Ahmet Qeriqi: Luftëtarët tanë i sulmojnë forcat serbe te Gurina në Blinajë dhe arrijnë ta marrin trupin e dëshmorit Halil Nezir Metaj (E diel 23 maj 1999)

Ahmet Qeriqi: Luftëtarët tanë i sulmojnë forcat serbe te Gurina në Blinajë dhe arrijnë ta marrin trupin e dëshmorit Halil Nezir Metaj (E diel 23 maj 1999)

Sot kam vendosur të qëndroj në Krojmir dhe të pushoj. Gjatë ditës kam takuar shumë nga të afërmit dhe bashkëfshatarët që ndodhen në Grykën e Shpëtimit. Ata janë të interesuar të dinë se ç’ po bëhet, duke menduar se unë di diçka më shumë se ata.

Epiri, djali im  dhe Përparim Isë Qeriqi  me qerre të kalit janë nisur drejt fshatit për të marrë një thes miell, që ka mbetur në shtëpinë ku kemi qëndruar para se jemi rivendosur në Grykë. Arbana dhe Zamiri, po ashtu kanë shkuar te shtëpia, në fshat edhe pse rruga është mjaft me rreziqe të papritura.

Më vonë ka ardhur për të më parë dhe për të biseduar Reshat Gashi, Naser Bytyçi.

Në orët e hershme të mëngjesit një njësit i Njësisë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm, ka depërtuar te vendi ku ka rënë dëshmor Halil Metaj dhe pas zjarrit mbi forcat armike ata kanë arritur ta tërheqin trupin e tij të pajetë. Trupi i dëshmorit është varrosur në Krojmir në rrethana të jashtëzakonshme, meqë luftimet në Blinajë janë zhvilluar gjatë tërë para ditës.

Më vonë kam biseduar me Sylë Qeriqin dhe Elez Durmishin lidhur me rënien e Halilit. Elezi rrëfen se ushtarët tanë në vëzhgim janë sulmuar në befasi nga forcat armike dhe nga zjarri i pandërprerë  bashkëluftëtarët nuk kanë arritur ta tërheqin trupin e dëshmorit. Mirëpo atë e kanë tërhequr në orët e hershme të mëngjesit pasi që disa ushtarë të njësisë speciale kanë hapur zjarr mbi pozicionet armike nga një vend i caktuar për t’ iu tërhequr vëmendjen nga vendi ku ndodhej trupi i pajetë i dëshmorit. Pastaj kemi biseduar lidhur me takimin që kam pasur në Berishë me Sami Lushtakun dhe propozimin e tij për t’ia bashkëngjitur Zonës së Drenicës, Brigadën 121, Ismet Jashari-Kumanova.

Elezi më ka treguar edhe për aksionin, i cili është ndërmarrë me 19 maj në një depo ushtarake serbe në Magurë, me ç rast luftëtarët tanë në krye me Komandant Murrizin, Besim Malën dhe shumë luftëtarë të tjerë të dalluar kanë rrëmbyer afër 500 mina antitank dhe më vonë e kanë hedhur në erë bunkerin armik, me ç’ rast janë shkatërruar qindra raketa tokë-tokë dhe municion tjetër. Aksioni është kryer me sukses dhe nuk ka pësuar asnjë nga luftëtarët. Në këtë aksion, që është më i rëndësishmi që ka ndërmarrë deri tani UÇK-ja në anët tona, përveç qindra ushtarëve kanë qenë mobilizuar edhe afër treqind civilë, të cilët i kanë mbartur minat në dorë prej Magurës deri në Grykën e Krojmirit e pastaj, në Kleçkë. Elezi dhe Syla rrëfejnë se minat janë vendosur në shumë pika, ku mendohet se mund të depërtojnë forcat e motorizuara të armikut.

Në mbrëmje, forcat serbe të pozicionuara në hyrje të fshatit Shalë kanë granatuar pa ndërprerë në drejtim të pozicioneve të luftëtarëve tanë në Shalë dhe në Krojmir.

Hyrja në Grykë të Shalës është fortifikuar mirë dhe  tani për tani nuk ka ndonjë rrezik. Edhe në Grykën e Shalës janë grumbulluar mijëra të zhvendosur, kryesisht nga fshatrat e Drenicës jugore. Në krahasim me vitin e kaluar, kur nga Gryka ishin larguar po thuajse të gjithë banorët e Shalës, kësaj radhe shumica syresh me kohë kanë depërtuar në Grykë dhe janë mobilizuar shumë mirë, për të përballuar të gjitha befasitë që mund të na shkaktojë armiku. Edhe atje është aktivizuar një mulli klasik i cili bluan  24 orë pandërprerë. Në mesin e të zhvendosurve është edhe miku im Adem Shamolli me krejt familjen e tij dhe shumë familjarë të Shalës, Risinovcit, Fushticës, Mirenës etj.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …