Sot është Dita e mësuesit. Për këtë ditë me rëndësi të arsimit kombëtar e kam përgatitur një shënim tematik, duke përkujtuar me këtë rast edhe mësuesit dëshmorë të rënë në luftë për çlirimin e vendit nga barbaria serbe.
Më mungojnë të dhëna për mësuesit dëshmorë. Në mesin e disave e kam përmendur Xhemajli Berishën i vrarë në burg nga bandat serbe pastaj profesor Hamdi Berishën i cili ka rënë me armë në dorë në betejën legjendare të Rahovecit dhe disa të tjerë.
Burimet tona nga terreni kanë bërë të ditur se sot janë duke u zhvilluar luftime të ashpra sidomos në zonën e Kaçanikut. Forcat serbe kanë granatuar në drejtim të fshatrave Ivajë, Strazhë, Pustenik, Gajre e fshatra të tjera. Thuhet se ka të rënë dhe të plagosur nga radhët tona por tani për tani nuk kemi informacione të sakta.
Luftime janë zhvilluar edhe në Zonën Operative të Llapit, në Drenicë dhe në Shalë. Mësohet po ashtu se për shkak të sulmeve barbare serbe, popullata e disa fshatrave të Kaçanikut është gjendur nën rrethim dhe granatim të pandërprerë. Me siguri se ka të martirizuar edhe në radhët e popullatës, e cila nëpër acar dhe dëborë po mundohet të shpëtojë nga kthetrat e gjakatarëve.
Berat Luzha sot është në elementin e tij jetësor. Duke qenë se e kemi qesendisur se Kaçaniku po merr pjesë në luftë, ai sot ndihet i trimëruar. Sa më afër po afrohet dita për nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë, aq më agresivë po tregohen forcat okupatore.
Edhe gjatë ditës së sotme me të njëjtin intensitet kemi punuar në përgatitjen e programit të Radios-Kosova e Lirë, e cila po dëgjohet me ëndje kudo në Kosovë. Fatkeqësisht se nuk kemi kushte as edhe kuadër të mjaftueshëm për ta begatuar programin. Radioja ka fuqi të pazëvendësueshme të ndikimit në masa dhe në edukimin e tyre patriotik.
Sot, për dallim nga ditët e tjera nuk kami pasur shumë vizitorë. Këtu zakonisht vjen Fadil Berisha një luftëtar i përkushtuar nga ky fshat i cili përkujdeset për ne ashtu sikurse për ushtarët e vet. Fadili është shenjëtar i njohur dhe syrit të tij nuk i shpëtojnë as derrat e egër. Ditë më parë ai e ka vrarë një dhe na ka bërë mish për disa ditë.
Këtu nuk kemi komplekse sa i përket mishit, por është më se sigurt se mishi i derrit të egër është ndoshta më i pastër se i shumë kafshëve të tjera të buta.