Mbrëmë ka bërë ftohtë. Sa herë që fryn era oda ftohet. Në raste të tilla më del gjumi dhe nuk më merr më me orë të tëra. Ende nuk kemi siguruar shtrojë e mbulojë të mjaftueshme. Për kushte dhe rrethana lufte, tani për tani nuk duhet të ankohemi në asnjë segment, ndërsa sa u përket mosmarrëveshjeve tona, ky është tregues i nivelit jo sa duhet të emancipuar. Ndoshta lufta me të gjitha të këqijat ushtron ndikim të tillë te njerëzit. E vërej se këtu askush për askënd nuk ka respekt, Tani respektohet grada, posti dhe në asnjë mënyrë më i vjetri apo ai që të ka bërë mirë dhe të ka ndihmuar tërë jetën. Kjo duhet të jetë pasojë e luftës, apo e vetëdijes së ulët emancipuese. Sido qoftë, këso hallakamësh ndodhin në raste të veçanta. Nuk dimë se çfarë mund të na sjellë e nesërmja.
Burimet tona të lajmeve nga terreni bëjnë të ditur se serbët po granatojnë, pastaj po i plaçkitin fshatrat dhe në fund po ua japin zjarrin. Sot luftime të ashpra janë zhvilluar në zonën e Artakollit dhe në fshatrat rreth Qyqavisë. Luftime janë zhvilluar edhe në rrethinën e Hanit të Elezit dhe në zonën e Dukagjinit. Në disa zona ushtarët tonë kanë mbetur pa municion. Rruga për në Shqipëri kalohet shumë vështirë në kushte dhe rrethana të dimrit, por nuk ndalet.
Nga Nju jorku ku punon afër 15 vjet sot më ka marrë në telefon kushëriri im Salih Musë Qeriqi. Salihu interesohet të dijë se a jemi të gjithë dhe si po e përballojmë luftën. Ai së bashku me katër vëllezërit dhe familjet e tyre janë larguar nga Kosova. Në Amerikë janë Salihu, Idrizi dhe Musai, ndërsa Halili në Suedi. Vetëm Shaipi me familje jeton në Matiçan.
Në Paris tanimë është kompletuar delegacioni shqiptar. Pritet që ceremonia e nënshkrimit formal të Marrëveshjes të bëhet nesër apo pasnesër. Punët po zvarritën dhe askush nuk di të shpjegojë se çka duhet pritur, kur tanimë dihet mirëfilli se serbët nuk do ta nënshkruajnë Marrëveshjen. Në anën e saj përmbajtësore si marrëveshje ajo është e dështuar, mirëpo për faktorin ndërkombëtar e sidomos për diplomatët amerikanë ka shumë rëndësi bindja që shqiptarët po tregojnë në faktorin ndërkombëtar.
Dorëheqja e Bacë Adem Demaçit, nuk solli ndonjë përçarje të madhe. Edhe pse flitet për mospajtime nuk ka ndonjë përçarje të pariparueshme. Nuk e di se çka do të ndodh më vonë por nuk besoj që komandantët e zonave do të dalin kundër nënshkrimit të Marrëveshjes. Ata edhe ashtu janë shumë të zënë me luftën dhe nuk ia varin fort politikës. Mendoj se nuk do të ballafaqohemi me rreziqe të mëdha, sepse armikun e kemi përballë dhe ai nuk na lë të mendojmë shumë për politikën që po zhvillohet në Francë. Ushtarët kanë dhënë betimin e tyre të shenjtë para flamurit dhe ata po luftojnë. Kjo është esenca e luftës, kjo është edhe garanci e fitores…