Lugina ka filluar gjallërimin e vet të pazakontë. Luftimet janë sporadike.
Luftëtarët tanë janë tërhequr nëpër prita dhe në vende të sigurta duke e vëzhguar çdo lëvizje të forcave armike. Serbët, edhe pse në dukje po e festojnë fitoren, ata pritet të sulmojnë befasisht, egërsisht si gjithnjë.
Janë marrë të gjitha masat për fortifikimin e pozicioneve sidomos në hyrje të Grykës, edhe pse forcat serbe janë disa kilometra më larg.
Pjesa dërrmuese e ushtarëve ka moral të lartë qëndrese. Ata janë betuar.
Këmba e shkaut nuk do të shkelë në Grykë, veçse mbi trupat tonë të vdekur!
Sot ndodhi një e papritur.
Në mëngjes dikush ka informuar disa të zhvendosur në Grykë se forcat policore serbe janë tërhequr nga postblloqet. Bëhet e ditur po ashtu se shumë banorë të Shalës dhe të fshatrave të tjera kanë filluar me traktorët e mbushur përplot njerëz dhe rraqe të depërtojnë nëpër Blinajë në drejtim të fshatrave të Rrafshit, në Dobrajë, Ribar i Madh e fshatra të tjera.
Përnjëherë në mesin e turmës vërehen lëvizje.
Duket sikur serbët janë tërhequr me qëllim nga rruga për të lejuar dyndjen dhe shkapërderdhjen e popullatës. Ata e dinë mirëfilli se popullata e organizuar është bazë logjistike e luftës, ndërsa njerëzit tanë marrin kokën në dorë dhe ik kush kah të mundet.
Në orët e pas ditës, Ramadani, Heseti, Vehbiu më tregojnë se pothuajse të gjithë banorët e Pjetërshticës, të cilët nga fshati janë tërhequr në drejtim të Dukës e Karaqicës, tani nëpër Grykë të Krojmirit, po zhvendosen në drejtim të Blinajës, nëpër fshatrat e Rrafshit të Kosovës. Në krye të kësaj ikjeje të qetë dhe kokë-ulur prijnë ish strukturat LDK-iste, të cilët nuk janë të gatshëm të qëndrojnë.
Bëhet e ditur se nga baza e Zborcit serbët kanë goditur lagjen Karpuzi të Shalës, me ç rast është vrarë 50 vjeçari, Haxhi Karpuzi, i cili nuk është larguar nga shtëpia. Forcat okupatore po granatojnë kohë pas kohe në drejtim të Pjetërshticë, Krojmirit e Shalës. Ata u kanë vënë zjarrin grunajeve, shtëpive dhe pasurisë së patundshme kudo ku arrijnë. Mirëpo nuk kanë guxim të depërtojnë në pyjet e Blinajes.
Me një granatë është goditur edhe një kombajë me të cilën po korrte grurin në Krojmir një shofer nga Caraleva. Për fat shoferi ka shpëtuar dhe ka ikur në drejtim të sigurt.
Në rrethana të reja të jashtëzakonshme, kemi ndërmarrë të gjitha masat e sigurimit të hyrjes në grykë nga të gjitha anët. Janë vendosur ushtarë që do të vëzhgojnë hyrjet e daljet e personave që për një arsye ose tjetër janë në shtegtim. Ata duhet të legjitimohen dhe të shënohet në fletore lëvizja e tyre. Po kështu ka vepruar edhe Ismet Jashari, Komandant Kumanova i cili i ka ruajtur pozicionet në Javur, Në Luzhnicë, në Qafë të Duhles dhe në Dukë e Karaçicë. Tani për tani ana jugore e Grykës është nën siguri të plotë. Në vendtakimin tonë me territorin e Kumanovës kemi vendosur një njësit vëzhgues, në të cilin kryejnë detyrat Hasan Qeriqi dhe Naim Rizani.
Njësiti është vendosur në “Leshkë”, të cilën luftëtarët kanë filluar ta quajnë “Lezhë”. Vëllai im Hasani, luftëtar i UÇK-së me bashkëshorten dhe shtatë fëmijët e tij është vendosur në një shtëpi përdhese në Karaçicë, te Adem Krasniqi daja i Gjyshit tonë, pasi që të gjithë fëmijët i ka të vegjël, ndërsa Valdrini është sëmurë rëndë nga të ftohtit. Atje, me Naim Rizanin ushtron roje në dalje të Grykës nga ana perëndimore.