shpërndajnë këta të Nënë Terezës.

Sot ka ardhur për një ankesë tjetër,  Hajriz Qeriqi. Ai na bën me dije se katër ushtarë, të cilët para një kohe kanë arritur nga Shqipëria me armatim, armët dhe uniformat ua kanë ndaluar në Kleçkë, me arsyetim gjoja për të mësuar se si kanë ardhur deri te armët dhe kush i ka çuar në Shqipëri për armatim. Ata janë miq dhe shokë të Hajrizit, ushtar i radhëve të para.

Edhe një problem që e rëndon situatën e përgjithshme në mesin e ushtarëve tanë. Të gjitha këto veprime janë të koordinuara dhe me prapavijë tejet të rrezikshme. Dikush po i fryn me çdo kusht zjarrit të përplasjeve. Për çfarë interesash dhe përfitimesh, kjo mbetet të shihet.

Luanit iu ka tretur durimi. Ai ka filluar të stërkeqet dhe duhet bërë përpjekje që sa më parë ta dërgojmë në Shqipëri, përndryshe mund të ndodhin gjëra të rrezikshme dhe të paparashikueshme. Sa i përket Sylës, Elezit dhe të tjerëve jam i sigurt se i mbaj nën kontroll. Luanin e kanë çartur ata të Shtabit, kush më shumë e kush më pak. I di të gjitha, por nuk kam forcë t`i ndryshoj.

Sipas të gjitha analizave që po i bëj zhvillimeve të kohëve të fundit, del se e mira e së mirave tani për tani është që Luani të dërgohet në Shqipëri dhe të sistemohet diku gjetkë. Mirëpo edhe për këtë rrugë janë të njëjtit që mund ta pengojnë. Duhet ndërmarrë diçka!

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Me eprorët e Dukagjinit (E premte 13 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Me eprorët e Dukagjinit (E premte 13 nëntor, 1998)

Herët në mëngjes, Luani dhe Elez Durmishi janë nisur për në Kleçkë. Ata për çdo …