Ahmet Qeriqi: Luftime të ashpra në Shipol të Mitrovicës. Pas gjashtë orë luftimesh ushtarët tanë e çajnë rrethimin, 20 janar, 1999

Ahmet Qeriqi: Luftime të ashpra në Shipol të Mitrovicës. Pas gjashtë orë luftimesh ushtarët tanë e çajnë rrethimin, 20 janar, 1999

Burimet tona informative nga terreni na bëjnë me dije se një grup ushtarësh tanë janë zënë të rrethuar në një lagje të Mitrovicës, diku në dalje të Shipolit. Sipas një varianti thuhet se ushtarët u kanë shkuar në ndihmë popullatës, të cilët i ka rrethuar policia, në xhaminë e fshatit. Ndërkohë forcave e mëdha serbe i kanë vënë nën rrethim ushtarët tanë prapashpinës së tyre. Për gjashtë orë ata kanë mbetur në rrethim. Disa luftëtarë të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës i kanë sulmuar prapashpine forcat serbe, të cilat janë tërhequr me turp.

Sipas të gjitha gjasave ushtarët tanë kanë shpëtuar. Të dhënat ende nuk janë konfirmuar nga burimet e tjera të lajmeve, meqë ende nuk dihet epilogu dhe humbjet eventuale.

Më vonë jemi njoftuar se gjatë tërheqjes ka rënë një ushtar yni.

Trimat e Shalës së Bajgorës, bashkëluftëtarët e Mehë Ukës po shkruajnë faqe lavdie në fushëbetejat e Osman Bunjakut dhe të Ahmet Selacit.

Lufta çlirimtare edhe pse në dimër në dëborë dhe acar po merr përmasa.

Kthim prapa nuk ka. Kjo është tani për tani motoja e vetme e luftëtarëve të përkushtuar të lirisë. Kjo është edhe garancia më e sigurt e fitores.

Duke qenë se kemi shumë informacione prej sot kemi filluar paraqitjen paraprake të titujve kryesorë të lajmeve në fillim të emisionit.

Përveç informatave kemi përgatitur edhe disa emisione të tjera, letra përshëndetëse të ushtarëve drejtuar stafit të Radios dhe të Agjencisë dhe disa këngë patriotike.

Në seli kanë ardhur për të na vizituar dy ushtarë nga Baica, Skënder Imer Bylykbashi dhe Shefqet Fatmir Bylykbashi, nga familja e Kapetan Shefqetit një personalitet i njohur i kësaj ane gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Skënderi ka qenë shok shkolle i Nusret Pllanës. Ai ka ardhur për ta parë dhe për të biseduar me Nusretin, spikerin e Radios-Kosova e lirë, i cili para se të inkuadrohet në radhët tona ka marrë pjesë në luftime edhe në Jabllanicë dhe në Dushkajë, në Zonën Operative të Dukagjinit.

Pas transmetimit të programit, me Martin Çunin kemi marrë rrugën tonë të përditshme drejt Krojmirit, që është në njëfarë mënyre qendra jonë e lëvizjes. Deri sa po zbritnin teposhtë në fund të zabelit takojmë Nezir Myrtajn dhe Sheqir Zenelin, të lodhur dhe të bërë tërë djersë nga rrugëtimi përpjetë dhe nëpër dëborë.

Sheqir Zeneli, nga Prapashtica martire, me vendbanim në Prishtinë, profesor i gjuhës, ish i burgosur dhe anëtar i hershëm i ilegales patriotike ka mbajtur kontakte ilegaliteti sidomos me Azem Sylën, Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ai na viziton shpesh dhe na ndihmon në të gjitha aspektet. Sheqa është një shok besnik, atdhetar i përkushtuar dhe i pathyeshëm.

Ali Mullini si zakonisht na pret te Gryka. Ai tërë ditën tymos duhan në veturë dhe duke qenë se unë e Martini jemi kundërshtarë të duhanit, sapo stacionohet në grykë i hap dritaret e veturës, për të mos u hetuar tymi në veturë. Martini e ka hetuar këtë veprim të Aliut dhe i thotë që herë të tjera të mos i lë dritaret hapur, por të dalë jashtë e të tymos. Aliu, ka respekt të madh për mua e Martinin dhe  në prezencën tonë nuk e ndez edhe pse në raste të tjera nga duhani e ndanë vetëm gjumi.

Në mbrëmje ka ardhur Elez Dumishi. Ai tregon se gjatë tërë ditës së sotme ka pasur granatime të herë pas hershme të forcave serbe në anën perëndimore të Grykës së Carralevës, drejt pozicioneve të Jetullah Çarrit, komandant Gurit. Si duket serbët kanë bërë përpjekje për të depërtuar në drejtim të  Rancës, por kanë hasur në rezistencë të fortë të forcave të Komandant Gurit dhe të komandant Qerqizit, Isak Musliut nga Reçaku. Sipas fjalëve që ka dëgjuar Elezi nga disa ushtarë, thuhet se disa  policë serbë janë vrarë. Lajmi ende nuk është konfirmuar nga burime të tjera relevante.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …